Ana səhifə

Nr I vendimit Data palët faqe


Yüklə 0.86 Mb.
səhifə35/36
tarix18.07.2016
ölçüsü0.86 Mb.
1   ...   28   29   30   31   32   33   34   35   36

Nr.370 i Regj.Themeltar

Nr.525 i Vendimit




VENDIM

NË EMER TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Kristaq Ngjela Kryesues

Shpresa Beçaj Anëtare

Vladimir Bineri Anëtar

Artan Hoxha Anëtar

Spiro Spiro Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 27.10.2004, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:

TË PANDEHURIT: NEGLIVAN FEZA, i biri i Demirit, i dtl. 1983, banues në Elbasan, i pa dënuar.

A K U Z U A R:

Për krimin e marrëdhënieve seksuale me të mitur

që nuk ka mbushur moshën 14 vjeç,

parashikuar nga neni 100/I i K.Penal.

Gjykata e shkallës së parë Elbasan, me vendimin nr.218, datë 02.10.2003, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Neglivan Feza për krimin e marrëdhënieve seksuale me të mitur që nuk ka arritur moshën 14 vjeç dhe në zbatim të nenit 100/I te K.Penal, në lidhje me nenet 48/e e 49 të K.Penal, e dënoi atë me 7 (shtatë) vjet burgim.


Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.7, datë 19.01.2004 të saj.
Kundër të dy vendimeve ka paraqitur rekurs, në Gjykatën e Lartë, i gjykuari me të cilin kërkon ndryshimin e tyre përsa i përket masës së dënimit, duke parashtruar shkaqet e mëposhtëme:

- Gjykatat, në caktimin e masës së dënimit, nuk kanë marrë parasysh një sërë rrethanash lehtësonjëse, si: qëndrimin pendues timin gjatë gjithë proçesit; faktin që unë me të dëmtuarën kishim rënë dakort për martesë, martesë që u pengua nga dënimi im; faktin që marrëdhëniet midis familjeve tona janë normalizuar, si dhe faktin që unë vuaj nga zemra, rrethana këto që justifikonin zbatimin e nenit 53 të K.Penal.

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Spiro Spiro, prokurorin Artur Selmani, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit përsa i përket masës së dënimit, mbrojtësin e të gjykuarit avokat Edmond Saliu, i cili kërkoi uljen e masës së dënimit dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,


V Ë R E N

Se vendimet nr.218, datë 02.10.2003 i Gjykatës së shkallës së parë Elbasan dhe nr.7, datë 19.01.2004 i Gjykatës së Apelit Durrës, përsa i përket fajësisë dhe cilësimit ligjor të veprës penale të kryer nga i gjykuari Neglivan Feza, janë të drejta, të bazuara në ligj e në prova dhe si të tillë, në këtë pjesë të tyre, duhet të lihen në fuqi, kurse përsa i përket masës së dënimit që është caktuar për këtë të gjykuar, ato duhet të ndryshohen.

Në këtë përfundim u arrit pasi të dy gjykatat pranojnë të provuar faktin që i gjykuari Neglivan dhe e mitura nën 14 vjeç Nertila Sabriu, kishin rënë dakord që të martoheshin me njëri tjetrin. Pranojnë gjithashtu se, kishin rënë dakord që, natën e datës 25, duke u gdhirë data 26 Prill 2003, e demtuara të dilte nga shtëpia pa dijeninë e prindërve të saj dhe të shkonte me të gjykuarin, sikurse ndodhi në fakt, dhe i gjykuari atë natë kreu me të marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj, veprim ky që, me të drejtë, u cilësua si marrëdhënie seksuale me të miturën nën 14 vjeç, parashikuar si krim nga neni 100/I i K.Penal.

Mirëpo, megjithëse të dy gjykatat pranojnë faktin që në rastin konkret, ekzistojnë disa rrethana lehtësonjëse, në caktimin e masës së dënimit, ato i konsideruan këto rrethana të mjaftueshme vetëm për caktimin ndaj këtij të gjykuari të minimumit të masës së dënimit me burgim që parashikohet në dispozitën e permendur të K.Penal (neni 100/II) për veprën e kryer prej tij.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke patur parasysh që ligjvënësi, në dispozitën e nenit 53 të K.Penal ka parashikuar të drejtën e gjykatës që, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse, çmon se, në rastin konkret ka vend për aplikimin e saj.

Pavarësisht nga fakti që dy gjykatat në vendimet e tyre pranojnë se në çështjen konkrete ekziston rrethana lehtësonjëse e normalizimit të marrëdhënieve midis personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit (neni 48/e i K.Penal), si dhe është përmendur prej tyre edhe dispozita e nenit 49 të K.Penal (pa përmendur shprehimisht edhe rrethanat e tjera që ato i konsideruan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit), gjatë shqyrtimit të akteve që ndodhen në dosje, ky Kolegj konstatoi se rrethana të tilla janë: paraqitja e të gjykuarit Neglivan në organet e policisë disa orë pas kryerjes së veprës, pendimi i thellë i tij që në fillim të procedimit penal, si dhe gjëndja shëndetësore jo e mirë e tij (rezulton i kartelizuar për sëmundje kardiake qe në vitin 1977), rrethana këto që justifikojnë zbatimin e dispozitës së nenit 53 të K.Penal.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 441/a dhe b të K.Pr.Penale,

V E N D O S I


Lënien në fuqi të vendimit nr.218, datë 02.10.2003, të Gjykatës së shkallës së parë Elbasan dhe vendimit nr.7, datë 19.01.2004, të Gjykatës së Apelit Durrës, përsa i përket deklarimit fajtor dhe cilësimit ligjor të veprës për të gjykuarin Neglivan Feza.


Ndryshimin e vendimeve nr.218, datë 02.10.2003 të Gjykatës së shkallës së parë Elbasan dhe nr.7, datë 19.01.2004 të Gjykatës së Apelit Durrës, përsa i përket masës së dënimit dhe në zbatim të nenit 100/I të K.Penal, në lidhje me nenet 48/ç, dh, e, 49 dhe 53 të K.Penal, dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Tirane, më 27.10.2004

Nr. 380 i Regj.Themeltar

Nr. 526 i Vendimit




VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Kristaq Ngjela Kryesues

Shpresa Beçaj Anëtare

Vladimir Bineri Anëtar

Artan Hoxha Anëtar

Spiro Spiro Anëtar
ne seancën gjyqësore të datës 27.10.2004 mori në shqyrtim çështjen penale, që i përket:
TË PANDEHURIT: LLAZAR LEÇO, i biri i Lamit, i datl. 1960, banues nё Fier, i padёnuar.

A K U Z U A R:

Për krimet e vrasjes me dashje

dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake,

parashikuar përkatësisht nga nenet 76 e 278/II të K.Penal.

Gjykata e shkallës së parë Fier, me vendimin nr.209, datë 29.09.2003, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Llazar Leço, për krimin e vrasjes me dashje dhe, duke zbatuar nenin 76 të K.Penal, e dënoi atë me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.

Në bazë të nenit 387/I të K.Pr.Penale dhe të ligjit nr.8202, datë 27.03.1997 "Për amnistine", pushimin e cështjes penale për krimin e parashikuar nga neni 278/II i K.Penal.


Gjykata e Apelit Vlore, me vendimin nr.371 Akti, date 03.11.2003, vendosi:

Prishjen e vendimit të mësipërm dhe pushimin e cështjes.


Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, prokurori pranë gjykatës së apelit, me të cilin kërkon prishjen e tij dhe kthimin e akteve për rishqyrtim ne gjykaten e apelit me trup gjykues tjetër, duke parashtruar shkaqet e mëposhtëme:

- Është e vërtetë se vendimi i shfuqizimit të vendimit të pushimit datë 09.05.2002, i prokurorit të rrethit Ilirjan Muho, është marrë në kundërshtim me ligjin procedural, por gjykata e apelit, pas konstatimit të kësaj shkeljeje, duhej të vendoste prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e akteve në po atë gjykatë, me orientim që në rishqyrtim, bazuar në nenin 377 të K.Pr.Penale, të kërkohet tërheqja e akuzës, për t'iu dhënë mundësia ligjore Prokurorit të Përgjithshëm të vendoste për shfuqizimin e vendimit të pushimit datë 20.07.1997 dhe të vazhdonte hetimet e këtij procedimi.

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Spiro Spiro, prokurorin Bujar Sheshi, i cili kërkoi pranimin e rekursit, mbrojtësin e të pandehurit Av. Saimir Vishaj, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N

Gjatë shqyrtimit të akteve që ndodhen në fashikullin e procedimit penal që i përket të pandehurit Llazar Leço, u konstatua se, me 15.11.1993, ne fshatin Dërmenas të rrethit Fier, është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Mernica.

Po atë ditë nga prokurori i rrethit Qydret Kadia është filluar çështja penale për krimin e parashikuar nga neni 84/"a" i K.Penal të vitit 1977, e cila, pasi u kryen disa veprime hetimore, më 29.12.1993, u pezullua për shkak të largimit dhe mosgjetjes së autorit të vepres penale - Llazar Leço.

Vendimi i pezullimit të çështjes është marrë nga hetuesi Nexhip Sinani dhe u miratua nga prokurori i rrethit Qydret Kadia.

Me 29.08.1996, kjo çështje është rifilluar me vendim të prokurorit pranё asaj prokurorie Nebi Shkembi dhe pa u kryer asnjë veprim hetimor, më 20.09.1997, u vendos pushimi i saj me arsyetimin se nuk provohet që vepra të jetë kryer nga Llazar Leço.

Ky vendim pushimi është përpiluar në emër të prokurorit të rrethit Arben Osmanllari dhe nenshkruar jo prej tij, por nga një person tjeter, i cili, sipas parashtrimeve të përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme në seancën dëgjimore zhvilluar në Gjykatën e Lartë, ishte zëvëndësi i tij.

Në po atë datë, në emër të prokurorit të rrethit, nёnshkruar nga zëvëndësi i tij në bazë të nenit 326 të K.Pr.Penale, u vendos edhe pezullimi i hetimeve për këtë çështje penale.
Ky vendim u shfuqizua me 06.07.2001 nga Ilirjan Muho-Prokurori i Rrethit Fier dhe, po nga ky i fundit, me 09.05.2002 u shfuqizua dhe vendimi datë 20.09.2002, për pushimin e çështjes dhe po në atë datë, nga ana e prokurorit Nebi Shkëmbi, është marrë vendim për dërgimin nё gjyq tё çështjes në ngarkim të të pandehurit Llazar Leço (akuzuar për krimet e parashikuara nga neni 76 e 278/II të K.Penal).

Gjykata e shkallës së parë Fier, me vendimin nr.209, datë 29.09.2003, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Llazar Leço, për krimin e vrasjes me dashje dhe, duke zbatuar nenin 76 të K.Penal, e dënoi atë me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim, kurse në zbatim të ligjit 8202, datë 27.03.1997 "Për amnistine", vendosi pushimin e çështjes penale për krimin e parashikuar nga neni 278/II i K.Penal.

Gjykata e Apelit Vlorë, e cila shqyrtoi çështjen mbi ankimin e mbrojtesit të të pandehurit, me vendimin nr.371 akti, datë 03.11.1003, vendosi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes me arsyetimin se, vendimi datë 09.05.2002, për shfuqizimin e vendimit të pushimit datë 20.09.1997 është marrë në kundërshtim me dispozitat që lidhen me të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe si i tille, sipas nenit 128 të K.Pr.Penale, ai është akt absolutisht i pavlefshem.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se, me të drejtë, këtë arsyetim gjykata e apelit e ka bazuar në përmbajtjen e nenit 24/2 dhe 5 të K.Pr.Penale sipas të cilit urdhёrat dhe udhёzimet e prokurorit më të lartë janë të detyrueshme për prokurorin më të ulët (pika 4) dhe prokurori më i lartë ka të drejtë të vendos ndryshimin ose shfuqizimin e vendimeve të marra nga prokurori më i ulët (pika 5), interpretuar edhe në vendimin Unifikues nr.4, datë 14.10.2002, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Sipas ketij vendimi prokurori më i lartë edhe në rastet e shfuqizimit ose ndryshimit të vendimeve të pushimit të çështjeve penale është Prokurori i Përgjithshëm dhe këtë të drejtë e ka vetëm ky i fundit, kurse prokurorët e tjerë, përfshirë edhe ata prane Prokurorisë së Përgjithshme, mund të marrin vendime të kësaj natyre, vetëm me autorizim të posaçëm te tij, autorizim me të cilin, sikurse del nga aktet, nuk ishte i pajisur prokurori i rrethit Fier Ilirjan Muho, as zëvëndësi i tij, i cili ka nënëshkruar vendimin e shfuqizimit të pushimit. Të dy këta subjekte (prokurorët Arben Osmanllari e Ilirjan Muho) ishin të një rangu kështu që, duke patur parasysh sa u parashtruan më lartё, të dytit nuk i lindte e drejta për shfuqizimin e vendimit të marrë nga i pari.

Përsa i përket pretendimit të mbrojtësit të të pandehurit, sipas të cilit vendimi datë 09.05.2002, përpiluar në emër të prokurorit të rrethit Ilirjan Muho nuk është nënshkruar nga ai, por prej zëvëndësit të tij, Kolegji e gjen të pabazuar atё, pasi përderisa nga aktet që ndodhen në dosje nuk rezulton ndonjë kontestim për delegimin e kompetencave nga titullari i asaj prokurorie tek zëvëndësi i tij, prezumohet e drejta e këtij të fundit për të nënshkruar akte procedurale, sikurse është edhe vendimi i pushimit të cështjes penale, në emër dhe për llogari të të parit.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbeshtetur në nenin 441/"a" të K.Pr.Penale,

V E N D O S I

Lënien në fuqi të vendimit nr.371, datë 10.12.2003, të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tirane, me 27.10.2004

1   ...   28   29   30   31   32   33   34   35   36


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət