Ana səhifə

Kujtesa, kjo mrekulli njerëzore!


Yüklə 158.5 Kb.
səhifə2/4
tarix26.06.2016
ölçüsü158.5 Kb.
1   2   3   4

Projekte dhe investime të bashkisë Berat për vitin 2006

Ditën e enjte, më 29 qershor 2006, në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak, kryetari i bashkisë Berat, z. Fadil Nasufi, në prani të nënkryetarëve, z. Fatmir Shehu dhe Stavër Ceca, dhe të gazetarëve dhe të dy mediave vizive, zhvilloi një konferencë shtypi për të parashtruar projektet dhe investimet e bashkisë për vitin 2006.

Në fjalën e tij ai theksoi punën e mirë që ka bërë dhe bën stafi i bashkisë për hartimin e projekteve dhe zbatimin e tyre.

Që nga viti 2001 bashkia Berat ka 11 projekte dhe vazhdon punën për zbatimin e tyre. Midis këtyre projekteve mund të përmendim: argjinaturën mbrojtëse të lumit Osum; sistemimin dhe asfaltimin e dsa rrugëve në pika të ndryshme të qytetit; ndërtimin e tregut të fruta-perimeve në lagjen “Çelepias”; hartimin e planit të përgjithshëm urbanistik të qytetit; rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në segmentin rrugor shkolla “Zihni Toska”-Ara e Kullaut etj.

Ndërsa bashkia ka gati 38 projekte të tjera që presin financimin e tyre. Disa nga më të rëndësishmet janë: ndërtimi i urës së re mbi lumin Osum dhe i rrugës lidhëse me të, sistemim i ujërave sipërfaqësore në lagjen “Çlirim”, rehabilitim i infrastukturës në hyrje të qytetit, sistemin e asfaltim i disa rrugëve të reja në lagje të ndryshme të qytetit, ndriçimi i lagjes Mangalem, rikonstruksione të disa shkollave, ndërtimi i tregut unik industrial në qytet, rikonstruksioni i bibliotekës “Vexhi Buharaja”, rikonstruksioni i kinemasë; studime urbanistike për qendrën e qytetit etj. Të gjitha këto projekte kapin shumën 1 536 611 186 lekësh.

Për këto projekte, tha kryetari i bashkisë, pritet aprovimi i fondeve nga qeveria ose lëvrimi i tyre si edhe nga donacionet e huaja.

“Bashkinë Berat e kanë kritikuar për mungesë projektesh,- theksoi kryetari,- por, këto kritika nuk qëndrojnë. Ne i kemi gati projektet. Se stafi i bashkisë punon me përkushtim. Nuk na thyejnë keqdashjet e ndonjë gazetari. Ne kërkojmë një bashkëpunim më të fortë bashki-prefekturë, që deri më sot e kemi për t’u lavdëruar, por duhet ta kemi po në këtë nivel edhe bashkëpunimin me pushtetin qendror.”

Në fund gazetarët ngritën nevojën e më shumë konferencave për shtyp, që të informohen qytetarët më mirë, kërkuan të dinin për punën që po bën bashkia për rregullimin e rrugëve të lëna hapur nga ndërmarrja e që punon për KESH-in, për domosdoshmërinë e përgjigjeve zyrtare për vërejtjet që bëhen në media, për domosdoshmërinë e prishjes së digës që të rregullohet shtrati iumit Osum etj.



Lajmëtari
Shqipëri: ERT urdhëron firmat AMC dhe Vodafone për tarifa celulare sa mesatarja europiane

Enti Rregullator i Tele-komunikacioneve (ERT) bëri të ditur sot se tarifat e reja të telefonisë celulare për vitin 2006 janë sa mesatarja e tarifave europiane. ERT u detyrua të nxjerrë një urdhër mbi tarifat e reja të interkonjeksionit për kompanitë e telefonave celularë Vodafone dhe AMC, pas dështimit të negociatave të tyre me kompaninë shtetërore të telefonisë fikse, Albtelekom.

Në përpjekjet për të ulur tarifat e celularëve u përfshi disa javë më parë edhe Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC), bashkimi më i madh i organizatave jo-qeveritare. ACAC dhe disa media vendore pohuan se kishin gjetur disa shkelje në veprimtarinë e 2 kompanive celulare, të cilat zbatonin në Shqipëri çmimet më të larta në Europë. ERT publikoi sot urdhrin për uljen e disa tarifave të telefonisë celulare, pas dështimit të negociatave mes Albtelekom dhe Vodafone e AMC.
Drejtori ekzekutiv i ERT, Hydajet Kopani, thotë se me këtë urdhër që del për herë të parë synohet barazia midis operatorëve në treg si dhe ulja e tarifave për përdoruesit e shërbimeve telefonike.

“Tarifat për shërbimet e telefonisë së lëvizshme të Shqipërisë janë më të larta krahasuar me tarifat e njëjta të vendeve të tjera. Ndërsa niveli i përdorimit të telefonisë së lëvizshme, si ata me kontratë ashtu edhe ata me parapagim, është më i ulët se në vendet e tjera”.

Zyrtarët e ERT-se pohuan se në periudha të mëparshme të dy kompanitë e telefonisë celulare kanë arritur me Albtelekomin marrëveshje anormale si ato në vitin 2000; në mesin e vitit 2004 ERT ndërhyri për t’i anulluar dhe korigjuar marrëveshjet e konjeksionit, ndërsa tani dështuan negociatat me Albtelekomin për marrëveshje të re, derisa u arrit tek ky urdhër që parashiko n tarifa sa mesatarja europiane.



“Marrëveshjet e mëparshme të interkonjeksionit, vecanërisht ato të vitit 2000, janë përkufizuar si marrëveshje jonormale në tregun e telekomunikacionit. Ne mendojmë se në ecurinë e mëtejshme, me urdhrin përkatës krijohen kushtet për një barazi mes operatorëve në respekt të lojës së tregut”.

Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC) ka vërejtur një seri shkeljesh ligjore në marrëdhëniet midis dy kompanive të telefonisë celulare AMC e Vodafone dhe shtetit shqiptar e Albtelekom. Koalicioni ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit dhe të ERT për të shmangur shkeljet e mëparshme në marrëveshjet e interkonjeksionit, si dhe fillimin sa më parë nga puna të kompanisë së tretë të telefonisë celulare Eaglemobile, një licensë kjo që e zotëron Albtelekom, për të bërë të mundur uljen e cmimeve të celularëve në Shqipëri, të cilët vlerëoshen si ndër më të lartët në rajon dhe në Europë.//ii



VOA
Përshëndetje
Emri: Enriketa Kalldremxhiu Barbey

Email: kalldrem@yahoo.com

Mesazhi: U desh siti personal i Kastriot Dervishit me lidhjen (link) drejt gazetës suaj në linjë, që të bie në kontakt me \”copërat\” e jetës së qytetit tim të lindjes. Shumë i rëndësishëm ky kontakt, sidomos për ne, të \”ikurit e përjetshëm nga atdheu\”. Të jesh në dy (ose më shumë) vende në të njëjtën kohë, këtë e bën të mundur interneti sot.

Bravo për \”interface\” (nuk e di fjalën shqipe, fenomen i ri, fjalë e re) të sitit tuaj, por sidomos për fenomenin e fundit, formatin PDF të gazetës; kështu gazetën e kemi në dorë dhe e shfletojmë si ta duam.

Përgëzoj intelektualët (miqtë e mi që i kujtoj gjithmonë) për kurajon e lartë

qytetare dhe angazhimin me opinionet dhe sugjerimet e tyre.


Përshëndetje dhe mall

Enriketa Kalldremxhiu Barbey (ose Keti, për ata që më njohin me kete emer)


Emri: Elvis Ikonomi

Email: elvisikonomi@hotmail.com

Mesazhi: PO kerkoja ne net per informacione mbi Beratin.

Ne fakt kam kohe qe kerkoj,por nuk gjeja ndonje gje interesante,vec fotove te ndryshme,te cilat qarkullonin ndjeshem,pasi nuk do kishte mundesi mos te kishte as foto te Beratit :)

Por tashme gjeta kete faqen Lajmetari e bej cudi si nuk e kisha pare me pare.

Po shifja ketu dhe nje foto te babit tim Virgjil Ikonomi duke arbitruar aty edhe une ne ate kohe kam qene i vogel e me duken me gjithe mend interesante lajmet tuaja.

Gjithashtu pash edhe per artiste beratas,piktore e skulptore te ndryshem si Dhimiter Buda,Sotir Capo,Polovina,Dervishi etj.

Mungonin informacione per Agron Bregun,por ndoshta ngaqe ai nuk ka qene shume ne

Shqiperi.

Megjithate ju falenderoj e ju uroj suksese te metejeshme..


Elvis Ikonomi
Sa lekë na merr bashkia si taksa dhe sa kthen si investime

Dihet që në ekonominë e tregut asnjë punë nuk bëhet pa paguar taksën përkatëse. Dhe kjo është e drejtë, sepse kudo në botë shteti me taksat që vë dhe mbledh, mbahet. Shteti taksat që mbledh ua kthen përsëri qytetarëve në formë investimesh, jo vetëm kaq, por duke filluar që nga rroga mujore e presidentit, kryeministrit, ministrave e deputetëve, që i paguajmë që të nxjerrin ligje e jo të bojkotojnë kuvendin e deri te ushtarët që janë në shtetet e tjera, ku është prezente NATO-ja dhe pensioent tona, të tëra nga taksat paguhen. Bukuri! Le të shohim se çfarë taksash i paguajmë bashkisë. Nuk dua të bëj ekspertin, sepse nuk jam i tillë, por do të rendis një sërë taksash që e di që paguajmë kudo që shkojmë, për të kryer një punë a një hall. Mund të jenë më shumë, më pak jo që jo, por dhe me kaq sa do të rendis në këtë krim, gjithkush mund të krijojë një ide se sa lekë paguajmë që të na i kthejnë të paktën si investime, nuk po themi që të na i kthejnë si paga pensionesh, që sado që janë përmirësuar e po përmirësohen, prapë se prapë nuk të sigurojnë një jetë normale e pa telashe. Nga eksperienca ime, duke bredhur nëpër zyrat e shtetit, di që paguajmë këto taksa, po i rendis ashtu si më kujtohen e jo sipas rëndësisë apo shumës që paguajmë: taksë për qarkullim rrugor (taskë që paguajnë tërë ata që përdorin automjete, qoftë private apo shtetërore), taksë për aparatet e TV-ve, taksë për veprime gjyqësore e hipotekore, taksë për dëshmi aftësie për përdorim automjeti, taksë pulle e taksë mbi aktet, taksë për pajisjet me pasaportë, taksë për regjistrimin e automjeteve, taksë për persona me pagë mbi 10 000 lekë, taksë solidariteti për persona që kanë pagë mbi 10 000 lekë, taksë për tregtarët e pakicës që kanë aktivitet të lëvizshëm, taksë për siguracionin e automjetit, taksë kualidimi, taksë për njohje të aktivitetit nga gjykata. E kush e di se sa taksa të tjera mund të ketë që unë ose ne, nuk i dimë, megjithë këtë dhe kaq sa kam renditur unë, nuk janë pak. Mbase që nga viti 2000 e deri më 2005 mund të jenë shtuar dhe taksa të tjera. Të tëra këto taksa, po t’i shumëzosh me sasinë e njerëzve ose të dokumenteve që lëshohen, bëjnë goxha shuma të mëdha. Po si na kthehen këto shuma ne, qytetarëve, që i kemi paguar vetë? Këto, duhet të kthehen në formë rrugësh të ndërtuara. Vërtetë që janë ndërtuar dhe rrugë, por po të shikoni cilësinë e ndërtimit të tyre, kuptohet lehtë se sa nga shuma e taksave është kthyer në asfaltobeton e sa ka përfunduar në xhepat e atyre që i kollondrisin këto taksa. Këto taksa duhet të kthehen në formë lulishtesh e trotuaresh. Vërtetë që dhe janë bërë, por po të shikosh se si janë bërë të vjen për të qarë, kur mendon se vetëm për zgjedhjet që ikën u dhanë gati një miliard lekë për rrugë e lulishte, por që u ndanë për të blerë vota gjoja për “punëtorët e lulishteve” që në fakt ishin militantët që hiqnin gurët e vaditnin tokën djerrë e të pambjellë. Këto taksa, duhet të ktheheshin si rritje pensionesh për të gjithë ata që kishin kontribuar në ndërtimin e “socializmit”, por i morën vetëm “veteranët” fallco, që gjoja kishin luftuar kundër armikut, kur në fakt ishin 10-12 vjeçarë, për të mos thënë më të vegjël. I morën “familjet” e dëshmorëve, kur në fakt i rëni për liri, nuk kishte më as baba, as nënë, as bir e bija, por ndonjë kushëri në mos, ndonjë vëlla të punësuar që merrte në shtet 400-500 mijë lekë e në mos më shumë. Hallall do t’i kishin pridnërit lekët e fëmiëjve të tyre që dhanë jetë për lirinë e atdheut. Hallall do t’i kishin dhe fëmijët e tyre, po të ishin akoma nxënës në unversitet, e ishin të padalë në jetë. Por, kur nuk ke prindër, kur nuk ke fëmijë, apo i ke të rritur e të punëuar, marrja e “thelës” mbi bisht, nuk është më shpërblim, por më e pakta mund të quhet blerje vote me para, për të mos thënë është vjedhje. Është e udhës që KLSH, duhet të kontrollojë, jo ashtu shkel e shko, por me lente, vperimtarinë financiare të bashkisë, sidomos të asaj bashkie kur drjetonte një kryetar, që dikur mua më hodhi në gjyq për një shkrim ku e denoncoja sipas të dhënave të kontrollit financiar që i kishte bërë prefektura në vitin 2003, sepse kishte shpërdoruar jo pak, por 81 milionë lekë të vjetër, por që nuk i hyri as gjemb e as ferrë, se nuk i lejonte kryehajduti dhe partia që të “ofendoheshin” kuadrot, kur të tërë e kudo e kishin kthyer vjedhjen në sistem. Tani kreu i partisë socialsite, por dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, po ulërin se do të luftojë korrupsionin kur të vijë në pushtet (në fakt do të vijë më 36 gusht kur të qethen viçat e KMY-së). E pra, tërë këto taksa që kemi paguar për tërë këto vite që kanë drejtuar socialistët, po të na ishin kthyer në investime, rrugët e trotuaret nuk do të ishin këto. Shkollat e kopshtet nuk do të ishin në këtë gjendje. Palestrat e sporteve nuk do ishin katandisur në stalla ku dhe kafshët nuk mund të rrinë, që stadiumi i vjetër dhe ai i riu, do të ishin vendet më të bukura të qytetit, ku të dërgonim vizitorët t’i shikonin. Po t’i ishin kthyer taksat tona në formë investiemsh, nuk do të ishte djegur biblioteka, nuk do të rrezikohej ura (që rrezikohet akoma edhe sot që të shembet). E çfarë nuk do të ishte bërë po qe se taksat e qytetarëve, do të kollondriseshin si të ishin të ardhurat personale nga paga mujore personale. Por, po u panë siç janë parë deri më sot taksat si mjete për t’i përvehtësuar, nuk kemi për ta patur kurrë qytetin ashtu siç e duan qytetarët e tij, që paguajnë për këtë. Të shpresojmë se në të ardhmen ata që do t’i kenë në dorë taksat tona, do të dinë t’i kollondrisin si nikoqirë që u dhimbset çdo qindarkë që del nga xhepi i popullit fukara.

Bujar Orizaj



Që policin ta quajmë shok, mik, prind e vëlla

Shkak për këtë shkrim u bë ngjarja tragjike e ndodhur në Pirg të Korçës. Një fëmijë, një adoleshent, një nxënës 18-vjeçar akuzohej për një vjedhje. E thërrasin në polici, e pyesin, thonë se e torturojnë, e lëshojnë, por e urdhërojnë që të paraqitet përsëri në atë zyrë, ku e akuzuan, ku e “torturuan”, e kemi vënë nën thonjëza se nuk e dimë me siguri, por që e kanë traumatizuar psikologjikisht. Kjo kuptohet dhe djali nuk rezistoi dot dhe u vetëvar. Kush fitoi në këtë mes? Mos vallë me këtë vetëvarje u sosën hajdutët e Pirgut e të Shqipërisë? Ç’është gjithë ky zell për të detyruar një adoleshent të pranojë një vjedhje duke përdorur dhunën! A e nderon policinë tonë një ngjarje e tillë? Kurrësesi jo! U vetëvar një fëmijë se na paska shkelur ligjin?! Kë ligj?! Atë që është kthyer në një rrjetë si pezhizhka e merimangës që kap e ndalon vetëm miza e mushkonja të vogla, ndërsa ato me peshë të madhe e shqyejnë dhe e bëjnë copë rrjetën e ligjit, e dalin matanë e nuk i kap kush? Ç’bëri ky fëmijë? Vodhi si dikur Raxh Kapuri një bukë, a nëj thes me miell. Përse i vodhi? Sepse nëna e babai nuk kanë me se t’i blejnë. Po a bëri mirë? Jo, aspak nuk bëri mirë! Po a duhej të “vritej” për këtë vjedhje të paprovuar akoma, por që ia kishin nxjerrë pohimin si dikur që pranonin se ishin armiq të partisë e që donin të sillnin këtu Amerikën e të vritnin shokun Enver?! E nuk është çudi, që dhe sot përdoren të tilla metoda, sepse në polici ka akoma nga bijtë e nipërit e atyre që t’i nxirrnin deponimet duke të shkulur thonjtë e këmbëve. Që të bënin të pranoje se kishe qenë agjent i njëqind agjenturave, sepse nuk i rezistoje dot drurit e metodave të dinastisë “Min” të Kinës “motër”, që i kishte përdorur 1000 vjet përpara. E pra, kush duhet të jetë polic, e si duhet të jetë polici? Në radhë të parë të jetë i shkolluar. Të mos ketë hyrë në polici se ishte pa punë në qytet mbasi erdhi nga fshati. Të jetë polic ai që e mendon veten vëlla e prind të çdo qytetari. Që kur ndalon një njeri, të mos mendojë se ai mund të bëjë ç’të dojë me të: ta rrahë, ta torturojë, ta tmerrojë, ta detyrojë me çdo mënyrë të pranojë fajin që dhe nuk mund ta ketë bërë, por, dhe nëse ka vrarë një, dy, tre apo katër vetë, ka vjedhur një bankë të tërë, ka trafikuar jo një, por dhjetë e njëqind vajza rrugëve të Evropës, polici nuk ka të drejtë ta rrahë e ta mundojë. Me të ka punë vetëm ligji dhe ligjin e vendos gjykata e jo polici. Ndihem i lumtur që në qytetin tonë, në komisariatin tonë nuk kanë ndodhur gjëra të tilla. Kjo tregon se ata që punojnë në polici e kanë kuptuar detyrën dhe e dinë se sa të gjatë e kanë jorganin për t’i shtrirë këmbët. Dhe në të ardhmen duhet që të shohim te polici njeriun që mbron qytetarin dhe që zbaton ligjin. Vetëm duke zbatuar ligjin e duke u sjellë me të ndaluarin me qytetari dhe kur ai është fajtor dhe kur të ka munduar e lodhur deri sa e ke kapur, aty, te ndalimi dhe shoqërimi i tij në polici, aty mbaron detyra e policit. Shfrim urrejtje e dufi nuk ka pse bëhet mbi të ndaluarin. Po qe se do të jetë njohës, mbrojtës dhe zatues i ligjit, vetëm atëherë ai do të shtojë respektin për armën së cilës i shërben dhe do të shtojë dhe dëshirën për të punuar në polici dhe djem e vajza nga qyteti, pasi mbarojnë shkollën e mesme. Të mos harrojmë se përballja me policinë është përballja e parë që ka çdo qytetar me përfaqësuesin e shtetit. Vetëvarja e atij adoleshentit në Pirg të Korçës, duhet të vërë në mendime tërë strukturat e policisë. Ato, të parat duhet të nxjerrin mësime nga kjo tragjedi dhe sikur vërtetë i vetëvaruri të ketë qenë fajtor, nuk i lejohet kërkujt të sillet në mënyrë të egër e të jashtëligjshme. Të mos harrojë kërrkush, në polici e prokurori je vetëm për t’u pyetur. Po a e di policia një gjë të tillë? Me siguri që po. Atëherë përse nuk e zbaton një gjë të tillë? Kur ajo që është mbrojtësja e ligjit nuk e zbaton atë, atëherë nuk ka të drejtë të kërkojë nga qytetarët që ta zbatojnë ligjin. Urojmë që policia jonë të mos ketë ngjarje të tilla të jashtëzakonshme.

Bujar Orizaj



Mendim qytetar

Kush duhet të jetë kryetari ynë i bashkisë?

Është shtruar kjo temë për diskutim në faqet e gazetës sonë. Është gjë vërtetë e mirë që të shtrohen mendimet që më parë se vetëm kështu do të mund të arrijë në përfundime të drejta qytetari i thjeshtë. Persoant e paraqitur në prag fushate mbyten e fryhen nga tollombacet e fushatës sa nuk mund të kuptojë kush se sa të vërteta ka aty dhe sa fryrje ka.

Jam tërësisht i një mendimi me mikun tim Bujar Orizaj, por pa fyer askënd unë kam mendimin se duhet kërkuar më thellë në civinë e individit. Do të ishte e mirë që të ishte familje intelektuali. Ne e dimë të gjithë se si partia komuniste të mirë dhe të ndershëm quajti veëm familjet e zbatharakëve, qymyrxhinjve, muratorëve dhe barinjëve dhe të gjithë të tjerët fisnikër dhe të shkolluar i quajti të pamoralshëm dhe i futi të hapin kanale me soj e sorollop. Mendoj se duhet hedhur shikimi tek familje me brezni intelektualësh duke mos deniguar mendimin brenda idesë se nga familje të tjera nuk dalin elementë të ndershëm dhe të përkushtuar. Dihet nga të gjithë se biri i një qerrexhiu apo karrocieri që në fëmininë e tij do të dëgjojë vetëm fjalët “miza në bythë të kalit”, apo banalitete të tjera që mund të kalojnë nëpër gojë individë të kësaj kategorie.

Sado i ndershëm të jetë ai karrocieri, i biri do të dijë të bëjë mirë vetëm atë që bënë dhe miza. Qytetaria beratase me zgjedhjen e vet, duhet të fisnikërojë postin e drejtuesit të bashkisë me një pinjoll të qytetarisë, fisnikërisë dhe inteligjencës beratase dhe të tillë ka.

Përsëri i mëshoj mendimit të mikut tim parashkrues se personi i përcaktuar në atë post duhet të jetë patjetër banor i qytetit të lashtë.

Unë ngulmoj tek pinjollët e fisnikërisë beratase, mbasi fisniku nuk mund të bjerë në batakun e korrupsionit e të imoralitetit. Atë nuk do ta lërë zëri i të parëve të tij të futet ndër lojëra mafiozësh. Këto vese shfaqen si fenomene të kultivuara nga fshatarët, të cilët që nga koha e komunizmit i mësuan mjekët me qengja apo gica, kur s’kishte mish gjëkundi, i mësuan msuesit të rrisnin notën e fëmijës me disa kokrra vezë kur vezë nuk kishte gjëkundi. Sado të shkolluar të jenë fshatarët, ata rrugët e karrierës nuk i mbështetin në kapacitete intelektuale, por lidhje miqsh e shokësh dhe persosnash.... për ta blerë vendin e kërkuar me çmimin e një llogarie prej çifuti. Të gjitha këto të zhveshura nga virtytet e trashëguara nga fisnikëria. Pikërisht duke mos patur parasysh këto gjëra, deri tani në bashkinë tonë kanë drejtuar më së shumti përfaqësues partiakë se sa përfaqësues të qytetarisë. Në Lyon të Francës konstatova një gjë tepër interesante: I pari qytetar nderi i Lyonit ishte një bukëpjekës dhe më pas vinin figura artistash a intelektualësh, por kryetarët e bashkisë gjithë herave kishin qenë familje intelektualësh. Ndërsa unë pyesja se çfarë politike përfaqësonin? Ai që më shoqëronte m’u përgjigj se aty nuk kishte shumë rëndësi forca politike që e përzgjidhte. Në këtë aspekt unë kam mendimin se ai që do të zërë atë vend të jetë tërësisht i djathtë. Jo i djathtë pse e propozon PD-ja, e cila e quan veten e djathtë në mendime, por që t’i përkasë shtresës së djathtë në mendime, në aspirata e përkushtim. E kërkoj këtë mbasi ka qytetarë që janë zhgënjyer tërësisht nga mohimi i pronave. Ata ende nuk kanë një rreze shprese se do të marrin apo do të mund të kompensohen diku me sipërfaqet e humbura të banesave apo dyqaneve të trashëguara nga të parët me dokumente të sakta, por që ato nuk besojnë sa do ta ndiejnë veten pronar. Duke qenë i zgjedhuri i bashkisë nga një shtresë do të mund të hapë derën e shpresës për këto familje të mashtruara deri tani edhe pse këto probleme janë problemet e gjyaktave, por një pushtetar vendor i përkushtuar për ndershmëri nuk do t’i lërë gjykatat të vjelin lekë në gjykime të padrejta e korruptive. Mbetem me shpresë se lexuesi do të më kuptojë.

Luftar Spahiu

Përralla me Mbret

“Përralla me Mbret” ishte emisioni i organizuar prej disa jave nga “Vizioni Plus” i Tiranës, i cili zbriti në akropolin e Kalasë së Beratit për të zhvilluar finalen e madhe. Skena ishte përgatitur që të kuptonim kohën e luftrave të Skënderbeut, ushtarët me veshje karakteristike të asaj kohe, me heshta, ushta, topuza etj. Ushtarët e ardhur nga Tirana në Berat, kishin fituar titujt mbret, mbretëreshë, princ, por finalja këtu do të nxirrte perandorin. Ata zhvilluan lodra të tilla, si atë të forcës, si tërheqja e litarit, shtrëngim i duarve, përkulja e tyre, për reezistencën e muskujve, gjuatësit në portë etj. Më interesante dhe me ankth u loz loja e kësulkuqes me symbyllur, me konkurencë midis çifteve të vajzave dhe djemve. Çdo çifti fitues i jepej një qese me 10 napolona (artificiale). Këto napolona i konvertonin me pikë. Këto pikë i kalonin princërve për të marrë titullin e madh. Konkursi po kalonte faza interesante me brohoritje, me entuziasëm, në fund të fundit konkursi u përqendrua tek Gjergji-Eorda, të cilët ishin me pikë pothuaj të barabarta.

Në mes të kësaj atmosfere përshëndetën nxënësit e shkollës jopublike “Irfan Ngjeqari” me një buqetë këngësh e vallesh, si vallja e maceve, vallja e patave, kërcimi i 4-stinëve me muzikë të Vivaldit, kolazh këngësh popullore beratase etj.

Në këto veprimtari u dalluan, Ina Mbjeshova, Dorisa Pire, Faiken Mersini, Anxhela Bendi, Sonja Hoxha, Andi Çobanaqi, Enisa Pulake, Julka, Rezina etj.

Ideja dhe udhëheqësja artistike e këtij aktiviteti ishte nga e apasionuara Valbona Mersini

me pikturat e realizuara nga Lumturi Goxhomani, me stilisten Fatbardha Bakia.

Në këto çaste, drejtuesi i emisionit shpall fitues dhe ul në front perandorin Gjergj që u shoqërua me duartrokitje, brohoritje të mbi 150 vetëve, mes fishekzjarresh për minuta të tëra. Ky perandor do të udhëheqë në të ardhmen taborët. Spektatorët, kur po largoheshin, midis të tjerave thanë: “Paçim të tilla në të ardhmen: se këta fëmijë na prunë në pëllëmbë të dorës kohën e mbi 500-vjetëve më parë.”


Jorgji Bendi

Dilemë e përjetshme
Me ty në krah gjithçka lulëzoi mbi mua, mori ngjyrat e ylberit. Bota u ul nën këmbët e mia. Së bashku thurëm ëndrrat fëminore, të cilat na ndihmuan ta ndërtonim të ardhmen tonë si një perandori që sapo kishte nisur fillimet e veta. Ti tek unë zvendësove kohën e humbur, monotoninë e shpirtit tim që kishte zënë rrënjë prej kohësh, derisa në jetën time hyre ti si një diamant që shndriste dhe ishte mjaft i kushtueshëm me vlerat që mbarte. U bë shumë kohë, më nuk jemi parë dhe ndiej se duhet të të harroj. Kërkoj kujtimin ta hedh diku, atje tej, çastet që kaluam t’i varros përgjithnjë. Por janë kujtime plot ndjenjë dhe emocione, saqë akoma dhe sot nuk arrij të përcaktoj në janë shuar apo do të vdesin një ditë me qelizat e trupit tim.
Varfëria
Jemi në fillimet e shekullit XXI dhe sërish skamja dhe mjerimi nuk mund të zhduken. Fëmijë të pashkolluar dhe gjysmë të zhveshur hasim shpesh nëpër rrugë duke shitur paketa. Janë fëmijë të cilëve mjerimi ua mohon lodrat, librat, ëndrrat, dëshirat dhe i shtyn drejt një rruge të egër. Mundohen që me duart e tyre të vogla të shtojnë disa të holla për të ndihmuar familjet e tyre të varfra. Do të jepja gjithçka që jeta të kishte vetëm gaz, lumturi, dashuri dhe bollëk. Nuk mund të shoh më fëmijë të vegjël zverdhur dhe venitur si ftonj të këputur nga pema, fytyra të vrara nga dëshpërimi, duar të vogla që zgjaten mjerueshëm drejt kalimtarëve dhe lypin, lypin. Do doja që kjo tablo e errët dhe e zymtë të shndërrohej në një peizazh të mrekullueshëm pranveror. Fëmijët krahëhapur të luanin, të mblidhnin lule në tapetin e gjelbër dhe nga doçkat e pafajshme të fluturonin dhjetëra pëllumba me mesazhin e paqes. Këto mesazhe paqeje të fluturonin mbi kaltërsinë qiellore, t’i lexonte çdokush dhe kështu dashuria, lumturia dhe harmonia të pushtonte mbarë botën. Po urrejtja, mjerimi dhe varfëria?! Ato do të zhdukeshin dhe do të mbeteshin veç një ëndërr e keqe. Sa do të doja që jeta të lulëzonte e bukur dhe e brishtë! Ah sikur...!
1   2   3   4


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət