Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə4/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19

Shqyrtime përmbyllëse dhe perspektivat

në demokraci


Studimi i çështjeve shumëdimensionale të formësimit dhe të krijimit të kombit shqiptar është njëra ndër tema më interesante të historisë së Europës Juglindore. Duke nisur që nga shek. 19 e deri në ditët tona, shumica e historianëve të Perëndimit, mbi baza studimesh të natyrave të ndryshme, e marrin trashëgiminë ilire si bazë të procesit të gjatë e kompleks të etnogjenezës së shqiptarëve. Themeluesit dhe përfaqësuesit e deritanishëm perëndimorë të tezës së prejardhjes ilire të shqiptarëve nuk ishin as pjesë e nacionalizmit shqiptar dhe as në shërbim të një politike nacionale shtetërore. Pikënisja e përfaqësuesve të kësaj teze korrespondonte dhe korrespondon edhe sot e gjithë ditën me të arriturat shkencore të cilat në një formë të thjeshtësuar mund të përmblidhen si vijon: Duke qenë se as mbi bazën e burimeve të shkruara e as të gjetjeve arkeologjike nuk mundi të dëshmohej ndonjë dyndje e shqiptarëve në hapësirën e tyre të sotme kompakte etnolinguisike as në antikë e as në mesjetë, dhe faktit që këta e flasin një gjuhë të mëvetshme të tyren e cila po ashtu nuk mund të lidhje me asnjërën nga gjuhët që fliten në Ballkan, përkrahësve të kësaj teze mendojnë se pikëpamja shkencor e prejardhjes ilire të shqiptarëve është e vetmja bindëse për një çështje të tillë. Që nga kjo kohë kjo mbetet teza përgjithësisht më e përhapur. Teza konkurruese për prejardhjen trakase të shqipes e të shqiptarëve mbeti deri edhe në ditët e sotme e përqafuar vetëm nga pak dijetarë.80

Deri në Luftën e Dytë Botërore edhe shkenca perëndimore e përfaqësonte idenë primordialiset të krijimit dhe të paraqitjes së kombit shqiptar. Kjo tezë ishte në harmoni me idenë dhe me gjendjen e asokohshme të dijes. Edhe ideja e Sami Frashërit dhe e Rilindjes që nisej nga një prejardhje „organike“, „biologjike“ e kombit të tyre nga pellazgët parahistorikë dhe nga ilirët antikë, ishte po ashtu në harmoni me diskursin e atëhershëm në Europën Lindore e Juglindore. Ky diskurs përkita­zi me etnicitetin dhe me kombësinë u vazhdua edhe nga vetë shqiptarët, kur këta filluan pas vitit 1945, me një numër gjithnjë në rritje prej dije­tarësh, ta gjurmonin të kaluarën e tyre. Kësisoj u propagua thjesht një prejardhje „biologjike“, një kontinuitet „gjaku“ nga ilirët antikë tek shqiptarët modernë. Kjo rrethanë tregon se historiografia në Shqipëri në shek. 20 e ndoqi shtegun e vet të rrugëtimit, ashtu sikur të mos ketë pasur në fusha të dijes së shkencave sociale aq shumë literaturë përkitazi me etnogjenezën, formimin e kombit dhe me nacionalizmin. Debatet e zhvilluara deri më tani në Perëndim nuk ndikuan as edhe një fije mbi këtë shkencë të historisë. Në këtë mënyrë, këta dijetarë e shndërruan tezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve, e cila mund të dëshmohet mbi bazën e të arriturave shkencore, në një mitologji dhe e bënë si besim nacional.

Përkundrazi, kombi shqiptar, si edhe të gjitha kombet e tjera, nuk është ndonjë krijesë e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ai gjendet në një proces të përhershëm formimi. Ata që marrin pjesë në këtë proces e shohin veten si rezultat të zhvillimeve e të rrjedhojave historike të së kaluarës, të nevojave individuale e kolektive për ngrohtësi, forcë cytëse për jetesë dhe solidaritet, në kohën kur jetojnë edhe për një vizion për të siguruar një të ardhme më të mirë. Element qendror në formimin e identitetit nacional të shqiptarëve ishte dhe është pretendimi për prejardhjen ilire të tyre. Megjithatë, do të duhej të ishte e qartë se prejardhja etnike edhe te popujt e tjerë, më parë është një çështje kulture, sesa e prej­ardhjes biologjike dhe e rritjes organike. Rrënjët e kombit të shqiptarëve janë te koha e paramodernes dhe pa kurrfarë dyshimi para lindjes së Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarëve në shek. 19. Çështja e kontinuitetit dhe e diskontinuitetit është në histori­në shqiptare e lidhur me elemente të tjera të rëndë­sishme të etnosit shqiptar të kohës së para lindjes së këtij kombi, si p.sh. identifikimi me një emër të përbashkët grupor, me mitin për pararen­dësit e përbashkët, me kujtesën e përbashkët kolektive his­torike dhe me traditat, elementet kohezive të kulturës së përbashkësisë, lidhjet me territorin historik ose me „atdheun“ dhe me sjelljen solidare të elitës shqiptare. Nacionalizmi shqiptar i Rilind­jes dhe gjatë kohës së komunizmit arriti që ta për­hapte ideologjinë dhe doktrinën e tij, me qëllim të krijimit të identitetit nacional, të përbashkësisë dhe të pavarësisë, sepse ky gjithmonë mundi të mbë­shtetej te rrënjët e forta të së kaluarës, te kujtesa dhe ndjesitë kolektive. Procesi i formimit të kom­bit te shqiptarët është, së këndejmi – si edhe gjetiu – rezultat i një dinamike shoqërore midis besimit, ndjenjave, miteve dhe arsyes, njohurisë e dijës.

Në këtë kapitull nuk e kam shtruar pyetjen nëse mitet e së kaluarës ilire duhet të shemben dhe nëse kësisoj historia shqiptare do të duhej të zhvishej nga mitologjia. S’ka dyshim se për një gjë të tillë ka nevojë. Mirëpo, analiza ime kishte për qëllim para se gjithash të jepte përgjigje përse u krijuan mitet përkatëse, që ishin një nevojë politike e shoqërore dhe përse në atë kontekst u desh mbështetja tek e kaluara ilire. Në këtë kapitull u tregua se mitet e së kaluarës ilire kontribuuan dukshëm që shqiptarët u bënë një bashkësi prej kombi. Këto mite vepruan jo vetëm në të kaluarën; ato e strukturojnë edhe sot mendimin shqiptar dhe e motivojnë mënyrën e sjelljes dhe të veprimit të shqiptarëve. Kombi shqiptar nuk do të mund të parafytyrohej pa mitet që u analizuan këtu. Kjo sepse këto mite i krijuan në të kaluarën dhe i krijojnë edhe sot përfytyrimet për një „identitet të veçantë“, „dinjitet të veçantë“, „territor të veçantë“ dhe „pavarësi të veçantë“ të shqiptarëve. Vetëm në këtë rrafsh mund të kuptohen paraqitja, natyra dhe forca vepruese e këtij kombi. Vetëm në këtë kuptim nacionalizmi shqiptar arriti të përqafohej nga shtresa të gjera të popullatës. Vetëm në këtë konstelacion, identiteti nacional mbeti tek shqipta­rët identitet vendimtar. Si edhe kudo në botë, edhe këtu identiteti nacional është forma më e afërt e bashkësisë moderne politike e kulturore dhe njëra ndër shtyllat më të forta për arritjen e një kohezioni, të ndjenjës së përbashkësisë dhe të progresit shoqëror.

2. Përgjegjësia politike

dhe Akademia serbe



Hyrje

Dhe, pa dyshim se gjatë prezantimit të fak­teve, Dhoma do të dëgjojë për Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Ser­bisë, për të cilën u mësua, më 1986. Sigu­risht, është ky një Memorandum i atyre që vërtet janë intelektualë e që qenë në gjendje që, më 1986, të vënë emrat e tyre nën këta rreshta që po i citoj, të përkthyer, natyrisht: Gjenocidi fizik, politik, ligjor dhe kulturor kundër popu­llatës serbe në Kosovë e Metohi është disfatë serioze e Serbisë. Në Memoran­dum madje thu­hej: Pos në kohë lufte, serbët e Kroacisë kurrë nuk kanë qenë më të kërcënuar sesa sot. Ky, pra, ishte reagimi i intelektualëve në bin­djen e serbëve për atë që kishte filluar të ndo­dhte në Kosovën e vogël. Por, sa i vërtetë ishte ky përfytyrim - kërcënimi i vërtetë me të cilin përballeshin serbët në krahasim me kërcënim­et me të cilat u përballen të tjerët më vonë? Si kanë mundur ta përdornin në mënyrë raciona­le, në këtë kontekst, nocionin e gjeno­cidit të kulturës? Në të vërtetë, ishte vetë kul­tu­ra mbi­zotëruese ajo që mund të lindte një mendim të tillë dhe në atë kohë flitej shumë për atë se si serbët qenë të kërcënuar dhe për shqetësimet se masakrat e Luftës së Dytë Botë­rore, ku ata pësuan keq, shumë keq, do të ndo­dhnin përsëri, për shqetësimet se do të vërsho­heshin nga shqiptarët në Kosovë apo se do të mund t'i nënshtroheshin, disi, një eksploatimi dhe re­pre­zaljeve, politikisht dhe ekonomi­kisht.”81

Kështu e përshkroi Carla del Ponte rolin e Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve (ASSHA) gjatë rrjedhës së konfliktit në Jugosllavi, kur më 12 shkurt 2002 nisi procesi kundër Sllobodan Milosheviqit. Presidenti i dikur­shëm i Jugosllavisë së cunguar u akuzua për krime të luftës, për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, që u bënë në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë e në Kroaci.82 Memorandumi, për të cilin është fjala, ka qenë deri tani objekt i shumë debateve: ai u sulmua e u mbrojt shpesh, madje edhe nga të tillë të cilët, në të vërtetë, as që e kishin lexuar ndonjëherë.83 Një shumësi prej publicistësh vendorë, të cilët e kanë bashkëndjekur rrjedhën e konfliktit në Jugo­sllavi, e kanë prezantuar dhe vlerësuar flutu­rimthi këtë dokument në kontekste të ndryshme.84 Këtë dokument e patën për objekt trajtimi nga aspektet e shkencave historike e politike edhe vëzhgues të Perëndimit, diplomatë e ekspertë të Ballkanit gjatë dhe pas përfundimit të konfliktit. Këta të fundit i hapën kështu udhë një analize më të thelluar përki­tazi me ndikimin këtij dokumenti për zhbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.85 Përkundër shkallës së ndryshme të kualitetit dhe daljes zot tezave nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe e autorëve është e një goje se Memorandumi, i hartuar si udhërrëfyes për qeverinë e atëhershme të Serbisë pas marrjes së pushtetit nga Milosheviqi (1986/7), ishte dhe mbetet manifest i politikës së tij dhe i programit serbomadh.

 

Objekti i studimit dhe metoda

 

Marrja në vështrim e këtij dokumenti në këtë kapitull e ka për pikënisje fjalën hyrëse në procesin e Hagës. Sikundër u pa, Carla del Ponte premtonte aty se, në rrjedhë të procesit, do të dëgjohet më shumë për Memorandumin dhe për rolin e intelek­tualëve serbë në vitet e 80-ta. Mirëpo, procesi i Hagës ka përfunduar, por kjo çështje, në të vërtetë, nuk u përmend më asnjëherë. Trajtimi i saj mbeti kësisoj në Tribunalin për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi si çështje e hapur. Përmendja në vazh­dim e këtij Memorandumi në këtë proces me rëndësi dimensionesh të historisë botërore - si shans i humbur me këtë rast - bëri që të shfaqet nevoja për një analizë këtij dokumenti. Në këtë kapitull, Memorandumi do të analizohet në perspektivën e tij që nga botimi dhe sidomos ndikimi i tij në përgatitjen e gjatë shpirtërore të përdorimit të dhunës. Në mënyrë të veçantë do të trajtohet këtu ndikimi i tij në arsyetimin dhe legjitimimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të krimeve masive, të cilat kishin filluar të ushtroheshin që nga viti 1990 dhe gjatë luftës në Kosovë (1998/9). Deri më tani, Memorandumi nuk është analizuar në këto aspekte.



Në shek. 20 kishte edhe dy Memorandume të tjera të cilat, që atëherë e kishin preferuar përdori­min e dhunës ndaj popullatës shqiptare të Jugoslla­visë së asokohshme. Edhe këto u hartuan si udhë­rrëfyese për qeveritë e atëhershme serbe, përkatë­sisht jugosllave të cilave, për si e vetmja metodë politike efektive për zgjidhjen e „problemit të minoritetit shqiptar“, u propozohej dëbimi i tij. Autorët e të dyja këtyre Memorandumeve – historiani i njohur Vasa Çubrilloviq (1937, dhe rishtazi edhe më 1944) dhe bartësi i Çmimit Nobel për letërsi Ivo Andriq (1939) – ishin anëtarë të respektuar të ASSHA dhe për kohë të gjatë patën ndikim tek opinioni serb.86 Pas vitit 1980 Akade­mia serbe hyri sërish ribotimit në vazhdim të veprave nacionaliste serbe, të cilat merreshin me Kosovën. Këtu duhet përmendur në rend të parë Historinë e Kosovës të hartuar nga Dimitrije Bogdanoviq, e cila mbështet në imazhin historik prej armiku të shqiptarëve dhe i del zot tezës se popullata shqiptare e Kosovës, përmes një lloj „gjenocidi biologjik“, po e rrezikuaka popullatën e atyshme serbe.87 Për raportet që mbisundonin në Jugosllavinë e asaj kohe, botimet e këtilla ishin, pa kurrfarë mëdyshje, punë jo e zakonshme akademi­ke.88 Askund tjetër në qarqet akademike joserbe nuk përhapeshin imazhe të këtilla prej armiku dhe frika nga „gjenocidi”.89

Memorandumi i vitit 1986 është – sikundër do të tregohet në vazhdim – mitologjia më volu­minoze politike, e cila është krijuar ndonjëherë për opinionin serb. Për shkak të karakterit të tij programatik, të një rrëfyesi të përgjithshëm dhe të trajtimit të temave nga më globalet, është sheshazi fort e vështirë për t’u besuar se ai mund t’i bëjë ballë një kritike të ashpër e analitike. Në Memo­randum janë seleksionuar e interpretuar qëllimisht fakte të pavërteta, gjysmë të vërteta dhe gënjesh­trash; se çfarë është empirikisht, si e mundshme, e pamundshme ose edhe vetëm si pandehje, autorë të këtij Memorandumi thjesht nuk deshën t’i hetoj­në.90 Ata nuk e panë të udhës të përpiqen që tezat e tyre t’i mbështesin mbi bazën e metodës empirike. Prandaj „rezultatet shkencore“ të arritura nga këta, nuk do të duhej, së këndejmi, kurrsesi të merren seriozisht. Mirëpo, për ne domethënie të ma­dhe ka rrethana që në Memorandum është për­punuar dhe prezantuar një ideologji analoge, e cila, si e tillë, ka qenë e pranishme në shumë qeveri dhe elita vendesh të ndryshme të botës, të cilat përga­ti­tën dhe ushtruan krime të luftës e gjenocid mbi grupe të ndryshme etnike e fetare. Kjo vlen për Tur­qinë e viteve 20-ta, Gjermaninë naziste, Ruan­dën e viteve 90-ta dhe vende të tjera.91 Një doku­ment i tillë, si Memorandumi, në mënyrë adekuate mund të lexohet e kuptohet vetëm si mitologji politike.

Hulumtimet moderne kanë treguar se para­kusht për krime masive cilësohet pjesëmarrja aktive e shumë pjesëtarëve të një shoqërie dhe përkrahja pasive e shumicës së mjedisit gjegjës. Në librin e tij shumë të njohur, por edhe të kontestuar, Daniel Goldhagen e paraqet holokaust-in si „projekt nacional gjerman“. Sipas rezultateve të tij (të cilat nga dijetarë të tjerë në studime të tyre solide janë pranuar për të qëndrueshme) në asgjësi­min masiv të hebrenjve, përveç strukturave shtetë­ro­re e politike, ishin të involvuar edhe qytetarë të rëndomtë gjermanë.92 Edhe në Ruandë, me rastin e gjenocidit, përkrah udhëheqësve ushtarakë e poli­tikë kishte marrë pjesë edhe numër i madh qyte­tarësh të rëndomtë ruandezë.93 Edhe shembuj të tjerë e dëshmojnë gjithashtu pjesëmarrjen e "nje­rëz­ve normalë" në krim ndaj një mase njerëzish.94 Në rastin e konfliktit në Jugosllavi nuk është gjurmuar ende pjesëmarrja në masë e shoqërisë në krimet e luftës. Tribunali i Hagës për Krime të Luftës ka ngritur deri tani padi me prapavijë politike e ushtarake ndaj disa individëve të cilët mbajnë përgjegjësi për gjenocid, për krim kundër njerëzimit dhe për krim të luftës në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci e në Kosovë.95 Për Kosovën, Human Rights Watch e ka dokumentuar në një ra­port të mbështetur mirë, planifikimin, sistematikën dhe zbatimin e të gjitha krimeve të luftës që u bënë në Kosovë nga nivelet më të larta autoritative ushtarake të Jugosllavisë së cunguar e të Serbisë.96 Studime të tjera të lidhura me këtë temë i kanë gjurmuar shterueshëm krimet e bëra dhe për rezultat të qartë e kanë pasur dëshmimin katërçipë­risht të qëllimeve, metodave dhe masave të ndër­marra për „spastrimin etnik“ në këtë vend.97

Me rëndësi fundamentale për këtë kapitull është që hulumtimet e gjithanshme e kanë dësh­mu­ar involvimin e përgjithshëm të elitave në përgatit­jen, arsyetimin dhe përligjjen e krimeve ndaj një mase etnike. Është dëshmuar se ideologët e një gjenocidi nuk janë kurrsesi ndonjëfarë përbindëshi e psikopati, por individë, njerëz normalë dhe shumë shpesh ekspertë me famë.98 Në situata konkrete, të tillët por kontribuojnë që asgjësimi i grupeve të tjera etnike apo fetare – i cili pothuaj se gjithmonë planifikohet e kryhet nga autoritete shtetërore – të konsiderohet nga popu­llata shumicë si një punë krejt normale.99 Mbi bazën e statusit të tyre social dhe të dijes profesionale të tyre nga degë të ndryshme të dijes, ekspertët luajnë një rol vendimtar në arsyetimin e gjenocidit: Ata e për­caktojnë kornizën ideologjike, intelektuale, shke­n­core e legale për shfarosjen e grupit tjetër. Duke u mbështetur mbi shembullin e nacional­socializmit është dëshmuar shumë mirë se mjekët, juristët e historianët e formulojnë arsyetimin e veprave kri­mi­nale në frymën e shkencores, ashtu që ato bëhen gjedhë e arsyetimit për shumicën e shoqërisë gjegjëse e - së këndejmi - edhe të pranueshme.100 Të njëjtat veçori u dësh­muan edhe në rastet e tjera të gjenocidit.101 Për sa i përket krimit të bërë në ish Jugosllavi, prijatare në këtë fushë janë studimet e Norman Cigar-it përkitazi me arsyetimin e gjeno­cidit nga ana e orientalistëve serbë; studimet e Philip J. Cohen mbi bashkëfajësinë e intelek­tua­lëve serbë dhe studimet e Michael Sells mbi rolin e mitologjisë për Kosovën në kontekstin e gjenocidit të ushtruar mbi qytetarët në Bosnjë dhe Hercego­vinë.102

 

Historia dhe qëllimi i Memorandumit

 

Publikimi i Memorandumit më 24 e 25 shta­tor 1986 është një ngjarje me rreze të gjata ndikimi në historinë e konfliktit në Jugosllavi. Botimi i tij jozyrtar në Večernje Novosti mund të ketë qenë gjë e rastit apo një aksident, siç u tha më vonë nga kjo Akademi. Asokohe Akademia serbe as nuk e de­mantoi, por as nuk e pranoi Memorandumin për dokument të vetin zyrtar. Mirëpo, përmbajtjen e tij nuk e vuri asnjëherë në dyshim. E vetmja punë që kishte shkuar keq në këtë drejtim ishte rrethana që ky shkrim u botua para kohe nga gazeta që u përmend më lart. Kur u botua zyrtarisht më 1995, kjo ndërmarrje u sqarua kësisoj: Puna në përpilimin e Memorandumit, që doli në shesh para kohe, nuk qe kompletuar kurrë. Asnjë trup i Akademisë Serbe nuk e ka miratuar Memorandumin. Në formën e pakompletuar, të një draft-versioni, Akademia Serbe nuk mund ta pranonte si një dokument prapa të cilit do të mund të qëndronte dhe ta mbronte. Akademia beson përgjigjja më e mirë të gjithë atyre që e sulmuan atë lidhur me Memo­randumin është që të botojë dokumentin e plotë, jo vetëm në gjuhën serbe, por edhe në gjuhët angleze, gjermane dhe franceze.”103 Me botimin nga vetë Akademia, kjo e fundit e pranoi më në fund – pas nëntë vjetësh –, se “i ashtuquajturi Memorandum” kishte qenë praktikisht tekst i vetë asaj; dhe se, edhe versioni i pare i botuar ishte tekstualisht autentik.

Së këndejmi u pa e domosdoshme që të bëhet publike si historia aq e kontestueshme e lindjes së Memorandumit, ashtu edhe autorët e tekstit: Duke vepruar në përputhje me rezolutën e Asamblesë dhe rekomandimet e Bordit të vet ekze­kutiv, Presidenca e Akademisë Serbe, në mbledhjen e katërt të 13 qershorit 1985, ka emëruar 'komitetin për përgatitjen e Memorandumit rreth çështjeve sociale aktuale' që përbëhej nga këta akademikë: Pavle Iviq, Antonije Isakoviq, Dushan Kanazir, Mihajlo Markoviq, Milosh Macura, Dejan Meda­ko­viq, Mirosllav Pantiq, Nikolla Pantiq, Ljubisha Rakiq, Radovan Samarxhiq, Miomir Vukobratoviq, Vasilije Krestiq, Ivan Maksimoviq, Kosta Mihajlo­viq, Stojan Çeliq dhe Nikolla Çobeljiq”.104 Me­mo­randumi nuk qe pra kurrsesi një vepër indivi­duale: ai ishte rezultat i punës së një komisioni prej gja­shtëmbëdhjetë burrash, i cili u zgjodh nga presidenca dhe me vendimin e asamblesë së Aka­demisë. Mendimi i përhapur shpejt se Memo­randumi duhet parë për dokument të hartuar me të vërtetë nga institucione autoritative intelektuale të Serbisë dhe së këndejmi duhet parë për dokument zyrtar të atyre instancave, u vërtetua përfundimisht me botimin e tij zyrtar në vitin 1995. Siç do të shihet edhe në vazhdim, ndikimi i Memorandumit mbi opinionin e atëhershëm ka qenë tmerrësisht i madh; ai ishte, në relacion me gjendjen e atë­hershme politike, pa kurrfarë mëdyshje një kthesë në rrafshin politik. Në asnjë njësi tjetër federale të Jugosllavisë nuk pati institucione akademike apo publike që do të provonin të ndërmerrnin ndonjë hap si ky i Akademisë serbe.

Domosdoshmëria për hartimin e Memoran­dumit u arsyetua më 1986 si vijon:Një ngecje në zhvillimin shoqëror, vështirësitë ekonomike, tendos­jet e rritura shoqërore dhe konfliktet e hapura ndërkombëtare, shkaktojnë brengosje të thellë në vendin tonë. Një krizë e thellë ka përfshirë, jo veç sistemin politik e ekonomik, po edhe rendin e gjithmbarshëm publik të vendit.105 Akademia donte pra t’ua tërhiqte vërejtjen autoriteteve më të larta të Serbisë për krizën e rëndë, e cila ishte rrezik, jo vetëm për stabilitetin politik e ekonomik, por edhe për marrëdhëniet midis nacionaliteteve të vendit.106 Dhe, Memoran­dumi, në të vërtetë, me­rret në pjesën e parë të tij me krizën në ekonominë e në shoqërinë e Jugo­sllavisë, ndërsa në pjesën e dytë vetëm e vetëm me statusin e Serbisë dhe me kombin serb.107 Në fakt, këtu u shestuan problemet më të rëndësishme ekonomike e shoqërore të kri­zës jugosllave, mirëpo të para vetëm nga prizmi serb, ndërsa problemet e repu­blikave e të krahi­nave nuk u morën aspak parasysh.108 Si njëri ndër shkaqet për gjendjen e atëhershme të keqësuar të sistemit politik jugosllav, në këtë dokument u pa insuficienca e këtij sistemi. Se çfarë do të thoshte kjo për siste­min e atëhershëm të gjithmbarshëm të federatës jugosllave – kjo nuk u interesonte fare akademikë­ve: Kjo krizë u interpretua si diskrimi­nim nacional, ekonomik, politik e kulturor i Ser­bisë e i serbëve në Jugosllavi.109 Memorandumi fillon me një analizë të sipërfaqshme dhe etnocen­trike të krizës jugosllave dhe të sistemit. Mirëpo, ky nuk ofron kurrfarë projekti të përbashkët për shtetin shumëkombësh, por përfundon në një pro­gram nacional serb.110 Marrja me probleme po­li­tike, ekonomike e shoqërore, të cilat në Jugos­lla­vinë e atëhershme me të vërtetë mund të konsta­toheshin, shihej si diçka jo e ngutshme. Pikënisje e mirëfilltë e Memorandumit ishte mospasja e një programi nacional serb dhe nevoja e trilluar për definimin e çështjes nacionale.111

Kjo u dëshmua katërçipërisht, kur më 1995 Memorandumi edhe zyrtarisht u botua. Akademia serbe qe e shtrënguar që në koment ta ndriçojë punën në dokument në vitet 1985/86. Komenti i hiqte rrënjët nga koha midis Vendimit të Akademisë serbe për botimin e datës 23. prill të vitit 1993 dhe 1995. Bosnjë-Hercegovina gjendej asokohe në vlugun e luftës; dhe krimet e bëra të luftës, të ushtruara aty nga pala serbe kishin marrë përmasa të papara. Një luftë në Slloveni kishte mbaruar; një tjetër po zhvillohej në Kroaci pothuaj si në prapavijë përkatësisht po i afrohej fundit. Në Kosovë ishte instaluar një sistem aparteidi dhe po bëheshin shkelje të rënda të të drejtave të njeri­ut.112 Për shkak të përdorimit të dhunës, Jugoslla­via ishte zhbërë. Për këtë, si nga popujt e tjerë të Jugosllavisë ashtu edhe nga opinioni i Perëndimit, për fajtor kryesor konsiderohej elita politike serbe. Në koment nuk thuhet as edhe një fjalë për këto ngjarje. Në vend të kësaj, si shkaktar kryesor i përgjithshëm përmendet këtu kriza në Jugosllavi e pastaj edhe argumentet e njohura qëmoti të ideo­logjisë serbe të viteve të 1980ta: kushtetuta e vitit 1974; separatizmi slloven e ai kroat; diskriminimi i Serbisë në të gjitha instancat e Jugosllavisë dhe ndarja e saj në dy krahina autonome; diskriminimi i serbëve në Kroaci dhe intoleranca kroatomadhe e mbështetur mbi traditën e partisë së djathtë të kohës së ndërrimit të shekujve dhe mbi traditën e ustashëve; dominimi, përkatësisht shtimi dinamik i popullsisë së të ashtuquajturit komb mysliman në BeH; gjenocidi mbi serbët nga ana e shumicës myslimane në Kosovë.113

Në historinë e lindjes së Memorandumit ka edhe një indikacion shumë simbolik i cili flet për cilësimin e tij jo si ndonjë program reformues, por thjesht si program nacional serb: Këtë e tregon edhe rrethana që Komisioni, i cili u ngarkua me hartimin e Memorandumit, takimin e vet të parë e mbajti më 28 qershor 1985,114 ditën e Shën Vidit, e cila shihet si ditë e prerjes së fatit; ditë që në ndërgjegjen kolektive të serbëve është ngulitur si ditë e „katastrofës së madhe kombëtare“ të tyre. Domethënia e kryehershme ka të bëjë me betejën në Fushë të Kosovës (1389), e cila në burime historike është paraqitur shumë shkurt dhe me plot kundërthënie, gjë që ka shkaktuar që edhe rrjedha e mirëfilltë e saj të mbetet e paqartë.115 Dihet vetëm se ushtria boshnjake-serbe nën drejtimin e princit serb Lazar e pësoi aty një disfatë në luftë me osmanët, disfatë kjo që do të ketë pasoja afat­gjata.116 Kjo betejë u stilizua lart në letërsi dhe në legjenda të ndryshme sidomos në shek. 19 të ro­mantizmit nacional. Ajo u konsiderua si shkatërrim i perandorisë mesjetare serbe në lulëzim dhe si fillim i “zgjedhës turke”.117 Që atëherë paska filluar martirizimi i popullit serb, i cili qenka flijuar për Europën e krishterë në luftë kundër Azisë fanatike myslimane.118 Kështu u lind një mit, mision i të cilit ishte zgjimi i idesë për rinorit­jen e perandorisë mesjetare serbe.119 Qëllim­isht u zgjodh dita e Shën Vidit, e stilizuar si ditë vendim­tare e fatit të Serbisë dhe rishtazi në një 28 qershor u ndërmorën hapa të një domethënieje afatgjatë si p.sh. vrasja e trashë­gimtarit të fronit të Austro-Hungarisë - princit Franz Ferdinand në Sarajevë (1914) ose aprovimi i kushtetutës centraliste të vitit 1921, e cila serbëve ua siguroi rolin dominant karshi popujve të tjerë në “shtetin e atëhershëm të serbëve, kroatëve e sllovenëve".120

Mirëpo, miti serb për Kosovën si „vend i shenjtë i serbëve“ është mbi të gjitha i natyrës kishtare, i ushqyer nga kisha ortodokse serbe, si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Më 28 qershor përkujtohen çdo vjet të gjithë serbët e flijuar për fenë e për atdheun në Fushë të Kosovës.121 Që nga shek. i 19 serbëve u sillet ndërmend jo vetëm nga kisha, por edhe nga elita intelektuale, hakmarrja për martirizimin në Kosovë dhe bashkimi i tokave serbe të shkapërderdhura. Në vazhdën e kësaj kulture të kujtesës kolektive serbe, për si e shenjtë konsiderohej nga bashkëkohës serbë edhe Lufta e Parë Ballkanike, së cilës edhe iu dha motoja „Hakmarrje për Kosovën”.122 Ushtria serbe e kuptoi, në këtë frymë, marshimin e saj më 1912 në Kosovë si “hakmarrje për disfatën e pësuar” më 1389, për „skllavërinë pesëshekullore turke“ dhe si çlirim të territoreve serbe nga pushtimi i huaj.123 Prapavija e takimit të komisionit për hartimin e Memorandumit pikërisht më 28 qershor 1985 është e lidhur kësisoj ngushtë me këtë mitologji politike. Akademia e dha në këtë mënyrë një sinjal se ky takim do të duhej të kuptohej si një kthesë për fatin e kombit serb. Elementet thelbësore të mitit serb për Kosovën janë betimi, tradhtia, flijimi dhe trauma e gjenocidit. Nën bekimin akademik, të gjitha këto u elaboruan në Memorandum, në mënyrë që të argumentoheshin teza të këtij lloji si p.sh. se: për shkak të „oportunizmit për dekada me radhë të elitës komuniste politike serbe“;124 që nga Lufta e Dytë Botërore Kosova qenka pushtuar nga shqiptarët; se serbët duhen parë si të vetmin komb të diskriminuar në Jugosllavi dhe si “viktimë”;125 se „gjenocidin“ e filluar nga turqit tani po e për­mbyllkan shqiptarët myslimanë.126 Në Memoran­dum u paralajmëruan me bollëk mite të tjera, elemente e konstrukte gjuhësore të cilat,– siç do të tregohet tani në vazhdim – do të duhej t’i kontri­buonin përgatitjes shpirtërore dhe legjitimimit të përdorimit të dhunës.

 

Gjuha

 

Gjuha e përdorur në kohën e nacional­socializmit është konsideruar si helm që vepron ngadalë, helm i cili me kohë i helmoi gati të gjithë njerëzit. Edhe për regjime të tjera totalitare, që mbajnë përgjegjësi për krime masive është dokumentuar, se gjuha e kishte rolin qendror për përgatitjen mendore e emocionale të krimit. Me përdorimin e saj me vetëdije është synuar që së pari të arrihet shkatërrimi psikik i kundërshtarit ose i „tjetrit“ që ishte tjetër politikisht, etnikisht ose në aspektin fetar; asgjësimi i dëshiruar fizik ishte hapi i ardhshëm. Kjo ndodhi duke përdorur konstrukte gjegjëse me vlerë e të rëndësishme në pikëpamje sociale – metafora, frazeologji, nocione e fjalë –, të cilat shërbejnë si thirrje për ta nxitur vrasjen, apo zhdukjen fizike të bashkësive të tjera. Duke i përsëdytur shpesh fjalët bazë, forma fjalish, fakte të falsifikuara e të përzgjedhura, ato regjime e shtrënguan pjesën më të madhe të njerëzve që t’i përvetësojnë e t’u besojnë mekanikisht dhe pa vetëdije konstrukteve gjuhësore të këtij lloji.127



E, Memorandumi karakterizohet nga kons­truk­sione të këtilla. Ç’është e drejta, nuk është krejt dokumenti i shkruar në këtë diktus: këso lloj konstruktesh ndeshen vetëm në pjesën e dytë të tij, në pjesën ku flitet për „Çështjen Serbe“128 Përdorimi i konstrukteve të tilla e ka këtu për pikë­synim që përmes përsëdytjes sistematike ta arsy­etojë dhe ta racionalizojë përdorimin e dhunës që ishte në përgatitje. Shprehjet e tilla dominojnë kë­tu, kur është fjala për t’u sqaruar momente në historinë e serbëve dhe zhvillime të reja politike në Jugosllavinë e atëhershme. Nocionet, gjedhat gju­hë­sore e frazeologjitë e përdorura përqendrohen këtu para se gjithash në tri çështje kryesore: gjend­ja ekonomike e Serbisë, statusi i Serbisë e i kombit serb dhe „gjenocidi“ në Kosovë. Këtu do të trajto­hen vetëm disa nga fjalët, nocionet e frazeologjitë, për ta pasqyruar rolin e gjuhës së këtillë si mjet për përgatitjen dhe përligjjen e krimit.

Akademikët shtrojnë tezën se Serbia, në kraha­sim me Slloveninë e me Kroacinë, na qenka repu­blika më e pazhvilluar e Jugosllavisë.129 Gjen­d­ja e këtillë na qenka fryt i dominimit të dy re­publikave të Veriut të Jugosllavisë, se përfaqësues sllovenë e kroatë e paskan marrë para e pas Luftës së Dytë Botërore kontrollin mbi Partinë Komuniste dhe Tito e Kardel, në rrjedhën e punës së tyre të gjatë, na e paskan krijuar “koalicionin anitserb”. Përkun­d­ra­zi, elita politike komuniste serbe nuk paska ndërmarrë asgjë që t’i përkrahë kërkesat e drejta të Serbisë: „Politikanët e Serbisë u treguan të papërga­titur për detyrën historike që ua imponoi konstela­cioni jashtëzakonisht i rëndë i raporteve në bash­kësinë jugosllave.130 Gjendja ekonomike e Serbisë nuk është hulumtuar në kuadër të shtetit të Jugos­llavisë. Prandaj edhe nuk u formuluan kurr­farë rekomandimesh se si mund të përmirësohej kjo si­tu­atë. U parashtrua vetëm “dominimi politik dhe ekonomik” i Sllovenisë dhe e Kroacisë, i cila qenka arritur vetëm përmes një “presioni të hapur sistematik. Të dy republikat: „…realizojnë interesat e tyre nacionale në llogari të Serbisë”, dhe “kupti­mi i kësaj qëndron aty që popullit serb t'i ngulitet ndjenja e fajësisë historike se në mos në këtë mënyrë do t'i silleshin pengesa rezistencës së tij të varur po­litike e ekonomike që u është eksponuar vazhdi­m­isht.” Mirëpo kjo ishte e mundur vetëm në këtë kon­tekst:“Vartësia ekonomike e Serbisë nuk mund të ku­p­­tohet plotësisht pa pozitën inferiore politike të saj, e cila përcaktoi edhe të gjitha marrëdhëni­et.“.131 Edhe më tej besohet se: “Janë shfrytëzuar të gji­tha mun­dësitë që zhvillimit të saj ekonomik dhe konsolidimit politik t'i vihen kufizime sa më të mëdha.

Ndër këto pengesa bie edhe statusi akut i padefinuar dhe kontradiktor kushtetues i Serbisë. Mirëpo, nuk bëhet kurrfarë përpjekjeje që kjo çështje të trajtohet në perspektivën e gjerë politike e kushtetuese në Jugosllavi si tërësi. Është konsta­tuar vetëm se populli serb: pas katër dekadash në Jugosllavinë e re vetëm ai nuk e ka shtetin e vet.Kjo paska ndodhur për shkak të dhënies së statusit të autonomisë Kosovës e Vojvodinës, të cilat na qenkan pjesë përbërëse të Serbisë. Qëllimi na paska qenë jo vetëm që Serbia të ndahet, por edhe që populli serb të mbahet nën kontroll të vazhdueshëm. Nën rrethana të këtilla, për shkak të trajtimit të pabarabartë të republikave në institu­cionet federative, edhe më tej ishte aktuale që: vota e votuesve nga Serbia vlen më pak se sa ajo e cilësdo republikë apo krahinë tjetër.132 Mospasja e shtetësisë i paska krijuar rrethanat për një dis­kriminimi i qytetarëve të Serbisë“, dhe kjo gjen­dje po përfshika përmasa të ndryshme në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë. Krijimi i krahinës së Vojvodinës paska për synim „që t’i ndaj popullin serb në ‘serbë nga Serbia’ dhe ‘serbë nga Vojvo­dina’“.133 Serbët lokalë në Kroaci po u diskrimi­nuakan në shkallë më të lartë: „ populli serb e ndien presionin e diskriminimit […]. Lika, Korduni dhe Bania ngelën regjione më të pazhvilluara në Kroaci, gjë që nxiti fuqishëm emigrimin e serbëve për në Serbi, si dhe dyndjet në vise të tjera të Kroacisë, ku serbët, si grup ardhacak pakicë dhe inferior në pikëpamje shoqërore, ishin fort në pozitë nënshtruese për t'u asimiluar. Tekembramja, populli serb në Kroaci dhe faktikisht i është eksponuar një politike asimiluese të rafinuar e efikase.134

Diskriminimi e paska arritur shkallën e vet më të lartë në Kosovë. Këtu, në pranverën e viti 1981 popullit serb iu shpall një luftë vërtet speciale, e hapur dhe totale, [...]. Në këtë mënyrë shpje­gohen demonstratat e shpërthyera më 1981 në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës, pjesë­marrësit e të cilave kërkuan dhënien e statusit re­publikë Kosovës. Shpërngulja e serbëve nga Koso­va, që ndodhi në vitet 1970–80, e cila shpërngulje nga dijetarë të Perëndimit është shpjeguar si pasojë e zhvillimeve sociale dhe e papunësisë, përshkru­het këtu përmes konstrukteve që pasojnë: Gjeno­cidi fizik, politik, juridik, kultu­ror“, „djegie, vrasje, dhunime, shëmtime“, „sundimi i terrorit fizik, moral dhe psikik“, „dëbim“, „eksod“, „ disfatë historike“ „intrigë“ etj.135 Duke përdorur fjalë të këtilla, faji për pozitën e tillë të serbëve të Kosovës i hidhej popullatës shqiptare. Si edhe ngjeti, fenomeni i hedhjes së fajit mbi tjetrin është ndër elementet më të rëndësishme të gjuhës për ta arritur gatishmërinë kolektive për ushtrimin e dhunës. Dorasët e ardhshëm, përkatësisht përfaqësuesit e tyre intelektualë i fajësuan viktimat e ardhshme dhe e shihnin veten për viktimë.136

Metafora qendrore e kësaj gjuhe është trajti­mi i së tanishmes aktuale si përsëdytje e së kalua­rës. „Gjenocid“ e „eksodus“ të serbëve nga Ko­sova paska pasur pa ndërprerje gjatë shekujve 17., 19. dhe 20. Bashibozukët shqiptarë“, “racis­tët shqiptaromëdhenjdhe „ballistët“, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore paskan kolaboruar me trupat naziste, janë ata që e mbajnë përgjegjësinë për aktet e këtilla të bëra në të kaluarën. Por, kjo që po ndodh në vitet e 80-ta qenka, për nga përmasat, edhe më e keqe dhe asgjë tjetër përpos një agresion neofashist”, që e ka për qëllim albanizimin e Kosovës e Metohisë në përputhje me qëllimin e synuar që nga vitet 1878/81, një sy­nim i “racistëve shqiptaromëdhenj”, për një Ko­sovë ‘etnikisht e pastër’".137 Nocionet e këtilla nuk i kontribuuan vetëm ringjalljes së imazhit prej ar­miku të vjetër të shqiptarëve; imazh që në mendi­min politik të serbëve dhe në gjedhët e sjelljes kulturore kanë mbetur që nga ajo kohë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Për më tepër, nocionet e këtilla zgjonin te njerëzit e kohës së atëhershme frikë e ndjenjë të të kërcënuarit; nocione që në Serbinë e asokohshme – si në rastin e çdo krize dhe të situatave të kthesave të mëdha – mund të shërbejnë si kornizë determinuese e sjelljes edhe për në të ardhmen.

Bie në sy edhe përdorimi i termit „Kosovë e Metohi“, i cili asokohe nuk ishte emërtim zyrtar i Kosovës e as nuk përdorej në literaturën shken­core. Jo vetëm anëtarëve të Akademisë, por edhe gjithë opinionit publik të Jugosllavisë më 1985 i ishte e njohur se deri më 1967, Kosova e kishte zyrtarisht këtë emër që tani po e ringjallte Aka­demia serbe. Nocioni „Metohi“ ka të bëjë me pjesën perëndimore të Kosovës dhe ky emër me etimologji greke do të thotë „tokë e kishës“. Prandaj ai tregon se kemi të bëjmë kinse me një pronë historikisht serbe, ortodokse. Me këtë kono­tacion serb emri i Kosovës si „Kosovë e Metohi“, nuk u përdor kurrë vullnetarisht nga popullata shqiptare. Kur pas rrëzimit të Aleksandër Ranko­viqit (1966) popullata shqiptare filloi shkallë-shkallë të marrë të drejta e saja, një vit më vonë u hoq emri „Kosovë e Metohi“.138 Serbët e përdornin tani për zyrtare trajtën e tyre, “Kosovo”, ndërsa për shqiptarët vlente trajta „Kosova“ e emrit. Akademia serbe e përdorte trajtën e vjetër të emrit jo për të përshkruar epoka historike, por ai përdorej sistematikisht si nocion për përshkrimin e gjendjes aktuale të serbëve në Kosovë. Duket se kjo po bëhej me qëllim që t’i tregohej opinionit të gjerë simbolikisht se Akademia serbe nuk e njihte autonominë që popullatës shqiptare i solli më shumë të drejta se ç’kishte më parë, pas heqjes së emrit dypjesësh „Kosovë e Metohi“.

Marrë në përgjithësi, gjuha në Memorandum nuk synonte që bashkëkohësit e atëhershëm t’i cyste për një të menduar kritik përkitazi me krizën politike e ekonomike të sistemit jugosllav. Ajo synonte, para se gjithash, t’i sillte bashkëkohësit në një gjendje të emocionalizuar në të cilën nuk ishte më i mundshëm një ballafaqim racional i mendi­meve me zhvillimet dhe me gjendjen ekzistuese. Bie në sy trajtimi i thjeshtësuar i situatës së atëhershme, për ta gjetur një emërues të përbashkët për krizën. Konform me ç’u tha më lart, gjuha nuk u përdor për racionalitet dhe ajo nuk e synonte këtë. Ajo nuk e donte informimin e bashkëkohës­ve, por mposhtjen e tyre. Anëtarëve të Akade­misë duhet t’u ketë qenë e njohur se gjuha dhe mënyra e përdorimit të saj ka një rëndësi primare për propagimin e ideologjive. Ata ishin padyshim të vetëdijshëm se me përdorimin të një gjuhe të tillë ndryshonin perceptimin e realitetit jugosllav, strukturonin të menduarit dhe se do të ndikonin kështu mbi mënyrën e veprimit në jetën politike.

Mitologjia politike

Jo vetëm gjuha, por edhe filtra të tjerë të perceptimit, si fjala bie, stereotipat, ritet dhe mitet janë mjete të rëndësishme për interpretimin e realitetit. Sipas gjurmimit të përgjithshëm, janë sidomos mitet ato që kontribuojnë që realiteti të mos perceptohet ashtu siç është, por ashtu siç u prezantohet njerëzve. Në këtë mes është dëshmuar se mitet politike janë kode ambivalente e simbolike, të cilat mund ta përmbushin funksionin pozitiv, integrativ dhe mobilizues. Mirëpo, ato mund të kenë edhe një funksion shumë të rrezik­shëm, përkatësisht atë manipulativ dhe dezintegra­tiv. Në regjimet totalitare këto mite e luajnë një rol qendror për forcimin e tyre në pushtet ose anas­jelltas, për destabilizimin e tyre. Ato e përmbushin, në rrafshin e drejtimit të shtetit, edhe funksionin e tyre përmes „mobilizimit“ dhe bashkëshkrirjes së popujve me diktaturat gjegjëse.139 Sipas rregullit, mitet nuk shpiken, ato përcillen gojë pas goje. Ato janë çdoherë në harmoni me ideologjitë sunduese si bie fjala mitet nacionale me nacionalsocializmin, fashizmin ose socializmin.140 Si të tilla, ato nuk i shërbejnë vetëm kthimit të realitetit me krye teposhtë; por, në situata konkrete, ato edhe arsyetojnë vepra kriminale. Në këtë kontekst, mitet krijojnë një normë pozitive simbolesh, shpikin vende të spiritualizuara, „vende të shenjta“ dhe për ruajtjen e kuptimësisë së të cilave ia vlen të vdesësh, por edhe të vrasësh. Kjo t’i përkujton jo vetëm mitet e pushteteve totalitare, por edhe mitin e sapopërshkruar mbi Kosovën si „tokë e shenjtë serbe“. Në Memorandum u konstruktuan edhe mite të tjera, të cilat janë po ashtu analog edhe në shoqëri të ndryshme evropiane. Këto këtu, si edhe gjetiu në botë, përmbushin funksione nga më të ndryshmet për ta kthyer të vërtetën me krye teposhtë dhe për të mbjellë frikë kërcënuese.

Një mit, i cili në Memorandum zë njërin ndër vendet qendrore, në pjesën ku përshkruheshin arsyet përse serbët dhe Serbia qenkan në pozitë të diskriminuar, është miti i shtetit. Si edhe mitet e tjera, për të cilat do të bëhet fjalë më poshtë, as ky nuk është i shpikur rishtazi, por i ka rrënjët tek epoka të ndryshme të Jugosllavisë. Te ky mit është fjala, në rend të parë, për rivlerësimin e domethënies së kushtetutës së Jugosllavisë së vitit 1974, çështje kjo që këtu nuk po shtrohej për herë të parë si një problem nacional serb. Para dhe në vigjilje të lindjes së kësaj kushtetute, në Serbi ishin mbajtur (dhe sidomos për sa i përket pozitës së shqiptarëve në Kosovë) debate publike. Kur në vitet e 60ta në Jugosllavinë komuniste u rizbuluan çështjet nacionale dhe kur rrëzimi i Aleksandar Rankoviqit krijoi hapësirë për ndarjen e pushtetit – me çka filloi edhe realizimi i procesit të të drejtave autonome të shqiptarëve –, kjo solli në Serbi një diskutim përkitazi me pozitën juridike të autonomisë së Kosovës.141 Njohja e të drejtave të shqiptarëve, shkaktoi te nacionalistët serbë një frustrim. Dy pjesëtarë të respektueshëm të dijes –historiani Jovan Marjanoviq dhe shkrimtari Dobrica Qosiq – e akuzuan elitën serbe politike se ajo po u marrka më shumë me çështjen e autonomisë së shqiptarëve se sa me gjendjen e popullatës serbe të Kosovës, e cila për shkak të „centrizmit të shqiptarëve dhe për shkak të synimeve separatiste të tyre“ dhe të „disponimit të përhapur gjithandej antiserb ndër shqiptarët“ po largohet përditë e më shumë nga Kosova.142

Debati vazhdoi edhe pas aprovimit të kushte­tutës dhe sidomos në Serbi pati kundërshtime të ashpra kundër saj.143 Atje shfaqej ankesa se kushtetuta na qenka hapi i parë për shkëputjen e Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Nën drejtimin e Dragosllav Markoviqit u ngrit një komision i partisë komuniste në nivel federativ, i cili e parashtroi projektin Republika Socialiste e Serbisë dhe Krahinat Autonome si pjesë përbërëse të saj pozita kushtetuese juridike dhe praktika.144 Objekt hulumtimi ishte këtu statusi i atëhershëm i Serbisë në Jugosllavi, me ç’rast u trajtuan aspekte të ndryshme të saj. Këtu u shtrua edhe teza sipas së cilës statusi aktual juridik-kushtetues i Kosovës po i rrezikuaka perspektivat e së ardhmes së banorëve serbë të Kosovës. Në një takim të mbyllur në Brione, nga kreu i Jugosllavisë u qortua ashpër versioni i gatshëm i parë i librit dhe projekti u shpall për i përfunduar. Ky projekt i është i njohur opinionit me emrin „Libri i Kaltër“.145

Për nacionalistët serbë kjo kushtetutë ishte e papranueshme sepse i ngrinte krahinat autonome të Kosovës e të Vojvodinës në rang të njësive konstitutive të federatës jugosllave; sado që atyre nuk u ishin dhënë të gjitha të drejtat në të gjitha pikat siç i kishin republikat.146 Megjithatë, shqiptarët gëzonin një autonomi të gjerë dhe me këtë u vu gurthemeli për integrimin e tyre.147 E parë në pikëvështrimin serb, problemi qëndronte në rrethanën që përbrenda kufijve të republikës së Serbisë ekzistonin krahina autonome, të cilat ekzistonin që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, por që, sipas kësaj kushtetute të vitit 1974, ishin bërë pothuajse bashkëpronarë të barabartë në pushtetin federativ të Jugosllavisë. Elementet e “sovranitetit” të tyre konsistonin në faktin që përfaqësuesit e tyre në organet federative mund të votonin të pavarur. Me këtë, sipas nacionalistëve serbë, Republika e Serbisë po e humbka kështu kontrollin mbi Kosovën e Vojvodinën. Sipas pikëpamjes së tyre, kombi serb dhe Serbia paska paguar çmim shumë të lartë për arritjen e baraspeshës etnopolitike në Jugosllavi.

Në Memorandum nuk kërkohej që kjo kushtetutë, e cila për një pjesë të qytetarëve të Serbisë ishte shumë kontestuese, të plotësohej përmes propozimesh të urta dhe përmes një debati e të evitoheshin kështu vështirësitë reale politi­ke.148 Një gjë e tillë do të ishte kontribut për mposhtjen e potencialit konfliktuoz midis republi­kës së Serbisë dhe dy krahinave autonome, burimi i të cilit potencial konfliktuoz ishte faktikisht në këtë kushtetutë. Ndodhi pikërisht e përkundërta. Kushtetuta, e cila nuk ishte asgjë tjetër përpos refleks i rrethanave të momentit kur u lind në kontekstin brendajugosllav e ndërkombëtar, u interpretua ngushtë nga prizmi serb:149 se ajo e paska „ndarë Serbinë në tresh“, se kjo po ia ndaluaka popullit serb, i cili në Luftën e Dytë Botërore paska dhënë numrin më të madh të viktimave për „çlirimin“ e kombeve të Jugoslla­visë, të jetë një republikë sovrane që do t’i kishte në gjirin e vet të gjithë serbët kudo që ata jetojnë. Në këtë kontekst, akademikët e formuluan një apel: Serbia duhet t’i definojë qartë interesat e veta ekonomike e nacionale dhe revidimi i kushtetutës duhej të ishte çështja më thelbësore. Qëllimi kryesor duhej të ishte që përmes ripërfshirjes faktike të Kosovës dhe Vojvodinës brenda Serbisë të arrihet krijimi i një „shteti nacional“ të serbëve.150 Në këtë frymë, ata e përvijuan mitin e mujshisë absolute të shtetit:

Gjatë dy dekadave të fundit sa vinte e dobë­sohej principi i unitetit dhe mbitheksohej prin­cipi i autonomisë nacionale, i cili në praktikë u shndërrua në bashkëkohësi (të republikave, të cilat sipas rregullit nuk janë në pikëpamje nacionale homogjene). Dobësitë të cilat që nga fillimi ishin të pranishme në model, bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Të gjitha kombet nuk janë të barabarta: kombi serb, për shembull, nuk e fitoi të drejtën për shtetin e tij. Pjesë të popullit serb, të cilët në numër të konsiderueshëm jetojnë në republikat e tjera, nuk kanë të drejta, për dallim nga pakicat kom­bëtare, që të shërbehen me gjuhën e vet dhe shkrimin, që në pikëpamje politike e kulturore të organizohen, që bashkërisht të zhvillojnë kulturën unike të popullit të vet. Përndjekja e pandalshme e serbëve nga Koso­va në mënyrë drastike tregon se ato parime të cilat e mbrojnë autonominë e një pakice (shqip­tarëve) nuk janë aplikuar kur është fjala te pakicat në kuadër të pakicës (serbët, ma­lazezët, turqit e romët në Kosovë). Duke pasur parasysh format ekzistuese të diskriminimit nacional Jugosllavia e sotme nuk mund të konsiderohet shtet modern e demokratik.”.151

 

Me Kushtetutën e viti 1974 Serbia, faktikisht, u nda në tri pjesë. Krahinat autonome në të gjitha pikat u barazuan me republikat, pos që nuk janë definuar si shtete dhe që nuk kanë numër të njëjtë të përfaqësuesve në disa nga organet e federatës. Këtë mungesë ato e kom­pensojnë në atë mënyrë që, përmes kuvendit të republikës së përbashkët, mund të përzihen në marrëdhëniet e brendshme të Serbisë së Cun­guar, për sa kohë kuvendet e tyre janë plo­të­sisht autonome. Pozita politike-juridike e Ser­bisë së Cunguar është fare e papërcaktuar, ajo nuk është as republikë e as krahinë. Rapor­tet në republikën e Serbisë janë konfuze. Këshilli ekzekutiv, që është organ i Kuvendit republi­kan, në të vërtetë s'është asgjë tjetër përveç se Këshill ekzekutiv i një Serbie të Cunguar.”152



 

Raportet ndërmjet Serbisë dhe krahinave nuk mund të reduktohen kryesisht e as vetëm në interpretime formale-juridike të dy kushtetu­tave. Bëhet fjala pikë së pari për popullin serb dhe shtetin e tij. Kombi, i cili, pas një lufte të gjatë dhe të përgjakshme, sërishmi ia doli ta bëjë shtetin e vet, i cili vetë e fitoi betejën edhe për demokraci qytetare, dhe i cili në dy luftë­rat e fundit humbi 2, 5 milionë bashkatdhe­ta­rë, përjetoi atë që një komision partiak, i për­bërë sipas aparatit, të konstatojë se pas katër dekadash në Jugosllavinë e re vetëm ai nuk e ka shtetin e vet. Një disfatë më e keqe historike në paqe as që mund të merret me mend.153

I lidhur me mitin e shtetit është në Memo­randum edhe një mit tjetër shumë i përhapur, i cili ishte gjithashtu me peshë të madhe për falsifikimin e realitetit politik jugosllav: miti i intrigës. Ky kishte funksione të shumëfishta dhe solli sqarime paraprake për shumë nga çështje të shtruara. Ç’është e vërteta, ky mit ishte pas vitit 1945 shumë i njohur në shoqërinë serbe ndërsa pas vitit 1966 edhe me rëndësi qendrore për perceptimin e zhvillimeve politike. Ishte përhapur mendimi se Partia Komuniste e Jugosllavisë, përmes shtyrjes së kufijve të Serbisë, po e synuaka mbajtjen e ndiki­mit politik serb të ngujuar. Për këtë qëllim nga kufijtë e Serbisë qenkan shkëputur tri regjione të cilat, në aspektin historik dhe në atë të përbërjes demografike, na qenkan regjione serbe: Maqedo­nia, të cilën serbët e quanin “Serbia e Jugut”; Koso­va, e cila që nga shek. 19 nga serbët njihej përgjithësisht me nocionin “Serbia e Vjetër” dhe së fundi Vojvodina. Pas rrëzimit të Rankoviqit shumë serbë mendonin se nuk e paskan më asnjë përfaqë­sues në krye të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe se e gjithë partia dhe shteti i Jugosllavisë qenkan në duar të kroatit Tito dhe të sllovenit Kardel.154

Përfaqësuesit e Akademisë e përdorën së këndejmi këtë mit jo për ta rikrijuar këtë, por donin që ta përpunonin dhe ta aktualizonin në harmoni me çështjet që i shtronin. Këta e skicuan mitin e „koalicionit antiserb“ i cili përbëhej nga dy pjesë. Krahu i parë përbëhej nga republikat e Kroacisë e të Sllovenisë dhe mbështetej mbi arsye të ndryshme politike, ekonomike, kulturore e fetare. Ky koalicion qenka drejtuar për vite me radhë nga Tito e Kardel, të cilët kishin parë te serbët ambicie hegjemoniste. Prandaj, sistemin jugosllav e kishin organizuar sipas kushtetutës së vitit 1974 dhe sipas parimit:155 një Serbi e forte do të thotë një Jugosllavi e dobët dhe se, së këndejmi, një Jugosllavi të fortë mund të ketë vetëm atëherë nëse Serbia është e dobët.156 Në këtë kuptim në Memorandum lexojmë:

 

Sllovenët dhe kroatët para lufte krijuan partitë e veta komuniste nacionale, e madje fituan dhe ndikim vendimtar në KQ të PKJ-së. Liderët e tyre politikë u bënë arbitër në të gjitha çështjet politike gjatë luftës dhe pas saj. […].Këtë koalicion e forcoi bashkëpunimi shumëvjeçar i Titos e Kardelit, dy personali­tete politike më të dalluara të Jugosllavisë së pasluftës, që gëzonin autoritet të paprekshëm në qendrat e fuqishme. Monopoli kuadrovik iu lejonte që qenësisht të ndikojnë në përbërjen e kreut politik të Jugosllavisë dhe të të gjitha republikave e krahinave. […].Vendosmëria me të cilën sot Sllovenia e Kroacia i kundër­vihen çdo ndryshimi kushtetuar, tregon se sa u përgjigjet atyre Kushtetuta nga viti 1974. Pikëpamjet rreth rregullimit shoqëror, nuk kishin kurrfarë gjasash të pranoheshin, po qe se ishin tjetërfare nga botëkuptimet e dy au­toriteteve politike, e nuk mund të bëhej asgjë as pas vdekjes së tyre [Titos dhe Kardelit: E. H.] , meqë Kushtetuta, me mundësinë e vetos, ishte e siguruar nga çfarëdo ndryshi­mesh. Duke pasur parasysh gjithë këto, nuk mund të jetë kontestuese se Sllovenia e Kroacia e vunë themelin e dominimit politik e ekonomik, përmes të cilit sendërtojnë progra­met e veta nacionale dhe aspiratat ekonomike.“157



 

Dhe më tej:

Krahinat me ndihmën tejet të përzemërt të të tjerëve u bënë "element konstituiv i federatës", gjë që iu dha shkas që të ndihen e të sillen si njësi federale, duke lënë pas dore të dhënën se janë pjesë përbërëse të republikës së Serbisë. […]. Sjellja e tashme e krahinave po tregon se në praktikë plotësisht kanë mbizotëruar forca separatiste-autonomiste. Republikës së Serbi­së i është pamundësuar që në çështjet vitale të prezantohet në mënyrë unike në interes të popullit të cilit i përket. Ndërlikimi i marrë­dhënieve të pazgjidhura në republikën e Ser­bisë logjikisht del nga pozita e saj kush­tetutare dhe zgjedhja e kuadrove separatiste e auto­nomiste, të cilat pikërisht në saje të orientimit të atillë gëzonin dashamirësinë e atyre që mbanin monopolin kadrovik në Jugosllavi.158

Pjesa e dytë e koalicionit antiserb, i cili po i ndjekka po ato qëllime politike separatiste, shihej në këtë pasqyrim të akademikëve serbë, te krahu shqiptar i Kosovës. Miti i intrigës e përmbushi edhe këtu një funksion me rëndësi në interpretimin shtrembër të realitetit dhe të përdorimit më vonë të dhunës. Në këtë vazhdë, akademikët i përshkruajnë shqiptarët si tradhtarë të shtetit të Jugosllavisë. Rrethanën e dhënies atyre të autonomisë dhe integ­rimin e shqiptarëve në politikën, ekonominë e në shoqërinë jugosllave e shihnin si konspiracion i cili po u dirigjuaka nga jashtë, përkatësisht nga Shqipëria:



"Marrëdhëniet e barabarta nacionale, për të cilat edhe në Kosovë e Metohi më së shumti kanë luftuar luftëtarët serbë - me një politikë fare të caktuar, zbatuar me veprime të plani­fikuara dhe qëllim të qartë - nacionalistët shqiptarë në udhëheqësinë politike të Kosovës zunë t'i kthejnë e t'i rrotullojnë në të kundërtën e tyre. Regjioni autonom në një moment të volitshëm fiton rangun e krahinës autonome, më pas dhe statusin e "pjesë" konstituive të federatës" - me prerogativa më të mëdha nga mbetja e Republikës të cilës i përket vetëm formalisht. Hapi i mëtejmë i "eskalimit", që u shfaq edhe si albanizim i Kosovës e Metohisë është përgatitur në mënyrën më legale. Gjitha­shtu edhe unifikimi i gjuhës letrare, emrit nacional, flamurit, të librave shkollorë - sipas instruksioneve nga Tirana - ishte krejtësisht i hapur, si dhe vetë kufiri ndërmjet dy territo­reve shtetërore. Komplotet, të cilat rëndom përgatiten fshehurazi, në Kosovë krijoheshin jo veç haptazi, po edhe demonstrativisht."159

I lidhur ngushtë me këto dy mite, që u për­shkruan më lart, është edhe ai i „rrezikut univer­sal“ i cili u përdor qëllimisht për mbësh­tetjen e hipotezës për gjendjen e rrezikuar të serbëve në Kroaci e në Kosovë. Sidomos në këtë të fundit ekzistenca e serbëve qenka vënë në dyshim. Për ta përshkruar gjendjen sa më hollësisht, në mënyrë sa më plastike, akademikët e rimorën edhe temën e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve në vitet e 1970-ta e 1980-ta. Debati në dhe mbi Kosovën u bë kështu temë qendrore për opinionin e atëher­shëm jugosllav. Zhvillimi i popullatës në Kosovë – zhvillimi i natyrshëm me rritjen para se gjithash të numrit të banorëve shqiptarë dhe të atij migrator me shpërnguljen në neto të serbëve – u paraqit në Serbi si ekspansion i shqiptarëve dhe veprim i planifikuar për dëbimin e serbëve nga Kosova. Më në fund ai u vlerësua edhe si „gje­nocid“ mbi serbët e Kosovës. Përmes manipulimit të vazhdueshëm të mediave dhe të qarqeve nacionaliste, ky zhvillim u prezantua në formë fund e maje të pavërtetë dhe si i këtillë u perceptua edhe nga popullata serbe. Tha­shethemet për dhunime, dëbime, plaçkitje, lëndime të vetvetes, vardisje etj., ishin përhapur kah mesi i viteve 80-ta gjithandej nëpër qarqe të opinionit serb.160

Shumica e analizave të shkruara asokohe dhe më vonë në gjuhët e vendit pothuaj se nuk mund të merren aspak për serioze, sidomos jo në rrafshin shkencor. Kjo ndodhi sepse ky problem u shestua aty sipas kallëpit të politikës së ditës.161 Në dijen europerëndimore, tri janë argumentet kryesore për ndryshimet e atëhershme demografike.162 Shkak i parë i shpërnguljes së serbëve e të malazezëve me­rret gjendja e prapambetur ekonomike e Kosovës. Serbët e malazezët shpërnguleshin nga një regjion i varfër e i pazhvilluar dhe shkonin në Serbinë më të zhvilluar. Migrimi i brendshëm ishte një feno­men që e kishte përfshirë Jugosllavinë në përmasa të mëdha, me ç’rast, për shkak të kushteve më të mira për jetesë, serbët e Bosnjës shpërnguleshin për në Serbi ndërsa kroatët e Bosnjës për në Kroaci. Po zhvillohej një shpërngulje nga periferitë drejt qendrave; dhe Kosova duke qenë periferi e pazhvilluar, nuk ishte më për serbët, në pikëpamje ekonomike, joshëse.

Së dyti, kjo shpërngulje nuk do të mund të jetë në lidhje vetëm me arsyet ekonomike. Që nga viti 1980, shumë serbë e ndienin veten të kërcënuar ose bëheshin se po rrezikoheshin në mënyra të ndryshme, sidomos në aspektin social-psikologjik. Vepra të mirëfillta të dhunës, të motivuara kryekreje nga aspekti etnopolitik, në Kosovë bëheshin shumë rrallë. Edhe krimet e rëndomta jashtë etnisë vetanake ishin të rralla. Shkalla e vrasjeve dhe ajo e dhunimeve, ishin në Kosovë përgjithësisht më të ulëta se në pjesët e tjera të Jugosllavisë.163 Mirëpo, nga mediat serbe gjendja paraqitej e tillë sikur të gjithë popujt sllavë t’i ishin ekspozuar një rreziku të këtillë potencial. Në këtë klimë të konstruktuar, secila ngatërresë, nëse viktima ishte me origjinë sllave, interpretohej e kuptohej si akt politik i dëbimit të serbëve.164 Duket se gjendja u ashpërsua sidomos pas vitit 1981 pas demonstratave që u zhvilluan aso viti. Në këto demonstrata, tek rinia shqiptare doli në sipërfaqe jo vetëm kërkesa për ngritjen e statusit të Kosovës në rangun e republikës së shtatë të Jugosllavisë, por edhe thirrjet për bashkim me Shqipërinë.165 S’ka dyshim se sloganet si këto do të jenë parë nga serbët lokalë si kërcënim për ta.166

Së treti, frika për ekzistencë e serbëve dhe e malazezëve lokalë ishte e lidhur me rritjen e shpej­të të popullsisë shqiptare; një zhvillim demo­grafik ky që dilte në të vërtetë nga proporcioni midis shkallës së mortalitetit e të natalitetit. Për ndryshim nga pjesët e tjera më të zhvilluara të Jugosllavisë, rritja e popullsisë së Kosovës duhet parë si rezultat i shkallës së lartë të natalitetit e cila ishte karak­terizuese jo vetëm për shqiptarët, por në masë të konsiderueshme edhe për serbët. Shkalla e pjell­shmërisë ishte megjithatë më e lartë te shqiptarët, sepse pjesa më e madhe e këtyre ishte popullatë agrare: Për shkak të mungesës së kualifikimeve profesionale, të shka­llës së ulët të punësimit dhe të mentalitetit të ambientit, gruaja shqiptare lindte në këso ambienti më shumë fëmijë. Kjo ndodhte më rrallë te serbët e Kosovës: sepse këta, në pjesën më të madhe të tyre, jetonin në qendra urbane dhe gratë serbe, të arsimuara më mirë, bënin punë nga më të ndryshmet, shtetërore e publike.

Megjithatë, akademikët e paraqitnin një peizazh krejt tjetër të shkaqeve të shpërnguljes së serbëve e të malazezëve. Ata i interpretonin de­monstratat e vitit 1981 si luftë kundër serbëve. Ata nuk flisnin për shpërngulje, por për eksod, i cili e paska arritur kulminacionin që nga viti 1981. Ata flisnin për një agresion të shqiptarëve që nga neo­fashistët qenka ushtruar sistematikisht që nga mba­rimi i Luftës së Dytë Botërore dhe për një gjenocid legal në aspektin fizik, politik e kulturor i cili po vazhduaka që nga viti 1690.167 Kjo valë e migrimit të serbëve u paraqit këtu në Memorandum si dëbim i qëllimshëm:



"Dëbimi i popullit serb nga Kosova është një dëshmi spektakolare e disfatës së tij historike. Në pranverën e vitit 1981 popullit serb iu shpall një luftë vërtet speciale, por e hapur dhe totale, përgatitur në etapa të ndryshme të ndryshimeve administrative, politike dhe shtetërore-juridike. E udhëhequr me aplikimin e shkathët të metodave e taktikave, me role të ndara, me përkrahje aktive, e jo veç pasive dhe jo shumë të fshehur të disa qendrave politike në vend - më e rrezikshme dhe nga ajo që vinte nga fqinjësia - ajo luftë e hapur, e cila ende nuk shikohet drejt në sy dhe e cila ende nuk quhet me emrin e vet të vërtetë, zhvillohet gati tash e plot pesë vite.”168

Dhe pastaj, përsëri:



"Pesë vite të luftës shqiptare në Kosovë bin­dën prijësit dhe dalëzotët e saj se janë më të fortë sesa mendonin, se gëzojnë mbështetjen në qendra të ndryshme të forcës në vetë vendin, mbështetje pakrahasueshmërisht më të madhe sesa serbët e Kosovës nga Republika e Serbisë, ose sesa kjo republikë nga republikat e tjera të Jugosllavisë. Agresioni është trimë­ruar deri në atë masë, saqë edhe përfaqësuesit më zyrtarë të Krahinës, si dhe shkencëtarët e saj, sillen jo vetëm në mënyrë arrogante, por edhe cinike, duke proklamuar të vërtetat si shpifje, kurse shantazhet si të drejta të tyre të cenuara.”169

Kjo luftë e vazhdueshme kundër serbëve dhe mbrojtja nga ata e ekzistencës i solli edhe „të rënët e parë“ në rrjedhën e udhës së tyre prej viktime, e midis tyre edhe Gjorgje Martinoviq. Martinoviq ishte banor i një katundi të rrethinave të Gjilanit, cili më 1 maj 1985 u soll në Klinikën e Universitetit të Prishtinës, ku nga anus-i iu nxor një shishe birre. Deri në kohën e shkrimit të Memorandumit, për këtë ngjarje po bënin gara dy interpretime përkitazi me prapavijën e kësaj ndo­dhie. Vetë Martinoviqi thoshte se këtë vepër bar­bare e paskan bërë dy shqiptarë të maskuar, të cilët po dashkan ta dëbojnë këtë nga katundi dhe po dash­kan kësisoj t’ia merrnin pronat. Sipas njofti­me­ve zyrtare të Kosovës, fjala ishte për një homo­seksual, i cili vetë e kishte lënduar veten gjatë aktit të vetëkënaqjes.170 Raportet e tjera, të përpiluara nga autoritetet jugosllave nuk mundën ta dëshmo­nin se ky person me të vërtetë ishte sulmuar, prandaj edhe nuk sollën kurrfarë vendimi të qartë përkitazi me shkaqet e lëndimit të tij.171 Për për­faqësuesit e Akademisë serb nuk kishte arsye për ndonjë interpretim të matur. Këta përdorën vetëm disa rreshta për ta paraqitur Martinoviqin si një „martir“ të krishterë në luftë kundër shqiptarëve myslimanë, duke u përkujtuar serbëve „shekujt e errët të sundimit turk“. Përkujtim ky që sheshazi vlente si përimtim i luftës së propaguar kundër autonomisë së Kosovës dhe të shkeljes së saj:



"Rasti Martinoviq është i rëndësishëm, jo vetëm nga shkaku i dhunimit të posaçëm, të paparë, që të kujton kohërat më të errëta të periudhës turke të nguljes në hu, po edhe nga shkaku i refuzimit këmbëngulës që në proce­durën e rregullt gjyqësore të konstatohet dhe të pranohet e vërteta. Në vend se të jetë shkas për vërtetimin e vlerës supreme të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, ky rast në Kosovë u kuptua si një shans që të spikatet sovraniteti i Krahinës, të cilin ajo as me Kushtetutë nuk e ka, dhe që RS të Serbisë t'i imponohet principi i "mospërzierjes në punët e brendshme" të Krahinës, sikur të ishte fjala për raporte ndërshtetërore, ndërkombëtare." 172

Këtu kemi të bëjmë sheshazi me hedhjen në lojë të konstruktit të „Mitit të inhumanitetit të të tjerëve“, për ta vërtetuar kështu tezën, se sa barbarë janë shqiptarët dhe se çfarë keqtrajtimeve u janë ekspozuar serbët lokalë.173 E, „Miti i inhumanitetit të shqiptarëve“ kishte kohë që ishte përhapur gjerë e gjatë në opinionin serb, sidomos pas demonstratave të vitit 1981, të cilat shërbyen për ngritjen e nacionalizmit serb. Mediat serbe filluan ta paraqesin popullatën shqiptare si element demoniak armiqësor ose si trup të huaj në shoqërinë jugosllave dhe si një popullatë që i takon një civilizimi plotësisht të pazhvilluar.174 Për këto media vrasjet, dhunimet, vënia e zjarrit dhe dëmtimet e pasurisë së serbëve lokalë ishin temë e ditës. Kjo histeri antishqiptare e cila asokohe u projektua edhe nga një pjesë e elitës serbe, i shërbente arsyetimit të dhunës në të ardhmen në Kosovë. Përmes „Rastit Martinoviq“, përfaqësuesit e akademisë ia bënin me dije qytetarit serb, se çfarë mund ta priste atë nëse udhëheqja politike serbe nuk do të ndërmerrte asgjë.

Nga mitet e trajtuara deri tani del se ato e kishin po atë funksion që këto tipa mitesh e patën edhe te popuj të tjerë, elitat, përkatësisht qeveritë e të cilëve u përfshinë në përgatitjet për ushtrimin e krimeve masive të luftës. Mund të konstatohet se mitologjia politike e paraqitur këtu nuk është në asnjë mënyrë një fenomen politik i izoluar serb dhe se në Memorandum janë përfaqësuar edhe tipa të tjera mitesh që e kanë po të njëjtin funksion poli­tik. Ata pak shembuj të zgjedhur në këtë kapitull tregojnë sheshazi se – si edhe gjetiu në histori – edhe në Memorandum bëmat e së ardhmes u legjitimuan përmes mitesh dhe se, në këtë rast kon­kret, ato janë në harmoni të plotë me ideologjinë serbomadhe. Këto mite nuk i kontribuuan këtu vetëm destabilizimit dhe zhbërjes së Jugosllavisë, por edhe etablimit dhe cementimit të regjimit të Milosheviqit. Supozimet për „gjenocidin“, „luftën totale“, për „intrigën antiserbe“, për „ndarjen në tresh të Serbisë“, për „armiqësinë karshi serbëve“ etj. ishin argumentet kryesore të diskursit serb mbi Kosovën dhe mbi ndryshimin e mundshëm me dhu­­në të gjendjes politike të Serbisë e Jugosllavisë.175

 

Autorizimi i dhunës

 

Përdorimi i konstrukteve të paraqitura soci­ale dhe i konstruksioneve gjuhësore e i miteve politike kishin domethënie qendrore në procesin e „dehumanizimit“ publik të popullatës shqiptare.176 Në Memorandum dalin edhe dy mekanizma të tjerë për normalizimin dhe për legjitimimin e përdorimit të dhunës në të ardhmen. E para, çelësi i rrethit është tani për tani në këtë dokument: Akademia flet në emër të popullit dhe të flasësh kundër Memorandumit, do të thotë, pra, të jesh kundër popullit serb. Dhe së dyti, është përdorimi i dhunës i cili arsyetohet në Memorandum, jo vetëm tërthorazi, por në jo pak vende të tij fenomeni i autorizimit të përdorimit të dhunës është shprehur në mënyrë eksplicite.177 Sipas përfaqësuesve të Aka­demisë, çështja e Kosovës nuk mund të zgji­dhet me fjalë të zbrazëta, me rezoluta të gjata e të palexueshme apo me dokumente bazike të matura. Fati i këtij regjioni mbetet një çështje ekzistenciale për kombin serb.178 „E vetmja zgjidh­je“ e kërkuar shprehimisht nga elita politike është, për autorët e Memorandumit, përdorimi i dhunës:



Forcat e organizuara politike të vendit tonë, të cilat e bënë revolucionin në kushte gati të pamundshme, nën armikun më të fuqishëm në tërë këtë shekull - përnjëherësh po tregohen jo vetëm joefikase, jo të lira, por edhe të pa­inte­resuara që luftës së hapët t'i përgjigjen ashtu sikurse edhe është e domosdoshme: me mbrojtjen vendimtare të popullit të vet dhe të territorit të vet. E kur agresioni të pësojë disfatë, qërimet e hesapeve politike të mos bë­hen më me arrestime, "diferencime", lojalitet të rrejshme, po me luftë të njëmendët tamam revolucionare, ballafaqime të hapura, me të drejtë të shprehjes së lirë, bile edhe të demon­strimit të mendimeve të kundërta.179

1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət