Ana səhifə

Hyrje Identiteti dhe kombformimi shqiptar


Yüklə 0.99 Mb.
səhifə2/19
tarix25.06.2016
ölçüsü0.99 Mb.
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19

Shqyrtime metodologjike


Objekti ynë i hulumtimit të raporteve midis etnicitetit paraekzistues dhe të kombit modern është i lidhur ngushtë me çështjen e kontinuitetit apo të diskontinuitetit në historinë e shqiptarëve. Në relacion me popuj të tjerë të antikës (hebrenjtë, persët, grekët, armenët etj.) Një pyetje e këtillë përcillet gjithmonë me konstatimin se sa e madhe dhe e përhershme është nevoja për një teori të uniformuar dhe unike, e cila do të shërbente si kornizë për interpretimin e të gjitha konteksteve dhe problemeve. Por, deri tani nuk ka në fushën e kërkimeve të kësaj natyre ndonjë teori të tillë që do të ishte e pranueshme nga të gjithë. Për studime shteruese është i domosdoshëm një dialog me fushat e tjera të dijes sociale. Në histo­riografinë shqiptare, as në Tiranë e as në Prishtinë, as që është zhvilluar ndonjë debat i kësaj natyre. Në të dy kryeqytetet u arritën re­zultate nga më të ndryshmet kërkimore, por të cila aspak nuk i pasqyruan analizat moderne përkitazi me çështje të identitetit nacional.11 Anasjelltas, duke filluar që pas Luftës së Dytë Botërore, historianët e Perëndimit marrin pjesë në dialog me disiplinat e shkencave sociale si p.sh. të sociologjisë, antropo­logjisë, të shkencave politike etj. Dhe për rrjedhojë të kësaj, puna e tyre u ndikua dukshëm në aspektin konceptual e teorik. Kjo se­pse i njohën kësisoj kompleksitetin dhe vështirësitë me rastin e trajtimit të fenomenit të nacionales. Këtu nuk është pothuaj e pamundshme që të shtje­llohen të gjitha tezat dhe prirjet e ndryshme që u lindën në konfrontimet e deritanishme shkencore. Mirëpo, duke u mbështe­tur në terminologjinë e An­thony D. Smith-it do të paraqiten të katër shko­llat apo drejtimet të cilat i pasqyrojnë debatet më të rëndësishme në shek. 19 e 20. përkitazi me temën tonë.

Së pari bëhet fjalë për drejtimin teorik që në gjuhën angleze njihet si Primordializëm („primor­dialism“). Ky nocion në gjermanisht e ka kup­timin „Uranfänglichkeit“ „nisma e kryehershme“ ose „Ursprünglichkeit“ „origjinariteti“. Në këtë mes kemi të bëjmë me teoritë e para përkitazi me lindjen e kombeve, me ç’rast kombet u panë si një ndarje e natyrshme, origjinare dhe universale e nje­rë­zimit. Përfaqësuesit e kësaj pikëpamjeje e kishin pikënisje idenë që natyra, paraqitja dhe forca vepruese e identitetit nacional duhet të kërkohet te rrënjët e kombeve si mbretëria, prej­ardhja, etnici­teti, gjuha, feja, territori historik dhe te baza gjene­tike e ekzistencës njerëzore. Kishte madje edhe autorë që flisnin se kombet paskan ekzistuar edhe në kohën parahistorike: Kombet na qenkan, kësi­soj, jo vetëm rezultat i historisë, por edhe pjesë e natyrës, bile ndoshta edhe një vepër hyjnore.12 Kjo pikëpamje u mbrojt qysh në kohën e ilumi­nizmit dhe të romantizmit europerëndimor dhe fitoi peshë me rastin e shpalljes dhe formimit të kombit.13 Botëkuptimet e këtilla sot i takojnë të kaluarës.

Prirja e dytë e interpretimit shprehet në ang­lish­te me nocionin „perennialism“. Ky drejtim qe reaksion ndaj primordializmit, por nuk paraqiste kurrfarë ndryshimi esencial. Siç del edhe nga vetë kuptimi i fjalës angleze („përjetësi, amshim“,për­­jet­shmëri“ dhe që në gjermanisht është si Ewig­keit”, “Immerwährendheit”) identitetet na­ci­onale dhe kombet mund të ndeshen, sipas këtij botëkup­timi, gjithandej nëpër histori. Kjo pikë­pam­je e pranon rëndësinë e nacionalizmit si një ideologji moderne dhe si lëvizje për zgjimin e kom­beve; kjo beson njëkohësisht që rrënjët e kombit qenkan diku larg në të kaluarën.14 Pas vitit 1945, ky botëkuptim u qortua ashpër nga një shkollë e tretë, nga Modernizmi. Perenializmi pati sukses relati­visht të madh ndër historianë të his­torisë së vjetër dhe të asaj të mesjetës. Përbrenda kësaj shkolle ka dy mendime kryesore: njëri e ka për pikëmbështe­tje ekzistimin e kombit në antikë dhe në mes­jetë, ndërsa i dyti merret me kom­bet në përgjithësi dhe beson se kombet, në peri­udha të ndryshme kohore dhe në pjesë të ndryshme të tokës, janë lindur e shkatërruar. Ndër autorë më eminentë të kësaj shkolle konsiderohen Hugh Se­ton-Watson dhe Adrian Hastings.15 Kritikë të ash­për kundrejt Gellner-it dhe shkollës së Moder­nizmit ka ushtruar sidomos Hastings: Ky beson që teoria e Gellner-it mbi nacionalizmin është e gabu­e­shme, duke qenë se kombet e paramodernes kishin ekzistuar që më parë në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj as që duhen sjellë fare në lidhje me modernizmin. Sipas tij, etniciteti është ai që i vuri bazat për zhvillimin e identitetit nacional. Në kombe kanë mundur të shndërrohen vetëm ato grupe etnike të besimit të krishterë, të cilat kishin krijuar një letërsi vendëse, popullore vernakulare dhe të cilat kanë qenë nën presionin e ndikimit të shtetit.16

Drejtimin e tretë e përbën Shkolla e Moder­nizmit që u përmend më parë, e cila s’ka dyshim se është më autoritativja në gjurmimet në fushën e kombit dhe të nacionalizmit. Në esencë, kjo shkollë i konsideron si drejtimin e primordializmit ashtu edhe atë të „perennialism“-it si një manifes­tim të nacionalizmit vetë. Së këndejmi, edhe rezultatet e hulumtimeve të tyre janë të mjerue­shme. Si fillime të Modernizmit konsiderohen punimet e Elie Kedourie mbi ndikimin e intelektualëve. Kedourie besonte që, duke e pasur për bazë ideolo­gjinë nacionaliste, filologjia, etnografia me folklorin dhe historia popullore kanë qenë ato që kanë krijuar kombet. Sipas mendimit të tij, kjo ndodhi më së pari në Gjermani e pastaj në Europën Lindore e Juglindore, ku nacionalizmi si doktrinë e shpikur, „invented doctrine“, i krijoi kombet.17 Ndër autorë më të rëndësishëm të Modernizmit është pa dyshim Gellner-i, i cili ofroi një version sociokulturor të interpretimit të nacionalizmit. Kombi është për të ekskluzivisht një fenomen modern, sepse shoqëritë e paramodernes nuk kanë pasur as hapësirë, por as nevojë për konceptin e kombit. Ky fenomen mundi të veprojë dhe të bëhet i domosdoshëm vetëm në shoqëritë industriale, sepse këto kishin nevojë për një „kulturë të lartë“, për të qenë të afta të funk­sionojnë dhe të jenë të suksesshme.18

Me ndikim të madh përbrenda kësaj shkolle janë punimet e Eric Hobsbawm. Ky interesohet në rend të parë për aspektin politik të kombit dhe të nacionalizmit dhe është ithtar i prioritetit të politikës në relacion me kulturën. Kombet janë për të produkte të nacionalizmit, qëllim i të cilit ka qenë krijimi i shtetit të pavarur territorial.19 Ky tregon se si forma e kryehershme e nacionalizmit europian midis viteve 1830 e 1870 ishte një lëvizje demokratike dhe politike, që kishte për qëllim ngritjen e një kombi qytetar (sipas modelit të Revolucionit Francez) në një territor të madh dhe të ekonomisë së tregut; ky tregon edhe se si në harkun kohor midis viteve 1870 e 1914 ideali i kombit qytetar u provokua nga nacionalizmat, të cilin këta e definonin sipas kritereve etnike e lin­guistike. Nacionalizmi etnik i Europës së Mesme dhe i asaj Lindore e aplikoi të drejtën nacionale dhe e legjitimoi atë për një grup popujsh, të cilët Hobsbawm i cilëson për popuj pa histori. Kështu për të kombet s’janë gjë tjetër veçse konstrukte sociale që janë krijuar nga elitat nacio­naliste përmes „invention“ -it (“shpikjes”) të sim­boleve, mitologjive, ritualeve dhe të historisë. Së këndejmi kombi është një „invented tradition“, e cila është gjetur, shpikur në kohën e demokracisë së masave, të urbanizmit dhe të industrializimit pas vitit 1870 kur kishte edhe kushtet më të mira.20 Krahas me këtë, edhe për një autor tjetër autoritativ, si Benedict Anderson, kombi nuk është asgjë tjetër përveç një „imagined community“, një “bashkësi e përfytyru­ar”. Anderson-i i thekson aspektet e sapopërmen­dura dhe bazat e përmbushjes së kriterit të kombit që i parasheh teoria e Modernes; por ky e veçon si faktor të dorës së parë rolin e botimit të librave, të gazetave etj. në gjuhët popullore. Ky e definon kombin kështu: „Ai është një bashkësi politike e imagjinuar – i përfytyruar si i kufizuar dhe sovran. Është i imagjinuar për arsye se edhe pjesëtarët e kombit më të vogël, nuk e njohin kurrë ndonjë­herë pjesën më të madhe të bashkëkombësve, nuk takohen asnjëherë me ta e as që dëgjojnë gjë për ta, por që në kokë të secilit ekziston ndjenja e përbashkësisë“.21

Drejtimi modernist ka të drejtë në shumëçka në kuadër të analizës që ia bën identitetit nacional. Megjithatë, kjo e drejtë ka të bëjë vetëm me një anë të së vërtetës së procesit të formimit të kombit dhe me rrethanat e tjera të lidhura me këtë fenomen kompleks. Çështja e shtruar nga ne nuk mund të trajtohet mbi bazën e kësaj teorie nëse merren parasysh rrethanat në kohën e lindjes dhe të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Perandorinë Osmane. Në kundërshtim me pjesën perëndimore të Europës, në hapësirën etnolinguis­tike të shqiptarëve iluminizmi, romantizmi dhe modernizimi patën një ndikim të kufizuar. Prania dhe rëndësia, pesha e elitës, përkatësisht e poli­tikanëve, burokratëve, oficerëve, intelektualëve, aristokratëve, siç ishe rasti në Europën e asaj kohe, këtu ishte e dukshme në masë të vogël. Prirja moderniste na e bën të mundshme që krijimin e identitetit nacional dhe të nacionalizmit kulturor e politik nga elita shqiptare në shek. 19 dhe 20 ta analizojmë në një kontekst më të gjerë. Në këtë mes na ndihmon që ta gjurmojmë karakterin e konstruksionit të identitetit të shqiptarëve në pikë­vështrimin e diskursit historik në Shqipëri dhe në Kosovë. Përkundrazi, aplikimi i mirëfilltë i kësaj shkolle nuk do të ndihmonte në studimin e rolit që kanë pasur identitetet kulturore kolektive dhe ndjesitë e paramodernes në formimin e kombit.

Pikërisht për këtë arsye, për çështjen e shtruar nga ne, një rëndësi të veçantë e ka drejtimi i katërt: „etnosimbolizmi historik“. Kjo qasje u lind si kritikë teorike karshi të tria pikëpamjeve që u paraqitën më lart dhe mbështetet te një vlerësim i ri i burimeve historike. Punimet e Anthony D. Smith këto tridhjetë vitet e fundit janë udhërrëfyes dhe e reflektojnë gjendjen e hulumtimeve në këtë fushë. Identiteti nacional dhe kombi janë për Smith-in fenomene komplekse dhe përbëhen nga komponentë të ndryshëm, midis të cilëve kryet e vendit do ta zinin elementet etnike, territoriale, eko­nomike dhe juridike-politike. Njëkohësisht, kom­bet karakterizohen - sipas Smith-it – edhe nga mitet, nga kujtesa kolektive, traditat dhe simbolet e përbashkëta, të cilat do t’i kenë kontribuar legjiti­mi­mit dhe lojalitetit të krijuar e të solidaritetit mi­dis pjesëtarëve të kombit.22 Që identiteti nacional dhe kombi të mund të analizohen në tërësinë e tyre, si çështje me rëndësi kardinale Smith e kon­sideron marrjen parasysh të këtyre aspekteve: 23

Aspektin e parë ky e përmend duke e pasur mendjen te Fernand Braudel, „la longue durée“. Për ta kuptuar forcën vepruese dhe paraqitjen e kombeve moderne dhe të nacionalizmit, atëherë duhet t'u bihet në fije gjurmëve në periudha më të gjata, si dhe origjinës së kombeve. Kombet nuk janë vetëm shfaqje historike, sepse ato paraqiten në kohë e në situata të caktuara. Ato bartën me vete edhe të kaluarën kolektive dhe kujtesën e për­bashkët, traditat dhe shpresat si pjesë të identitetit nacional. Kujtesa kolektive dhe mitet janë për Smith-in pjesë tërësisht qendrore të identitetit kulturor; për të ajo është ndër faktorët më të rëndë­sishëm për mbijetesën dhe fatin e kombeve. Rapor­ti kundrejt të së kaluarës ose të të kaluarave, si­domos kundrejt asaj etnikes, është fort i rëndë­sishëm për nacionalen aktuale, meqë e kaluara ndikon mbi kombin në tri rrafshe: rishfaqjen, kon­tinuitetin dhe përqafimin e tij. Për aspekt të dytë, Smith e përmend bazën etnike të kombeve. Grupe etnike ndeshen në çdo hark kohor dhe në çdo kontinent, gjithandej ku njerëzit besoj­në të kenë pasur pararendës të përbashkët dhe kul­turë të përbashkët. Bashkësitë etnike të paramo­dernes të cilat më shumë ose më pak janë në lidhje me kom­bet moderne, karakterizohen me emrin, emblemën, mitet për prejardhjen e përbashkët, kuj­tesën histo­ri­ke, traditat, kulturën, territorin historik ose „at­dheun“ dhe solidaritetin grupor midis elitave të tyre.24 Aspekt i tretë me rëndësi janë për të mitet etnike dhe simbolet, në mënyrë të veçantë janë mi­tet e prejardhjes dhe të pararendësve të përbashkët ato që e arsyetojnë ekzistimin veçmas dhe karak­terin e secilës bashkësi etnike veç e veç. Për të fundit, Smith e përmend rolin e nacionaliz­mit, i cili në të gjitha programet politike synonte t’i arrinte tri ideale: pavarësinë nacionale, bashkimin kombëtar dhe identitetin nacional. Për nacionalistët këto janë bazat më të rëndësishme për shoqëri të lira dhe për një rregullim paqësor ndërkombëtar. Konkretizimin e këtyre nocioneve abstrakte, sipas Smith-it, nacionalizmi mund ta arrijë vetëm nëse mbështetet në emër të simboleve kombëtare dhe përfy­tyrimeve si dhe në krijimin e përfytyrimeve specifike nga e kaluara e lavdishme dhe e lirisë historike të secilit komb veç e veç.



Rilindja shqiptare dhe zbulimi i origjinës

Kush jam unë? Cilët jemi ne? Cili është roli ynë në jetë e në shoqëri? Këto pyetje, si gjithandej në Europën Juglindore, u shtruan edhe te shqiptarët nga intelektualët e tyre. Këto pyetje tregojnë se nacionalizmi si doktrinë, ideologji dhe si lëvizje ishte edhe këtu një fenomen i elitës. Ato u shtruan në kohë të mbërthyera nga një krizë gjithpërfshi­rëse: Në hapësirat e banuara nga shqiptarët shpër­thyen, në të nisur të shek. 19 e në vazhdim, kryengritje të natyrës sociale dhe kundër shtypjes së rëndë të tyre nga autoritetet osmane. Krahas kësaj, Perandoria Osmane ndodhej asokohe në një proces ndryshimesh, i cili ishte në vartësi të thellë me gjendjen e tensionuar politike, ekonomike e sociokulturore. Përveç kësaj, ky transformim ishte diktuar apo edhe ishte imponuar si rezultat i mo­dernizimit dhe i industrializimit të Europës Perën­dimore. Edhe sistemi i administrimit të mileteve, sipas të cilit perandoria kishte ndarë pjesëtarët e saj në bazë të përkatësisë fetare, nisi të transformohej në një realitet të ri: për distinktiv të identitetit individual ose kolektiv nisën të merreshin tani kriteret e gjuhës dhe të kulturës. Deri atëherë, shqiptarët myslimanë i takonin po atij mileti që i takonin edhe turqit, ndërsa shqiptarët ortodoksë i takonin po atij mileti që e përbënin grekët e serbët.25 Grekët, serbët, bullgarët dhe rumunët i kishin fituar tanimë të drejtat e tyre të autonomisë; kush më herët e kush më vonë, këta arritën në gjysmën e parë të shek. 19 shtetësi të mëvetëshme së paku në pjesë të territoreve që ata i banonin.26



Duke qenë pjesë e Perandorisë Otomane, po­pullata shqiptare e ndiente veten të shtypur. Shtresës së lartë të kësaj popullate ose i ishin marrë të drejtat ose i kishte humbur privilegjet që i kishte pasur. U krijua një situatë ku nuk kishte ardhmëri; së paku ashtu e shihnin atë të arsimuarit bashkëkohës të kësaj shoqërie.27 Shqiptarët, sido­mos shtresa e hollë elitare e saj, për shkak të peiza­zhit të ri politik të shteteve fqinje në Ballkan, e ndjenin veten përherë të rrezikuar: Mbretëritë fqinje të Greqisë e të Serbisë kishin pretendime territoriale kundrejt hapësirave shqipfolëse dhe elitat politike e intelektuale të atyre mbretërive e mohonin ekzistimin e një kombi shqiptar. Në një këso konstelacioni, shqiptarëve u duhej jo vetëm t’i vinin në dyshim pretendimet territoriale të të tjerëve, por këta qenë të shtrënguar që ta përfaqësonin çështjen vetanake kombëtare dhe ta formësonin identitetin e tyre të mëvetësishëm nacional. Dhe, kjo punë duhej të bëhej në një hapësirë në të cilën një rol me rëndësi luanin jo vetëm ndasia fetare, por edhe veçoritë e tjera të karakterit social, kulturor, ndarja fisnore dhe dialektet e ndryshme. Në hapësirën etnolinguistike shqiptare nuk kishte as një kohezion social e as shpirtëror. Nën këto rrethana shqiptarët, që dikur falë rezistencës me në krye Skënderbeun në shek. 15, ishin të fundit në Ballkan që përfundimisht ranë nën sundimin osman, nacionalizmin e tyre fi­llu­an ta zhvillonin vetëm në dekadën midis viteve 1830 e 1840 – pra si të fundit në rajon (du­ke i përjashtuar maqedonët e boshnjakët). Kraha­suar me grekët, serbët, bullgarët dhe rumunët, shqip­tarët janë të fundit që i jetësuan qëllimet e lëvizjes së tyre kombëtare. Shqiptarët pavarësinë e tyre e fituan vetëm në vazhdën e zhbërjes defini­tive të Perandorisë Otomane në vitet 1912/1913.28

Rilindja e shqiptarëve qe, në fakt, jo vetëm një luftë çlirimtare kundër osmanëve por edhe një reak­sion karshi pretendimeve territoriale të popuj­ve fqinjë. Si edhe nacionalizmat e tjerë në Eu­ropën Juglindore, edhe kjo doktrinë, ideologji dhe lëvizje e shqiptarëve ishte e inspiruar nga iluminiz­mi, nga idealizmi, nga romantizmi dhe nga feno­me­ni i na­ci­o­nalizmit europerëndimor. Një kon­tribut që çon peshë dhanë në këtë mes edhe një vistër dijetarësh, udhëpërshkruesish, poetësh, filologësh e diploma­tësh të Perëndimit.29 Në këtë hark kohor këta nisën ta zbulonin këtë pjesë të panjohur të Perandorisë Osmane dhe arri­tën në përfundimin që shqiptarët paraqesin një bashkësi të veçantë historike, linguistike, etnograf­ike e kultu­rore.30 Megjithatë, qe elita intelektuale shqiptare, e sajuar nga nëpunës, tregtarë, dijetarë, studentë e nxënës me ide patriotike, ajo që ishte bartëse e për­njëmendtë e kësaj ideologjie. Disa figura qendrore të Rilindjes mbanin madje edhe pozita shumë të larta në administratën e peran­dorisë. Në fillim ki­shim të bënim vetëm me pak personalitete, të cilat në gjysmën e dytë të shek. 19 nisën ta formësonin një shtresë më vete të tyren. Këta ishin të paktë në numër edhe në vetë kohën e themelimit të shtetit shqiptar dhe jetonin kryesisht në kryeqendrën e perandorisë ose në qytete të tjera osmane, në qyte­te të Perëndimit ose në bashkësitë e diasporave të shkapërderdhura gjithandej (Itali, Egjipt, Bullgari, Rumani). Përkundër pozitës gjeo­grafike dhe mundë­sive asokohe të kufizuara, pjesë­tarët e kësaj lëvizjeje kishin megjithatë një rrjet të mirë ko­munikimi. Falë studimit nëpër universitete të huaja, jetesës në diasporë dhe të tregtisë me vise të largëta këta kishin kontakte me botën e jashtme dhe me shqiptarët që jetonin në Perandorinë Osma­ne, gjë që ishte e rëndësishme për veprimtarinë dhe për ndikimin e tyre të vazhdueshëm.

Përfaqësuesit e Rilindjes e zhvilluan në fillim një nacionalizëm kulturor në formën e nacionaliz­mit gjuhësor e të prejardhjes; dhe vetëm më pastaj një nacionalizëm politik shtetëror i cili, megjithatë, edhe më tej mbështetej në këto dy parimet e më­sipërme. Në kontekstin e nacionalizmit shtetë­ror u përvetësua në mënyrë të veçantë diskursi politik mbi lirinë kolektive dhe sovranitetin e popullit, të dala nga Revolucioni Francez dhe ideologët e tij. Nacionalizmi gjuhësor (si edhe gjetiu në Europën Lindore e Juglindore) u ndikua thellë nga mënyra e të kuptuarit dhe e interpretimit nga Johann Got­tfried Herder të nocioneve „popull“ dhe „karakteri nacional“.31 Zbulimi i „unit kolektiv“, në këtë rast pra i një identiteti nacional shqiptar, u pasqyrua edhe nga poetë, filologë, filozofë, historianë e të tjerë si një „Rilindje“. Në këtë mes duhet thënë se jo vetëm përpilimi i një alfabeti shqip, përpilimi i fjalorëve, i gramatikave, përmbledhjeve me kën­gë, me përralla në gjuhën popullore dhe krijimit i letërsisë shqipe, por një rëndësi të veçantë dhe qendrore e pati po ashtu edhe krijimi i një historie të shqiptarëve në formë vargënimi, poezi apo prozë. Temë qendrore u bë në këtë kontekst pasqyrimi i bano­rëve të stërlashtë të hapësirës etnolinguistike të shqiptarëve, përkatësisht të pe­llaz­gëve dhe të ilirëve.

Do të tejkalohej kuadri i këtij punimi po qe se do të merresha me analizimin e të gjitha shkrimeve të Rilindjes të cilat kanë të bëjnë me çështjen nëse shqiptarët, sipas botëkuptimit të autorëve rilindës, janë një komb i antikës apo një komb modern. Ajo çfarë përkitazi me këtë çështje mendonin asokohe Pashko Vasa, Naum Veqilhar­xhi, Jani Vreto, Hasan Tahsini, Konstantin Kristo­fordhi, Naim Frashëri, Ismail Qemali e të tjerë, ishte atëherë me një relevancë të madhe për nacionalizmin politik dhe kulturor të shqiptarëve.32 Ne do të përqendrohemi megjithatë në veprën e Sami Frashërit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?.33 Sami Fashëri ishte njëri ndër ideologët e shkëlqyeshëm të Rilindjes dhe binte ndër preferuesit më autoritativë të idesë për një shtet të pavarur të shqiptarëve. Ky vetë ishte, si askush tjetër më shumë, i integruar në jetën politike e kulturore të Perandorisë Osmane. Ai ishte autor i veprave të rëndësishme për rrafshin e skenës së asokohshme kulturore. Prandaj, merrej – sipas pikëvështrimit turk - si atëherë ashtu edhe sot e gjithë ditën, për një figurë të rëndësishme të nacionalizmit turk.34 Samiu është një shembull tipik i profilit të një ideologu kombëtar, i cili më shumë se askush tjetër në atë kohë mendoi e veproi si një kosmopolit. Ai vetë dhe vëllezërit e tij janë ndër patriotët më të rëndësishëm të Lëvizjes Kom­bë­tare Shqiptare. I vëllai, Naimi, që u përmend më sipër, ishte poeti më i madh shqiptar dhe merret shumë herë si „ Homeri i shqiptarëve“.35 I vëllai më i madh përkah mosha, Abdyli, ishte udhëheqësi dhe njëkohësisht ideologu i Lidhjes së Prizrenit, që në vitin 1878 ishte themeluar si Lëvizje gjithëshqiptare. Kjo Lëvizje i mbronte në aspektin kombëtar – politik dhe ushtarak të gjitha viset e banuara me shqiptarë kundrejt ekspansionit të Serbisë e të Malit të Zi dhe përpiqej që përpara Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongresin e Berlinit politikisht t’i përfaqësonte shqiptarët.36

Vepra e përmendur më lart e Sami Frashërit u botua në vitin 1899 në një shtypshkronjë të njohur për patriotizmin shqiptar në Bukuresht, sepse autoritetet perandorake osmane e kishin ndaluar shprehimisht botimin e çfarëdo qoftë libri apo shkrese në gjuhën shqipe. Ky libër bie ndër veprat më të rëndësishme dhe botimet e formuluara më së miri të Rilindjes. Ai është, edhe përtej rrafshit shqiptar, njëri ndër shkrimet politike që shkëlqejnë më së shumti në gjithë Europën Juglindore të atij harku kohor.

Nga çka u tha më sipër rezulton se qëllim i nacionalizmit shqiptar, ashtu si edhe ai i ideologjive që më parë kishin vepruar në Europë, ishte arritja e pavarësisë politike, uniteti dhe iden­titetit kombëtar. Së kën­dejmi, moto e Sami Frashë­rit është: Perëndija, E Drejta, Kombi, Gjuha, Shqi­përia, Shqipëtarëria!“; ai mendon se: „Shqiparët i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë një komb i suksesshëm.37 Këtu nuk mbrohet thjesht një ide se një komb do të mund të jetë i lirë vetëm nëse do ta ketë një shtet të vetin. Samiu e elaboron në të vërtetë një koncept modern europerëndimor të përpunuar hollësisht për një Shqipëri të çliruar në aspektin politik, ekonomik e kulturor. Ai parashih­te senatin, parla­mentin, qeverinë, institucionet ushtarake, arsimore, ekonomike, të bujqësisë e të tregtisë si dhe institu­cione të tjera publike.38 Në përputhje me konceptin e vet për kombin, Samiu i skiconte edhe veçoritë më të rëndësishme të kombit shqiptar: territorin historik, prejardhjen e përbashkët, kujtesën kolek­tive, gjuhën, kulturën, kulturën publike, ekonomi­në, të drejtat dhe detyrat për pjesëtarët e kombit gjegjës. Ai i paraqet këtu konceptet, mitet, kujtimet dhe simbolet të cilat këtij dhe bashkokëkohasve të tij u duheshin për legjitimimin e qëllimit politik e kulturor të Rilindjes.

Një çështje këtu duhet thënë edhe një herë qartë e shqip: përdorimi në këtë trajtesë i nocio­neve „mit“, „mitologji“ dhe „mitike“ kurrsesi nuk do të thotë që vizionet e Sami Fashërit përkitazi me historinë e shqiptarëve ishin të gabueshme e ab­surde. Shumë nga mendimet e këtij autori për­kitazi me prejardhjen, me gjuhën dhe me iden­titetin kulturor kolektiv të shqiptarëve u morën atëherë e vlerësohen edhe sot nga shkenca si argu­mente serioze. Atë që Samiu e konsideron për „të vërtetë“ në kontekstin e këtyre çështjeve nuk u argumentua shkencërisht as nga ai vetë e as nga përfaqësues të Rilindjes, por nga shkenca e aso­koh­shme e Perëndimit. Le t’i përmendim këtu vetëm disa fakte: ishin në krye të herës një varg historianësh e diplomatësh ata që në mbështetje të burimeve historike i dolën zot mendimit se shqip­tarët kanë prejardhjen nga ilirët (si p.sh. historiani suedez Johann Thunmann, konsulli austriak Johann Georg von Hahn dhe njohësi më i mirë i atëhershëm i Greqisë Jakob Philip Fallmerayer). Njëkohësisht, pati një sërë dijetarësh si p.sh. gjene­ralmajori bavarez Joseph Ritter von Xylander, linguisti Franz Bopp dhe filologu klasik Paul Kretschmer, të cilët shqipen e panë një gjuhë që i hiqte rrënjët nga gjuha e ilirëve; se është një gjuhë indoeuropiane e cila përveç rrafshit indoeuropian s’ka tjetër gjë të përbashkët as me greqishten e as me gjuhë të tjera.39 Në vazhdën e përdorimit nga përfaqësues të Rilindjes, këto teza shkencore arritën të kishin më shumë një vlerë simbolike dhe emocionale për formimin e identitetit nacional të shqiptarëve. Përmes këtij shpjegimi për kombin u postulua një vlefshmëri dhe një qëndrueshmëri e tij e padyshimtë përtej të gjitha periudhave kohore.40 Me inkuadrimin e këtyre tezave shkencore, syno­hej të ngrihej një identitet nacional i cili nuk do të jetë i lëndueshëm; një komb, i cili kurrsesi nuk do të zhbëhet në vazhdën e zhvillimit dhe të transfor­mimit të tij të mëtejshëm. Tezat gjegjëse u bënë këtu mite të identiteteve dhe, si gjithandej në botë, mite historike.

Në veprën e Samiut u përfaqësuan tezat e më­poshtme historike e politike të cilat në funk­sionin e tyre prej miteve kishin në të vërtetë një rëndësi esenciale që atij dhe bashkëkohësve të tij u shërbyen për legjitimimin e qëllimeve politike e historike të kombit të tyre:

Miti i prejardhjes dhe i autoktonisë është për Samiun njëri ndër gurët themeltarë më të rëndë­sishëm të identitetit nacional të shqiptarëve. Ky mit nuk u përdor vetëm si argument kundër „zgje­dhës turke“, por edhe kundër popujve fqinjë të grekëve, serbëve e malazezëve. Kjo, sepse, si pasojë e vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), mbretërit e këtyre popujve kishin marrë shumë territore të banuar me shqiptarë, por pretendonin edhe hapësira të tjera të banuara nga shqiptarët. Së këndejmi, trajtimi nga Samiu i çështjes së prejar­dhjes nuk duhet parë vetëm në kuptimin e një lëvizjeje kulturore të Rilindjes; situata e atëher­shme politike dhe pretendimet territoriale të fqinjëve që u përmendën më lart në këtë mes çonin shumë peshë. Bindja që shqiptarët ishin një komb antik i shërbeu Samiut si një argument që nuk mund të mohohej, aq më shumë që kjo pikëpamje përkrahej në një masë edhe nga shkenca e asokoh­shme. Shqiptarët ishin, për Samiun, kombi më i vjetër i Europës, një komb i ardhur në kohë parahistorike nga Azia dhe i vendosur në Ballkan duke sjellë me vete kulturën e ndërtimit dhe të bujqësisë. Në të mirë të mbështetjes së tezës së tij për një shkallë të lartë zhvillueshmërie të proto­shqiptarëve, Samiu shtonte në vazhdim: “Se ata njërës, që gjëndeshin më parë tyre n’Europë, ishin t’egërë e roninë nëpër pyje e nëpër shpella duke ush­qyerë me pemëra të t’egera dhe me mish gja­hu“.41 Në këtë paraqitje shqiptarët dalin të jenë edhe në relacion me turqit bartës të një kulture të lartë. Kjo sepse, sipas Samiut, turqit qenkan një komb i egër e dhunues i cili duke u nisur nga shkre­tëtira të Azisë (pikërisht) për shkak të brutalitetit të tyre pushtuan vende më të civilizuara e më të bukura, midis të cilave edhe Shqipërinë: „Nga të gjithë këta vënde, që po rënkojnë, që nga kaqë qint vjet e tëhu, edhe njëri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tirani, a heq më shumë se gjithë vendet’ e tjerë nga pakujdesj’e shqiptarëve“. Sido që të jetë, shqiptarët nuk paskan asgjë të për­bashkët me sundimtarët e rinj: “Na s’jemi as tyrq, as të ardhurë nga shkretëtiat’ e Azisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë, më teprë se çdo komp. “.42

Kjo e drejtë e autoktonisë, në relacion me fqinjët, - sipas Samiut - u takon vetëm shqiptarëve. Popujt sllavë janë dyndur shumë më vonë në viset sot të banuara nga ata, përkatësisht në njëfarë kohe gjatë shek. 7, atëherë kur hapësira etnolinguistike e shqiptarëve ishte nën sundimin bizantin: Nga këta (bizantinët – E. H) serbëtë mbushnë i vëndet e veriut të Ilyrisë, do-me-thëne Bosnjënë, Herzego­vinënë, Dalmatinë, Mal’ e Zi e Serbinë, edhe bul­garëtë e përzjerë me shqeh zunë Maqedoninë.43 Në kontekstin e mbarështrimit të tezës mbi birësi­në e shqiptarëve, me rëndësi është edhe një men­dim tjetër i Samiut. Sipas këtij autori, shqiptarët janë jo vetëm pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve, por - duke u mbështetur në manirin aktual për kohën e tij - origjina e tyre i ka rrënjët në një lashtësi edhe më të thellë: Samiu i identifikon shqiptarët me pellazgët, një popull të konsideruar mitik, i cili tek Herodoti (I, 56-7) përmendet si një popull jogrek dhe paragrek. Kësisoj pellaz­gët protoshqiparë do të ishin, pa kurrfarë dyshimi, më të moçëm se grekët klasikë të lashtësisë antike dhe së këndejmi shqiptarët bashkëkohës, aktualë do të ishin më të lashtë se fqinjët e tyre grekë.44 Duke qenë se shqiptarët qenkan me prejardhje pellasgjike - ilire, Samiu i shihte edhe Makedoninë antike, Epirin dhe personalitetet e mëdha si Lekën e Madh e Pirron si shtete, përkatësisht fatosë të shqiptarëve.* E njëjta gjë do të vlente, sipas Samiut, edhe për Aristotelin, filozofin më të madh të antikës.45 Mund të supozohet që Samiu e kishte megjithmend kur e shkruante një gjë të tillë. Qenësore ishte çështja të tregohej një epërsi politike e kulturore e shqiptarëve. Qëllim i Samiut në këtë mes ishte që t’i bindte bashkëkohësit e vet shqiptarë për atë që shqiptarët në të vërtetë paskan bërë për botën dhe jo për vetëveten. Në këtë mes si argument Samiu përmend personalitete politike e kulturore të kohës së tij, përkatësisht të së kaluarës së afërt si p.sh. familjen dinasti të Köprülü-ve në Perandorinë Osmane, atë të pushtuesve të Jemenit, Sinan Pashën, disa figura të rëndësishme të luftës çlirimtare në Greqi dhe të lëvizjes së atyshme kombëtare si Marko Boçari (Markos Botzaris) e të tjerë, si edhe themeluesin e Egjiptit modern Mehmet Ali Pashën. Sipas teorisë së Samiut për prejardhjen, kombi shqiptar do të duhej të shihej si „primordial“. Kësisoj, Samiu shihte te shqiptarët bashkëkohorë një kontinuitet „organik“ të pellaz­gë­ve e të ilirëve.46

I lidhur ngushtë me këtë është edhe një mit tjetër: ai i territorit etnik. Si edhe tek nacionaliz­mat e tjerë, ashtu edhe për Rilindjen temë qendrore është çështja e territorit historik. Kjo është e kuptu­eshme, sepse nacionalizmi e pretendon territorin dhe e kërkon gjithmonë kontrollin mbi terri­torin. Asnjë komb nuk mund të ekzistojë pa terri­tor. Formimi dhe krijimi i një kombi e paravendon banimin e një vendi. Por këtu nuk është fjala për njëfarë territori a vendi, por për atdheun. Edhe tek Samiu kemi të bëjmë me atdheun, i cili edhe ashtu ka qenë i banuar nga kombi i shqiptarëve dhe me këtë ka ofruar një siguri fizike e emocionale. Kur e përshkruante atdheun e vet dhe kufijtë e tij, Samiu nisej nga dy parime, përkatësisht nga parimi etnik dhe nga ai historik. Këto dy parime e bëjnë Samiun që t’i vizatojë dy harta të ndryshme gjeografike. Samiu është bukur realist kur i për­shkruan kufijtë etnolinguistikë të asokohshëm të shqipta­rëve që përputhen edhe me ata nga burime të tjera të kohës: Shqipëria nga veriu ka kufi e fqinjë Mal’ e Zi, Novi-Bazar, a Bosnjënë q’e urdhëron Austria edhe Serbinë; nga lindja ka Maqedoninë, nga jug-lindja Greqinë, nga jug-perëndimi e nga perëndimi ka denë, i cili e ndan nga Italia e nga Evrop’ e qytetuarë.47 Kur mbi bazën e parimit të dytë Samiu e projektonte në diakroni atdheun e kryehershëm të pararendësve të tij, atëherë s’ka më ndonjë ndryshim midis „miti­kes“ dhe „historikes“. Të gjitha viset që në lashtësi banoheshin nga ilirët, epirotët, makedonët, trakët e frigët ishin sipas kësaj pikëpamjeje vende të banuara nga pararendësit e shqiptarëve, përkatë­sisht nga pellazgët. Bashkësitë e përmendura ishin për Samiun thjesht fise të pellazgëve. Shumica e kë­tyre popullatave u shuan për shkak të pushtimeve nga Roma e nga Bizanti dhe sidomos më pastaj për shkak të dyndjes së sllavëve në këto hapësira të pararendësve të shqiptarëve. Vetëm një pjesë e ilirëve dhe pikërisht ata në Ilirinë e Poshtme dhe në atë të Jugut, në Epir dhe ata në Maqedoninë Perëndimore, veriore dhe në atë të Epërmen mun­dën të mbijetonin.: “Që m’ atëher e tehu Shqipëria është vogëluarë shumë “.48

Përkundër kësaj, Shqipëria është një vend i pasur me pyje, fusha, lumenj, bagëti e vegjetacion dhe është në gjendje ta mbajë edhe katërfishin e banorëve të saj të atëhershëm me bukë. Me këso përshkrimesh të hollësishme Samiu synonte ta kultivonte tek shqiptarët atdhedashurinë dhe dijen mbi territorin historik të tyre; ideologë të lëvizjeve të këtilla tanimë e kishin bërë këtë pu­në jo vetëm në Europën Perëndimore, por edhe në atë Juglindore.49 Me këtë mit u arrit në këtë mes një qëllim shumë i rëndësishëm: Territorializimi i kujtesës, i cili te shqiptarët e asaj kohe, përkatë­sisht së paku te një pjesë e elitës, do t’i ketë kontribuar identifikimit të saj me atdheun e vet. Që nga kjo kohë, dhe sidomos në harqet kohore që pasuan, u lind një veçori me peshë më vete e identitetit nacional të shqiptarëve: kombit të shqiptarëve i takon ky vend, dhe në këtë vend kombi i shqiptarëve e përbën shumicën. Se sa ky koncept i Samiut dhe i Rilindjes do të jetë përhapur në masat e gjera të popullatës shqiptare të asaj kohe, e cila atëherë ishte administrativisht e ndarë në katër vilajete osmane, dhe ku katundi, regjioni, bashkësia fisnore dhe religjioni kishin atribute të larta të identitetit, është e vështirë të thuhet në formë të prerë. Por, nuk ka kurrfarë dyshimi, që ky territorializim i miteve dhe i kujtesës pati edhe te shqiptarët një rol qendror në formimin e identitetit nacional të tyre.50

Me pikëpamjen të tij mbi prejardhjen dhe atdheun e kryehershëm të shqiptarëve, Samiu para­qiste një vazhdimësi dhe një unitet të bashkësisë etnike të ilirëve me shqiptarët e kohës së tij. Shqiptarët ishin për Samiun jo vetëm një komb antik, por këta e kishin në dorë edhe një kon­tinuitet „organik “ ose „biologjik“ në relacion me pararendësit e tyre. Rrënjët dhe identiteti specifik i këtij kombi e kishin gurrën te prejardhja etnike dhe te gjenealogjia. Së këndejmi, këto dy momente, përkatësisht kontinuiteti dhe gjenealogjia, kishin në konceptin e Samiut përkitazi me kombin një rol të veçantë. Kuptimi kësisoj i nacionales, na e bën të mundshme ta kuptojmë më mirë karakterin dhe formimin e kombit shqiptar dhe identitetin për­katës nacional të tij. Në relacion me dy tipat idealë të formimit të kombeve në Europë, përkatësisht nga ai racional „i Perëndimit“ dhe atij të tipit “organik” “të Lindjes”, koncepti i Samiut për kombin është i këtij të dytit. Tipi i parë duhet të kuptohet si komb qytetar ose komb politik, me ç’rast parakushte për shfaqjen e tij janë territori i përbashkët, qeveria dhe ekzistimi i një shtrese të mesme sociale të fortë. I këtillë ishte rasti me Francën, Britaninë e Madhe dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjermani dhe në Europën Lindore, ku kjo shtresë e mesme nuk mundi të etablohej, së paku jo politikisht, dhe ku ideologët e nacionalizmit nuk e kishin në dorë as edhe një fije mujshinë politike, u zhvillua naciona­lizmi etnik. Koncepti i Samiut për kombin dhe për identitetin nacional është i ngjashëm me naciona­liz­min që u zhvillua nga ideologët gjermanë, por edhe nga sish të tjerë në Europën Lindore e në atë Juglindore. Në kundërshtim me kombin e qytetar të Revolucionit Francez, ku secili individ mbi ba­zën e vendimit të marrë nga ai vetë do të vendoste për përkatësinë e tij, „kombi etnik“ paraqiste diç tjetër më vete: këtu kombi kuptohej si një bashkësi e determinuar nga lindja dhe nga kultura e trashëguar e prejardhjes.51

Ç’është e vërteta, Samiu vetë dhe përfaqë­sues të Rilindjes jetonin në qendra osmane dhe europiane, por e ndienin veten, në bazë të lindjes, si pjesëtarë të bashkësisë së shqiptarëve. Ata nuk do të mund të bëheshin kurrë qytetarë të atyre shteteve europiane ose të Perandorisë Osmane. Gjuha e përbashkët, prejardhja dhe kujtesa ishin për ta elemente dhe parakushte qendrore për përkatësinë e bashkësisë dhe identitetit. Sipas pikëpamjes së tyre, këto kritere do të vlenin edhe për shtresat e tjera të popullatës shqipfolëse të hapësirës përbrenda Perandorisë Osmane. Nga kjo perspektivë duhet kuptuar edhe përvijëzimi i Samut i mitit të homogjenitetit etnik dhe të pastërtisë kombëtare. Samiu e paraqet këtë mit në kontekstin e sqarimit të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të përshkrimit të rrethanave nën të cilat jetonin ilirët nën sundimin romak e bizantin.52 Sipas këtij skicimi, shqiptarët kanë përfaqësuar gjithmonë një identitet etnik homogjen. Këta kanë qenë në kuptimin e nocionit popull gjithherë një „popull thjesht shqiptar“; bile edhe i paprekur nga dyndjet, përzierja dhe nga asimilimi nga elemente të huaja. Derisa nuk ka as edhe një fije dyshimi që disa nga mitet e analizuara të identitetit të shqiptarëve në këtë kapitull përmbajnë elemente të rëndësishme të së vërtetës historike, kjo nuk vlen kurrsesi për bindjet për një homogjenitet etnik dhe për një „pastërti“ prej populli.53 Përkundrazi, e pranueshme është ajo siç thotë Noel Malcolm: dijetarët bashkëkohorë e dinë që asnjë popullsi ballkanike nuk ka qëndruar në një strofull të papërshkrueshme nga uji dhe të gjithë u janë nënshtruar përzierjeve etnike të llojeve të ndrysh­me. Në rastin e shqiptarëve, nga ingredientët e shquar mund të përmenden romakët (edhe ata vetë me origjini të përzier etnike), sllavët (veçanërisht gjatë mesjetës së hershme, kur kolonizatorët bullgarë penetruan thellë në Shqipëri), grekët dhe në numër më të vogël, turqit. Përderisa gjeneza e shqiptarëve përmban shumë elemente të ndryshme, rrjedhimisht, po kështu, edhe gjuha e tyre, kultura dhe mënyra e jetesës reflektojnë shumë ndikime që ato kanë thithur, të tilla si dëshmitë gjuhësore në fjalorin latin dhe sllav, si dhe gjurma e fortë kulturore e otomanëve.54

Pikëpamjet e Samiut të parashtruara këtu mund t’i duken, së këndejmi një lexuesi modern të çuditshme. Mirëpo, në fund të shekullit 19, kur e kaluara dhe ekzistimi i shqiptarëve si popull kon­testohej nga propaganda e shteteve fqinje, Samiu synonte ta krijonte rangun më të lartë për kombin e tij i cili si asokohe, ashtu si edhe pas vdek­jes së tij (më 1904), ishte nën sundimin e osma­nëve. Kons­tru­ktimi i një të kaluare ilire e ofronte për të dhe për bashkëkohësit e tij legjitimitetin më të mirë për përmbushjen e qëllimeve kryesore politike të Rilindjes: pavarësisë politike, bashkimit kom­bëtar dhe identitetit për shqiptarët në Ballkan.

1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   19


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət