Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə9/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   ...   5   6   7   8   9   10   11   12   ...   19

Nevoja për shtetndërtim

dhe kontrata qytetare

Zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës, procesi efektiv i shtetndërtimit dhe ndërtimi i një shoqërie të re të bazuar në parimin e qytetarisë është duke u bërë më e vështirë për shkak të mungesës së vizionit politik dhe shoqëror të lidershipit politik për të ardhmen. Që prej qershorit 1999 kjo elitë politike nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej këtyre pyetjeve kryesore në lidhje me të ardhmen e pas-statusit: Çfarë lloj strukture shtetërore do të ishte më e mira për Kosovën? Çfarë lloj parlamenti duhet të formohet? Çfarë lloji të sistemit zgjedhor duhet të ndërtohet? Si duhet të strukturohet ekzekutivi në qeverinë qendrore? Si do të mund të akomodohen pakicat brenda institucioneve dhe si mund të mbrohen të drejtat e njeriut? Në të njëjtën kohë, ky lidership kishte mungesë të vizioneve për çështjet kyçe, sikurse krijimi i një gjyqësie të pavarur e profesionale, të politikave dhe ekonomisë në situatën pas-statusit. Lidershipi u ka kushtuar vëmendje marrëdhënieve me vendet fqinje, duke promovuar idenë se pavarësia e Kosovës do të jetë një faktor krucial për stabilitetin rajonal në Ballkan. Në këtë kontekst, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur kërkesat për një konferencë rajonale për Kosovën, dhe Ibrahim Rugova në mënyrë konstante ka thënë se: “Pavarësia e Kosovës do të stabilizonte pjesët tjera me popullatë shqiptare, si Maqedoninë, Malin e Zi dhe vendet fqinje si Serbia dhe Shqipëria.”365

Liderët e Kosovës e kanë kuptuar se e vetmja mënyrë për të arritur pavarësinë është bashkëpu­nimi i ngushtë midis Prishtinës zyrtare me bashkësinë ndërkombëtare, kryesisht me SHBA-të dhe BE-në. Sidoqoftë, ata janë të ndarë kur është kërkuar që të tregojnë partneritet në bisedimet ndërkombëtare dhe që pavarësia do të përfundohet përmes mbështetjes së bashkësisë ndërkombëta­re.366 Kur në tetor të vitit 2003 në Vjenë u organizua një takim midis përfaqësuesve të qeverive të Kosovës dhe Serbisë, nën kryesimin e bashkësisë ndërkombëtare, mori pjesë vetëm një delegacion i vogël i përbërë prej presidentit Rugova dhe kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci.367 Ideja e takimit ishte e një natyre simbolike me qëllim që të kishin fotografinë e takimit të përfa­qësuesve të ish-armiqve. Megjithatë, kryeministri Bajram Rexhepi, shfrytëzoi mungesën e autorizi­mit nga Kuvendi që ai e definonte si parakusht esencial, për mospjesëmarrjen në takim.368 Hashim Thaçi dhe partia e tij, PDK, i ka dhënë që më parë mbështetjen e tyre, derisa Ramush Haradinaj dhe AAK-ja e tij, ishin kundër takimit të Vjenës.369 Liderët lokalë e kanë kuptuar rolin dhe rëndësinë e këtij takimi në mënyra të ndryshme. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të pranohet se politikat unilaterale kanë rëndësi të madhe në shoqërinë thellësisht të ndarë, veçanërisht për stabilitetin e brendshëm, zgjidhjen e statusit dhe marrëdhënieve të mira me shtetet fqinje.

Të gjitha partitë politike e shohin pavarësinë si e vetja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës dhe kthimin e autoritetit shtetëror serb si një shenjë për një luftë të re.370 Në anën tjetër, ata nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap të përbashkët për të realizuar qëllimin e tyre. E vetmja fushë që është e përbashkët për të gjithë është se asnjëra prej këtyre partive ose përfaqësuesit e IPVQ-ve nuk kanë prezantuar një udhërrëfyes praktik se si të arrihet pavarësia. Në vend të kësaj, ata kanë paraqitur pikëpamjet e tyre në mediat elektronike dhe të shtypura në formë të koncepteve pa ndonjë shtjellim të gjerë. Rugova, për shembull, në fjalimin e tij gjatë shënimit të 14 vjetorit të ekzistimit të LDK-së, ka thënë se “LDK ka krijuar (në vitet e 1990-ta) një shtet funksional të Republikës së Kosovës, të cilin bota e ka quajtur shtet paralel ose shteti shqiptar i kosovarëve”. Sërish është lutur, në mantra deklaratat e tij kuazi-religjioze, çdoherë për: “njohje formale dhe të drejtpërdrejtë (të Kosovës) nga SHBA-të, BE-ja dhe formalizimin e saj nga OKB-ja”.371 Konkluzioni këtu është se, në pikëpamjen e tij, shteti tashmë ekziston dhe ai vetëm duhet të njihet formalisht.372

Në fillimin e vitit 2003, një iniciativë e ndërmarrë nga AAK-ja, partia e tretë për nga fuqia në Kosovë, shkaktoi shqetësim, duke kërkuar që të miratohej një “Deklaratë për Pavarësinë” nga Kuvendi i Kosovës.373 Kjo kërkesë, që ishte përkrahur nga 43 deputetë të Kuvendit, përfshirë këtu edhe anëtarë të PDK-së, ishte shtyrë nga kryetari i Kuvendit Daci për një “kohë më të mirë”.374 Më pas, në prill 2003, lideri i PDK-së Hashim Thaçi dha një propozim plotësisht ndryshe nga idetë e AAK-së dhe LDK-së. Ai propozoi Moratorium mbi çështjen e statusit për dy apo tri vjet, gjatë të cilave kosovarët do të merrnin iniciativat e veta politike, ekonomike dhe sociale dhe të fokusoheshin në procesin e shtetndërtimit. Ideja u përkrah nga Steiner dhe disa përfaqësues tjerë të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, por u kundërshtua nga LDK-ja dhe AAK-ja.375 Më vonë, kryetari i Kuvendit Daci dhe kryeministri Rexhepi dhanë një “mbështetje verbale” për pavarësinë, që u bë lajm kryesor edhe në mediat botërore. Në fund të vitit 2003, Daci tha se “gjatë kësaj periudhe legjislative do të ndodhë akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës” nga Kuvendi, edhe pse partia e tij, LDK-ja, ishte kundër pro­pozimit të AAK-së.376 Në mars të vitit 2004, Rexhepi deklaroi se qytetarët e Kosovës do të donin një progres drejt implementimit të standar­deve para statusit dhe një vlerësim pozitiv nga OKB-ja deri në shtator të vitit 2005. Megjithatë, nëse kjo nuk do të ndodhte, do të mbahej në mëny­rë të njëanshme një “referendum për pavarësi” ose do shpallej një “deklaratë për pavarësi”.377 Ndonëse këto deklarata dhe propozime mund të shihen si tentim për të bërë trysni mbi bashkësinë ndërkombëtare, ato kishin efekt negativ në marrë­dhënieve ndëretnike në Kosovës, kjo sipas shumë hulumtimeve të opinionit publik.378

Liderët e Kosovës kanë demonstruar vizion të njëjtë konfuz edhe sa i përket çështjes së identitetit politik të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Që nga përfundimi i luftës, Rugova ka tentuar në një mënyrë sistematike të stimulojë një identitet unik kosovar, duke përdorur flamurin kombëtar, himnin dhe festime të lidhura me historinë shqiptare; simbolet që ai i përdorte shpesh si pjesë e mandatit të tij presidencial. Ky ndërtim i identitetit është bazuar në projeksionet e shtetësisë dhe komb-shtetit, kur Kosova pas ndarjes së hapësirës etnolinguistike në vitin 1912/13 kishte ndjekur udhën e saj dhe pas arritjes së autonomisë në vitet e 1970-ta paraqiste diç të veçantë nga shteti shqiptar. Koncepti i identitetit qytetar, i cili do të mbështetet nga parimet e territorit të përbashkët, qytetarisë, interesave dhe të drejtave të të gjitha grupeve etnike, në realitet nuk është propozuar ende nga elita vendore.379 Qytetarët e Kosovës kanë krijuar vetëdijen e tyre kolektive, me gjasë si rezultat i autonomisë së Kosovës pas vitit 1968 dhe si reagim ndaj diskriminimit të regjimit të Milosheviqit, por edhe ndaj shtypjes sistematike serbe në të kaluarën. Sidoqoftë, kjo vetëdije kolektive nuk është përkrahur nga të gjitha pjesët e shoqërisë dhe aspak fare nga serbët e Kosovës. Në anën tjetër, krijimi i identitetit qytetar politik do të ndihmonte në integrimin e të gjitha grupeve etnike, përfaqësonte interesat e tyre dhe mbronte identitetet tjera të tyre.380

Në dritën e ngjarjeve të marsit 2004, kishte shu­më diskutime rreth domosdoshmërisë për dialog të brendshëm midis të gjitha grupeve etnike. Këto diskutime shtynë Hashim Thaçin të propozojë idenë që disa pjesë të modelit të Marrëveshjes së Ohrit për Maqedoninë mund të aplikohen në Kosovë, që do të siguronte një vetëqeverisje lokale për komunat si një hap i rëndësishëm për arritjen e integrimit të pakicave.381 Ideja mund të shihet edhe si reagim në kontekstin e iniciativës së qeverisë serbe për kantonizimin dhe ndarjen e territorit, ngaqë Beogradi, nga marsi 2004, ka insistuar që situata e serbëve të Kosovës mund të zgjidhet vetëm me një zgjidhje territoriale. Propozimi i Thaçit paraqet një kornizë të domosdoshme për ndërtimin e një “shteti qytetar”, të bazuar në një “kontratë qytetare” midis shumicës shqiptare dhe pakicave tjera, ku Kosova si një territor do të mbetej e tërësishme dhe e pandashme. Megjithatë, çështja, nëse Kosova do të ishte në të ardhmen një vend i bazuar në parimin e qytetarisë apo të etnicitetit, varet nga qëndrimi i popullatës shumicë në Kosovës, të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe serbëve lokalë dhe qeverisë serbe në Beograd.382

Çështja e kontratës qytetare dhe identitetit qytetar do të paraqesë një sfidë të re për të ardhmen e Kosovës, por në këtë kapitull do bëj vetëm disa konkluzione preliminare mbi situatën e gjysmës së vitit 2004. Në një anë, lidershipi i Kosovës dhe përfaqësuesit e IPVQ-ve, përkundër veprimeve të tyre të ndryshme simbolike, ka bërë pak për të integruar dhe përfaqësuar interesat e serbëve lokalë. Deri më tash ata nuk ishin në gjendje të bënin një ofertë të vërtetë për serbët, se si të akomodohen brenda jetës publike të Kosovës dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre si komunitet. Në anën tjetër, serbët lokalë, përkundër pjesëmarrjes së tyre simbolike në IPVQ, nuk ishin të vullnetshëm të njohin institucionet e Kosovës si qeveri të tyre, edhe pse kështu do të mund të përfaqësonin në mënyrën më të mirë interesat e komunitetit të tyre. Për më tepër, ata nuk kishin dhe ende nuk kanë një vizion për të pozitën e tyre të ardhshme brenda institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës. Vendosja e statusit final do të krijojë një ambient tjetër drejt ndërtimit të një shoqërie të re, ku koncepti i shtetit qytetar do të jetë i mundur, nëse shumica dhe pakicat në Kosovë do të jenë vërtet të përkushtuar për një model të tillë shtetndërtimi dhe qeverisjeje. Përveç kësaj, kjo mund të ndodh vetëm nëse përjashtohen si zgjidhje ndarja e jashtme e Kosovës ose ndarja e saj e brendshme etnike territoriale dhe këtu faktor vendimtar mund të jetë bashkësia ndërkombëtare.



Federalizmi serb: nga kantonizimi

deri në ndarjen e Kosovës

Qëndrimi i qeverive serbe mbi Kosovën pas qershorit 1999 ishte jo vetëm një pengesë për integrimin e serbëve lokalë, por po ashtu ka ndikuar në efektivitetin e UNMIK-ut si aktor i intervenimit të palës së tretë dhe modelit të qeverisjes përmes ndarjes së pushtetit të aplikuar nga IPVQ-të. Rënia e Milosheviqit në tetor të vitit 2000 nuk ka ndërruar asgjë në përfundimin e konfliktit etnik dhe nuk ka sjellë zhvillime të reja sa i përket Kosovës.383 Edhe pse lidershipi i DOS-it (Opozita Demokratike e Serbisë) ishte i ndarë prej së brendshmi, ata ishin të bashkuar kur bëhej fjalë për Kosovën dhe ndanin qëndrime të njëjta. Qeveria e marrë nga koalicioni i DOS-it dhe vendosja e Misionit të OKB-së në Kosovë kanë ngritur dy pyetje për lidershipin e ri serb: Çfarë lloj shteti është trashëgimia politik e Milosheviqit, dhe ku janë kufijtë e tij? Shumica e popullatës serbe nuk ishte e kënaqur me status quo-n në të cilën ishte vendosur Serbia dhe e shihnin çështjen e territorit dhe të kufijve finalë të saj si të pazgjidhur. Për ata, nuk ishin të qarta marrëdhëniet politike dhe legale midis Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe Serbisë e Kosovës, e cila faktikisht ishte nën administrimin ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, në jetën publike serbe shpesh është debatuar mundësia për aneksimin e Republika Srpska-s në Bosnjë.384 Çështja e kontinutetit legal të ish-Jugosllavisë, e territorit dhe kufijve ka treguar se lidershipi i ri serb dështoi t’u përgjigjej këtyre pyetjeve dhe se ka vazhduar politikën tradicionale hegjemoniste, kësaj here vetëm me mjete paqësore. Në këtë kontekst, Serbia edhe më tutje mbetet faktor destabiliteti në Ballkan.385

“Sovraniteti jugosllav”, i përmendur në Re­zo­lutën 1244, ka lejuar lidershipin serb të argu­mentojë përfshirjen e Kosovës në Serbi/Jugosllavi. Kjo fushatë ishte ndihmuar, në një masë, nga bashkësia ndërkombëtare, e cila as nuk ka sfiduar as nuk ka mbështetur deklarata të tilla populiste dhe nacionaliste të lidershipit post-Milosheviqian. Në kundërshtim me regjimin e vje­tër, qeveria e re serbe vendosi marrëdhënie norma­le me bashkësinë ndërkombëtare dhe UNMIK-un. Por, ajo ka penguar në çdo mënyrë konsolidimin e autoritetit të UNMIK-ut mbi tërë territorin e Kosovës, ishte haptazi kundër krijimit të IPVQ-ve dhe po ashtu ka ndikuar në mënyrë direkte në mosintegrimin e serbëve lokalë në institucionet qeverise të këtij vendi. Qeveria e re në Beogard ka mbështetur strukturat paralele shtetërore serbe, që kanë mbetur nga koha e Milosheviqit në Kosovë, në nivel politik, financiar dhe profesional, që kon­trollonin një pjesë të territorit të Kosovës.

Ajo ka mbështetur publikisht ndarjen e qytetit të Mitrovicës dhe ndarjen etnike të Kosovës veriore. Një fushatë për një ndarje de jure dhe aneksim në Serbi ishte rritur në diplomacinë dhe mediat ndërkombëtare dhe debatuar në Serbi. Sikurse Milosheviqi, lidershipi i ri e ka parë zgjidhjen e statusit të Kosovës në lidhje me ndryshimin e Marrëveshjes së Dejtonit sa i përket Republika Srpska-s: zgjidhja e mundshme e çështjes së Kosovës në formën e pavarësisë së saj do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimin e kufijve të shteteve në Ballkan dhe nëse Kosova do të kishte të drejtë për secesion, e njëjta do të duhej të pranohej edhe për Republika Srpska-n. Fakti se ky Republika Srpska ishte një fantom dhe e krijuar si një rezultat i politikës së “spastrimit etnik” nuk kishte ndonjë rëndësi për diskutimet në Serbi. Lidershipi i ri tentoi t’i jepte dinamikë të re zgjidhjes së statusit nga koha në kohë dhe me tone shumë agresiv në debatin rreth Kosovës. Një diskursi i tij nacionalist politik dhe iniciativat e ndryshme morën miratimin popullor nga votuesit serbë, por edhe i shërbenin lidershipit të ri për të larguar vëmendjen e qytetarëve të tyre nga proble­met ekonomike dhe sociale.386 Duke qenë i frikë­suar se demokratizimi i shoqërisë, reformat politi­ke dhe zhvillimi ekonomik do të çojnë në sece­sionin e Kosovës, ky lidershipi i ri ishte i për­kushtuar të rimarrë kontrollin mbi pjesë të caktuar të territorit (edhe nëse kjo nënkupton ve­tëm pjesën veriore të Kosovës). Si një kundër­strategji ndaj metodave të ndryshme të rregullimit të konfliktit etnik, siç janë intervenimi i palës së tretë, konso­ciacionalizmi dhe secesionizmi, Beo­gra­di inicioi “federalizmin ose kantonizimi” e Kosovës.

Pasi që regjimi serb, ushtria dhe forcat e tij policore, u detyruan të tërhiqen nga Kosova në vitin 1999 në saje të Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244, janë debatuar publikisht një numër i iniciativave për kantonizimin e territorit të saj. Nebojsha Çoviq, një pjesëtar i regjimit të Milosheviqit dhe pas rënies së tij zëvendëskryemi­nistër serb, mbajti një fjalim para oficerëve ushtarakë në maj të vitit 2001, ku ai propozoi që Kosova duhet të ndahet në dy entitete territoriale, “shqiptare” dhe “serbe”.387 Ai ka thënë se kjo do të shmangte ndarjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe të balanconte “të drejtën historike” serbe dhe të drejtat “etnike” shqiptare në rajon. Sugjerimi i tij ishte shumë i ngjashëm me propozimin e Dejtonit për ndarjen e grupeve etnike në Bosnjë. Por, në sytë e përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe li­dershipit të Kosovës, sugjerimi i tillë ishte i pa­pranueshëm, sepse ajo do të ndante një rajon të pasur rreth qytetit të Mitrovicës dhe do të krijonte probleme të tjera në dhe jashtë Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare u ka kushtuar pak vëmendje ideve të Çoviqit, sepse ai dhe partia e tij kanë pasur pak pushtet në atë kohë në Serbi. Sidoqoftë, në gusht të vitit 2001, Çoviq bëhet shef i “Qendrës Koor­dinuese për Kosovë dhe Metohi”, e krijuar nga qe­veria serbe. Kjo qendër vepron si një qeveri serbe në ekzil e serbëve të Kosovës dhe u bë një aktor i rëndësishëm për UNMIK-un dhe bashkësinë ndër­kombëtare. Në pozitën e tij si shef i kësaj Qendre, Çoviq ka nënshkruar marrëveshjen e lartpërmen­dur me Haekkerup-in. Obligimet që qeveria serbe mori nën këtë marrëveshje nuk janë plotësuar asnjëherë: strukturat paralele shtetërore serbe mbe­ten edhe më tutje në Kosovë;388 regjistrat e tokës (regjistrat kadastralë) që gjatë luftës regjimi i Mi­lo­sheviqit i mori nga Kosova nuk janë kthyer; dhe, targat e UNMIK-ut për automjete nuk janë pranuar brenda territorit të Serbisë, që do të lehtësonte lë­vizjet e serbëve. Çoviq nuk ka përsëritur planin e tij të ndarjes, por kur në Kuvendin e Kosovës u pro­pozua shpallja e pavarësisë, ai ka mohuar që pava­rësia do të ishte e mundur për “tërë Kosovën”.389

Ideja e kantonizimit dhe ndarjes etnike ishte shqyrtuar seriozisht në Serbi. Vojisllav Koshtunica, në atë kohë president i Serbisë dhe lideri më nacionalist kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Bosnjën (ndryshe nga kolegët e tij në koalicionin e DOS-it) ka thënë se propozimi ishte “qëndrim individual” i Çoviqit.390 Kryeministri Zoran Gjingjiq, që ishte i preokupuar me reformat dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, ka thënë se Kosova është ende pjesë e Jugosllavisë dhe më vonë, me miratimin e Kartës Kushtetuese, pjesë e Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi.391 Pas rënies së Milosheviqit, Gjingjiq tentoi të largojë idenë e konspiracionit Perëndimor kundër Serbisë dhe të pohojë se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet përmes emocioneve. Por, fjalimet e tij të mëvonshme dhe pikëpamjet politike treguan një pamje tjetër:392 “Institucionet ndërkombëtare janë duke krijuar një Kosovë plotësisht të pavarur. Duke aprovuar ligje në Kuvendin e Kosovës, ata nuk mërziten se çfarë ndodh në Serbi.” Kështu më vonë, sipas tij, vetëm nëse “mijëra apo disa qindra” trupa serbe kthehen në Kosovë do të jetë i mundur kthimi i refugjatëve serbë. Me qëllim që të mbrojë interesat e serbëve të Kosovës dhe të shmang rishfaqjen e elementeve nacionaliste në qeverinë serbe, që akuzonin administratën e tij për dështim mbi çështjen e Kosovës, Gjingjiq ka thënë:393 “propozimi im është që serbëve të Kosovës t’u jepen të drejtat kushtetuese dhe mjete institucionale për të mbrojtur interesat e tyre. Si hap i parë, do të ishte e mjaftueshme për serbët që të njihen si kroatët në Federatën Boshnjake”. Deri në vdekje, në mars të vitit 2003, Gjingjiq vazhdoi të promovojë në nivel emocional dhe të përpunojë argumentin e tij. Qëllimi i tij final ishte ndarja e hapësirës në “dy entitete”, “shqiptare” dhe “serbe”, dhe një autonomi substanciale për Kosovën brenda Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi. Duket se modeli i Bosnjës dhe Qipros për zgjidhjen e konfliktit etnik, që nënkupton kantonizimin, e ka insipruar atë.394 Lidershipi i Kosovës, UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare ishin të brengosur me fushatën e tij për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së statusit dhe idenë e ndarjes.395 Projekti i tij, ndërkaq, pati efekt mbi serbët lokalë: në fund të shkurtit të vitit 2003, u shpall “Unioni i komunave serbe në Kosovë dhe Metohi”. Në këtë dokument, përfaqësuesit e serbëve lokalë kërkuan kthimin e menjëhershëm të forcave serbe dhe ruajtjen e “integritetit dhe sovranitetit jugosllav”, “decentralizimin”, “vetëadministrimin”, dhe së fundmi “krijimin e entitetit serb” në Kosovë.396

Edhe pse pasardhësi i Gjingjiqit, Zoran Zhiv­koviq, premtoi se do të ndjekë politikën e para­ardhësit të tij për reformimin e Serbisë, preokupimi i tij kryesor ishte luftimi i krimit të organizuar, që ishte përgjegjës për vdekjen e Gjingjiqit.397 Herë pas here, ai ka folur publikisht për Kosovën, duke thënë se nuk ka asnjë dokument ndërkombëtar që “arsyeton pavarësinë e Kosovës”. Sipas pikëpam­jeve të tij, “një skenar i tillë do të krijonte një precedent për ngjarjet e ardhshme të rrezikshme” dhe, siç është thënë më parë nga zyrtarët serbë, do të rrezikonte Republika Srpska-n dhe kufijtë e Ballkanit.398 Pas vdekjes së Gjingjiqit, shumë refu­gjatë serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova janë ankuar për ngadalësimin e kthimit të tyre, gjë që bëri trysni mbi qeverinë. Për më tepër, kthimi ishte penguar nga bashkëpunimi jo-efektiv midis UNMIK-ut dhe qeverisë serbe.399 Tensionet midis Misionit të OKB-së dhe qeverisë serbe lindën filli­misht për shkak të politikës së Steiner-it “Stan­dardet para statusit’ dhe për shkak të procesit të bartjes së kompetencave nga UNMIK-u në IPVQ. Qeveria serbe ishte obstruktive dhe e zëshme kundër dy këtyre proceseve politike. Refuzimi i Steiner-it që të dorëzojë Shefket Musliun, nga “Ushtria Çlirimtare” në Preshevë, ishte i mjaftu­eshëm për shfajësimin e qeverisë së Beogradit për të përfunduar marrëdhëniet me UNMIK-un. Por, ato rifilluan kur PSSP u bë Hary Holkeri, në vitin 2003. Përgjegjësia kryesore e Holkeri-it ishte të iniciojë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Nën rrethana të tilla, Prishtina dhe Beogradi nuk janë pajtuar për përmbajtjen e tyre, vendin dhe kohën.

Në këtë situatë, Parlamenti serb nxori një “Deklaratë për Kosovën”, të njëanshme, e cila konfirmonte sërish se Unioni i Serbisë dhe Malit të Zi ka “sovranitet mbi Kosovën”, por nëse Unioni ndahet atëherë sovraniteti do të mbetet në përgjegjësi të Serbisë.400 Sipas këtij dokumenti, qeveria serbe i jep mbështetjen e saj të plotë për implementimin e plotë të Rezolutës 1244, dhe e nxiste Qendrën Koordinuese për Kosovën që të përgatiste një plan për negociatat me Grupin e Kontaktit mbi “autonominë substanciale” për Ko­so­vën brenda Serbisë. Më 4 shtator 2003, Parla­menti i Unionit nxori një rezolutë të ngjashme, e cila për më tepër përmbante një autorizim për Unionin që të merret me problemin e Kosovën me mjete “jo të dhunshme”. Sido që të jetë, diskursi politik serb mbi Kosovën pas rënies së Miloshe­viqit është një vazhdimësi e politikës tradicionale. Por, ky diskurs ka rimarrë një dinamikë të re përmes dy ngjarjeve tjera: zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2003 dhe ngjarjet e dhunshme të marsit 2004. Partia Radikale Serbe (SRS), e udhëhequr nga Vo­ji­sllav Sheshel, fitoi zgjedhjet dhe pas negociatave të gjata koalicioni i krijuar nga partitë nacionaliste, konservative dhe partitë demokratike duhej të bashkëpunonim me Partinë Socialiste të Miloshe­viqit (SPS).401 Rivendosja e SPS-së dhe SRS-së në qeveri u kujtoi shqiptarëve “vitet e errëta” të re­gjimit të vjetër dhe ka pasur një ndikim krucial në perceptimet e qytetarëve të Kosovës për Serbinë post-Milosheviqiane. Madje, para ngjarjeve të marsit 2004, Koshtunica, në fjalimin e tij pasi u bë kryeministër, propozoi idenë e tij për “kantonizi­mi” ose “ndarjen” e Kosovës. Ai pohoi se nëse “auto­no­mia substanciale” do të jetë një formulë e përshtat­shme për vetadministrimin e ardhshëm të Kosovës brenda Serbisë, atëherë kjo do të sigurojë ekziston­cën e komunitetit serb në Kosovë, përmes autono­misë territoriale në formë të kantoneve.402 Gjithan­dej ai ka përmendur termet “autonomi”, “kantoni­zimi” dhe “decentralizim”, por gjithnjë ka nënkup­tuar të njëjtën gjë: ndarjen etnike të Kosovës.403

Si rrjedhojë e marsit 2004, Parlamenti serb miratoi një rezolutë tjetër për Kosovën, duke për­sëritur aspiratat për autonomi territoriale të serbëve lokalë.404 Në fund të prillit 2004, Parlamenti serb ratifikoi një plan të detajuar për “autonominë terri­toriale” të komunave serbe, realizimi i të cilit kër­kon krijimin e pesë sektorëve të pavarur admi­nistrativë.405 Në termet praktike, realizueshmëria e këtij plani është e diskutueshme, sepse krijimi i zo­nave kompakte serbe do të nënkuptonte zhvendos­jen e qytetarëve të Kosovës të grupeve të ndrysh­me etnike. Është e qartë se nën “autonominë terri­toriale”, “kantonizimi” ose “de­cen­tra­lizimin”, qe­ve­ria serbe dëshiron jo vetëm të tentojë të mbrojë të drejtat e serbëve lokalë, por të realizojë interesat shtetërore serbe dhe të rivendos kontrollin hegje­mo­nist tradicional mbi tërë terri­torin dhe qyteta­rët.406 Në anën tjetër, për politi­kanët demokratë, nacionalistë dhe konservatorë ësh­të e qartë se ri­ven­dosja e kontrollit shtetëror serb mbi tërë Koso­vën është e paarritshme. Kanto­nizimi tashmë shër­ben për qeverinë e Beogradit si hapi i parë për ndarjen e ardhshme finale të këtyre kantoneve të serbëve lokalë dhe inkorporimit të tyre në Serbi, kur të fillojë procesi për vendosjen e statusit final.407 Pjesa veriore e Kosovës tashmë është e ndarë në kuptim etnik, me strukturat para­lele shtetërore serbe dhe forcat lokale paramilitare e të sigurisë të përforcuara mirë, duke krijuar një imazh të “territorit të çliruar” për popullatën lo­kale. Lidershipi i Beogradit, duke përdorur eufe­mizëm të llojeve të ndryshme, kërkon ndarjen legale dhe finale të këtyre pjesëve dhe përfshirjen e tyre në shtetin e Serbisë.408

1   ...   5   6   7   8   9   10   11   12   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət