Ana səhifə

Nr I vendimit Data palët faqe


Yüklə 0.86 Mb.
səhifə32/36
tarix18.07.2016
ölçüsü0.86 Mb.
1   ...   28   29   30   31   32   33   34   35   36

Nr.274 i Regj. Themeltar

Nr.359 i Vendimit




VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykates se Larte i perbere nga:


Spiro Spiro Kryesues

Ylvi Myrtja Anetar

Agron Lamaj Anetar

Vladimir Bineri Anetar

Artan Hoxha Anetar

ne seancen gjyqesore te dates 16.06.2004, mori ne shqyrtim çeshtjen penale nr.274, qe i perket:

TË PANDEHURIT: DHAME PITE


A K U Z A:

Shperdorim detyre dhe shkelje e barazise

se pjesemarresve ne tender apo ankande publike,

parashikuar nga nenet 248 e 258 te Kodit Penal.

Gjykata e rrethit gjyqesor Tirane, me vendimin nr.737, date 25.07.2003, ka vendosur:

Deklarimin fajtor te te pandehurit Dhame Pite per vepren penale te shkeljes se barazise se pjesemarresve ne tender apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i K.P. dhe denimin e tij me 6 muaj burg.

Deklarimin fajtor te te pandehurit Dhame Pite per vepren penale te shperdorimit te detyres, parashikuar nga neni 248 i K.P. dhe denimin e tij me 2 vjet burg.

Ne baze te nenit 55 te K.P., denimin e tij perfundimisht me 2 vjet burg.

Gjykata e Apelit Tirane, me vendimin nr.607, date 19.11.2003, ka vendosur:

Lenien ne fuqi te vendimit nr.737, date 25.07.2003 te Gjykates se rrethit gjyqesor Tirane.

Në zbatim te nenit 59 te K.P., pjesa e pa vuajtur e denimit pezullohet per nje afat prej 2 vjetesh.
Kunder ketij vendimi ka bere rekurs i gjykuari, i cili parashtron keto shkaqe per prishjen e tij:

- Nuk u provua gjate gjykimit që i pandehuri t’i kete marre ndonje artibut komisionit te tenderit gjate zhvillimit te tij, qe fillon me nxjerrjen e urdherit te prokurimit dhe mbaron me shpalljen e fituesit.

- Nuk i eshte bere ndonje favorizim firmes franceze nga i pandehuri, pasi ka qene komisioni i prokurimit ai qe ka shqyrtuar dhe vleresuar ofertat dhe mbi bazen e relacionit te tyre eshte bere edhe miratimi nga i pandehuri si zv/guvernator i Bankes Shqiptare.

- Per opsionet shtese te paraqitura nga disa firma pjesemarrese ne tender, komisioni i tenderit eshte shprehur se do te negociohej me firmen fituese, pasi te merrej pelqimi nga Banka e Shqiperise. Per kete, zv/guvernatori i bankes ka qene i ngarkuar nga Keshilli Mbikqyres i Bankes se Shqiperise.

- Gjykata shprehet me fraza të pergjithshme, pa ju referuar qofte edhe nje prove, apo dispozite konkrete per fajesine e te gjykuarit.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi degjoi relacionin e gjyqtarit Artan Hoxha,

prokurorin Bujar Sheshi, i cili kerkoi lenien ne fuqi te vendimit te gjykates se apelit,

mbrojtesit e te gjykuarit, avokatet Vasil Plaku dhe Pirro Totozani, te cilet kerkuan ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshem te te gjykuarit dhe pasi e bisedoi çeshtjen ne teresi,


V Ë R E N

Vendimi i gjykates se apelit eshte pjeserisht i bazuar ne ligj e per kete shkak ai duhet lene ne fuqi me ndryshimet perkatese.


Nga aktet e ndodhura ne dosje dhe nga perfundimet e te dyja gjykatave, rezulton se per nevoja te rishtypjes se kartmonedhave shqiptare 200, 500, 1.000 dhe 5.000 lekeshe, Keshilli Mbikqyres i Bankes se Shqiperise, si organi kompetent, ka vendosur te zhvillohet tender i kufizuar nderkombetar per nje fond limit prej 4, 3 milion USD. I gjykuari Dhame Pite, zevendes guvernator i dyte i Bankes se Shqiperise, ne funksion te detyres se tij, ka nxjerre urdherin perkates dhe ka krijuar komisionin e prokurimit te perbere prej 7 anetare, komision ky qe sipas detyres, ka percaktuar edhe elementet e sigurise dhe ato teknike te riprodhimit te kartmonedhave te reja, bazuar mbi ato te shtypura ne vitin 1996. Ne zhvillimin e tenderit te kufizuar nderkombetar u thirren per te marre pjese firmat “De La Rue” Angli, “Giessecke Divrient” Gjermani, “Osterrichische Bankoten” Austri, “Oberthur” France dhe “Tumba Bruk”, Suedi. Ne perfundim te procedurave te tenderimit, komisioni, me date 29.03.2001, shpalli fitues firmen franceze “Oberthur” me cmimin e ofertes me te mire prej 3.229.050 USD. Pas kesaj disa nga anetaret e komisionit dhe i gjykuari Dhame Pite ka negociuar me palen franceze lidhjen e kontrates dhe pas kthimit nga Franca ka rezultuar se elementi i sigurise se kartmonedhes 1.000 lekeshe “Ovi”, te ndryshohet me nje element me te larte sigurie “Oberseal”. Ky ndryshim ne elementin e sigurise se kesaj kartmonedhe sillte efekt financiar prej 583.550 USD, rritje cmimi mbi ate te shpallur ne oferten me te mire fituese. Zevendes guvernatori i Bankes se Shqiperise, i gjykuari Dhame Pite, ne daten 20.04.2001 ka pranuar dhe ka nenshkruar kontraten me firmen franceze “Oberthur” me nje vlere prej 3.812.550 USD, e cila perfshinte edhe shtesen mbi oferten fituese prej 583.550 USD.

Gjykatat bazuar sa me siper, kane pranuar akuzen e ngritur ndaj te gjykuarit Dhame Pite dhe e kane deklaruar ate fajtor per dy vepra penale, ate te shkeljes se barazise ne tendera dhe shperdorimit te detyres, parashikuar nga nenet 258 e 248 te K.P. I gjykuari ka pretenduar ne te gjitha shkallet e gjykimit, po ashtu edhe ne Gjykaten e Larte, se veprimet e tij jane ne perputhje me kompetencat qe ai kishte ne funksionin e zevendes guvernatorit te dyte te Bankes se Shqiperise dhe se ai nuk ka kryer asnje nga veprat penale per te cilat eshte akuzuar e deklaruar fajtor. Nga ana tjeter, prokurori prane Gjykates se Larte kerkon qe te lihen ne fuqi te dy vendimet gjyqesore, duke argumentuar se ne te kundert sa pretendohet nga mbrojtja e te gjykuarit, ai ka tejkaluar detyrat si zevendes guvernator i dyte e per kete shkak ai i ka kryer te dyja veprat penale per te cilat eshte denuar.

Kolegji Penal i Gjykates se Larte, cmon se veprimet e te gjykuarit perbejne figuren e vepres penale te shperdorimit te detyres qe ka sjelle pasoja financiare dhe anomali funksionimi me pasoja te humbjes se besueshmerise se organit te cilin ai ka perfaqesuar, duke tejkaluar te drejtat qe ka patur. Veprimi ne kundershtim me permbushjen e rregullt te detyres konsiston ne faktin se ai, megjithese procedurat e tenderit, me shpalljen e firmes fituese kishin perfunduar, tejkalon kompetencat e tij duke nenshkruar kontraten me ndryshimin e nje elementi sigurie (ne raport me elementet e sigurise per te cilat ishte zhvilluar tenderi), duke i shkaktuar shtetit nje dem prej 582.550 USD. Sjellja e tij ne kete menyre duke anashkaluar ate qe ishte vendosur me pare nga komisioni i ngritur posacerisht per percaktimin e kerkesave lidhur me karakteristikat e kartmonedhave qe do te riprodhoheshin, nuk eshte ushtrim i ligjshem i funksioneve, por eshte shperdorim i tyre. Nese elementi i sigurise se ndryshuar do te ishte i nevojshem, ose jo, kjo ka qene detyra e atij komisioni per ta percaktuar paraprakisht dhe jo pasi eshte perfunduar tenderi e shpallur fituesi me cmimin perkates. Procesi i negocimit te kontrates ka qene i lidhur me percaktimet e te drejtave dhe detyrimeve reciproke te paleve, afatet e levrimit te mallit dhe menyres se pageses, kushteve penale dhe pasojave per mosrealizim te detyrimeve te paleve e te tjera si keto dhe jo ndryshimi thelbesor i patenderuar dhe me pasoje rritjen e vleres se sherbimit te kerkuar ne nje mase aq te konsiderueshme sa perben 1/6 e vete vleres se fitimit te tenderit. Ne qofte se do te pranohej se nje veprim i tille, sikurse pretendohet se eshte ne perputhje me funksionin e zevendes guvernatorit te dyte te bankes, atehere nuk ka qene fare nevoja qe te krijohej komisioni perkates, te zhvillohej tender, te shpallej fituesi i tij pas perfundimit te procedurave nga nje komision i posacem, por te gjitha keto mund te kryeshin nga zevendes guvernatori, gje qe nuk rezulton as nga vendimi i Keshillit Mbikqyres te Bankes, as nga kompetencat qe zevendes guvernatori ka sipas akteve te funksionimit te Bankes se Shqiperise.

Nga ana tjeter, Kolegji Penal cmon se veprimi i te gjykuarit nga pikepamja e anes objektive eshte nje, ai i nenshkrimit te nje kontrate tej vleres se shpallur si oferte fituese. Bazuar mbi kete, cmohet se nuk mund te kete konkurim te figurave te vepres penale te shperdorimit te detyres me ate te shkeljes se barazise se pjesemarresve ne tendera. Kjo, pasi ne shpalljen e fituesit e gjithe procedura eshte zhvilluar ne kushte te barabarta per pjesemarresit nga ana e komisionit te caktuar per kete qellim dhe procesi i tenderimit ka perfunduar me shpalljen e firmes fituese. Palet kane qene ne kushte te barabarta, nuk ka patur asnje objeksion lidhur me zhvillimin e procedurave dhe se ato jane konsideruar si nga Kontrolli i Larte i Shtetit dhe organi i akuzes te kryer ne perputhje me detyrat perkatese. Momenti i kunderligjshem fillon pasi kane perfunduar procedurat dhe shpallur fituesi, atehere kur i gjykuari ne kundershtim me sa eshte perfunduar dhe ne tejkalim te asaj qe eshte shpallur, ka nenshkruar nje kontrate po me ate fitues, por me nje vlere me te madhe. Ne keto kushte, ai ka konsumuar elementet e figures se vepres penale te shperdorimit te detyres dhe jo ate te shkeljes se barazise se pjesmarresve ne tendera, pasi procedura e tenderimit konsiderohet e perfunduar perpara nenshkrimit te kontrates.

Bazuar sa me siper i gjykuari Dhame Pite nuk duhet te pergjigjet per vepren penale te shkeljes se barazise ne tendera te parashikuar nga neni 258 i K.P., por vetem per vepren penale te shperdorimit te detyres, parashikuar nga neni 248 i K.P. dhe per pasoje ne denimin e tij duhet te hiqet pjesa e denimit per vepren penale te shkeljes se barazise te pjesemarresve ne tendera.
PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykates se Larte, mbeshtetur ne nenin 441/b te Kodit te Proçedures Penale,

V E N D O S I

Ndryshimin e vendimit nr.607, date 19.11.2003 te Gjykates se Apelit Tirane persa i perket cilesimit juridik te vepres, duke e deklaruar fajtor te gjykuarin vetem per vepren penale te shperdorimit te detyres. Lenien ne fuqi te vendimit per masen e denimit per kete veper dhe aplikimin e nenit 59 te Kodit Penal.


Tirane, me 16.06.2004
MENDIM I PAKICËS

Kam mendimin se veprimet e kryera nga i gjykuari nuk perbejne figuren e vepres penale te shperdorimit te detyres, parashikuar nga neni 248 te K.P., por ate te shkeljes se barazise se pjesemarresve ne tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i K.P. Duke qene se kjo e fundit eshte nje veper penale e posacme qe lidhet me ushtrimin jo te rregullt te funksioneve nga nje funksionar shteteror apo publik, eshte dispozita e posacme penale ajo qe duhet te aplikohet ne rastin ne fjale.

Ne ceshtjen ne gjykim, eshte pranuar nga te gjitha gjykatat, perfshi edhe Kolegjin Penal, se veprimi ne kundershtim dhe ne tejkalim te detyres se te gjykuarit si zevendes guvernator i dyte i Bankes se Shqiperise, eshte negocimi i termave te tenderuara me fituesin lidhur me elemente te tjera nga ato te vena si kushte teknike per prodhimin e kartmonedhes 1.000 lekeshe, me pasoje, rritjen e vleres se cmimit te ofertes fituese. Ne vetvete, ne procesin e negocimit te kontrates me firmen fituese, nder te tjera, jane negociuar elemente te cilat nuk ju jane parashtruar te gjithe pjesemarresve ne tender. Nuk do kishte asgje te keqe ne kete, por ne te kundert do te ishte e lavderueshme, ne qofte se brenda vleres se cmimit te fituar, ne procesin e negocimit, te arrihej perfundimi i nje kontrate me rritje te cilesise se sherbimit te kerkuar lidhur me prodhimin e kartmonedhes ne kushte dhe parametra me te mira nga ato te kerkuara dhe me pas te ofruara nga shoqeria fituese. Ne te kundert, ndryshimi cilesor i nje elementi sigurie, sikur ka qene ai ne kartmonedhen 1.000 lekeshe, nga “Ovi” ne “Oberseal”, me pasoje rritjen e vleres se cmimit fitues nga 3.229.050 USD ne 3.812.550 USD, eshte nje element i rendesishem cilesor i pa vene ne diskutim dhe i pa nenshtruar si pasoje procedurave te tenderimit.

Mendoj se procesi i tenderimit perfundon me nenshkrimin e kontrates, pavaresisht detyrimit juridiko-civil qe lind me shpalljen e fituesit te tenderit. Ne te gjitha eventualitetet e mundshme, detyrimi perfundimtar per palet dhe te drejtat qe ato i kunder drejtojne njera tjetres jane te lidhura me kontraten e lidhur mes tyre. Po te pranonim te kunderten, se procesi i tenderit ka perfunduar me shpalljen e fituesit, atehere zgjidhja juridiko-civile do te ishte shume e thjeshte. Kontrata e lidhur nga Banka e Shqiperise e perfaqesuar nga i gjykuari me funksionin e zevendes guvernatorit te dyte te saj, me firmen fituese franceze, nuk do kishte efektet dhe pasojat. Si pasoje e ketij arsyetimi, kontrata mund te mos pranohej dhe Banka e Shqiperise nuk do kishte detyrim te paguante vleren e shtuar mbi ate te ofertes fituese dhe firma franceze, nuk ish e detyruar te ofronte ndryshim ne elementin e sigurise te kontraktuar. Mendoj se kjo nuk eshte e bazuar si nga pikepamja civile, ashtu edhe ne vete Rregulloren “Mbi procedurat e tenderimit te fondeve te Bankes se Shqiperise”. Sipas saj rezulton se procedura e tenderimit fillon me vendim-marrjen e zevendes guvernatorit te dyte te Bankes se Shqiperise dhe perfundon me nenshkrimin e kontrates prej tij.

Ndodhur ne keto kushte, kur sipas mendimit te pakices e gjithe procedura e tenderit te kufizuar nderkombetar ka filluar pas urdherit te zevendes guvernatorit per krijimin e komisionit perkates dhe ka mbaruar me nenshkrimin e kontrates ne daten 20.04.2001, mes Bankes se Shqiperise te perfaqesuar nga i gjykuari Dhame Pite dhe firmes franceze “Oberthur”, mendoj se per te gjykuarin ne perfundimet e arritura tej asaj te tenderuar, ekzistojne te gjithe elementet e vepres penale te shkeljes se barazise se pjesemarresve ne tendera, parashikuar nga neni 258 i K.P. Negocimi dhe perfundimi pas saj me firmen fituese i ndryshimit te nje elementi te rendesishem te sigurise ne riprodhimin e kartmonedhes 1000 lekeshe, pa ja ofruar kete me pare te gjithe pjesemarresve ne tender, dhe kjo, me pasoje rritjen me 1/6 e vleres se ofertes fituese, ka sjelle si pasoje shkeljen e barazise se pjesemarresve ne zhvillimin dhe perfundimin e nje procesi tenderimi. Edhe po te shikosh ndertimin e Kodit, ne seksionin e dyte te kreut te tete, jane vendosur veprat penale kunder veprimtarise shteterore te kryera nga punonjes shteterore, ose ne sherbim publik. Ne kete seksion jane percaktuar disa figura te veprave penale, nga te cilat neni 248, shperdorimi i detyres, eshte nje dispozite e pergjithshme qe lidhet me ushtrimin e funksioneve ne menyre jo te rregullt dhe qe sjellin pasoja te renda interesave te ligjshme te shtetasve ose te shtetit nga punonjesit me funksione shteterore apo publike dhe me tej, parashikohen dispozita te posacme te cilat rregullojne mbrojtjen e vecante te marredhenieve shoqerore konkrete nga veprimet e pa rregullta ne kryerjen e detyres nga keta funksionare. Si te tilla jane ato te kryerjes se veprimeve arbitrare, mbajtjes ne burg pa vendim, shkelja e barazise se shtetasve, perfitimi i paligjshem i interesave, shperdorimi i kontributeve te dhena nga shteti, kerkimi per dhenie mite, marrje mite, etj. Keto dispozita, percaktojne si vepra penale veprime te kunderligjshme te zyrtareve ne rrethana dhe kushte te posacme, specifikisht te percaktuara ne ligj. Meqenese veprimet ne kundershtim me permbushjen e rregullt te detyres nga i gjykuari lidhen me shkeljen e barazise se pjesemarresve ne tendera, atehere eshte kjo figura e vepres penale qe mbron marredhenien shoqerore konkrete dhe qe duhet aplikuar ne raport me figuren e pergjithshme te sjelljes ne menyre jo te rregullt me detyren, qe parashikon neni 248 i ketij Kodi. Me percaktimin se kemi te bejme me nje figure te posacme te vepres penale te shperdorimit te detyres, atehere mendoj se duhet te aplikohet ajo dispozite e cila mbron marredhenien konkrete shoqerore te prekur nga veprimtaria e kunderligjshme.

Ne keto kushte, mendimi i pakices eshte se i gjykuari Dhame Pite duhej te ishte denuar vetem per vepren penale te shkeljes se barazise se pjesemarresve ne tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i K.P dhe se vendimi i Gjykates se Apelit Tirane duhej ndryshuar dhe i gjykuari te shpallej i pafajshem per vepren penale te shperdorimit te detyres, parashikuar nga neni 248 i K.P.

Lidhur me sa pranohet nga shumica per efekte te konkurimit te figurave te veprave penale, kam mendimin se percaktimi apriori se demi i shkaktuar eshte 583.550 USD eshte i gabuar. Kjo shume perben cmimin perfundimtar te negociuar dhe nenshkruar, mbi vleren fituese te tenderit dhe qe perfshin permiresimin dhe rritjen e nivelit te sigurise te njeres prej kartmonedhave. Nese vlera reale e sherbimit te ofruar eshte ajo rene dakort dhe nenshkruar apo me e vogel, ka qene detyre e organit te akuzes qe ta provonte. Konsiderimi apriori i shumes prej 583.550 USD si dem ekonomik kur ajo eshte materializuar ne kartmonedhen 1.000 lekeshe me rritjen e elementit te sigurise se saj, mendoj se nuk i pergjigjet faktit dhe eshte i pabazuar.

Sa me siper, duke mos e konsideruar demin ekonomik, ashtu sikurse eshte pranuar nga shumica dhe duke mos patur asnje perfundim nese sherbimi per rritjen e nivelit te sigurise se kartemonedhes 1.000 lekeshe, eshte ofruar apo mund te realizohej me nje cmim me te ulet, mendoj se i gjykuari nuk duhet te deklarohet fajtor per shperdorim te detyres me pasoje demin prej 583.550 USD.


Artan Hoxha

MENDIMI I PAKICËS

I pandehuri eshte akuzuar per shperdorim te detyres dhe shkelje e barazise se pjesemarresve ne tender.

Pakica mbron mendimin se i pandehuri duhet te deklarohet i pafajshem nga akuza ne ngarkim te tij, per arsyet e meposhteme:



  1. Provimi i akuzes duhet te behet nga organi qe e ngre ate, i pandehuri prezumohet i pafajshem perderisa akuza ne ngarkim te tij nuk provohet.

  2. Nga akuza nuk ka dale ndonje fakt qe te fajesoje te pandehurin per veprime te kunderligjshme lidhur me permbushjen e detyres se tij. Ne kete drejtim duhet te kihen parasysh edhe cilesite e veçanta te BSHSH, veprimtaria e se ciles rregullohet me ligj te veçante. Dhe akuza ne drejtim te pandehurit duhej te ballafaqohej me rregullat qe percaktojne keto norma te veçanta.

  3. Element kryesor i fajesise per akuzen ne ngarkim eshte demi. Vete BSHSH ka deklaruar se ne veprimet e te pandehurit asaj nuk i ka ardhur asnje dem. Organi i akuzes nuk ka arritur te provoje te kunderten. Pra i pandehuri duhej te lirohej nga kjo akuze.

  4. Jam plotesisht dakord me mendimin e gjyqtarit Hoxha per lirimin e te pandehurit nga akuza tjeter.

Per arsyet e mesiperme dhe ato te renditura nga gjyqtari Hoxha, jam i mendimit se i pandehuri duhej te deklarohej i pafajshem nga akuza ne ngarkim.
Agron Lamaj


1   ...   28   29   30   31   32   33   34   35   36


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət