Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə6/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19

Shpërngulja masive me forcë e popullatës

Njëjtë me gjenocidin, shpërngulja masive me forcë e popullatës ndodhi gjithashtu gjatë krijimit të perandorive dhe shteteve të reja. Kjo strategji është aplikuar gjatë dhe pas një lufte, por jo gjithmonë ka rezultuar me mbarimin e konfliktit etnik. Elitat shtetërore, që kanë përdorur këtë metodë të rregullimit të konfliktit etnik, e arsyetuan atë si një reagim ndaj vërshimit të grupit tjetër etnik në kuptimin e rritjes biologjike, duke i karakterizuar anëtarët e atij grupi si pasardhës të grupeve të ardhura ose se kanë pushtuar tokën e huaj. Deportimi i dhunshëm krijon mundësitë për një ambient të ri politik dhe etnik, i cili përndryshe bën të “pamundura” pretendimet e ardhshme territoriale.220

Në Kosovë, kjo strategji ishte përdorur përgjatë shek. 20-të nga qeveritë serbe/jugosllave me qëllim të ndryshimit të strukturave etnike dhe të menaxhimit të konfliktit. Kjo metodë është aplikuar në dy mënyra të ndryshme: së pari përmes kolonizimit të Kosovës me kolonë serbë nga pjesë të ndryshme të Jugosllavisë; së dyti, përmes shpërnguljes masive me forcë të shqiptarëve, respektivisht popullatës josllave për regjionin e Ballkanit dhe Turqisë. Programi i kolonizimit ka filluar si një reformë agrare, ku tokat që i kanë takuar popullatës josllave u janë dhënë kolonizatorëve serbë dhe malazias. Në këtë mënyrë, regjimi serb ka synuar, jo vetëm qëllimin afatgjatë të ndërrimit të demografisë, por edhe tri qëllime afatshkurtra. Së pari, kolonizimi ka parandaluar migrimet e popullatës serbe dhe malaziase drejt Amerikës Veriore. Së dyti, ka shërbyer për ta shtypur Lëvizjen Kaçake, tokat e të cilëve janë konfiskuar dhe u janë dhënë kolonistëve. Së treti, duke vendosur kolonistët, kufiri me Shqipërinë ishte siguruar për qëllime ushtarake, dhe më këtë kolonizimi kishte asistuar në një mënyrë edhe luftimet kundër kaçakëve.221 Mirëpo, kolonizimi që kishte filluar në vitin 1914, mbeti i kufizuar në shtrirje për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Ai është ringjallur pas luftës, falë derdhjes së madhe të parave nga qeveria serbe. Vlerësohet se midis dy luftërave botërore, 13.000 familje serbe me rreth 70.000 njerëz janë vendosur në Kosovë. Në pjesë të caktuara të këtij vendi, kolonizimi shkaktoi ndryshime të rëndësishme në strukturën demografike të popullatës. Kjo mund të shihej fillimisht në Fushën e Kosovës ku popullata sllave në vitin 1919 përbënte 24 për qind dhe në vitin 1927, 37 për qind. Edhe pse të ardhurve u ofroheshin shumë përparësi, ishin të trajtuar ngrohtësisht dhe të ndihmuar nga shteti, në fund procesi i kolonizimit kishte sukses të kufizuar, për shumë arsye, përfshirë këtu edhe migrimin e shumë prej kolonistëve gjatë luftërave botërore dhe rritjen natyrore të popullatës shqiptare.222

Sidoqoftë, politika e kolonizimit agrar ka detyruar shqiptarët të migrojnë. Sundimi brutal ushtarak nga Serbia pas inkorporimit të Kosovës ka shtyrë shumë shqiptarë të ikin për në shtetin shqiptar të formuar rishtazi dhe në Turqi. Sipas një raporti, vlerësohet se Kosova ka humbur 150.000 njerëz midis viteve 1910 dhe 1920 si rezultat i migrimit me forcë.223 Sidoqoftë, kah mesi i viteve e 1930-ta, intelektualët dhe lidershipi serb ka pohuar se qeveritë pasuese kanë dështuar të zgjidhin problemin shqiptar përmes kolonizimit. Historiani Vasa Çubriloviq, në një takim midis përfaqësuesve qeveritarë, shtabit të përgjithshëm ushtarak dhe akademikëve më 7 mars 1937, ka propozuar një Memorandum, i cili paraqet deportimin me forcë të shqiptarëve si një metodë më efektive.224 Në anën tjetër, që nga viti 1933 qeveria serbe ka diskutuar plane për deportimin e shqiptarëve me qeverinë turke, negociata që kanë arritur një marrëveshje për shpërnguljen e 40.000 familjeve “turke” - në fakt shqiptare - midis viteve 1939 dhe 1944, duke “spastruar” Kosovën nga 200.000 shqiptarë. Vetëm fillimi i Luftës së Dytë Botërore ka bërë që kjo marrëveshje të dështojë. Sidoqoftë, është vlerësuar se midis viteve 1918 dhe 1941, 90.000 deri në 150.000 banorë ishin detyruar të migrojnë.225 Por, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve dhe e pakicave të tjera myslimane ishte gjithashtu një karakteristikë e politikës socialiste jugosllave. Mirëpo, kjo ka ndodhur vetëm në kontekst tjetër: që nga viti 1945 Kosova ishte nën kontrollin hegjemonist të forcave policore jugosllave/serbe dhe forcave të sigurisë; popullata shqiptare ishte konsideruar nga elita komuniste si një “element armiqësor” për shtetin.226 Kjo klimë politike mbizotëroi deri në rënien e ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Rankoviq (1966). Është vlerësuar se midis viteve 1946 dhe 1966, 246.000 njerëz kanë migruar për në Turqi. Dhe jo vetëm Kosova, por Maqedonia dhe rajoni i Sanxhakut në Serbi u prekën thellë nga kjo politikë. Sidoqoftë, më shumë se 100.000 njerëz, kryesisht shqiptarë, u shpërngulën me forcë nga Kosova në Turqi.227



Ndarja dhe secesioni (Vetëvendosja)

Sipas McGarry dhe O’Leary, ndarja dhe se­ce­si­oni (shkëputja) janë kompatibile me institucio­net demokratike dhe liberale, dhe e drejta e një grupi etnik për vetëvendosje mund të respektohet vetëm përmes secesionit. Gjatë shek. 20, shumë shte­te të reja janë krijuar si rezultat i lëvizjeve se­cesioniste dhe luftërave, të cilat erdhën menjëherë pas dekolonizimit të botës dhe rënies së peran­dorive komuniste. Pas Luftës së Ftohtë, kur u venit sfera e ndikimit të Fuqive të Mëdha, secesioni ishte një ndodhi e shpeshtë. Ndonëse kjo metodë e zgjidhjes së konfliktit bart rrezikun e dhunës dhe krijimit të problemeve të reja, kjo është vërtetuar si efektive në përfundimin e konflikteve etnike. Secesioni ka qenë veçanërisht i suksesshëm në shtetet multi-etnike ku ajo ka lejuar dhe mundësuar ndarjen e këtyre grupeve etnike që nuk kanë dashur më tutje bashkësi të përbashkët shtetërore. Njerëzit kanë synuar secesionin për arsye të ndryshme: si një reagim ndaj diskriminimit dhe poshtërimit etnik, por gjithashtu edhe si një mbrojtje për kulturën e tyre nga asimilimi. Shkaku tjetër i secesionit janë arsyet pragmatike të lirisë politike dhe ekonomike, por gjithashtu edhe dëshira e elitave për politika të ndryshme publike dhe prestigj dhe pushtet. Arsyeja e fundit, e mbase edhe kryesorja për ndarje është fakti se nuk është e lehtë të arrihet kompromisi mbi çështjet që kanë të bëjnë me etnicitetin dhe identitetin: me fjalë të tjera, nacionaliteti, gjuha, vendi dhe kultura nuk janë të lehta për marrëveshje.228

Secesioni kurrë nuk është konsideruar si një mënyrë e përfundimit të konfliktit të Kosovës nga ana e elitave shtetërore serbe. Kjo ka qenë në kontrast me shumicën shqiptare në këtë vend, për të cilët secesioni ishte dhe mbeti opsioni i preferuar, gjithnjë e më shumë i fuqishëm në kontekstin e dezintegrimit të sistemit politik jugosllav në shek. 20. Secesioni mbi bazën e vetë-vendosjes është paraqitur gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe pse tendenca të tilla kanë ekzistuar që nga okupimi i Kosovës në vitet 1912/13.229 Kur trupat italiane dhe gjermane pushtuan Kosovën dhe Maqedoninë, popullata lokale shqiptare i ka konsideruar ata si çlirimtarë. Nën kornizën e okupimit gjermano-italian u krijua e ashtuquajtura “Shqipëria e Madhe”, që përfshinte tërë Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore. U krijua xhandar­mëria dhe administrata shqiptare, ndërsa u rihapën shkollat në gjuhën shqipe. Megjithatë, një lëvizje e dobët komuniste u shfaq përgjatë kufijve të paraluftës dhe njësitë e para partizane të Kosovës (si pjesë e lëvizjes partizane jugosllave) u themeluan në vitin 1942. Në vitin 1944, lëvizja nacional-çlirimtare e Kosovës u rrit papritmas, me rreth 50.000 njerëz të armatosur nga të cilët 6.000 u vranë. Partizanët e Kosovës luftuan jo vetëm për vendin e vet, por gjithashtu në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri.230

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u ndërmorën veprime për të zgjidhur çështjen e statusit të Koso­vës. Përfaqësuesit e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë dhe organizata nacionaliste e rezis­ten­cës Balli Kombëtar patën vendosur në Mukje (gusht 1943, Shqipëri) të bashkojnë të gjitha terri­toret e banuara nga shqiptarët. Ky vendim ishte anu­luar në konferencën e dytë të Lëvizjes Nacio­nal-Çlirimtare në Labinot (shtator 1943, Shqipëri), për shkak të presionit nga lëvizja partizane jugosllave; ata thanë se populli i Kosovës do të vendosë nëse do t’i bashkohet Shqipërisë ose Jugosllavisë pas luftës. Një takim tjetër i rëndësishëm, ku për herë të dytë u diskutua çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ishte Konferenca e Bujanit (dhjetor-janar 1943/44, Shqipëria e Veriut). Ishte ky rasti, kur në Konferencën e Parë të Komitetit Rajonal të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës, 49 delegatët, që të gjithë anëtarë të Partisë, vendosën që Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë.231 Komunistët jugosllavë menjëherë kundërshtuan këtë vendim. Sërish u tha se kjo çështje do të diskutohet pas luftës. Sidoqoftë, pas luftës Kosova ishte në një gjendje rrethimi dhe ishte vendosur në një administrim të ashpër ushtarak që rezultoi me një numër të konsiderueshëm të viktimave. Nën rrethana të tilla, Komiteti i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës në Konferencën e Dytë në Prizren (korrik 1945) vendosi nën presionin e dhunës shtetërore jugosllave që Kosova t’i bashkohet Serbisë si një rajon autonom. Vendimi i Bujanit ishte hedhur poshtë.232 Bazuar në Kushtetutën e parë jugosllave pas luftës, Kosova mbeti “Rajoni Autonom i Kosovës dhe Metohisë” brenda Republikës së Serbisë.233

Secesioni kthehet në një opsion përsëri në vitet e 1990-ta, kur Jugosllavia u dezintegrua. Atëherë, institucionet legjitime të Krahinës Autonome të Kosovës provuan që ta ushtrojnë të drejtën për vetëvendosje. Në fakt, që nga vitet e 1960-ta, disa grupe marksiste kanë kërkuar secesionin - siç ishte Lëvizja Revolucionare për Bashkim Kombëtar Shqiptar e Adem Demaçit -, e sidomos pas vdekjes së Titos në vitin 1980.234 Në fund të viteve 1960-ta, në Kosovë u organizun demonstrata që kishin për qëllim që t’i siguronin Kosovës statusin e republikës së shtatë jugosllave.235 Kërkesë kjo që u përsërit në vitin 1981.236 Në fillim të viteve 1990-ta, secesioni i Kosovës nga Jugosllavia dhe ngritja e saj në statusin e republikës me të drejta të njëjta si republikat tjera jugosllave, u konsiderua si i vetmi skenar për ta përfunduar konfliktin e Kosovës. Por, e drejta e shqiptarëve të Kosovës për secesion dhe vetëvendosje nuk u shqyrtua asnjëherë në Jugoslla­vi. Kjo e drejtë ishte refuzuar me arsyetimin se vetëvendosja ishte e drejtë e republikave dhe kombeve që ndërtuan shtetin federativ jugosllav e jo edhe e drejtë e krahinave autonome dhe ‘kombësive’. Ideja për arritjen e statusit të republikës në realitet ishte kërkesa e popullit të Kosovës për të ushtruar të drejtën për vetëvendosje; kjo ide ishte në të njëjtën kohë një kërkesë e popullit të Kosovës për të qenë komb e jo kombësi brenda Jugosllavisë.237 Sidoqoftë, pas zhbërjes së shtetit multi-etnik jugosllav dhe instalimit të sistemit të aparteid-it serb në Kosovë në vitet e 1990-ta, u shua vullneti i shqiptarëve të Kosovës për të jetuar brenda Jugosllavisë me statusin e republikës. Që nga atëherë, ata kërkuan pavarësinë e plotë të Kosovës.238

Nuk ka dyshim se ideja për shtet të pavarur u zhvillua si reagim ndaj shpërnguljes së dhunshme masive të popullatës, kontrollit hegjemonik autoritar, diskriminimit, asimilimit dhe “spastrimit etnik” gjatë shek. 20. Për më tepër, kjo ide u forcua edhe në bazë të ndryshimeve kushtetuese nga viti 1968 deri në vitin 1974, kur Kosova bazuar në Kushtetutën e re Jugosllave de facto fitoi të drejta të njëjta barabar me republikat e tjera. Ishte ndërtuar një realitet i ri institucional dhe një identitet i ri politik i Kosovës gjatë kësaj kohe. Sidoqoftë, faza e fundit dhe intensive e secesionizmit në Kosovë ka ndodhur në kontekstin e dezintegrimit të Federatës Jugosllave në vitet e 1990-ta. Kur Milosheviqi filloi ta varroste sistematikisht këtë realitet institucional dhe Parlamenti serb më 26 qershor të vitit 1990 – duke shkelur Kushtetutën – shpalli gjendjen e jashtëzakonshme mbi Kosovën, më 2 korrik të të njëjtit vit, 114 deputetë të Kuvendit të Kosovës, me shumicë absolute, shpallën pavarësinë e saj. Më 7 shtator 1990, 111 deputetë të këtij Kuvendi miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rikonfirmuan pavarësinë e saj. Një referendum mbi pavarësinë u mbajt në shtator të vitit 1991, ku 87 për qind e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesën dhe 99.87 për qind votuan për pavarësi të plotë. Këto struktura të një shtetit paralel në formim e sipër, patën sukses në mbajtjen e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore, në mbledhjen e një lloj takse, nxjerrjen e mediave të shkruara etj. Të gjitha këto synonin të demonstronin se shqiptarët e Kosovës mund t’i shmangnin institucionet e Serbisë dhe të jetoni pa to, por në të njëjtën kohë shërbime të tilla kontribuonin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në skenën botërore.239 Sidoqoftë, kërkesa më e fuqishme për ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje ishte lindja e UÇK-së në vitin 1992 si një lëvizje qytetare çlirimtare dhe lufta e saj për pavarësinë e Kosovës në vitet 1998/99.



Integrimi dhe asimilimi

Integrimi dhe asimilimi ka për qëllim të eliminojë dallimet midis grupeve etnike në konflikt dhe të promovojë të drejtat e disa grupeve karshi të tjerave. Që të dy strategjitë e këtilla janë provuar të suksesshme në menaxhimin e konfliktit në rastin e emigrantëve në shtetet perëndimore liberale dhe demokratike, por rrallëherë kanë funksionuar brenda komuniteteve vendase. Të dyja strategjitë mbështesin partitë politike multi-etnike të cilat mund t’i zvogëlojnë dallimet etnike midis grupeve të ndryshme. Ka shembuj të shpeshtë të këtyre asimilimeve ose integrimeve që janë shfrytëzuar nga grupet etnike për të siguruar privilegje ekonomike ose pushtet. Politika e asimilimit shkon përtej kësaj, duke e zëvendësuar identitetin ekzistues me një tjetër ose duke e krijuar një identitet të ri të derivuar nga të gjitha grupet etnike (si identitetit sovjetik ose jugosllav). Edhe integrimi edhe asimilimi janë shfrytëzuar si strategji për menaxhimin e konfliktit me shkallë të ndryshme të suksesit. Ka instanca kur një grup i veçantë etnik është i pakënaqur me të drejtat dhe mundësitë e veta qytetare dhe kërkon autonomi ose vetëqeverisje. Integrimi dhe asimilimi janë të destinuara të dështojnë nëse grupet që i përjetojnë këto strategji e konsiderojnë veten “vendas dhe kombe të para”. Gjithashtu nuk do të pranohet lehtë as politikat e asimilimit që aplikohen në hapësirat gjeografike që janë subjekt i konfliktit midis dy apo më shumë grupeve etnike, që i konsiderojnë ato si atdhe të tyre. Gjuha, kultura, feja dhe mitet kombëtare janë pjesë fundamentale e identitetit të tyre dhe një grup etnik që është subjekt i asimilimit nga një grup tjetër etnik do ta konsideroj këtë si etnocid. Tentimet për të imponuar identitete artificiale ose për krijimin e identiteteve pan-etnike janë perceptuar si aneksim i kulturës dhe si të tilla të papranueshme. Prandaj, politika të këtilla mund të aplikohen vetëm te grupet etnike që janë të gatshme të marrin një identitet të ri qytetar dhe të modifikojnë identitetin e tyre të vjetër etnik.240

Në rastin e Kosovës, asnjëra nga të dy strategjitë nuk ka qenë efektive dhe ato kanë dështuar. Pas “spastrimit etnik” gjatë Luftërave Ballkanike dhe dëbimit të pjesshëm të shqiptarëve dhe muslimanëve nga Kosova, Beogradi ka ndjekur një strategji të asimilimit sistematik. Kjo politikë ishte jokonsistente me Marrëveshjen e Saint Germaine që kishin nënshkruar Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të pakicave etnike në përputhje me konventat ndërkombëtare.241 Por, mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë karakteristikë e qeverive jugosllave/serbe gjatë kësaj periudhe dhe elita shtetërore vepronte kundër Traktatit të Lidhjes së Kombeve mbi Mbrojtjen e Pakicave.242 Gjatë viteve të 1920-ta, politika asimiluese ndaj shqiptarëve në Kosovë u bë prioritet i qeverive serbe. Përveç kolonizimit, kjo është mbështetur nëpërmjet “serbizimit” të jetës publike. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u mbyllën 300 shkolla shqipe, gjuha shqipe u ndalua, aktivitetet kulturore u shpallën ilegale dhe u pamundësua krijimi i një elite shqiptare. Reagim i shqiptarëve ndaj asimilimit ishte bojkotimi i shkollave serbe, që rezultoi në shkallën prej 90 për qind të analfabetizmit të popullatës. Me kundërshtim të hapur, shqiptarët vazhduan të flisnin gjuhën e tyre në publik, një akt i ndëshkueshëm nën regjimin serb.243

Në fund, ishte pjesëmarrja parlamentare dhe lëvizje guerile ajo që pengoi tentimet e asimilimit. Elita shqiptare, e cila ishte pothuaj e formuar dhe përbëhej nga liderë lokalë të arsimuar nën Perandorinë Osmane, promovoi të drejtat e popullatës shqiptare përmes pjesëmarrjes parlamentare.244 Duke marrë parasysh se popullata shqiptare nuk kishte pothuaj asnjë të drejtë si pakicë, përfaqësuesit e tyre krijuan partinë e tyre në vitin 1919 me sfond fetar, të quajtur Xhemijet (turqisht: Cemiyet- që do të thotë shoqëri). Termi “parti” nuk duhet të barazohet me nocionin perëndimor të partive politike; ai ishte një grup interesi, por mori pjesë në zgjedhjet e para ku fitoi tetë ulëse dhe krijoi koalicion me partinë e kryeministrit Nikolla Pashiq. Por, ky bashkëpunim ishte i shkurtër, sepse Pashiqit i duhej vetëm shumica për Kushtetutën e vitit 1921, e cila vendosi hegjemoninë serbe ndaj kombeve të tjera brenda Jugosllavisë. Pasi që Ferhat Draga, vëllai i liderit të parë të partisë Nexhat Dragës, u bë lider, partia fitoi 14 ulëse në zgjedhjet e vitit 1923. Në të njëjtën kohë, ndodhi një ndryshim i ndjeshëm brenda strukturave të partisë: ajo u modifikua për t’u bërë një parti eksplicite shqiptare, me qëllim të arritjes së autonomisë, rihapjes së shkollave shqiptare dhe kthimin e tokave të konfiskuara banorëve vendas, të cilat u ishin marrë gjatë periudhës së kolonizimit.245 Pas refuzimit nga elita shtetërore serbe për të pranuar këto kërkesa, partia kaloi në opozitë dhe lideri i saj u dënua me burgim të përjetshëm, bazuar në akuzat se ka qenë i lidhur me Lëvizjen Kaçake.246 Pasi që partia u ndalua, lufta guerile u bë mënyra e vetme për ta luftuar shtetin serb dhe politikën e tij të asimilimit. Kjo lëvizje ishte shumë mirë e organizuar nën liderin karizmatik Azem Bejta dhe gruan e tij Shote Galica; dhe lëvizja ishte shumë aktive në tërë vitet e 1920-ta deri në fillim të viteve 1930-ta në pjesët qendrore dhe perëndimore të Kosovës.247

Në Jugosllavinë socialiste, integrimi i shqiptarëve ka qenë zyrtarisht i propaganduar. Sidoqoftë, kishte pengesa të ndryshme për këtë politikë: zyrtarisht shqiptarët gëzonin të drejtat e tyre si pakicë, por elita e Beogradit nuk ishte e interesuar fare për të mbështetur procesin e integrimit. Shqiptarët u karakterizuan si të pabesueshëm dhe si kolaboracionistë bazuar në perceptimet serbe për rolin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veç kësaj, për shoqërinë serbe, shqiptarët ishin një “trup i huaj” që ka okupuar “djepin” e kombit të tyre. Në vend të integrimit, shqiptarët përjetuan terror të organizuar nga shteti dhe diskriminim në të gjitha nivelet, deri në largimin e kreut të Shërbimit Sekret, Aleksandar Rankoviq.248 Pas kësaj periudhe, komunistët jugosllavë i dënuan aktet e shërbimit sekret në Kosovë. Në fund të viteve 1960-ta dhe në fillim të viteve 1970-ta, Kosova shtoi gradualisht autonominë e saj, me ndryshimet kushtetutues, gjë që mundësoi pjesëmarrje aktive në politikë, administrim dhe ekonomi. Më këtë nisi shqiptarizimi i jetës publike.249 Për shkak të gjendjes të mjerë ekonomike dhe rritjes së nacionalizmit në Serbi pas vdekjes së Titos, marrëdhëniet etnike në Kosovë u përkeqësuan.250 Në vitin 1981 u bënë demonstratatat e studentëve të Universitetit të Prishtinës për arritjen e statusit të republikës, të mbështetura nga shumë qytetarë, të cilat u shtypën në mënyrë të dhunshme nga policia dhe ushtria jugosllave. Nën pretekstin e parandalimit të “kundër-revolucionit” - siç i quante ato ngjarje elita jugosllave - Kosova u vu nën gjendje shtet-rrethimi dhe procesi i integrimit për shqiptarët mori fund përgjithmonë.251

Kontrolli hegjemonist

Një strategji tjetër për menaxhimin e konfliktit etnik është kontrolli hegjemonist, që po ashtu ishte aplikuar në konfliktin e Kosovës. Historikisht, kjo metodë jodemokratike ishte përdorur shpesh nga perandoritë dhe regjimet autoritare për të kontrolluar dhe sunduar grupet e ndryshme etnike dhe kulturat e ndryshme brenda territorit të tyre. Në të shumtën e rasteve, kontrolli hegjemonist ishte në duart e grupit më të fuqishëm etnik, i cili ka pasur kontrollin mbi institucionet e sigurisë dhe sistemin politik. Ky pushtet diktatorial, që në mënyrë efektive dobëson pushtetin e grupeve etnike të subordinuara, bën të pamundur barazinë në mes tyre. Kontrolli hegjemonist nuk është vetëm një karakteristik e sistemeve autoritare ose komuniste; ai mund të ndodhë edhe në shtetet demokratike, ku institucionet, formalisht të hapura për të gjitha grupet, mund të kontrollohen nga pakica, që në këtë mënyrë e pretendon dhe e ushtron pushtetin. Kjo mund të ndodh gjithashtu në shtetet ku qytetarët që përbëjnë shumicën kanë qasje të drejtpërdrejtë në institucione dhe vendimet merren në bazë të shumicës. Në shumicën e shteteve liberale demokratike perëndimore, ku sistemi zgjedhor u jep pushtet substancial partive më të forta të grupit më të madh etnik, nuk ka garanci për përfaqësim të barabartë për grupet e tjera etnike. Në fakt, shtetet me dy apo më shumë grupe etnike që nuk krijojnë institucione demokratike me përfaqësim të barabartë vënë bazat për një luftë të fuqishme dhe në fund të fundit për hegjemoni. Në këto raste, forca policore dhe sistemi gjyqësor janë të monipolizuara nga grupi etnik dominues dhe ndodh diskriminimi në punësim, arsim, kulturë dhe në fushat e tjera.252

Serbët ishin kombi më i fuqishëm dhe e ndjenin veten si Herrenvolk (popull sundues) në Jugosllavi, duke ushtruar kontroll hegjemonist mbi shumicën shqiptare në Kosovë dhe përtej saj. Hegjemonia mbi shumicën shqiptare të Kosovës paraqiste fazën më të gjatë të formës së sundimit. Formalisht ajo u justifikua me „Mitin e dis-humanitetit të shqiptarëve“, që ishte mjaft i përhapur në opinionin publik serb gjatë shekullit të 20.: ata paraqiteshin si elemente demoniake, si armiq ose si trup i huaj çnjerëzor për shoqërinë serbe dhe jugosllave, sikur i përkisnin një civilizimi krejtësisht të pazhvilluar; ata ishin gjithmonë përgjegjës për aktet barbare ndaj serbëve.253 Në fakt, kjo formë pushteti i jepte mundësinë Beogradit të „stabilizonte“ shtetin shumetnik serb, përkatësisht jugosllav, të ushtronte terror policor ndaj popullsisë, të krijonte diskriminimin në të gjitha fushat e jetës, dhe t’ua bënte të pamundur shqiptarëve të kishin pjesë në pushtetin politik. Kjo vlen së pari për periudhën 1913-1940, në të cilën hegjemonia serbe paraqiste një pushtet brutal diktatorial.254 Pas 1945, shqiptarëve iu dhanë të drejtat kombëtare si popullsi, por këto të drejta pak u zbatuan për dy dhjetëvjeçarë të tërë; në këmbim u vendos përsëri një hegjemoni serbe. Represioni serb dhe frikësimi masiv morën përmasa të mëdha pas grindjes së Kominform të vitit 1948, kur Jugosllavia ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, gjë që pati si pasojë edhe ndërprerjen e marrëdhënieve me Shqipërinë.255 Në këtë rast, Tirana mori verbalisht një qëndrim shumë armiqësor ndaj udhëheqjes jugosllave, gjë që i vlejti Policisë Sekrete (UDBA) nën drejtimin e Rankoviqit si shkak, për ta paraqitur Kosovën si rajonin më të rrezikshëm jugosllav. Në vijim, terrori dhe arbitrariteti policor u bënë pjesë e jetës së përditshme: deri në fund të regjimit të Rankoviqit Policia Sekrete hapi rreth 120.000 dosje për qytetarë „të dyshimtë“, midis tyre rreth 50.000 me karakter shprehimisht politik.256

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme pas trazirave të 1981 bëri që të fillojë faktikisht faza më e gjatë e kontrollit hegjemonist mbi Kosovën, që zgjati dy dhjetëvjeçarë, pikërisht deri në fund të zotërimit serb. Pas shtypjes së trazirave nga ushtria dhe policia nisi fillimisht faza e ashtuquajtur e diferencimit ideologjik-politik, që në fakt ishte një spastrim sistematik sipas mënyrës komuniste, por me një thelb etnopolitik: spastrimi u drejtua para së gjithash kundër shkollave, universitetit, radios dhe televizionit, prej të cilëve u larguan shumë intelektualë. Gjithashtu, popullata e përgjithshme përjetoi shtypje.257 Sidomos pas marrjes së pushtetit në Serbi nga Milosheviqi, vendosja e hegjemonisë serbe përjetoi një dinamikë tjetër: në verën e 1988 shqipja u ndalua për përdorim zyrtar dhe serbishtja u bë gjuha zyrtare e Kosovës; më 24. Mars 1989 u hoq autonomia me anë të një puçi; më 5. Korrik 1990 nga policia dhe ushtria serbe u shpërbënë parlamenti dhe qeveria; me miratimin e kushtetutës së re u fut zyrtarisht emërtimi „Kosovë dhe Metohi“.258 Masat politike dhe ligjore të sapohyra në fuqi mbi bazën e kush­tetutës së re patën në vetvete një ndikim shumë të madh për justifikimin e diskriminimit të popull­sisë. Ndryshimet kushtetuese patën ndikim në margjinalizimin shoqëror e ekonomik. Në vijim të tyre shqiptarët u nxorën jashtë jetës publike, nga politika, ekonomia, administrata, shëndetësia, me­diat, shkollimi dhe edukimi. Mediat në shqip u ndaluan dhe universiteti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, shkollat, etj. u serbizuan. U instalua një sistem aparteidi, që çoi në një ndarje horizon­tale të shoqërisë: sipër zotëronte administrata shtrënguese e ngritur nga Milosheviqi, ndërkohë që nën të shqiptarët ndërtuan institucionet e tyre në hije të Republikës së Kosovës dhe më vonë organizuan lëvizjen e tyre çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja.259


1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət