Ana səhifə

Fritz radovani gjurmët të Çojnë NË sigurimin e shtetit komunist melbourne 2010


Yüklə 0.61 Mb.
səhifə3/3
tarix18.07.2016
ölçüsü0.61 Mb.
1   2   3

PA STALININ... POR, ME STALININ...
Tashma, asht e njohtun nga të gjithë “miqësia vëllazërore” që na kishim me Bashkimin e “lavdishem” Sovjetik dhe Stalinin e “math”, se kjo ishte “përkrahë” edhe nga klerikët e besimeve të ndryshme në ditët e “gëzueshme” të konferencës së “paqës” në Tiranë, organizue nga qeveria komuniste dhe partia e punës me sigurimin e shtetit...në vitin 1952!

Edhe pse Titos ia kishim plotsue dëshirat, ai nuk mbet i knaqun dhe në dukje i prishi mardhanjet me ne, ndonse sigurimi dhe UDB – ja, kur ishte rasti banin “këmbime” simbas nevojës së qeverive tona motra.

Shqipnia ishte edhe ajo një “republikë popullore” jo në nivelin e shteteve tjera të Europës Lindore, por “aty afër”, mbasi këte e pat shpreh pasardhësi i tij Nikita S. Hrushovi, kur erdhi në Tiranë, në 1959 dhe, tha në aeroportin e Rinasit, se: “Këtu, mund të flitet me kapelë në kokë...se ju, jeni popull musliman ...” E, udhëheqsit tonë u “gajasën së qeshuri”.

Edhe pse ishim mbrenda “kampit socialit” të shfarosjes, na nuk kishim fare ide se shka bahet ndër vendet tjera me Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Edhe komunikimet tona ishin ma shumë tregtare dhe me disa bursa studimi që, edhe ata e dinin se studentët që mund të shkonin me studjue atje, shumica ishin agjenta të sigurimit të shtetit ose bijtë e tyne.

Flitej, se vetëm në R. D. Gjermane, ishte disi ndryshej gjendja ekonomike mbasi ndonjë student kishte tregue se atje ka pa ndër dyqane disa lloje djathi tue u tregtue...dhe, se “arratisjet” vazhdojnë papushim...

Propaganda komuniste kishte përfshi çdo skutë në Shqipni, ku çdo ditë shtypja plandoste edhe mijra e mijra fshatarë në vorfninë e skamin e kooperativës bujqësore, që nuk siguronte as bukën thatë për anëtaret e saj dhe, që kishin fillue me trokitë ndër dyertë e qytetarve për me ble bukë.

Po, me çka me e pague atë bukë kur ai vetë i shkreti nuk merrte ma shumë se 30 lekë (të vjetra) në ditë...tue punue nga 14 orë në kooperativë?

Kështu filloi edhe arratisja e tyne masive...ose ma mirë me thanë shpartallimi i Malësive tona në të gjitha drejtimet...sëpse, Malësori, tue u ndodhë para vorfnisë dhe presionit të sigurimit, filloi me humbë edhe Ato tradita që i kishte ruejtë ndër shekuj. Kjo ishte “fitoria” ma e madhe e shovenistve komunist sllav në krejtë historinë e tyne të luftave kundër të drejtave për vetvendosje të Popullit Shqiptar!



Braktisja e Atdheut dhe e Trojeve të Tyne nga Malësorët e Veriut, asht kenë dhe vazhdon me kenë edhe sot rrenimi kombëtar i Shqipnisë Europjane!

Ishte pikërisht ajo ide shoveniste sllave për të cilën ata kanë punue ndër shekuj, gja e cila, tue u përkrah edhe nga vetë Europa, solli ardhjen e komunistëve në pushtet dhe, që ajo vepër antishqiptare u realizue nga tradhëtarët e Atdheut Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, të cilët vazhdojnë me kenë edhe sot me “dekorata” të kësaj tradhëtije të madhe në gjokset e kalbuna të tyne, tue fillue nga dekorata e dhanun nga komunisti Tito, me 1 korrik 1946 Enver Hoxhës, “hero i popujve të jugosllavisë” vetem, se shiti Tokat Shqiptare tue përfshi edhe Kosoven. A ka turp ma të madh sot për Shqiptarët, Presidentin e Shqipnisë, Kryeministrin e saj dhe Kuvendin Popullor, që vazhdon të drejtohet ende nga një “Haxhi Llesh” me fustan modern...nga Shkodra që vazhdojnë me ua lanë ata llamarina, tue i lanë me drejtue shtetin ende trashigimtarët e tyne spijun e “demokratë”..?

Me 5 mars 1953, “shyqyr” Stalini vdiq, por gëzimin e madh të mbarë Popullit Shqiptar e pagoi shumë randë studenti i Nderuem i gjimnazit Shkodres Leonard Ljarja, që tue mos mujtë “me kja” qeshi...e, ajo e qeshun, i kushtoi sa vuejtje e tortura në hetuesi e kampe shfarosje që i ka vazhdue me punët e randa në të gjithë jeten, ndonse Leonardi ishte një nga Ata Heroi, që sot Ai duhet të njihej nga gjithë Europa Demokratike!

Mbas kësaj ngjarje të madhe filloi në gjithë Europen plasaritja e krejt sistemit komunist, që nga Gjermania e Polonia, e ma vonë në 1956 në Hungari me ngjarjet e Budapestit, të pasueme nga Çekosllovakia në 1958, kur në dy vendet e fundit mbi kryeqytetet e tyne heroike marrshuen pa pikë mëshire tanket sovjetike...pasue me sa vrasje e internime të pafund në akujt e ngricat e Siberisë sovjetike, qendra botnore e shfarosjes...

Edhe në Shqipni filloi një “lëvizje” që u shue shpejt nga sigurimi i shtetit nga studentët e Liceut Artistik në Tiranë, shkodranët Nik Pavaci, Ndrekë Bazhdari dhe Karlo Çefa, të cilët vuejten sa vite të rinisë së tyne ndër burgje e kampe pune...

Në vitët 1957 – 58 edhe na si majmunat e “kampit” socialist, e dënueme kultin e Stalinit...madje, zbutëm edhe qendrimin ndaj fqinjve, tue mos vue gojë në politiken e Titos, mikut të vjeter të komunistëve tonë!

Disa monumente të atij tirani kishin pushtue sheshet tona ndër ma kryesoret tue fillue nga Sheshi i Skenderbeut në Tiranë,...në Shkoder...etj. ku populli i atyne qyteteve priste çdo ditë “ramjen e tij”...me fitue Lirinë.

KOMUNIZMI PA GJAK KLERIKËSH... NGORDHË!
Mungesa e gjyqeve politike kundër Klerit Katolik në Shqipni aty nga vitët 1952 e deri kah vitët 1957, filloi me krijue në popull idenë e njëfarë ndryshimi të kursit diktatorial të komunizmit edhe tek na, si në vendet tjera të Europës Lindore. Ata bane ndryshime në mjaft udhëheqje të shumë vendeve “socialiste”, por të gjitha tashti ishin në një vathë të përbashkët nën kolonizatorin sovjetik rus që quhej Traktati i Varshavës.

Një vend aty formalisht e kishte edhe Shqipnia “socialiste”...

Në Bashkimin Sovjetik, mbas diktatorit Stalin, ardhja e Nikita Hrushovit, jepte pamjen e ardhjes një “reformatori” në krye të krejt kampit komunist, gja që ngjallte shpresat edhe tek na për ndryshime e zbutje!

Heqja e monumenteve te Stalinit, jo vetëm ndër shtetet e Europës Lindore, por edhe në Moskë, nxjerrja e Stalinit nga maozoleumi mu në Sheshin e Kuq të Moskës dhe varrosja e tij pranë carit Ivani i Tmershëm në murin e Kremlinit, na dukej se po jetojmë në një epokë krejt tjetër... kjo ishte një anderr e paimagjinueshme nga të gjithë ata që kishin provue se çka do me thanë diktaturë komuniste staliniste!

Me këta ndryshime a mund të pajtohej diktatori Enver Hoxha?

Me pranue ky ata ndryshime që po banin të tjerët, a i mbushej këtij rradakja, se njëditë... edhe mundet me humbë postin e bashkë me te edhe kolltukun përsonal, për të cilin ky vriste edhe djalin e vet..?

Platforma e sigurimit të shtetit ishte gati që në vitin 1956, kur kje në hetuesi At Rrok Gurashi. Disa klerikë katolik kishin fillue me “harrue” nga “ku janë?” nga privilegjet që u dha shteti atyne mbas nënshkrimit të Statutit ...disa të tjerë patën fillue me shkue edhe në plazh të Durrësit...

Në Shkoder po prëgatitej me u festue edhe 100 vjetori i Kishës Kathedrale me të vërtetë me madhështi...Nga njena Kishë në tjetren veç kur shihej populli jashta dyerve tue ndigjue predikatarët në të katër anët e vendit, qytet e fshat tue u dyndë ndër ceremoni fetare, martesa, kungime e krezmime...deri, edhe disa komunista që as nuk i shkonte kujt mendja se besonin në Zotin...Vdes ndonjë prift plak, por Imzot Errnesto Çoba “urt’e butë” me atë natyren e Tij filloi me shugurue disa meshtarë të ri...

Në periudhën e Revolucionit hungarez, kardinali Minzenti kur në Budapest patne hy tanket sovjetike dhe kur ambasada jugosllave nxori jashtë nga godina e saj dhe ia dorzoi sovjetikve Imbre Nagin, që kje një nga drejtuesit kryesor Trima të atij Revolucioni heroik dhe u pushkatue... Kardinali, pat deklarue në radio: “Po rashë në duertë e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot...

At Anton Luli në kujtimet e Tija të burgut shkruen se nga urija e madhe, njerzit në qelitë e sigurimit kanë mërritë me hangër nevojën që kryenin ndër biruca...

At Frano Kiri më ka tregue me gojen e Tij, se një polic i mirë e lejoi me pi urinen që kishte mbetë në rrasat e nevojtores...”

Ragip Meta më ka shpjegue se kur ishte i dënuem me vdekje dhe hapej dera e dhomës, u çonte i pari me shkue me u pushkatue për me shpetue nga vuejtjet...E sa nga këta episode ka Shqipnia?

Po, cili Shqiptar më beson sot mue, se kam pa me sytë e mi ndër disa dosje të Arkivit të Ministrisë së Mbrendshme në vitin 1998, dhe nuk i kam besue syve për çka po shihshe të shkrueme...e kam rilexue dhe kam shkue prap të nesërmen me verifikue “vetvetën”, mbasi kushdo me ma pasë thanë nuk do ta kishe besue se disa Atdhetarë, që duhen kujtue me respekt për qendrimin e tyne antikomunist kanë mërritë nga torturat e sigurimit tue kenë mbi stomin e gropës ku do të rrotullohej mbas breshnisë automatikve, kur i asht kerkue fjala e fundit e tyne kanë thanë: “Rroftë shoku Enver Hoxha..!” Atëherë, çfarë duhet të mendojmë na që nuk i kemi provue ato tortura e masakra mbi trupat tonë, kur disa nga ma të shquemit Atdhetarë kanë pësue deformime të tilla në trunin e Tyne, pikërisht, kur çdo shpresë ase premtim për faljen e jetës ishte shue, veç pritej plumbi i pushkëve e automatikve mbi gjokset e tyne...

Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Zoji Themeli, Hilmi Seiti, Xheudet Miloti, Ali Xhunga, Nevzat Haznedari, Hamdi Ulqinaku, Zija Dibra, Çesk Shoshi, Asim Halili, Idriz Seiti, Kasem Troshani, Fadil Kraja (oficer), Shyqyri Çoku, Gjon Prennushi, Aranit Çela, Misto Bllaci, Namik Qemali, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Dhimiter Shkodrani, El-ham Xhika, spijunët Gjon Jaku, Loro Beltoja e deri tek rojet e dyerve të birucave e të burgjeve apo të kampeve të shfarosjes të interrnimeve rrethue me tela me gjemba, të gjithë ishin me një formim dhe me të njajtat vese antinjerzore, që shpërthenin me mllef kur të pranguem përballë kishin një Klerik Katolik! Mund të mendohet se këto bisha që nuk mund të jetonin pa pi gjak klerikësh të pajtoheshin me ata “ndryshime” që po ngjanin në vendet tjera të Europës Lindore, që as nuk mund të krahasohet diktatura komuniste e tyne me ate që bante tek ne sigurimi i shtetit i Enver Hoxhës? Sikur të ngjante kjo, komunizmi do të ishte në grahmat e fundit, ai do të vdiste që në vitin 1953, njëheresh me Stalinin... Po kjo nuk mund të ngjante se diktatura ishte e pashoqe edhe pa Stalinin.

Kishte ardhë koha e zbatimit të projekteve të reja të komitetit qendror të PPSh, që ishin sajue në ministrinë e mbrendshme nga ma xhelatët që njeh historia të provueme nga seksioni katolik i degës së mbrendshme të Shkodres, prej terroristëve Hilmi Seiti, Xheudet Miloti dhe të aprovueme nga planifikimi i këtyne veprave nga forumet ma të larta të partisë dhe qeverisë shqiptare, sigurisht nën kujdesin e sovjetikëve.

Platforma e procesit të At Rrok Gurashit, i cili ridënohet në 1956 si “tradhëtar i organeve të sigurimit”, tue vazhdue me kenë i tillë derisa ka vdekë, fillon me një proces krejtsisht të paimagjinueshëm aqsa dhe të pabesueshem nga gjithë Shqiptarët që njohin veprat terroriste e barbare të sigurimit, që nga krijimi i tij nga emisarët e UDB – së jugosllave, dhe që vazhdonin me u instruktue nga KGB – ja sovjetike e Beries...ku, posa po vazhdonte specializimin atje edhe spijuni jugosllav Ramiz Alia.

Nuk mund të fillohej me “agjentura” titiste, se nuk përkonte në kohë me “zbutjen e politikes sovjetike kundrejt jugosllavëve, mbasi vetë Tito, para pak kohe kishte kalue pushimet në Krime me Hrushovin...”, as nuk mund të rifillonte hapja e proceseve me “agjenturat e Vatikanit”, mbasi duhej ndërthurë ngjarja me ambasadat Përendimore, gja që do të kishte konsumue para kohe zhdukjen e Imzot Errnesto Çobës, të Don Dedë Malaj e At Gjolaj. Nuk mund të krijoheshin lidhje me ambasaden franceze, mbasi do të mbetej pa u pushkatue Don Shtjefen Kurti... Nëse, do të rifillonte “historia” e konsumueme e “Partisë demokristjane”, ishte ba aq bajate sa askush nuk do të tregonte interes për ngjarje imagjinare. Nuk mund të çvendosej Veriu me krijue lidhjet e Klerit Katolik me një nga shtetet që nuk mund të besohej as nga vetë komunistët, me Greqinë. Ndër male pothuej nuk kishte fare diversanta, mbasi ishte shue fare çdo shpresë për me vazhdue rezistencën antikomuniste atje... që, i kushtoi aq shumë gjak e sakrifica Popullit Shqiptar pa asnjë rezultat.

Mbas vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut në nandor të 1956, dhe largimit nga Argjipeshkvia e Shkodres, e dy nëpunësve Ndoc Nogës e Gjon Shllakut, sekretari i Argjipeshkvisë Don Mark Hasi, nuk ka besue kurrma se komunistët nuk janë tue u prëgatitë për veprime tjera kriminale kundër Klerit Katolik dhe më ka porositë përsonalisht mue, që mos me shkue as për vizita kortezie tek Don Marku, mbasi rrezikohej që njerëzit e sigurimit përrreth do të më implikonin me shpifje e gjana të pakenuna.

Imzot Errnesto Çoba për me më ruejtë nga rreziku, nuk më ka ngarkue fare me punue piktura katekizmi në shtyllat e Kishës së Madhe. Papritmas vdes Don Matish Lisna, pak kohë mbas shugurimit të Don Simon Jubanit Meshtar në vitin 1958...i helmatisun.

Në ditët e para të Nandorit 1958, kur ishim tue rregullue vorret në Rrëmaji, më tregon Don Mark Hasi, se ato ditë asht ba një arrestim që nuk pritej... Një nga jezuitët e mbetun gjallë nga masakrimi në hetuesi të Koplikut, në vitin 1948. Çudia e madhe ishte si shpetoi pa iu mbetë në dorë e, ndoshta, kjo kje arësyeja që nuk e mbajtën shumë atëherë. Në një bisedë i ka shpreh Don Markut, se po të më mbanin edhe dy ditë ma shumë, “me siguri sot ishe i tretun në plehun e Zallit të Kirit.” Torturohej shumë se, Ai nuk pranonte me akuzue asnjë njeri. Forca e karakterit dhe e Burrnisë tek Ai nuk mateshin me shndetin dhe as me pamjen e Tij...

Ndër klerikët besnikë të Don Mark Hasit ishte edhe shoku i Tij i vjetër, që në seminarin e jezuitve Don Pjetër Gruda. Vetëm njëherë e kam takue tek Don Marku, po e njihshe se banonte në rrugën Gurakuqi. Kur Don Marku më tregoi për arrestimin e At Berishës, më tha se, i kishte tregue Don Pjetri, disa ditë ma parë se, “dikujt ia kanë vue synin ndër ne...po se kujt nuk e di...mbasi Hilmia asht dhelpën e pabesë dhe nuk i besova kur po pinim kafe në Kafe të Madhe, që më porositi gjoja se po më tregonte “sekret” se një klerik imoral do të arrestohet...po, me siguri, ky nuk mundet me kenë At Berisha...Ndoshta më ka provokue se mos unë po tregoj interes për emnin e priftit. Unë i thashë se po bani mirë që po hiqni një imoral nëse asht i tillë, mbasi edhe Vatikani “i izolon” kur ata japin shkangull. Mos keni fillue nëpërmjet rusve me u afrue me Papën? Ai qeshi, dhe i kishte përsëritë ‘ke për të dëgjuar..!”

Don Pjeter Gruda ishte frigue fort kur kishte ndigjue këte gja nga Hilmi Seiti, po me siguri kjo ishte një djallëzi i Hilmisë, që tue dashtë me krijue dyshime për Don Pjetrin, se gjoja asht spijun i yni dhe se do të fliste ndër miqë se do të arrestohet një prift, kishte mendue se Don Pjetri do të binte në kurthën e poshtersive të tij. Mprehtësia dhe aftësia me ruejtë Burrninë tek Don Pjeter Gruda ishin të jashtzakonshme dhe, këte e tregoi koha që erdhi ma vonë, kur Don Pjetri me vetmohim zgjolli pa Ju tutë syni rrugën e Martirizimit ashtu si shokët e Tij...



DOSJA E NJË PRIFTI 38 VJEÇAR... NR. 2229.
Qelëz Pukë...1958.

Asht një fshat që komunistët në vitin 1958 kanë mendue si e si me e shnderue, me ia marrë fëtyrën atyne fshatarve të vorfën për nga pasunia ndër kooperativat e tipit stalinist të kolkozeve sovjetike por, që kurr nuk u mposhtën për nga burrnia dhe bujaria, një pasuni e çmueshme e Tyne dhe e paprekshme nga sigurimi komunist i Enver Hoxhës!

Toka e vjeter e Atyne Burrave të Pukës, që kanë mujtë me pasue Fisin e Madh të Mirakajve, asht një Tokë e Bekueme nga vetë Dora e Zotit, mbasi po t’ishin të mallkuem, me sa qindra vetë janë vra, interrnue e masakrue nga komunistët në ato krahina, apo vetëm në Fisin e Mirakajve ...sot, Shqipnia nga Ai fis i Nderuem nuk do të kishte asnjë trashigimtarë të Tyne që vazhdon me ruejtë në Gjakun e vet traditat e të Parëve...

Edhe Meshtari i ri Don Ejëll Kovaçi, asht një i njohtun i Tyne, madje, edhe i “lidhun” me kohë, me Ata të Atij Fisi, që kanë marrë malet.

Kështu sigurimi mendonte me zhdukë edhe Meshtarin e ri...

Ky motivacion asht fillimi i Kalvarit për Don Ejëllin.

Don Ejëlli asht nga Hajmeli i Zadrimës, u le me 5 Prill 1920 nga prindët Pjeter e Shaqe Kovaçi. Ishte edhe Ky i brezit të vitit 1946, kur u mbyllën seminaret në Shkoder, ku kishte përfundue studimet teologjike me vazhden e Atyne klerikëve të cilët pjesa ma e madhe u shfarosen, se guxuen me u Shugurue Ushtarë të Krishtit, kur në pushtet ishin ata që kishin deklarue se ne jemi bashkpunëtorët e dreqit... Posa asht Shugurue, asht emnue në Koman. E marrin ushtar dhe mbasi kthehet nga ushtria emnohet në Qelëz të Pukës. Kishte guxue me deklarue se “Kisha Katolike Shqiptare po u shkëput nga Vatikani, tue pranue kerkesat e qeverisë automatikisht bahet Orthodokse, prandej edhe Statuti i qeverisë nuk mund të aprovohet nga Kleri Katolik Shqiptar.” (dosja 2229, viti 1998 Tiranë)

Arrestohet në 1949 dhe lirohet me shpresë nga shteti komunist se ka “ndrrue” mendim... e, do të firmojë edhe Ky me të tjerët e asaj kohë.

Në qershorin e vitit 1951, nuk shkon fare në mbledhje të Klerit, kështu as nuk e firmon fare dokumentin e aprovimit të Statutit.

Në vitin 1953, e arrestojnë prap dhe e akuzojnë si të gjithë të tjerët për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit...” tue, i premtue se do të lirohet nëse do të firmojnë Statutin e Kishës, por këte herë tue i vue kusht edhe “bashkpunimin me organet e sigurimit të shtetit.”. Me që nuk pranon asnjenën vepër, e lidhin me “bisedat” që gjoja ka krye kur ishte ndër ato male Pal Bibë Mirakaj...dhe, e dënojnë me 5 vjet burg.

Këtu në Australi kam njohtë një nga anëtarët e atij grup ku ishte edhe Pal Bibë Mirakaj, në malet e Pukës 92 vjeçarin Pjeter Gjoni. E kam pyetë për ndonjë lidhje me klerikët katolik të atyne krahinave dhe në fund i kam zanë në gojë edhe emnin e Don Ejëll Kovaçit. Më ka thanë se, as pjestarët e familjes së Palit nuk i ka takue kurrë, mbasi nuk kemi guxue me iu afrue kullave e banesave të tyne, se ditë e natë ata ishin të rrethueme e të ruejtuna nga ndjekja (apo sigurimi), ndersa, për klerikë as nuk bahet fjalë, mbasi ata ishin edhe ma të ruejtun se familjarët e atyne që ishin ndër male. Të vetmit njerëz vendali me të cilët janë takue janë kenë çobajt e bagëtive që njiheshin me familjet e tyne se prej atyne, të arratisunit blenin kafshë ose bylmet e miell me pare ari në dorë... Emnin e Don Ejëll Kovaçit, as nuk e kishte ndigjue kurrë, as s’ asht zanë në gojë ndonjëherë nga Pali, Pashuku e të tjerë përsona që janë kenë në mal me Pjetrin, që asht largue ndër të fundit të arratisun nga malet e Pukës.

Unë tregova një bisedë me Pjetrin, mbasi edhe sot Ky Burrë, asht ndër ma të nderuemit që asht largue i dënuem me vdekje nga Shqipnia...

Me datën 21 gusht 1958, sigurimi arreston për herë të tretë Don Ejëll Kovaçin, të cilit këte herë ia ven hekrat vetë krimineli gjeneral Hilmi Seiti, kryetar i degës së mbrendshme të Shkodres.

Ai ka pregatitë edhe akuzen për të cilën e ka arrestue, tue vue në plan të parë vepren kriminale, se: “Don Ejëll Kovaçi, në bashkpunim me spiunët e diversantët kanë organizuar dhe zhvilluar me qellime terroriste natën e datës 26 nëntor 1951, brenda në kishen e katundit Qelëz, vrasjen e aktivistit të organeve të sigurimit të shtetit, shokut Mark...Ka kryer vepren e pregatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit në bashkëpunim...

Në grup me: Nik Gjon Pepa, Angjelina Kovaçi, Dodë Pal Marashi dhe Gjokë Lazër Kola....” (po aty, Dosja 2229 Arkivi i Min Mbrend.)

Ndër 600 faqe proces të bame nën kujdesin e vetë terroristit dhe vegles besnike të Enver Hoxhës, gjeneral Hilmi Seitit, vazhdon torturat ma të mnershme aqsa, bie në sy menjëherë sa fillon me lexue, se Meshtari i masakruem asht ma i knaqun me vdekë sesa me vazhdue me u torturue. Duhet skjarue edhe një fakt, se nga presioni kundrejt Motres së Tij që vazhdon edhe ajo me u torturue ma keq se i vëllai, mbasi mundohet me qendrue për disa ditë, Don Ejëlli kerkon me evitue ate çka sigurimi i bante shumë femnave të prangueme ndër hekra të lidhuna kambë e duer dhe mbasi i torturonte për vdekje i përdhunonte në prani të burrave të tyne, baballarve apo vëllazenve të vet...Një rasë të tillë e di unë, nga goja e njenës nga vajzat shkodrane që asht përdhunue nga xhelati Ahmet Suji...

Kjo vepër terroriste e sigurimit e kryeme me kafshët e veta ka çue në plumb kushedi sa Burra të Nderuem, që nuk kanë mujtë me pranue dhunimin e vajzave të tyne por, kanë firmue çka i asht kërkue dhe kanë mbyllë kapitullin e jetës, tue u konsiderue “të dobët, pa karakter ose edhe të poshter që i janë shpifë dikujt”...vetëm mos me pa me sytë e Tyne atë akt poshtersije, që sigurimi donte me krye në praninë e viktimës...

Para një fakti të tillë e vuni edhe krimineli Hilmi Seiti, Priftin e pafaj...tue e detyrue me pranue edhe akuzat morale që i kishte mendue në zyret e ministrisë së mbrendshme, me të cilat donte me fitue edhe spaletat e gjeneral “kolonelit” si spijun i sprovuem i Enver Hoxhës, ndër ma të besueshmit “dikur” kur, me Stefan Destanin, drejtorin e arkës së kursimit në Shkoder, hynin e delnin në Jugosllavi nëpërmjet lumit Buna, për me akordue të gjitha veprimet e poshtra për “mbarvajtjen” e marrveshjeve të sigurimit shqiptar me UDB – në jugosllave...

Pikërisht, në shumë raste kur gjykatsit, prokurorët apo hetuesit ia kishin arritë qellimit me e “thye” qendresen e viktimës së prangueme, janë të njohtuna shumë prej këtyne fakteve, që viktima pajtohet me të gjithë forcen e vullnetit të vet me “vdekjen” dhe shkapërcen në kahun e kundërt e të papritun nga ideatorët, deri atëherë, të knaqun me ecuninë e procesit të dhunuem prej tyne. Kjo e papritun ngjau edhe në gjyqin që po zhvillohej me aq pompozitet në kinema “Republika” të Shkodres, kur pa u kujtue fare nga askush se mund të ndodhin një akt i tillë guximi aty, posa Prifti pohon akuzen morale, ngritet në kambë mbrenda kafazit rrethues të të pandehunve Motra Trimneshë e Priftit Angjelina, dhe i drejtohet vllaut të saj që totalisht ishte plandosë në frikën e asaj që mund të ngjante pak minuta ma vonë nga bishat e sigurimit ndër zyret e tyne, ku dhunimi ishte tortura ma e lehta që kanë provue vajzat Shqiptare, dhe i thotë: “ Trego o Don Ejëll, sësi e ke pranue akuzen…kur Hilmia të kishte futë revolen në gojë dhe të thonte se, po nuk e pranove, do ti derdh trutë këtu ndër sytë e motres tate, e ti firmove...”. Edhe këte e ndigjuem ndër altoparlanta të Fushës së Çelës, kur menjëherë mbas atij zani si pushka të Angjelinës, kryetari i gjyqit mbylli seancën për me i dhanë atë mbasdreke Don Ejëllit dënimin me vdekje dhe Motres së Tij të Nderueme Angjelinës, 25 vjet heqje lirije...

PO SOT, KU NA ÇOJNË GJURMËT..?!
Deri këtu jemi në mbrendinë e Dosjes Nr. 2229 që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, të cilën unë e kam pa në vitin 1998. Shkrimtaruci Ilo Bodeci, ish spijun i sigurimit të shtetit dhe, që emni i tij asht i njohtun edhe nga Mirdita, në vitin 1969, dy vjet mbas shpalljes së luftës pamëshirshme kundër Fesë, më shemtimin e shekullit “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të 1967, që drejtohej nga pasuesi i Enver Hoxhës skilja e njohtun Ramiz Alia, Ilo nxori në qarkullim një liber shumë “të njohtun” nga rreth 12.000 lexues shqiptarë, mbasi kaq ishte tirazhi i tij, me titull “Gjurmat të çojnë në qelë”, me autor vetë Ilon. Për këte vepër që me siguri asht “lexue” edhe nga ideatori i atij libri Enver Hoxha, nuk e di se mbas leximit të tij, “shokun” Ilo a e ka dekorue Enveri “ynë”, mbasi në një kohë me te, “shokët” spijun të sigurimit të shtetit, botuen disa libra të tillë, që pasonin Rakip Beqon me parathanje të Jup Kastratit, Hulusi Hakon me librin “Akuzojmë fenë”...Skender Drinin e Shkodres, me një liber kundër klerit katolik apo, Viron Koken, dhandrrin e Shkodres dhe sa e sa të tjerë, që “asnjenin” “Gjurmat nuk e çonin ndër xhamija as ndër kisha orthodokse...” Vërtetë një “çudi”..! E, pra edhe “kumbonët”e Kishave tona kanë kenë ndalue disa vite para 1967...

Fakti asht se Ilo Bodeci, ngjarjen e shkruen në përputhje të plotë me dosjen 2229 dhe gjyqin e zhvilluem për atë çeshtje... kështu, shkruen studjuesi Prof. Simon Pepa, i cili për mue asht i besueshëm, mbasi unë, me thanë të drejten, as nuk kam marrë mundimin me lexue librin e Ilos, mbasi kam ndigjue gjyqin e Don Ejëllit që nga dita e parë. Sigurisht, Ilo, nëse ka kenë në sallen e gjyqit “i ftuar” me spijunët tjerë, do të kujtojnë edhe Fëtyrat e të akuzuemve, flas për Don Ejëllin dhe Motren Angjelina, që me siguri i ka mbetë Fëtyra e Saj ende sot në mendje, kur Ajo arriti me ia përplasë për surrat shpifjet e trillimet e poshtra terroristit Hilmi Seiti, në sallën e gjyqit...gja, që, “nuk e kuptoj” pse mungon sot edhe në shenimet e Dosjes së cungueme të Tyne nr. 2229, që ruhet nga Arkivi i Ministrisë prej nga varej edhe vetë shkrimtaruci Ilo...Në liber nuk di nëse agjenti Ilo ka shpjegue të pakten në vija të përgjithshme ngjarjen tragjike të datës 10 dhetor 1958, kur në koridorin e sigurimit u ndigjue një gjamë e mënershme brimet e Don Ejëllit, që pat tronditë të gjithë të arrestuemit ndër ata qeli kur Priftin 38 vjeçar, xhelatët e moren me e me e pushkatue...

Autori i librit asaj piskamë duhet ti kishte dhanë një shpjegim!!

Sigurisht, ai shpjegim nuk do ti interesonte sigurimit, por duhej ba për hirë të së vërtetës, ashtu si e bani Motra Trimneshë e Priftit, mu në sallen e gjyqit ku ndodheshin edhe autorët tjerë të sajimit ngjarjes.

Studimi i dosjeve të Arkivit të Ministrisë Mbrendshme apo edhe atij të Shtetit në Tiranë, asht një punë shumë e vështirë, shumë e me përgjegjësi, shumë e lodhshme nga ana psiqike edhe fizike... mbasi do të përballosh një “stres” deri në vuejtje të mbrendshme shpirtnore, nëse në dosjen që ke në dorë ke të bash me ndonjë njeri të tandin, të njohtun apo që ke pasë rasën me ndigjue për “pafajsinë” e Tij...kur ngjarjet edhe vazhdojnë me ditë e muej të tana ndër ato labirinte të pafund vuejtjesh, e kjo gja nuk mund të kalohet thjeshtë sikur në leximin e një rromani...

Besoj se ndonjë lexues i këtij “libreti” që kam shkrue, ose studjues, nëse ka pasë rasën me kalue ndër duertë e tija ndonjë dosje, besoj do të rikujtojnë në kujtesën e vet, vështirsinë e frymëmarrjes kur kanë mërrijtë tek akti i fundit final i gjithë vuejtjeve, torturave, dhunimeve, shpifjeve, rrahjeve, paaftësisë me qindrue Burrë, ballafaqimeve apo sajimeve të pakenuna, të Atyne fatzezve, që me doren e Tyne edhe kanë shenue aty: “E nënshkruej këte proces verbal pa ma të voglin shterngim...dhe një shkarravinë... e quejtun “firmë” asht ajo që e mbyllë përfundimisht jetën e “një kenjes njerzore” me “fjalën e fundit” para plutonit të ekzekutimit...ku, prokurori ka shenue datën, oren e mërritjes në vendin e caktuem dhe saktësisht thanjen e Tij, mbasi nuk mund të ndryshonte as “dialektin” e viktimës, sëpse ai dokument kerkohej direkt me u pa nga Enver Hoxha, i cili shpesh shenon me dorën e vet: “Të pushkatohet. Njoftoni dëshiren e tij të fundit...gjen. kol. Enver Hoxha” dhe, në fund data e nënshkrimit të tij.

“Fjala e fundit” pra asht i vetmi dokument i vërtetë dhe i saktë i gjithë dosjes së të pushkatuemit...Këte unë e kam verifikue pothuej në të gjitha aktet e ruejtuna në Arkiv...Ai asht dokumenti bazë mbi të cilin duhet të mbështeten studjuesit tonë, mbasi aty asht “Rrëfimi, Pendimi, Pendesa e Falja...” Aty dhe vetëm Aty, Kenja Njerzore fillon hapat e Para me shkue drejtë rrugës së panjohtun me u takue me Krijuesin e Vet, aty cilido kjoftë, nuk ka ma asnjë lidhje as me fisin, të afermit apo armiqtë që ka përballë, dhe kjo që tham unë, vërtetohet tek dokumentat e klerikve që Besojnë pa asnjë mëdyshje jeten e Pavdekshme drejtë së ciles po shkojnë.

Ky asht një fakt që provohet vetëm nga “Fjala e fundit” ku, të gjithë papërjashtim thonë: “Jam i pafajshëm, po, i fali ata që më kanë dënue dhe ata,.. që do të shtijnë mbi trupat tonë!”

Kjo asht vdekja ma heroike dhe Burrnore, ndonse komunistët asnjëherë nuk kanë me mujtë me e rrokë këte frazë në menden e tyne të çapërdisun nga ateizmi materialist...apo shpirti i mbytun në llomin e krimit, ku vetëm kanë shkue tue u thithë përmbrenda, po kurrë me dalë!

Nuk kanë me mujtë kurrë me kuptue faktin se “ateistët komunistë”, kur mbyllin sytë, ata vdesin përgjithmonë...sëpse janë kufoma të pajetë që nga ai moment që janë pushtue nga idetë marksiste e leninste, nga tesërat e PPSh...apo enveriane! Kjo asht edhe arësyeja që punojnë në fshehtësi të plotë, nga frika e së vëretës, prandej edhe gjyqet e tyne u zhvillonin ndër dhomat e errta e padritë, me të “ftuar”mbasi Drita e së Vërtetes i vërbonte.

Ndërsa Ata Martirë, që sot shumë vetë nga këta xhelat i kujtojnë të vdekun, pse njëditë i kanë vra me dorën e vet, madje edhe i janë afrue dhe i kanë ra edhe mbas kokës së gjakosun...me i shkapernda trutë e Tyne përtokë, shumë prej vrasësve katilë ende as sot nuk kujtohen se Ata, prap vazhdojnë me jetue...sëpse Ata Heronjë, që në momentin e pushkatimit bahen të Pavdekshëm...Mbasi drejtimi Shpirtnuer i Tyne ecën nga Drita!

Këtu qendron misteri!

Atëherë, tue iu referue prap “Dosjes 2229” të Don Ejëllit, që besoj se asht prap e ruejtun, për cilën arësye aty sot mungon “Fjala e fundit” e Priftit “kriminel...vrasës ordiner...e imoral..?”

Kush e zhduku këte dokument nga dosja?

Pse nuk dimë sot, pikërisht “Rrëfimin e fundit” të Tij...?

Pse nuk kemi pikërisht atë dokument ku Ai, zbulohet, pendohet ose jo, për “vrasjen” apo “shkangullin moral” që ka krye..?!

Apo edhe Don Ejëlli i ka falë shpifsit, vrasësit dhe torturuesit e Tij në atë moment kur ka deklarue me siguri, se “po vdes i pafajshëm..”.

Mos ndoshta Enver Hoxha e ka të “palosun” ndër “veprat” e veta?

Sikur, lexuesi i dosjes të shihte këte rresht të thanun nga goja e Tij në momentin e fundit, cila do t’ ishte vlera e 600 faqeve të shkrueme nga Hilmi Seiti e shokët e tij..? Po, vlera e librave që spijunët si Ilo me shokë “Gjurmat na çojnë në qelë” ku, do të qendronte atëherë..?

Edhe kjo ka shpjegimin e vet...

Pavdeksia e të Pafajshmit...fillon me të vërtetën...

Unë besoj vetëm tek e vërteta!

Aty më çojnë gjithnjë... gjurmët e Don Ejëll Kovaçit!

GJURMËT E TIJ”... MBAS VDEKJES...


Don Ejëll Kovaçin nuk e kam njohtë kurr! As Motren e Tij...

Mbas dënimit të tij me vdekje, u fol se “një firmë” që nuk kishte pranue me nënshkrue në dokumentin e Statutit të Kishës Katolike e kishte çue në pushkatim. Mosha 38 vjeçare e Tij ishte mjaft prekse...

Koha shumë njerëz i kalbë! Ashtu, mbas tri vjetësh në vitin 1961 kalbi edhe vetë autorin e procesit të tij, bashkë me spaletat e gjeneralit! Pushka e futun në gojen e Priftit e çoi “me nderime” në vorrin e vdekjes së tij të turpëshme dhe të përjetshme, bashkë me urimin prej zemre të mbi 50.000 familjeve të Veriut: “Dreqi ia pastë marrë shpirtin atij katil!” Nuk merret askush me vdekjen e Hilmi Seitit, mbasi të gjithë mendojnë njësoj sot në Shkoder: “I bani hysmetin dhe i ndjeu lezetin...”

Shumë të tjerë edhe të tretun ndër zallishta apo skuta pa asnjë Shenjë tek koka janë që vazhdojnë me jetue... Toka që i ka mbulue nuk ka mujtë me i kalbë...nuk i tretë kurrë, ndonse, për 50 vjet u punue për me fshi nga kujtesa Emnat e Tyne, e Aty secili ka të shkrueme mbi stomin e atij dheu të lamë me gjakun e Tyne të kulluem fjalët e At Anton Harapit para pushkatimit: “Lumninë e jep vdekja, kunoren ia ven vorri!”

Vallë, ku u pushkatue Meshtari i salvuem Don Ejëll Kovaçi?

Mu në qender të qytetit të Shkodres, në kinema “Republika”, ku Motra e vet Angjelina, i vuni mbi “vorr” kunoren e Pafajsisë..!

Aty, bani “Rrëfimin e fundit” me At Leonard Shajakun, i cili, nuk pranoi me folë fare...mbasi edhe Ai i tregoi kriminelëve se: “Duhet ta dini se Kisha nuk njeh asnjë Meshtar që ka kallxue Rrëfimin, prandej mos e kërkoni këte, se nuk do ta gjeni as ju tek unë!”....

Aty e vojoi At Marjan Prela me fjalët e Krishtit..dhe u interrnue.

Aty e pasoi edhe Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj mbas një viti...tue ndjekë rrugen e vetflijimit, por jo “shkëputjen nga Vatikani e Papa. Asnjëni Asnjëherë!”...deri në momentin e fundit me 11 Maji 1959, që edhe Don Deda nuk ka në dosjen e Tij “Fjalen e fundit” si Don Ejëlli.

Ata që do ta dishmojnë të vërtetën jetojnë, vuejnë... por, njëditë do të gjejnë momentin me ba të ditun Atë të vërtetë ashtu si dikur... 2000 vjet ma parë paraardhësit e Martirëve Tonë...Apostujt e Krishtit, që na kanë lanë të shkrueme fjalët e Tija: “Kerkoni se keni me gjetë!”.

Kishe ndigjue nga një mik i emi, se mbasi doli Motra e priftit nga burgu, kur po fejohej me Tefen, që banonte në rrugen e Gurazezve pranë meje, Tefa ishte interesue për të vërtetën e burgosjes së Angjelinës sidhe, për zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë. Për me u sigurue, kishte pyet një njeri të vetin, oficerin e sigurimit të shtetit në Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, një nga ma të njohtunit për masakrimin e klerikëve, Çesk Shoshin.

Çesku në vitin 1958 ishte në kooperativen e Dajçit të Bregut të Bunës dhe merrej me pregatitjen e skenarit tjetër të sigurimit, për vrasjen e Don Dedë Malaj...prandej, edhe ishte në dijeni për gjyqin e Don Ejëllit.

Çesk Shoshi i ka thanë Tefës: “Sa për çka asht thanë në gjyqin e Don Ejëllit, ti preju mbas meje dhe martoju qyshë nesër me Angjelinën Motren e Tij, mbasi të gjitha janë kenë trillime të Hilmisë, vetëm e vetëm me vra Don Ejëllin me një akuzë që me e urrejtë populli i Pukës...”

Po, populli i Pukës, Qelëzes dhe Hajmelit, vendlindjes së Don Ejëllit, çka do të thonë sot për atë turp që Enver Hoxha sajoi me sigurimin me ua lanë në derë... me Bariun shpirtnuer? Lé të flasë 90 vjeçari Gjergj Zef Pashuku (Zadeja) që sot rron në Hajmel...“Ishe anëtar i atij gjyqi, po nuk na pyeti kush as për osh as për balosh! Ishte caktue prej naltë me u vra Prifti”. Besoj asht e mjaftueshme kjo per me kuptue montimin e gjyqit!

Gjurmët e pashlyeme të Don Ejëllit, aty nga viti 1993, më çuen tek At Dioniz Maka...Françeskan i vjetër që i kishte kalue të 80- tat.

Para vitit 1991 pothuej nuk kam pasë rasen me u njohtë afer me At Dionizin, ndonse kur kam pasë ndigjue emnin e Tij, gjithmonë e kujtojshe për mirë. Ai respekt i ruejtun prej meje më ka shtye që në vitin 1993 me u takue me Te, mbasi më interesonte mendimi i Tij në lidhje me atë ngjarje aq shumë të përfolun në Shkoder në vitin 1958, kur u zhvillue gjyqi i priftit Don Ejëll Kovaçi, sepse At Dionizi ishte ndër të paktit klerikë që vazhdonte me shetitë dhe me sherbye prap mbas vitit 1991, ndër ata fshatra të Pukës ku asht zhvillue ngjarja e veshun nga sigurimi i shtetit për veladonin e paster të Don Ejëllit. Sigurisht, kishe bindje se At Dionizi e ka gjurmue të vërtetën e asaj ngjarje të sajueme nga komunistë dhe po aq tragjike sa veprat e tyne kriminale.

Në vitin 1993 jam takue me Te dhe mbasi u hap biseda e gjyqit Don Ejëllit, At Dionizi më ka shpjegue rrethanat historike dhe sesi asht pregatitë nga Ministria e Mbrendshme në Tiranë, skenar i ngjarjes në bashpunim me terroristin Hilmi Seiti, kryetar i degës së mbrendshme në Shkoder në vitin 1958. Ishte koha kur kleri kishte nënshkrue Statutin e Kishës që në vitin 1951. Ndër të paktit klerikë që nuk e ka nënshkrue atë Statut, ishte edhe Don Ejëll Kovaçi me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, që edhe Ata pasojnë shumë shpejt Don Ejëllin. Ato ditë ka ardhë nga Tirana në Shkoder koloneli i ministrisë Mehdi Bylbyli dhe bashkë me Hilmi Seitin kanë shkue në Pukë, dhe prej atje kolonel Bylbyli ka shkue dhe asht lidhë me Markun, kryetarin e këshillit popullor apo operativ sigurimi, gjoja me ndjekë disa të arratisun të cilët, kur ishin bashkë pranë bregut të lumit, aty kolonel Bylbyli e ka vra Markun dhe prej atje e ka çue tek çela e priftit, kohë në të cilen Don Ejëlli nuk ishte fare aty.

Kjo ngjarje e zhvillueme naten u ba objekt i gjyqit që naten e “bante” ditë e të kunderten. Hetimet e zhvillueme në Shkoder nën kujdesin e Hilmi Seitit, sollën dramen e Priftit, i cili, pa pikë faji, u pushkatue tue u njollosë nga sigurimi i shtetit me akuzat ma të pabesueshmet prej Popullit të Shkodres, të cilat i denoncoi aty në prani të Hilmi Seitit motra trime e Don Ejëllit, Angjelina. Angjelina tregoi sesi Hilmia gjatë hetimeve firmat e Don Ejëllit në proces ia ka marrë me revolver në gojë...: “O firmo, ose të holla trutë në erë...”. E ky episod i atij gjyqi bani që Angjelina fitoi mbi shpifjet e kurdisuna kunder Priftit, Vëllaut të Saj të pafaj që u pushkatue.

At Dionizi, për disa kohë kishte shkue ndër shtëpijat ku sigurimi dhe Hilmi Seiti aso kohe kishin ba presion me publikue ngjarjen e sajueme prej tyne si të vërtetë, madje, At Dionizi kishte takue dhe familjar të Markut, të cilët, i kanë tregue emnin e kolonel Mehdi Bylbylit, që e ka vra Markun atë natë kur ishte me te tue shkue bregut të lumit. Një fshatar i kishte tregue mënyren sesi kufomen e Markut e kanë bajtë e çue tek qela, por At Dionizi atë fshatarë nuk e tregonte, mbasi ai ishte pendue për shpifjet ndaj Don Ejëllit, dhe të vërtetën ai ia kishte tregue në Rrëfim.

Po kështu ka ngja edhe me At Leonard Shajakun në sallen e gjyqit po per këte çeshtje. Ata dinin shumë ma tepër se flasin, por nuk mund të publikojnë shumë të vërteta që i kanë sekrete Rrëfimi. Asht pikërisht ajo kohë kur Hilmi Seiti, tue pa deshtimin e vet dhe të sigurimit të shtetit e PPSh që drejtonte sigurimin përballë klerikve katolikë, që vetsakrifikohen heroikisht, po nuk flasin për këta sekrete të Rrëfimit, kanë interrnue edhe françeskanin At Marjan Prela, një tjeter figurë e një Meshtari Atdhetar, edhe Ky figurë shumë e njohtun në Shkoder.

Në vitin 1996 kam bisedue gjatë për këte temë të Rrëfimit, që asht ndër Mbrekullitë e Krishtënimit Botnor me At Konrrad Gjolaj, i cili dinte edhe Ai një ndër shumë vrasje të kurdisuna dhe të kryeme nga spijunët që jugosllavët kishin rrekrutue që në vitët e fundit të Luftës së Dytë Botnore, të ndodhun ndër male të Veriut të Shqipnisë. Ky vrasës për një grusht pare të flliqta, kishte ardhë me u Rrëfye me At Konrradin, që atëherë ishte në Kuvendin e Françeskanëve në Shkoder. Edhe kur fliste për te, mbas plot 50 vjetësh që ai kishte ba pjesë në grupin e atyne kriminelave që kanë vra Dijetarin e Madh dhe Atdhetarin e flaktë, Meshtar i divoçem e Shqiptar i Vërtetë, Don Nikoll Gazulli një Martir i Kishës Katolike, i dridhej buza e i mbusheshin sytë me lot. Me beso, thonte At Konrradi, ishte e para herë që mbasi Rrëfeva atë kriminel, kam shkue dhe jam Rrëfye për vete...mbasi po mos t’ishe tue krye një shërbim aq të madh ndaj atij të “penduemi”...sot, Kisha do të më kishte edhe mue në fleten e zezë të kriminelave të saj...

Po, në vitin 1996, Imzot Mikel Koliqi më ka thirrë njëditë dhe më ka tregue një porosi që në Rrëfimin e Fundit të jetës së Tij, ia ka thanë në vitin 1981 Don Mark Hasi, tue i cilësue që po doli nga burgu Don Mikeli, “me ma thanë vetëm mue dhe askujt tjetër”...Tregonte, se posa Don Marku përfundoi fjalët e Tij që i tha për mue...mbylli sytë dhe vdiq!

Sakramendi i Rrëfimit asht një temë tjeter e veçantë ku sakrificat e klerikëve përballë atyne torturave të mnershme që ka ushtrue sigurimi i shtetit mbi trupat e priftënve, ishin pa rezultat, mbasi në 46 vjet të sistemit komunist në Shqipni, ASNJË klerik nuk ka nxjerrë një sekret Rrëfimi, madje, kjo nuk ka ngja as edhe prej atyne pak klerikve që edhe i kanë sherbye sigurimit. Ata kanë pranue me “shpifë” por jo, me nxjerrë sekretin kjoftë edhe të një rasti, gja që ka e ngritë edhe ma naltë vlerën e të gjithë Klerit përballë genocidit të pashembullt komunist të Enver Hoxhës.

At Dionizi kishte një memorie të shëndoshtë e shumë të saktë. Shpjegimi i At Dionizit në saktësimin e ngjarjes së Qelzës, të krijueme nga vetë sigurimi i shtetit komunist, gjithmonë i drejtuem nga Enver Hoxha, ka një vlerë që asht aq e madhe jo, vetëm, për nxjerrjen e Pafajsisë së Martirit Don Ejëll Kovaçi, por edhe për kuptimin e së vërtetës sesi asht luftue dhe punue për 50 vjet, me njollosë me të gjitha llojet e shpifjeve, intrigave, poshtërsinave e makinacioneve Kishen Katolike Shqiptare.

Kur kam pyet At Mëshkallën për këte ngjarje, më ka thanë:

-“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijë vjeçare të Krishtit...Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Engjullin e ndonjë tjetër, nuk duhët me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956...e, sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar.” (F.R. “At P.Mëshkalla SJ, fq. 32, 2007).

DERI KUR, TUE NGRANË..“TURP E BUKË”..?
52 vjet, Meshtari Shqiptar, Don Ejëll Kovaçi i vramë Pafaj...

Veladoni i Tij i njollosun me shpifje dhe i mbuluem me llom!

Deri kur, o Vëllazen e Motra, tue ngranë “turp e bukë”..?

Kush nuk thotë publikisht të vërtetën për Don Ejëll Kovaçin,

Vazhdon me hangër në grazhd: “Turp e bukë”... me vetdije!

Kjo pyetje i drejtohet çdo njeriut që pranon se asht Shqiptar!

Kudo kjoftë e, kushdo... kjoftë!

Kjo pyetje i drejtohet çdo qeveritari, prej ma të naltit, Presidentit e deri tek ma i largëti nga zyra e tij...kudo kjoftë në sherbim të shtetit tonë!

Kjo pyetje i drejtohet të gjitha komuniteteve Fetare që mund të përfaqsojnë kjoftë edhe një besimtar të tyne Shqiptar!

Kjo pyetje i drejtohet çdo Shqiptari me Fe e pafe, që ka një Atdhe!

Kjo pyetje i drejtohet çdo njeriu, që sot e vret ndërgjegja sado pak ndaj vrasjes së të Pafajshmit Shqiptar, Don Ejëll Kovaçi...

Kjo pyetje i drejtohet kujdo që holli një “gurë”... kundër Tij...

Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne që janë të veshun me petkun e Tij, por “të njollosun” pafaj...e që vazhdojnë me heshtë...

Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne Shqiptarve, që vazhdojnë me jetue pa “shlye” shpifjet e bame kundër Tij, kudo kjofshin ata!

Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne Fshatarëve të Hajmelit e të Qelëzes së Pukës, që dinë pafajsinë e Priftit të vet, dhe...nuk “flasin” me zanin e Drejtësisë për viktimen e vrame të Gjakut Tyne!

Kjo pyetje i drejtohet cilitdo Shqiptar, që Enver Hoxha i dhunoi...

“Motren e Tij” të prangueme... Atyne Shqiptarve, që Vajzat, Gratë e arrestueme, t’ izolueme, t’ interrnueme apo të dëbueme, i kanë njohtë

“Motra të vërteta” të Truellit Shqiptarë, kudo kjofshin Ato...


Shqiptarë! Pajtimi Kombëtar, nuk arrihet kurrë pa Paqë e Drejtësi!

Viktimat e Pafajshme nuk kalben pa u shpallë “E Vërteta



E Vërteta qé ku asht e shkrueme!

Don Ejëll Kovaçit dhe Motres së Tij Angjelina,

Nga Tribuna e Drejtësisë Shqiptare:

Këtheni nderën e marrun!
Melbourne, Nandor 2010.
Leteratura:
At Konrrad Gjolaj OFM., “Çinarët” Shkoder, 1996.

“Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944–1990” Tiranë 1993.

Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, (Dosja 2229).

At Gjergj Vata SJ., “Kujtime” (dorëshkrim, 1996.) Shkoder.

Fritz Radovani – de Angjeliis, “Një Monument nën dhé”,

Zagreb, 2004.

Fritz Radovani – de Angjeliis, “At Pjetër Mëshkalla SJ.”

Botim i dytë. Zagreb, 2007.



Gazeta “Zëri i Popullit” Korrik 1951, Nandor 1958, Maj1959.
Melbourne, Nandor 2010.



1   2   3


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət