Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə5/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19

 


Përgjegjësia politike 

Në fjalën hyrëse, që u citua në krye të këtij kapitulli, kryeprokurorja Carla del Ponte theksonte shprehimisht: "I akuzuari në këtë rast, si edhe në raste të tjera të Tribunalit, akuzohet si individ. Ai ndiqet penalisht në bazë të përgjegjësisë së tij penale individuale. Sot në gjykatë nuk nxirren as shteti as organizata. Padia nuk akuzon një popull të tërë të jetë fajtor në mënyrë kolektive për krimet, madje edhe atë të gjenocidit […] Faji kolektiv nuk bën pjesë në rastin e prokurorisë."180 Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësinë për vepra penale që gjatë procesit kundër Milosheviqit do të sqarohen në Tri­bunalin e Gjykatës së Hagës për Krime të Luf­tës gjatë dy viteve të ardhshme. Roli i lartë i Mi­losheviqit në konfliktin jugosllav nuk mund të kuptohet vetëm mbi bazën e qëllimeve të tij poli­tike, nëse nuk ndriçohet edhe ambienti ideologjik i tij. Kur ky, pas Ivan Stamboliqit me prirje liberale, erdhi në pushtet, përkatësisht e grabiti atë, - ambienti i përshtatshëm tashmë ishte krijuar dhe, në krijimin e tij kishin marrë pjesë aktorë të ndryshëm. Milosheviqi duhet të konsiderohet për fajtorin kryesor të përdorimit të dhunës në katër luftërat e zhvilluara në ish Jugosllavi, por ky nuk mund të merret edhe për të vetmin përgjegjës.181

Si edhe gjetiu në botë, edhe në këtë konflikt do të duhej të shtrohej jo çështja e fajit kolektiv, por duhet të shtrohet çështja e përgjegjësisë politike.182 Zhbërja me dhunë e shtetit nuk mund të merret vetëm vepër e Milosheviqit, sepse, si në çdo konflikt, veprimi i aktorëve të veçantë si individë është i lidhur ngushtë me faktorë e me struktura të tjera.183 Roli i veçantë i tij duhet kuptuar në lidhje të ngushtë me ndikimin nga Akademisë serbe dhe Memorandumi dëshmohet këtu për bazë ideolo­gjike e veprimtarisë së tij politike.184 Është gjë e njohur që Milosheviqi e instrumentalizoi në më­nyrë të vazhdueshme dhe të vetëdijshme naciona­lizmin serb dhe racizmin antishqiptar, ashtu siç ishte propaguar përditë, duke filluar që nga vitit 1981, nga faktorë me ndikim si shkrimtarë, klerikë, shkencëtarë dhe nga mediat. Dhe, ky nacionalizëm e ky racizëm nuk është aktualizuar gati askund më efektivisht sesa në Memorandum dhe njëkohësisht i shkruar në një dokument, prapa përmbajtjes së të cilit qëndronte instanca më e lartë shkencore e vendit.185 Se sa i madh ishte ky ndikim në shoqë­rinë serbe prej vitit 1966, nga Akademia më 1995 vërtetohet një gjë:186 

Analizat lucide të Memorandumit për gjend­jen dhe porositë e qarta patën efekt të madh në formësimin e opinionit publik. Menjëherë, dokumenti mori popullaritet të madh. Qe shaptilografuar, kaloi nga dora në dorë dhe shitej nëpër udhëkryqe"... "Prestigji i Akade­misë Serbe në sy të shoqërisë serbe u ngrit shumë shpejt pasi ky institucion kulture, që po kremtonte njëqindvjetorin e vet të parë, ndezi shpresat se ende ka individë që në zemër kanë interesat vitale nacionale e shtetërore të popullit serb dhe të Serbisë”187

Mendimet e këtilla lejojnë gjithsesi të heto­het edhe një dozë jo edhe aq e vogël e vetëdij­shmë­risë megalomane, por megjithatë ndikimi real mund të matet në kuadrin e dy rrethanave të mëposhtme: në kohën e botimit të Memorandumit dhe në gjendjen e asokohshme politike. Kur Večer­nje Novosti publikoi faktikisht pjesë të këtij dokumenti, qytetarët e Jugosllavisë e kishin tash­më, duke filluar që nga koha e vdekjes së Titos, ndjenjën e një situate të pasigurisë dhe të munge­sës së orientimit, që mund të vlerësohet si fazë e parë e zhbërjes së brendshme të institucioneve ju­go­sllave. Në këtë klimë politike ia behu Memo­randumi si një udhërrëfyes për synimet e qeverisë serbe dhe mundohej që brenda një shteti shumë­kombësh ta arrinte realizimin e koncepteve si „interesi nacional“, si „komb-shtet“, „bashkimi i regjioneve etnike“, „bashkimi i kombit serb “ etj. Në një mënyrë shumë të thjeshtë i bëhej e ditur popullatës serbe se kombet e tjera të Jugosllavisë, sidomos sllovenët, kroatët dhe shqiptarët e Kosovës, e mbajnë përgjegjësinë dhe akuzohen për gjendjen politike, ekonomike dhe kulturore në të cilën gjendeshin serbët e Serbia. U instrumentali­zua frika nga gjenocidi dhe u kriminalizua popullata shqiptare,188 e cila u portretizua si armik i përjetshëm i kombit serb, si historikisht ashtu edhe aktualisht.189 Këto janë pra pasione që, sikundër dihet, - duke nisur që nga vitet 1989/90 - me përkrahjen e madhe ose me përkrahjen e heshtur të opinionit serb, e lëshonin kushtrimin për përdorimin sistematik të dhunës.

Çështja e përgjegjësisë politike shtrohet gji­th­a­shtu edhe lidhur me disa nga hapat politikë të propozuar në Memorandum: Revidimi i kush­tetutës së vitit 1974, „Ribashkimi“ i Serbisë dhe luftimi i „agresionit shqiptar“ përmes „shpall­jes luftë“, përmes „luftës revolucionare “ dhe të „ konfrontimit të hapur “. Që nga vitet 1989/90 të gjithë këta hapa u bënë vërtetësi. Në verën e vitit 1988 shqipja u hoq nga përdorimi zyrtar dhe në vend të saj gjuhë zyrtare në Kosovë u bë ser­bishtja; më 24 mars 1989 autonomia e Kosovës u hoq përmes grushtshtetit; më 5 korrik 1990 me dhunën e policisë e të ushtrisë serbe u shuan parlamenti dhe qeveria e Kosovës190 Masat politike e juridike në fuqi, të dala nga kushtetuta e re, kishin fuqi të madhe veprimi drejt arsyetimit të diskriminimit të popullatës shqiptare së Kosovës. Ndryshimet kushtetuese patën për pasojë margji­nali­zimin social e ekonomik.

Masat me hark të gjerë veprimi ua dhanë për­gjithmonë qeverisë serbe dhe serbëve lokalë të Kosovës mujshinë e marrjes së aksioneve politike në dorë. Këta e delegjitimuan njëkohësisht vep­rimin politik dhe aksionet e popullatës shqiptare a priori. Sepse, sipas definicionit, legale është gjith­çka që mund të legjitimohet në kuadër të rregullit të vënë ndërsa, nga ana tjetër, ajo që është ilegale në rrafshin juridik, është edhe jolegjiti­me.191 Në vazhdën e kësaj shqiptarët u përzunë nga jeta publike, nga politika, nga ekonomia, administrata, shëndetësia, mediat dhe nga arsimi. Mjetet e infor­mimit në gjuhën shqipe u ndaluan dhe Universiteti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, shkollat etj., që në Memorandum mbahe­shin për djep të „agre­sionit shqiptar“, u serbi­zuan.192 U vendos një sis­tem aparteidi, i cili pati për pasojë një ndarje hori­zontale të shoqërisë: lart sundonte administrimi i dhunshëm i instaluar nga Milosheviqi, ndërsa poshtë shqiptarët po ndërtonin një shtet paralel.193

Kriminalizimi i shoqërisë shqiptare nuk u bë vetëm duke ia hequr kësaj të drejtat, por edhe duke ia hequr Kosovës identitetin simbolikisht. Kjo ka të bëjë me problemin e sapo trajtuar të përdorimit të nocionit me konotacione nacional-politike, „Ko­sovë e Metohi“. Duke e përdorur këtë emërtim, Akademia serbe dëshironte mbase të linte të kup­tohej se ajo nuk ishte e gatshme në asnjëfarë kon­stelacioni që ta njihte statusin juridik e kush­tetues të Kosovës në kuadrin e kushtetutës së vitit 1974. Njëkohësisht, duke u mbështetur mbi idenë e trojeve historike të definuara mbi pandehje të his­to­risë serbe, kjo Akademi synonte ta asgjësonte simbolikisht edhe karakteristikumin unik të struk­tu­rës së gjithmbarshme me shumicë shqiptare dhe në përgjithësi Kosovën si njësi unike më vete. „Ko­sovë e Metohi“ „ishte“ në sy të tyre qysh më 1985 në njëfarë mënyre pjesë e Serbisë, ashtu sikun­dër kjo, Kosova, kishte qenë për plotë dy dekada pas viteve 1944/45 në kohën kur ky emër dypjesësh vlente si emërtim zyrtar dhe kur Serbia e kishte kontrollin total mbi Kosovën. Ndryshimi faktik i propaguar i emrit të Kosovës ishte vetëm hapi i parë drejt ndryshimeve politike e kushte­tuese, të cilat do të duhej të ndodhnin. Kjo ndodhi edhe në rrafshin politik simbolikisht më 1990, kur duke e aprovuar kushtetutën e re të Serbisë, edhe zyrtarisht u fut në përdorim nocioni „Kosovë e Metohi“.194

Të përfundojmë: Historia e konfliktit të Kosovës dhe ajo e krimeve të bëra në këtë vend gjatë kohës së luftës (1998/99) mund të kuptohen në kompleksitetin e tyre, nëse analizohet drejt e mirë roli i elitave si p.sh. ai i Akademisë serbe. Rasti i Memorandumit e tregon edhe një herë, se me sa peshë janë konceptet shkencore e pseudo­shkencore për arsyetimin apriori të përdorimit të dhunës e të krimeve nacionale-politike. Dhe kjo ndodhë në një kontekst të vetëm: Shkenca nuk është menduar që analizat dhe rekomandimet e saj të referohen në vlera morale, por në rend të parë ato duhet të jenë objektive. Mirëpo, shkenca i përkrah percepcionet e së mirës e të së keqes, të së drejtës e të së padrejtës.195 Në këtë mes, as njerëzit e arsimuar e as ata më pak të shkolluar nuk janë, sikundër e tregon shembulli jugosllav, edhe gjithaq imunë kundrejt instrumentalizimit të shkencës. Dhe, për këtë arsye, qytetarët ishin përkrahës të drejtpërdrejtë apo edhe të tërthortë të politikës së agresionit kundër bashkëqytetarëve të tjerë të tyre. Nacionalizmi ishte gjatë kësaj kohe karakteristikë pothuaj e të gjitha elitave – gjë që vazhdon të jetë i gjallë edhe sot e gjithë ditën në këtë pjesë të këtij regjioni të Europës Juglindore. E veçanta e hulum­tuar në këtë kapitull qëndron se në rastin e Serbisë, veprimi bashkërisht i individëve të veçantë, vepri­mi i strukturave të llojit të Akademisë dhe akcep­tanca e ideologjisë nacionaliste e raciste nga popu­llata e rëndomtë po zhvillohej në mënyrë fort sistematike e të suksesshme dhe po në të njëjtën kohë.196 Që kjo po ndodhte përbrenda republikës dhe kombit më të madh serb, edhe u desh të ishte gremina e Jugosllavisë.

3. Taksonomia e konfliktit etnik



Hyrje

Ky kapitull mëton të paraqesë strategjitë të cilat u përdoren gjatë tërë shek. 20-të për rregu­llimin e konfliktit etnik në Kosovë. Kësaj udhe nuk do të ndriçohen vetëm shkaqet dhe fazat e këtij konflikti, por njëkohësisht do të analizohen dhe kla­sifikohen edhe strategjitë e praktikuara për zgji­dhjen e tij. Moraliteti, bëshmëria dhe pasojat e tyre do të jenë, gjithashtu, objekt i këtij kapitulli. Meqë konflikti, qoftë nga ana shqiptare qoftë nga ajo serbe, nuk perceptohet si i mbyllur, ky kapitull synon jo vetëm ta mbyllë një zbrazësi akademike: sepse edhe sot pas hyrjes së trupave të NATO-s (qershor 1999), ngritjes së Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), të institucione­ve qeveritare të Kosovës (dhjetor 2001) dhe rënies së regjimit të Milosheviqit në Serbi (tetor 2000) nga palët në konflikt përdoren ose propozohen me­toda të vjetra, të dështuara për zgjidhjen e konflikt­it. Që nga kjo kohë, është përgjithësisht i pranue­shme mendimi se situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike në të mirë të Kosovës. Qeveritë demo­kra­tike të formuara rishtazi në Prishtinë dhe Beograd konsiderohet se kanë meritat kryesore në ndryshimin e situatës së pasluftës.197 Nëse është vër­tet kështu, atëherë ekziston nevoja për të shpje­guar edhe efektet reale të këtyre “ndryshimeve”.



Origjina e konfliktit

Perceptimi i serbëve dhe shqiptarëve, sa i përket situatës në Kosovë është ai që të dy kombet kanë pasur një konflikt të vazhdueshëm që nga mesjeta, madje nga kohët antike. Në realitet, këto perceptime janë të bazuara në fabrikimet me motive politike të së kaluarës, konstruksione e rrëfime kombëtare për qëllime nacionaliste. Ky keqinterpretim me paramendim i të kaluarës dhe promovimi i imazheve të konfliktit i datuar thellë në histori janë përhapur sidomos nga elitat serbe, dhe më pak nga ajo shqiptare që nga shek. 20 me qëllim të përkrahjes së “të qenit i lindur i pari” në territorin e Kosovës, ekspansionizmit, politikave të “spastrimit etnik” dhe hegjemonisë etnike. Mirëpo, si do që ai të u jetë prezantuar këtyre dy kombeve, konflikti etnik në Kosovë, sikurse edhe shumë të tjerë në botë, është rezultat i krijimit të shtetit-kombit dhe filleve të modernizmit evropian në Ballkan që nga shek. 19, dhe assesi nuk do të duhej të datohej që nga antika apo mesjeta.

Që nga ngjarjet e viteve 1980-ta dhe dezintegrimit të Jugosllavisë gjatë viteve 1990-ta, shumë argumente dhe teori janë përfaqësuar rreth shkaqeve të konfliktit etnik dhe zgjidhjen e tij. Së fundmi, Korand Clewing, ka prezantuar një teori të bazuar dhe argumentuar mirë sa i përket origjinës së konfliktit, që ka një rëndësi të madhe për këtë kapitull.198 Clewing argumenton se konflikti mbi Kosovës ka qenë, që nga fillimi, një konflikt midis qeverive serbe/jugosllave dhe popullatës shqiptare në Kosovë për territor dhe pushtet politik. Nga viti 1878 shteti serb ka pasur pretendime territoriale mbi hapësirat e populluara nga shqiptarët gjatë sundimit otoman. Kjo politikë ekspansionste ka vazhduar në fillim të shek. 20 pas dezintegrimit të Perandorisë Otomane gjatë Luftërave Ballkanike (1912/13), që kanë rezultuar me okupimin e dhunshëm të Kosovë nga Serbia. Një numër i konsiderushëm i shqiptarëve, që ishin shumicë (rreth 75 për qind e popullatës), u ekzekutuan, deportuan ose migruan nën frikën e tiranisë së re. Për elitën serbe, përfshirja e këtij territori nën Serbi ishte kyçe për hegjemoninë e tyre mbi Kosovën dhe për të mbajtur rolin e tyre si një fuqi e fortë regjionale në Ballkan.

Në anën tjetër, politizimi i etnicitetit nga ana e shqiptarëve dhe konflikti ka marrë një dimension etnik dhe nacional me lindjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë sundimit otoman. Ishte Kosova ajo që ka shërbyer si inkubator për Lidhjen e Prizrenit, që ishte krijuar në vitin 1878. Qëllimi i saj ishte mbrojtja e shqiptarëve ndaj ekspansioniz­mit serb dhe përfaqësimi politik i interesave kombëtare të shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, i cili ishte mbajtur të njëjtin vit. Më vonë, duke pasuar rënien e Perandorisë Otomane u krijua një shteti i gjymtuar i Shqipërisë (1912/13), meqë si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasado­rë­ve në Londër pothuajse gjysma e popullatës shqiptare u la jashtë kufijve të tij, e cila ishte për­fshirë dhunshëm në Mbretëritë e grekëve, serbëve dhe malaziasve. Që nga ajo kohë, shqiptarët në Kosovë u ballafaquan me mbijetesën e tyre kombëtare, pasi që sundimi serb mbi këtë territor gjatë shek. 20 ishte i dhunshëm dhe diskriminues.

Sipas Clewing, ekzistojnë edhe dy aktorë të tjerë ndikues në konflikt. Së pari, bashkësia ndërkombëtare që ka ndjekur një agjendë politike tradicionale në Ballkan duke reflektuar interesat strategjike të Fuqive të Mëdha. Së dyti, Shqipëria, për të cilën Kosova ishte qendra e lëvizjes kombëtare shqiptare. Pas krijimit të shtetit të pavarur dhe përgjatë shek. 20, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndjekur një politikë irredentiste lidhur me Kosovën, me sa duket për shkak të frikës së kon­flikti me qeveritë më të fuqishme serbe/jugosllave do të mund të kërcënonte ekzistencën e shtetësisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, varësia shqiptare nga disa shtete të fuqishme perëndimore, nëse jo nga tërë bashkësia ndërkombëtare, ishte gjithashtu një faktor në pozicionin e saj të dobët ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.

Metodologjia

Konfliktet etnike janë fenomene i kohërave moderne, projekteve të komb-shteteve dhe nacio­na­liz­mave të ndryshme. Mirëpo, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, konfliktet e reja etnike u bënë lajme të para dhe fokus i shumë hulumtimeve të shkencave sociale, duke rezultuar në teori të ndryshme rreth shkaqeve të tyre, rrjedhës dhe pasojave. Bazuar në konfliktet etnike në Afrikë, Amerikë, Azi, Evropë dhe Oqeani, studiuesit John McGarry dhe Brendan O’Leary, kanë zhvilluar një taksonomi të tetë formave makro-politike të rregullimit të konflikteve etnike.199 Taksonomia e filluar nga shkencëtari suedez Lin­naeus, prezanton një klasifikim të organizmave bazuar në vëzhgimet empirike. Taksonomia ka për qëllim të vendos të gjithë organizmat në një sistem të klasifikimit hierarkik, në të cilin “të ngjashmet” janë radhitur me të “ngjashmet”. Bazuar në këtë qasje, të dy studiuesit kanë krijuar taksonominë e tyre dhe listën e tyre të formave të rregullimit të konfliktit etnik të ndërtuar përmes hulumtimit të rasteve të ndryshme në botë. Këtu ata kanë vendosur së bashku shembujt e “ngjashme me të ngjashëm” për rregullimin e rasteve të ndryshme të konflikteve etnike. Qëllimi i tyre ishte që të bëjnë të qartë se ata nuk përdorin një tipologji për shpjegimin e konflikteve etnike, meqë tipologjia është deduktive dhe ka për qëllim të kodifikojë njohuritë ekzistuese. Për ata, tipologjitë në shkencat shoqërore janë klasifikime të entiteteve përmes tipave logjike dhe të konstruktuara përmes përdorimit të antonimeve logjike më shumë se sa vrojtime empirike. Në këtë sens, në kontradiktë me tipologjitë, që është më shumë tipike-ideale, taksonomitë janë më shumë empirike: ato janë më shumë a posteriori se sa a priori në shpjegimin e tyre hierarkik dhe skemës klasifikuese.

Sipas këtyre autorëve janë tetë makro-metoda të rregullimit të konfliktit etnik: gjenocidi, shpër­ngulja masive e popullatës me forcë, ndarja dhe secesioni (vetëvendosja), integrimi dhe asimi­li­mi, kontrolli hegjemonik, arbitrimi (in­ter­ve­nimi i palës së tretë), kantonizimi dhe fe­de­ralizmi, dhe konso­cia­cio­nalizmi dhe pushtet-ndarja. Përderisa katër të parat qenë përdorur si metoda për eliminimin e dallimeve etnike, katër të fundit janë parë si metoda për menaxhimin e dallimeve etnike. Do përmendur këtu se, autorët tanë kanë qasje pozitiviste dhe normative. Fillimisht, ata kanë tentuar të njohin nëse këtu kishte “ligjshmëri” të përgjithshme, që neve na mundësojnë në mënyrë retroaktive ta kuptojmë konfliktin (postdiction-i) ose parashohin rrjedhën e konfliktit etnik (prediction-i). Këto ligjshmëri sipas të dy autorëve do të mundësonin të identifikohet shkaku i konfliktit dhe strategjitë për zgjidhjen e tij. Për më tepër, ata tentuan të identifi­kojnë metodat për menaxhimin e kon­flikteve etnike dhe të gjejnë rrugët për rregullimin e tyre përmes institucioneve demokra­tike dhe liberale. Nocioni ‘rregullimi’ këtu nënkupton edhe përfundimin, por edhe menaxhimin e konfliktit.

Bazuar në kornizën teorike të McGarry dhe O’Leary dhe pas përvijimit të shkaqeve të kon­fliktit në Kosovë, ky kapitull përqendrohet në strategjitë e përdorura për të menaxhuar, kontro­lluar dhe përfunduar konfliktin etnik gjatë sundimit serb/jugosllav. Gjatë shekullit të kaluar, qeveritë serbe dhe jugosllave kanë përdorur të gjitha strategjitë e mësipërme – me përjashtim të secesionit. Ky kapitull përpiqet të klasifikojë strategjitë e përdorura në kontekstin e Kosovës, me qëllim që të kuptohet se përse disa kanë dështuar ose edhe disa nga to ishin të suksesshme. Këtu do të përpiqem të identifikoj indicet apo shenjat që mun­dësojnë jo vetëm ‘rezonimin retroaktiv’ (post­dic­tion-in), por gjithashtu ‘parashikimin’ (predica­tion-in) e strategjive efektive për menaxhimin dhe mbarimin e konfliktit, si dhe shanset për paqe në Kosovën sotme. Prandaj, përmbledhja në fund të kapitullit përqendrohet në evaluimin e strategjive të aplikuara ose propozuara nga Misioni i OKB-së, si dhe nga elita politike e Kosovës dhe e Serbisë. Për qëllime metodologjike, ky kapitull nuk shqyrton edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm në menaxhimin e konfliktit, siç janë stagnimi ekonomik, pasiguria, dhuna sistematike, frika dhe përballja me të kaluarën.200 Është e qartë se shumë aktorë dhe faktorë të tjerë ndikojnë në gjenezën dhe rrjedhën e një konflikti. Studiuesi amerikan John P. Lederach ka treguar se fokusimi mbi aktorët kyçë mundëson një kuptim më të thellë të dinamikave të konfliktit, si fenomen kompleks.201



Gjenocidi dhe “spastrimi etnik”

Gjenocidi u përdor nga kombe të ndryshme si zgjidhja finale dhe ekstreme për konfliktet etnike. Gjenocidi është fenomen i kohës moderne që zakonisht ndodhi pas formimit të një perandorie të re apo të një shteti të ri. Regjimi gjegjës “mënjanon” gjoja çrregullimet e brendshme poli­tike dhe kombëtare përmes asgjësimit të grupeve të caktuara etnike brenda kufijve të perandorisë ose shtetit të tij. Gjenocidi, gjithashtu, është përdorur gjatë dezintegrimit të perandorisë, kur një grupi i veçantë etnik i ndryshëm nga elita sunduese, ishte asgjësuar në masë, me besimin se kjo gjë do të mund të stabilizonte perandorinë. Sipas McGarry dhe O’Leary, në disa raste gjenocidi ka ‘funk­sionuar’, duke mbaruar konfliktin dhe siguruar territorin përgjithësisht për një komb më të madh ose më të fuqishëm. Sidoqoftë, kryesisht, gjenocidi nuk ka vërtetuar të jetë efektiv në arritjen e qëllimeve politike për të cilat edhe është bërë; në një drejtim të tillë ka çuar shpesh në situata jostabile postkonfliktuoze.202 Si rregull, gjenocidi ndodhi në kontekst dhe në vende jodemokratike, duke buruar nga ideologjitë raciste, etinke dhe fetare. Këto ideologji që janë, në të vërtetë, një sistem besimi ose dogme bëjnë përgjithësisht të pranueshme krimet masive dhe ishin një instrument në rekrutimin e njerëzve të vullnetshëm që të kryejnë këto akte.203

Në rastin e Kosovës, përdorimi i termit “gje­nocid” sipas disa autorëve është i debatueshëm. Mirëpo, për mendimin tim është fakt i pamohu­eshëm se në vitin 1999 regjimi serb ka tentuar të zhdukë shqiptarët e Kosovës, një gjenocid ky i ndalur dhe shmangur vetëm nga intervenimi i NATO-s.204 Termi gjenocid përdoret në referimin e zakonshëm të ekzekutimit sistematik në një shkallë masive të një grupi specifik etnik. Termet si “politocid” ose “democid” janë përdorur nganjëherë për të përshkruar fenomenin e njëjtë. Ngjashëm me gjenocidin, “spastrimi etnik” ka hyrë në terminologjinë politike gjatë luftës në Bosnjë, duke përshkruar krimet masive dhe deportimin e myslimanëve të Bosnjës. Ky term është përdorur për të shpjeguar gjithashtu vrasjet masive dhe deportimin sistematik të popullatës lokale në Kroaci dhe Kosovë gjatë luftërave në të dyja vendet. Megjithatë, gjenocidi dhe “spastrimi etnik” janë fenomene të ndryshme: i pari i referohet çrrënjosjes fizike të plotë ose të pjesshme të grupeve të caktuara kombëtare, etnik ose fetare; i fundit nënkupton deportimin e dhunshëm nga tokat e banuara. Sidoqoftë, konfliktet jugosllave na tregojnë se “spastrimi etnik” mund të ketë pasoja gjenocidiale.205

Pasoja të tilla janë parë qartazi jo vetëm me fundin e sundimit serb mbi Kosovë, por që nga fillimi i hershëm. Kur Serbia okupoi këtë vend gja­të Luftërave Ballkanike (1912/13), shumica e popu­llatës ishte shqiptare dhe regjimi serb ka synuar të zgjidhë dallimet etnike në mënyrë per­manente përmes përdorimin të ekzekutimit siste­matik.206 Mijëra njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë deportuar me forcë; statistikat janë të diskutueshme, por shtypi perëndimor dhe zyrtarët dëshmitarë kanë raportuar shifrat që sillen prej 20.000 deri në 25.000 të vrarë dhe 100.000 të deportuar.207 The Carnegie Endowment for Inter­national Peace ka publikuar një raport më 1914 sa u përket pasojave të Luftërave Ballkanike, ku Kosova është theksuar si një shembull i politikës së shfarosjes sistematike, shkatërrimit të shtëpive dhe deportimit. Komisioni ndërkombëtar përgjegjës për raportin ka konkluduar se arsyeja për këto krime ishte ndryshimi i strukturës etnike të këtij vendi, i cili sipas tij është banuar kryesisht nga shqiptarët shumicë.208 Gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia ka humbur kontrollin mbi këtë vend, por pas luftës kur trupat serbe janë kthyer, janë përsëritur masakrat. Në një listë shumë të detajuar dhe jozyrtare, të harkut kohor 1918 deri 1921, janë futur në listë 12.371 shqiptarë si të vrarë.209

Si rezultat i kësaj politike, popullata shqiptare, jo vetëm që është armiqësuar edhe më shumë nga ideja për të qenë pjesë e shtetit serb, por i ishte kthyer luftës guerile, me forcimin dhe rritjen e Lëvizjes Kaçake në vitet e 1920-ta. Vrasja dhe deportimi i kolonistëve serbë gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të shihet nga kjo perspektivë. Mungesa e hulumtimeve për këtë çështje nënkupton se nuk ka statistika të besueshme për këto vrasje ose deportime. Gjithashtu, nuk ka të dhëna as për numrin e shqiptarëve të vrarë gjatë kryengritjes së vitit 1945, e cila ishte shtypur dhunshëm nga regjimi i ri komunist jugosllav.210 McGarry dhe O’Leary argumentojnë se vrasjet masive, shfarosja masive dhe diskriminimi mund të kenë një efekt të paparë: këto fenomene tragjike mund të katalizojnë dyfishimin biologjik të një grupi etnik.211 Deri më tani nuk ka hulumtime që vërtetë do ta vlerësonin nëse i njëjti efekt ka ndodhur në Kosovë si reagim ndaj kësaj politike. Sidoqoftë, është fakt se popullata shqiptare është dyfishuar si rezultat i shkallës së lartë të lindjes, shkallë kjo e paparë diku tjetër në Europë gjatë shek. 20-të.212 Gjatë viteve të 1980-ta, shkalla e lartë e natalitetit e popullatës shqiptare ishte paraqitur si një arsye e mundshme dhe legjitime për dhunë. Rritja e natalitetit ishte interpretuar si “gjenocid biologjik” mbi serbët.213 Gjatë viteve 1980-ta shkelja sistematike e të drejtave të njeriut dhe “spastrimi etnik” i viteve 1989/99 ishin legjitimuar nga ideologjia nacionaliste dhe raciste që është përhapur që nga vitet 1980-ta.214 Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve ka akuzuar popullatën shqiptare të Kosovës për “gjenocid” kundër fqinjëve të tyre serbë të Kosovës.215 Gjatë dekadave të fundit të shek. 20-ta, intelektualët serbë, Kisha Ortodokse dhe mediat etiketuan shoqërinë shqiptare si “kriminale”, synim i së cilës ishte “vrasja psikologjike”.216

Menjëherë pas shpërthimit të luftës në Kosovë (shkurt/mars 1998), qëllim final i kësaj ideologjie ishte shfarosja fizike e popullatës shqiptare e synuar me politikën e “spastrimit etnik”. Sikurse në Bosnjë, “spastrimi etnik” në Kosovë nuk ishte një pasojë e luftës, por qëllimi i saj. Strategji të njëjta të kësaj politike të përdorura në Bosnjë ishin bartur në Kosovë: ushtria serbe, policia, forcat speciale dhe paramilitare sulmuan qytetet, qytezat dhe fshatrat, ku janë vrarë grupe njerëzish, janë dhunuar gratë, shtëpitë janë djegur deri në themel dhe njerëz të të gjitha moshave u dëbuan nga tokat e tyre.217 Pas dështimit të negociatave në Rambouillet dhe intervenimit ushtarak të NATO-s (24 mars 1999) për ta ndaluar “spastrimin etnik”, gjendja u përkeqësua. Brenda javëve, rreth 900.000 njerëz janë deportuar në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi; 600.000 qëndruan në Kosovë, por ishin të deportuar të brendshëm; dhe 15.000 njerëz konsiderohen të vdekur ose të pagjetur.218 Pavarësisht diskutimeve rreth statistikave, duket se regjimi serb ishte afër arritjes së qëllimeve të saj. Në ato pjesë të territorit të Kosovës ku më parë proporcioni ishte 90 për qind shqiptarë me 10 për qind serbë, tanimë e kundërta ishte realizuar.219 Mirëpo, kjo gjendje nuk qëndroi. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kthimi masiv i refugjatëve shqiptarë të Kosovës bëri rikthimin në demografinë origjinale.


1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət