Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə3/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19

Shteti shqiptar dhe e kaluara ilire

në kohën e komunizmit


Mirëpo, pas zhbërjes së sundimit osman, në Europën Juglindore u krijua një shtet i cunguar shqip­tar. Me këtë nuk u përmbushën në asnjë më­nyrë qëllimet kryesore të Rilindjes. Kjo sepse shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në nëntor, 1912, dhe formimi që pasoi i qeverisë në drejtimin e Isma­il Qemalit qenë – për sa i takon qëndruesh­mërisë dhe veprimit politik - jetëshkurtër. Shteti dhe qeveria shqiptare u injoruan dhe nuk u njohën as nga Perandoria Osmane e as nga Fuqitë e Mëdha të Europës. Fuqitë e atëhershme të Mëdha të Eu­ropës e morën mbi vete ngritjen dhe kontrollimin e një administrimi ndërkombëtar dhe e zgjodhën shpejt princin gjerman Wilhelm zu Wied për sundimtar të Shqipërisë. Princi gjerman së pari u befasua nga oferta e papritur, por e pranoi në vitin 1913 emërimin e tij. Kryeministri Ismail Qemali, që e mishëronte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, u shtrëngua pas pak të hiqte dorë nga posti. Qeveria e tij u shprish. Princi Wied e mbajti postin e vet në shtetin shqiptar vetëm 200 ditë (mars – shtator 1914). Përkundër vullnetit të mirë, ai nuk qe i suksesshëm sepse i mungonin gjërat më të domos­doshme: ushtria, financat dhe përkrahja e popullit dhe e fuqive europiane. Vetëm pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në janar të vitit 1920, për një pavarësi të qëndrueshme të vendit u vendos në një konferencë në Paris. Atëherë, Italisë iu caktua roli i protektorit mbi Shqipërinë.

Shteti i pavarur i Shqipërisë u njoh në Paris me kufijtë e tij të pandryshuar që ishin caktuar në vitin 1913. Sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, pothuajse gjysma e shqiptarëve mbeti, në këtë mënyrë, jashtë territorit të atij shteti të cunguar.55 Kosova e sotme, Maqedonia Perëndimore dhe Çamëria në Greqi mbetën nën sundimin serb e grek. Tërësia territo­riale e synuar nga Lëvizja Kombëtare e shqip­tarëve nuk u përjetësua. Për më shumë, për shkak të krimeve masive, dëbimeve sistematike, politikës së asimilimit dhe kolonizimeve sistematike me elemente të tjera etnike të hapësirës etnolinguistike të tyre, identitetit nacional të shqiptarëve po i kanosej në esencë rreziku i shuarjes.56 Shtypja, diskriminimi dhe mbi të gjitha lufta edhe më tej e popullit të Kosovës kundër sundimit serb krijuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe në bashkësitë shqiptare të diasporës, parakushte për atdhedashuri­në, përkatësisht për një shtet të shqiptarëve. Shpirti luftarak dhe luftërat e shqiptarëve të Ko­sovës kun­dër Perandorisë Osmane gjatë shek. 19 dhe në dhjetëvjetëshin e parë të shek. 20 ishin pjesë e ma­dhe përbërëse e jetës më tej të atyre shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit të Shqipërisë. Formimi më tej i identitetit nacional në këtë hapë­sirë u zhvillua krahas me aspiratat e asaj popullate për mbijetesë fizike e politike. Ky proces në këtë formë zgjati deri në fund të shek. 20, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe NATO i dhanë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të huaj serb.57

Në fillim të shek. 20 edhe përbrenda shtetit shqiptar procesi i mëtejmë i formimit të kombit u përcoll me vështirësi e me pengesa të mëdha. Ndikimi i thellë nga jashtë i të huajve, përçarja e thellë e elitës politike, mungesa e një vizioni të përbashkët politik e shoqëror, instabiliteti politik, vendosja e një diktature mbretërore, shkalla e ulët e zhvillueshmërisë ekonomike e sociale, ndikuan dhe e ngadalësuan këtë proces për formimin e identitetit nacional të gjithëmbarshëm, kolektiv të shqiptarëve. Shteti i ri shqiptar i periudhës së midis dy luftërave botërore nuk arriti ta krijonte atë kohezion të duhur aq të ngutshëm shoqëror, sado që secili njeri i arsimuar pakëz më mirë e kishte ndjesinë e identitetit nacional të tij të ndikuar nga nacionalizmi i Rilindjes.58 Ndjenja ekzistuese nacionale u lëndua radhazi kur të huajt, dhe në mënyrë të veçantë Italia e viteve të 30-ta, po e sillte Shqipërinë gjithnjë e më shumë në pozitë vartësie. Kur në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, lëvizja komuniste e rezistencës për çlirimin e vendit mundi të gjente tokë të fortë e përkrahje të shoqërisë, vetëm duke u mbështetur te nacionalizmi shqiptar.

Si një zë i arsyes në Shqipëri, Fatos Lubonja së këndejmi ka plotësisht të drejtë me mendimin e tij sipas të cilit mbi ideologjinë nacionale shqiptare u shtresua hap pas hapi një ideologji komuniste dhe ndodhi kështu një bashkëshkrije e këtyre të dyjave.59 Po propagohej krijimi i një bote të re për të cilën kishin luftuar jo vetëm Partia Komuniste e Shqipërisë, por edhe shumë patriotë të tjerë pikërisht të kohës së Rilindjes. Në këtë kontekst, sipas Lubonjës, për krijimin e një legjitimiteti të nevojshëm të elitës së re shtetërore, rëndësi shumë të madhe kishin, si mitet e vjetra, ashtu edhe ato të rejat. Në harmoni me këtë mision edhe historia e shqiptarëve u pasqyrua ashtu që ajo u nda në katër faza qendrore të një të kaluare heroike: luftërat e ilirëve, rezistenca e Skënderbeut, Lëvizja Kombë­tare e Rilindjes dhe lufta e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore.

Studimi i këtyre katër fushave tematike në Shqipërinë komuniste pasoi pas vitit 1945 në rend të parë pas themelimit të universitetit të parë në Tiranë, të Akademisë së Shkencave, të Institutit të Historisë dhe të institucioneve të tjera të kësaj natyre. Elita komuniste e pa si detyrë të saj që edhe më tej t’ia jepte krahun procesit të formimit të kombit. Kjo elitë e kuptoi formimin e një shteti të ri shqiptar si vazhdim të përpjekjeve të mëparshme të Rilindjes. Në përqendrimin vetëm në hapësirën e shtetit të Shqipërisë dhe mbylljen në vetvete nga bota e jashtme, e cila nga ajo paraqitej si tejpërtej armiqësore, politika e re ndaj historisë e ndihmoi njëkohësisht arsyetimin e saj, sa për kursin gjithnjë e më izolacionist në relacion me botën e jash­tme, aq dhe për pretendimet e komu­nistëve për pushtet. Kështu, historianë, arke­ologë, antropologë, etnologë, gjuhëtarë e studiues të letërsisë nisën gjurmimin e historisë etnike ose kombëtare. S’ka dyshim se edhe arritën rezultate sistematike. Natyrisht do të duhej që, si programet mësimore, ashtu edhe aktivitetet gjur­muese, shkencore ta ndihmonin bashkëshkrirjen edhe më tej të të dy ideologjive, përkatësisht asaj të Rilindjes dhe kësaj të komunizmit. Që në të nisur, historiografia e sapothemeluar u ballafaqua me mungesën e metodave dhe të kuadrove profesi­oniste të shkolluara. Midis tyre kishte edhe akademikë të formatit ndërkombëtar, siç ishin Eq­rem Çabej, Aleks Buda e të tjerë, të cilët para vitit 1945 ishin shkolluar në Perëndim dhe e njihnin gjendjen në fushën e kërkimeve dhe e nisën kësisoj themelimin e një tradite solide.60 Në Shqipëri u or­ganizuan edhe disa konferenca të rangut ndërkom­bëtar, si Konferenca e Parë dhe e Dytë e studimeve albanologjike (1962, 1968) dhe Kongresi i studim­e­ve ilire (1972).61 Shkencëtarë të zgjedhur shqiptarë mund të merrnin herë pas here pjesë në konferenca e forma të tjera të tubimeve shkencore në Europën Perëndimore. Megjithatë, të gjitha këto ishin aktivitete të izoluara, gjithmonë afatshkurtra dhe me ndikim të kufizuar për shkencën e historisë.

Në këtë mes kemi të bëjmë jo vetëm me një zhvillim të izoluar të historiografisë kundruall zhvi­­­lli­meve shkencore në Perëndim. Shqipëria ish­te vendi më i izoluar i Europës Jug­lindore. Bile, në këtë aspekt, edhe për arsye të kontrollit të Partisë së Punës të Shqipërisë (PPSH) mbi institu­ci­onet shkencore e kulturore, ishte e pakrahasue­shme në relacion me shtete të tjera komuniste. Dija historike nuk e kishte autono­minë e nevojshme që ta bënte punën e vet në harmoni me detyrën e mirëfilltë shkencore të saj. Kjo nuk i shërbente lo­gjikës së shkencës; detyrë e saj ishte që të bëhej instrument i politikës së shtetit. Ajo që në Perën­dim u botua përkitazi me historinë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve, nuk do të duhej të kishte kurrfarë ndikimi në Shqipëri. Ajo që sipas dogmës së shtetit peshonte si jokorrekte, nuk kishte nevojë as të shtrohej si temë e diskutimit shkencor. Ishte e mjaftueshme që thjesht t’u beso­hej kons­trukteve të historiografisë zyrtare. Natyr­isht që ky besim do të duhej të mbështetej tek „re­zultatet e kërkimeve shkencore“ dhe „njohu­ritë shkencore“. Mënyra e këtillë e sjelljes ishte kon­form me atë që mbisundonte edhe ndër shtete të tjera socialiste: mitologjia e zëvendësonte shkencën.

Përkundër gërmimeve të mrekullueshme dhe gjurmimeve përkitazi me banorët ilirë të Shqipë­risë, shkenca e historisë nuk mundi të çlirohej as edhe një grimë nga hija e mitologjisë. Përkundër faktit që, duke nisur që nga shek. 19, teza e përhapur gjithandej në Europën Juglindore për prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre përkrahej edhe gjatë shek. 20 nga dijetarë me orë të historisë e të gjuhësisë, me analiza të reja dhe punime analitike të tyre, historiografia në Shqipëri nuk mundi të çlirohej nga laku thjesht romantik i Rilindjes që e kishte kapërthyer.62 Nuk ndodhi ndonjë konfrontim i mirëfilltë shkencor me këto çështje kaq komplekse të historiografisë.63 E kaluara ilire mbeti ta luante edhe më tej rolin e saj prej cytëses së identitet; së këndejmi ajo vazhdoi të aplikohej si mitologji e kujtesës kolektive. Teza e të qenmit komb antik e kishte rëndësinë e vet të dorës së parë në debatet politike përbrenda dhe jashtë Shqipë­risë. Kjo tezë i mbante të lidhur bashkë shtetasit e Shqipërisë dhe shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj. Kjo i bëri ata një bashkësi dhe i shquante ata nga „të tjerët“, përkatësisht nga sllavët e jugut, grekët e të tjerët. Duke qenë se shqiptarët jetonin të shkapërderdhur në shtete të ndryshme të Ballkanit, e kaluara ilire ishte ajo që i ribashkoi ata në një botë më vete morale e historike. Ky fenomen përputhej edhe me konceptin politik. Elita shtetërore komuniste nuk e pati për program politik konceptin e një shteti komb i cili do t’i përfshinte të gjithë shqiptarët. Sepse kjo nuk ishte e mundshme të bëhej asokohe që bota ishte e ndarë për shkak të Luftës së Ftohtë. Kjo e shihte veten për elitë e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan të cilët u perceptuan si komb kulturor - një koncept ky që u bart kryesisht edhe nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. Ilirët paraqesin gurin themeltar të konceptit të kombit kulturor. Ilirët ia lejuan shoqërisë shqiptare të jetonte më tej në një botë lavdiplote virtuale.

Për ilirët antikë si temë qendrore e gjurmi­me­ve u botuan shumë punime. Është e pamund­shme që këtu të shtjellohen gjithë ato elemente mitike. Së këndejmi, më duket më kuptim­plote të veçohen e të analizohen tri elemente vendimtare të tilla nga “Historia e Popullit Shqip­tar” që edhe është në të vërtetë pasqyra e identitetit kombëtar dhe prodhimi më i lartë historiografik, e botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Vëllimi i parë, mbi ilirët, është botuar dhe është përpunuar disa herë (1959, 1973, 1977, 1985) mbi bazën e rezultateve më të reja të gjurmimeve. Këtu do të analizohet botimi postkomunist i vitit 2000, i cili e ka mbështetjen para se gjithash te botimet e viteve 1977 e 1985.64 Pasqyrimi i përgjithshëm tregon se qasja për të kaluarën ilire edhe pas rënies së komunizmit, pas aplikimit të pluralizmit politik dhe pas hapjes për botën e jashtme, mbeti po ajo që ishte edhe më parë. Shqipëria e ditëve tona gjendet në një proces sa kompleks aq edhe dinamik të transformimit nga totalitarizmi në demokraci. Kjo nuk vlen për histo­riografinë. Deri tani nuk ka ndodhur transformimi i saj në pikëpamje të meto­dës dhe të shtruarjes së çështjeve. Historianë të rangut kombëtar si Skënder Anamali, Selim Islami, Muzafer Korkuti dhe Frano Prendi i konstruktojnë mitet në këtë vëllim në një formë sikur bota të ishte ende e ndarë nga Lufta e Ftohtë dhe sikur komunizmi ta kishte vendin ende në grusht.

Duke u nisur nga mitet që sapo u përvijuan më lart, është miti i kohës së artë ose i kohës historike ai që zë vendin qendror në prezantimin e ilirëve nga pikëpamja e historisë kombëtare. Si edhe tjetërkah nëpër botë, ky mit synon edhe këtu ta krijojë idenë për trimërinë e heroizmin e periudhave kohore të ndryshme. Kombi e gjen në këtë mit kuptimin e qenies së tij të tanishme dhe një vizion për të ardhmen.65 Në rastin tonë, me këtë mit sqa­rohen krijimi, paraqitja dhe veprimi i Mbretërisë së Ilirëve midis shekujve 4 deri 1 para erës sonë. Kjo mbretëri mori një rol të rëndësishëm falë konfron­timeve me luftë me makedonët antikë dhe me Republikën e Romës.66 Përkitazi me këtë jemi të informuar bukur mirë falë njoftimeve të antikës. Ç’është e drejta nga një pikëpamje paksa e njëan­shme greke e romake. Për rrjedhojë, nga burime të shkruara, më shumë e më saktë­sisht mësojmë për luftërat sesa për jetën normale në këtë Mbretëri.67 Gërmimet e bëra në Shqipëri dhe në Jugosllavinë e dikurshme dësh­mojnë për një zhvillim bukur të mirë të Ilirisë së Jugut. Kjo pasqyrë përputhet në njëfarë mase edhe me skicën që përkitazi me ndërtesën politike na e ofrojnë historianët antikë.68

Në interpretimin e burimeve shkrimore dhe në vlerësimin e gjetjeve arkeologjike, te historianët shqiptarë nuk ka kurrfarë kufiri të qartë midis mi­teve dhe argumenteve shkencore. Edhe mbretërit krejt të rëndomtë janë për ta heronj kombëtarë. Ata hyjnë shpesh në Makedoninë e dobët dhe ush­trojnë ndikim mbi zhvillimet politike në oborrin makedon. Ose: nëse mbretëria e fortë e makedonëve e sulm­on shtetin ilir, atëherë mbre­tërit ilirë i mbrojnë me çdo kusht krahinat kufitare dhe pavarësinë shtetë­ro­re. Ky shtet nuk e kishte vetëm një territor sepse ai shtrihej që nga lumi Neretva në Kroacinë e sotme deri te lumi Vjosa në Shqipëri dhe te Liqe­ni i Ohrit në Maqedoninë e sotme dhe Bjeshkët e Sharrit në Kosovë, por i kishte edhe institucionet politike: pati një kontinuitet të pandërprerë të tri dinastive mbretërish, ndër të cilët mbi gjithë të tjerët Bardylis, Glaukos dhe Agron-i ishin të rëndësish­ëm për veprimin dhe për fatin e shtetit të ilirëve, zgjerimit territorial dhe të ndikimit të tij.69 Njof­timet e autorëve antikë sje­llin dëshmi për ekzistim­in e institucioneve politike. Historiografia shqiptare nuk e shtron asnjë pyetje apo çështje përkitazi me kundërthëniet midis jetës politike të jashtme dhe asaj të brendshme. Krejt anasjelltas, kjo historio­gra­fi flet për „shtetin ilir si pjesë e botës së an­tikës“, për „urbanizim intensiv“ të Ilirisë së Jugut, për „krijimin e shoqërisë antike“ dhe për „integ­rimin e saj në civilizimin e avancuar të botës së Mesdheut“.70 Në këtë mënyrë „civili­zimi ilir“ bara­zohet me civilizimin grek e romak. Fakti se ilirët ishin një kulturë periferike e llojit si ajo e trakasve, gjermanëve ose keltëve, këtu nuk shtrohet fare për debat.71

Në kohën kur Mbretëria Ilire ndodhej në zenit, interesat e saj ranë ndesh me ato të Fu­qisë më të Madhe të kohës - Republikës së Romës. Për pasojë të kësaj në fillim ndodhi një rënie në vazhdim e më pastaj mposhtja përfun­dimtare e ilirëve.72 Duke u nisur nga kjo pikë Miti i mposhtjes shtrohet në një formë të vlerësimit dhe të interpretimit selektiv të traditës antike për t’u arritur kështu efekti i dëshirueshëm: ky mit e sqaron rënien ilire dhe si e përse ilirët u shndërruan nga heronj në të mposhtur.73 Narra­cioni i histori­anëve shqiptarë mund të skicohet përafërsisht kështu: Flotat ilire kishin pushtuar në kohën e mbretit Agron (231 para e. s.) disa qytete e toka të veriut të Greqisë. Politika e tij e zgjerimit territorial u vazhdua edhe pas vdekjes së tij, për­katësisht një vit më vonë nga e shoqja, mbretë­resha Teuta. Ky forcim i Mbretërisë Ilire ishte bërë pengesë për politikën imperialiste të Romës. Dy ngjarje u morën më pastaj shkas për arsyetimin e intervenimit të tyre ushtarak: aktet e piratërisë të ushtruara nga fise ilire në ujërat e Adriatikut dhe vrasja e dy të të dërguarve romakë qenë shkas për romakët që t’i shpallnin luftë mbretëreshës Teuta. Kështu shpërtheu lufta ilire-romake (229/228 para e. s.), e cila Mbretërinë e Ilirëve e solli në raport vasal me Romën. Jo vetëm epërsia e ushtrive të Romës, por edhe „roli prej tradhtari“ i komandantit ilir Demetrios Pharos ishin vendimtarë për rrjedhën e luftës. Ky “tradhtar“, i cili më vonë do të bëhej regjent i mbretëreshës, kishte filluar pas pak vitesh ta forconte pikërisht këtë ndërtesë politike ilire dhe të lidhte aleancë me Makedoninë. Përpjekja e tij që ta rikthente pavarësinë e plotë të Mbretërisë e shkaktoi luftën e dytë ilire - romake (219 para e. s.). Ushtria romake zuri vend përsëri në Iliri dhe bëri një luftë të shpejtë të cilën e fitoi. Puna që kishte mbetur të bëhej ishte gjetja e aleatëve kundër Romës në Makedoni dhe tjetërkah nëpër Ballkan. Mbreti Pleuratos (Pleurat) dhe sidomos më vonë i biri, Genthios (Genci), kishin filluar në dy dhjetëvjetëshat e shek. 2 një forcim politik e ekonomik të Mbretërisë. Ky i fundit rroku armët, kur nuk mund të evitohej më lufta që po i imponohej mbretërisë nga jashtë. Në vitin 169 Mbretëria Ilire, bashkë me Makedoninë dhe me Epirin u pushtua përfundimisht nga Roma. Mbre­tërit ilirë e makedonë bashkë me familjet e tyre u sollën në Romë si robër lufte. Në dy shekujt që pasuan ushtri të tjera romake pushtuan fise ilire, midis tyre edhe Mbretërinë e Dardanëve në shek. 1 para e s.74 Edhe luftërat e tjera çlirimtare ishin të pasuksesshme, ashtu siç dështoi edhe kryengritja më e madhe, ajo e viteve 6-9 të e. s. e cila u shua me mund të madh.

Pas këtyre ngjarjeve nuk pati më kryengritje të tjera të mëdha. Ilirët u bënë pjesë e Imperium Romanorum, për sa kohë që pati romakë. Por, për historianët shqiptarë, ilirët e kishin vazhduar rezis­ten­cën edhe përgjatë pesë shekujve të sundimit romak. Se si ndodhi kjo dhe çfarë veprimi pati ajo rezistencë, sqarohet përmes Mitit të Regjenerimit.75 Ky mit i përhapur gjithandej në të shumtën e na­cionalizmave, lidhet me konceptet e autenticitetit dhe me atë të autonomisë. Këto koncepte nënkup­tojnë faktin e pandehur të homogjenitetit kulturor, procesin e vazhdimësisë së tij dhe riformimin e një bashkësie etnike mbi po ato baza të moçme.76

Në këtë kuptim shkenca e historisë i del zot mendimit se një proces asimilimi i realizuar për­mes nënshtetësimit të shtresave të larta shoqërore, të ngritjes së qyteteve romake, rekrutimit të vendësve në njësitë ndihmëse të ushtrisë romake, të përhapjes së latinishtes dhe të kulteve romake fetare ishte i suksesshëm vetëm në Ilirinë e Ve­riut.77 Në Ilirinë e Jugut, që e përfshinte Shqipërinë e sotme, Kosovën, Malin e Zi dhe pjesërisht edhe Makedoninë, romanizimi kishte një ndikim të kufizuar. Masa e gjerë e popullsisë as nuk ishte romanizuar e as asgjësuar.78 Kjo mund të dësh­mohej me ruajtjen e emrave personalë ilirë, të qendrave ilire të qyteteve, të gjuhës, të marrjes së krishterimit dhe me shumë gjetje arkeologjike. Varri i madh i zbuluar në vitin 1898 në katundin Koman të Shqipërisë së Veriut, gjetjet që në shkencë tashmë janë të njohura si „Kultura e Komanit“, dëshmojnë kontinuitetin midis ilirëve dhe shqiptarëve të hershëm. Këto gjetje arkeolo­gjike dëshmojnë një kulturë shqiptare të mesjetës së hershme dhe faktin se shqiptarët dalloheshin nga popujt e tjerë. Për rrjedhojë, në të mirë të kësaj teze sjellin dëshmi edhe gjetje të ngjashme në Shqipërinë e Jugut, në Mal të Zi, Kosovë, Maqe­doni e madje edhe në Greqi, të cilat të tërat bashkë janë elemente të harkut kohor midis shekujve 6 e 8, përkatësisht të antikës e të Bizantit. Qendrën bërthamë të shqiptarëve të hershëm e përbëjnë, para së gjithash, krahinat midis qyteteve të sotme të Lezhës, Dibrës, Ohrit e Vlorës, të cilat gjatë mes­jetës quheshin me emrin përmbledhës Arbanon, Arbanum ose sllavisht Raban. Ky „atdhe i kryehershëm“ shtrihej përafërsisht në atë hapësirë të cilën gjeografi Ptolemaios (Ptolemej) e quante në shek. 2 të erës sonë për vend të fisit të Albanoi-ve me kryeqendër të tyre qytetin Albanopolis. Edhe kur shqiptarët dalin rishtazi në dritën e historisë në shek. 11, në traditën bizantine u quajtën edhe më tej po me emrin Albanoi.79


1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət