Ana səhifə

Fritz radovani gjurmët të Çojnë NË sigurimin e shtetit komunist melbourne 2010


Yüklə 0.61 Mb.
səhifə1/3
tarix18.07.2016
ölçüsü0.61 Mb.
  1   2   3

FRITZ RADOVANI



GJURMËT

TË ÇOJNË NË...

SIGURIMIN E

SHTETIT KOMUNIST

MELBOURNE 2010



DON EJËLL KOVAÇI

(5 Prill 1920 – 10 Dhetor 1958)

Një Zambakut të Bardhë...



që sigurimi komunist...

shtypi me thundra!”
Ja kushton Autori.
Melbourne, Nandor 2010.

FRITZ RADOVANI



GJURMËT

TË ÇOJNË NË...

SIGURIMIN E

SHTETIT KOMUNIST

MELBOURNE 2010



KOHA KALON...

Nuk e kuptonim thanjen se, “Koha kalon e me te kalojmë edhe na...”, mbasi na dukej se hagrepët e sahatit kishin mbetë në një vend, të dy kishin ra tek nr. 6...Mbasi njerzit çoheshin në mengjez në oren 02.00 dhe vraponin me shishe në dorë në rradhat e qumështit, dhe vetëm atëherë, kur vlohej kilja e qumështit, na dukej se u krye detyra e madhe me fëmijë ...po kur vinte dreka prap hapej kapitulli i pafund i telasheve të darkës ...Monotonia na kishte pushtue të gjithve, mendja vetem rrinte tek grazhdi, si kafshve...se, secili mendonte vetëm “çka do të hamë..!?”

Ecjet, shkuemjet në punë e kthimi në shtëpi, na kishin kthye në kenje të kota dhe të pakuptueshme, tue persëritë të njajten thanje me ata që përshëndeteshim sa herë na qitte rruga përballë njenitjetrit. Edhe pse kishte rasë që një fëtyrë për disa kohë zhdukej, as kjo nuk na binte në sy, aqsa, shpeshë mund të na e kujtonte “mungesen” vetëm ndonjë leter me shirita të zezë që vendosej ndër shtylla të rrugave kryesore apo të kryqzimeve të tyne... E, mbyllej fleta e asaj kohë, vetem tue kujtue ato buzqeshje apo shikime të ambla të mjesit apo të drekës, që sa vinin e na zhdukeshin me kohen pa lanë asnjë mbresë kujtimesh në trunin tonë të moçatun e të përçudnuem nga telashet e jetës...

Fusha e Çelës u kishte mbetë shkodranve vetëm sa me u kujtue se kush asht tue vazhdue me kenë gjallë...Aty merreshin vesh edhe fejesat apo martesat, lindjet e vdekjet, ndonjë e re në veshje e shpesh, kah e vona ndihej nën za, se, “këto ditë” asht arrestue filani ase do të dalë në gjyq një grup rrezikzezësh...nga të cilët, njeni apo tjetri edhe mund të pushkatohen ...madje, gjyqi do ti bahej në teatrin e jezuitve e ma vonë u vazhdue në kinema “Republika” të qytetit...Unë ishe fëmijë kur një natë u dogj kinema “Rozafat”, ku kujtimet e atyne ma të moshuemve ishin të pafund për virrmat e prokurorve komunistë të viteve 1945 – 46, dhe për grupet e “shoqeve” partizane që brohorisnin nga lozhet e tyne me gjithë forcen e zanit “plumbin ballit” apo, për të burgosunit që delnin të lidhun përdore e pështyheshin në fëtyrë nga shumë vetë që asnjëherë nuk janë harrue turinjtë e tyne të mbledhun për me i hjedhë sa ma shumë pështymë ndonjë kleriku apo deputeti të lidhun me pranga dhe të vumë në rreshtin e Atyne Burrave, që kalonin tue ecë para Kafes së Madhe, e që mbas pak ditësh... do të shihej i rrëzuem përdhe ngjitë me murin e Vorreve të Rrëmajit...

Ishin të gjithë Ata që mendoheshin nga partia komuniste si “armiqë të Popullit, kriminelë apo njerëz të malit” dhe, mbasi ishin grumbullue edhe “informatat dhe faktet” ndër “dosjet” e fryme me qindra faqe nga spijunët e sigurimit të shtetit komunist, tashti po i bahej e ditun edhe Popullit “veprimtaria e tyne armiqsore...” të cilën do ta paguejnë shtrenjtë.

Deri në vitin 1950 pothuej ishin fshi nga faqja e dheut të gjithë ata që u mendonin si “armiq të betuar të pushtetit popullor”, tue fillue me qeveritarët e vjetër apo klerikët e “pabindur” të të gjitha besimeve të Popullit Shqiptar, fillue me Katolik, Bektashijë, Ortodoks e Muslimanë e deri tek diversantët që sillte Përendimi me i vra me doren e sigurimit komunist të Enver Hoxhës, i cili çdo minut rriste “vigjilencen” e tij, të kolltukut personal, partisë dhe shtetit, që rjepte përditë e përnatë...

Në Malet e Veriut, mbas ardhjes së njëfarë krimineli të quejtun Ndreko Rino dhe të një gjaksori Xhemal Selimi, të pasuem nga qindra të tjerë halabakë nga malet e Mallakastres apo kënetat e Myzeqesë dhe të Vlonës, kuadrue ndër brigadat e ndjekjes, posa u prishën mardhanjet “miqësore” mes dy partive tona komuniste “nënë e bijë” të druzhe Titos dhe Enver Hoxhës, aty nga viti 1948 pothuej, u shue fare rezistenca e tyne antikomuniste, mbasi UDB – ja jugosllave me politiken e saj të njohtun të tradhëtisë arriti me vra shumë nga drejtuesit shqiptarë ndër male tue fillue nga Gjelosh Luli, Gjergj Vata etj. Ndërsa, në Mirditë e Pukë, ajo ka vazhdue deri në vitin 1954...kur, terroristi Mehmet Shehu zhvilloi aksionet e tij të shfarosjes së disa fshatrave që edhe i zhbini tue i qitë fare sa fise të pafajshme të Mirditës bashkë me trojet ku Ata jetonin në vorfni...

Shifrat vazhdojnë me kenë të pabesueshme dhe të cungueme mbasi ato shifra që janë në statistikat e pasakta e që shpallen edhe nga Shoqata e të Persekutuemve politik të Tiranës, të gjithë papërjashtim vazhdojnë me shkrue po me ato “shifra” false, të cilat i dikton e thotë nën za edhe tashti “sufleri” i ministrisë së mbrendshme të qeverisë “demokratike”!

Në fakt terrori i ushtruem nga partia komuniste shqiptare ndaj Popullit Shqiptar, i filluem që në vitët e luftës nacional – çlirimtare në krahinat e Shqipnisë Jugut, nën masken e luftës kundër Legalitetit dhe Ballit Kombëtar, i filluem që në Vlonë me Atdhetarët Lepenica, tue u përsëritë në të gjitha qytetet dhe fshatrat ku venin kambë “çlirimtarët” e vendit, kur merrnin vesh se gjermanët janë largue dhe i pasuem në Veri me terrorin kundër Maleve të Veriut, gjithmonë të panënshtrueme ndaj politikës shoveniste serbe apo jugosllave, ku një rol shumë të rendsishëm në formimin e Tyne Atdhetarë ka luejt Kleri Katolik Shqiptar, ka tregue fëtyren e vërtetë të komunistëve tonë të shitun tek jugosllavët me në krye xhelatin anadollak Enver Hoxha, të pasuem me masakren e Tivarit kundër vëllazenve kosovarë nga bedeli i serbëve Ramiz Alia.

Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Rahman Perdhaku, Gjin Marku, Tuk Jakova, Qazim Kapisyzi, Sheuqet Peçi, Aranit Çela, etj. kriminela vijnë në qytetin e Shkodres, dhe “konfirmojnë” spaletat e tyne të gjeneralëve me veprat ma terroriste që ushtrojnë kundër Popullsisë së Veriut, tue dhanë kështu provat e tyne me brigadat e ndjekjes që nuk lanë gja pa ba, vetëm me sigurue partinë komuniste dhe “druzhe” Titon, për qendrimin e tyne kundër kujtdo që guxon me çue krye kundër pushtimit jugosllav të cilit, i shërbenin atëherë e sot komunistët shqiptarë.

Shkodra aso kohe kishte katër sahata të vendosun në kompanjela të Kishave të qytetit, por me siguri tingujt e rrahjeve të çakiçave të tyne, vinin tue iu prishë nervat atyne që i shikonin nga poshtë ku ishin ata vetë me formimin shpirtnuer e kulturorë, kështu nuk do të vonojë dhe qyteti i lashtë Verior, edhe ai do të ecin si gjithë Populli Shqiptar paditë sesa asht ora nga mjesi e deri në darkë kur errej natë... Shpesh herë kishte rasë kur ndihej trokitje e ndonjë dere që shpërthehej nga sigurimi i shtetit, që mbasi prangonin ndonjë njeri fatzi, vazhdonin me kontrollet e tyne të pafund... e, vetëm ditën e nesërme në mengjez heret kur fillonin me u rreshtue njerëzit ndër rradhat e bukës apo të qumështit, merrej vesht nga gjithë ajo lagje se kush u përfshi në listën e pafund të “reaksionarëve” që, ma vonë do t’ iu vente emni marksist – leninst nga vetë Enver Hoxha “lufta e kllasave”.

Kujtoj një rasë shumë prekës...

Në darkë kur mërrita tek dera e oborrit përshndeta “natën e mirë” një vajzë e një djalë, motër e vëlla...i vëllai ishte shumë i ri...Ditën e nesërme posa u këtheva në drekë në shtëpi, Nana më tregoi se kishte ndigjue që në mengjez herët pa dalë drita..., se kishin interrnue familjen e Gj D, e cila mbeti sa vite ndër ferma e këneta nga Shqipnia e Jugut...

Edhe sot vazhdoj me pasë dhimbje për shkatrrimin pa asnjë shkak të jetës dhe t’ardhmes së atij djali model në gjithë lagjen...e besoj se edhe sot që Nikolin Destanishta, asht në moshë të thyeme, këte përshtypje i ka lanë të gjithë atyne përsonave që e kanë njohtë qyshë fëmijë... Gjithë jeta i kaloi ndër punë të randa e të rëndomta se Baba i tij Gjoni, njihej si një nga Burrat Trima e Atdhetarë që kishte marrë malet për Liri...

Po sa, nga këta episode kishte vazhdimisht në Shkodër?

KALUEN 5 VJET TERROR KOMUNIST...
Deri në vitin 1951 edhe Kleri Katolik vazhdoi qendresen e vet tue mos u pajtue me politiken komuniste të qeverisë shqiptare, e cila ka punue vazhdimisht për shkëputjen e Klerit Katolik nga Vatikani, gja që do të sillte si pasojë edhe shkëputjen shpirtnore nga Europa, mbasi Kisha Katolike Shqiptare ishte kështjella e fundit që vazhdonte lidhjet me Përendimin dhe, duhet pranue se nuk kishte tashma asnjë institucion tjetër që nuk pajtohej me politiken qeverisë. Mardhanjet me Anglinë e Shtetet e Bashkueme ishin ndërpre që në 1946. Italia dhe Franca ishin ma shumë të lidhuna me interesat e komunistëve sesa me prirjen që të ruenin lidhjet tona me Europën Përendimore, aqsa fëtyrën e vërtetë të tyne e kanë tregue në vitin 1961 – 62, kur Shqipnia u prish me Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1950, Kleri Katolik Shqiptar asht i vetmi në Shqipni që ka kundërshtue Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, që i ofroi për aprovim qeveria komuniste e Enver Hoxhës, simbas udhzimeve të qeverisë sovjetike të drejtueme nga diktatori Stalin. Besimet tjera janë pajtue me Statutet e tyne që i afronin edhe ma shumë me Lindjen. Nga Kisha Orthodokse Shqiptare, ishte i vetmi Peshkopi Kristofor Kissi, që kundërshtoi humbjen e Pavarsisë së Kishës Orthodokse, të shpallun nga Peshkopi Fan S. Noli, prandej, për këte Peshkopi Kissi, u pushkatue mbasi Ai nuk ishte dakord që Shqipnia me u shkëputë përfundimisht nga Europa. Por, duhet theksue se Peshkopi Kissi ishte shumë ma afer me Kishen Katolike Shqiptare se me Kishen Orthodokse Sllave Ruse dhe, pikërisht, ky fakt asht ai që Peshkopin Kissi e çoi në plumb!

Burimet e sigurta për ngjarjet e atyne viteve koha pothuej i mori me vete. Deri vonë unë kam njohtë pak nga ata që ishin pjestarë vetë në zhvillimin e tyne, mbasi rrethi ishte shumë i kufizuem nga vetë Kleri Katolik, i cili kishte vue kusht për diskutimin e Projekt Statutit të Kishës Katolike, mos lejimin e pjesmarrësve që nuk ishin klerikë, tue u përjashtue kështu edhe ata që ishin xhakoj të njohtun e që kishin krye edhe vitet e katerta të seminareve të fretenve apo jezuitëve, por nuk ishin shugurue nga ndërpremja e mbylljes së seminareve në vitin 1946, nga vendimet arbitrare të marruna prej qeverisë komuniste. I vetmi laik që ka kenë pjesmarrës në dy mbledhjet e para të zhvillueme në fund të vitit 1949 dhe në fillimin e vitit 1950, i kerkuem nga vetë kleri për me ba të kjarta nenet e Projektit nga ana judike asht kenë Dr. Avokat Emid Tedeschini, i cili, ka kenë edhe mik i ngushtë i Don Kolec Prennushit, që ishte i ngarkuem nga vetë kleri për shqyrtimin nen për nen të atyne problemeve dogmatike, që për asnjë arësye nuk duhet ti binin ndesh direkt as indirekt asnjënit prej ligjve të Kishës Katolike. Mbledhjet janë zhvillue në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, tue u zbatue me shumë rigorozitet rregullat e parashikueme nga kleri, të cilin aso kohe e drejtonte Ipeshkvi i Pultit, i vetmi i mbetun në Shqipni mbas zhdukjes së Prelatve të tjerë, tue përfshi me ta edhe Regjentin e Delegacionit Apostolik në Shqipni, Imzot Frano Gjinin, ish Abat i Mirditës, pushkatue me 11 Mars 1948. Sherbimet e Famullitarit të Shkodres i kryente Don Ernesto Çoba.

Nga Dr. Tedeschini di pak gjana, mbasi mbas vdekjes së Don Kolecit me 2 korrik 1950, as avokati nuk ka marrë pjesë ma në ato pak mbledhje që janë ba deri në vitin 1951, kur asht firmue Statuti. Se çka asht ba deri me 2 korrik 1950, dinte nga vetë goja e Don Kolecit, miku i Tij, Prof. Gasper Ugashi, që fatkeqsisht edhe Ky vdiq në vitin 1985 tue mos mujtë me lanë të shkruem asnjë rresht nga frika e kontrollit që mund ti bahej nga sigurimi i shtetit, prej lidhjes së Tij martesore me familjen e Pjetër Prennushit, që ishte edhe baba i Don Kolecit. Ndërsa, mbas vitit 1995, ma i sakti që kam bisedue me Te, asht kenë një nga protagonistët kryesor të atyne ngjarjeve At Konrrad Gjolaj OFM., që jo vetëm ka kenë prezent në dy mbledhjet e para deri në korrikun e 1950, po, edhe dinte edhe ngjarjet pasuese me imtësi e saktësi, të cilat Ai i ka shkrue në librin e Tij “Çinarët”, por, edhe ishte pikërisht një nga Ata pak klerikë të nderuem që nuk ka pranue me vue firmen e Tij në atë dokument që të tjerët kanë aprovue me 26 qershor 1951. Tjerë përsona që kanë shkrue e vazhdojnë me shkrue edhe sot, tue mos pasë kenë fare prezent në zhvillimin e atyne ngjarjeve, shpesh tue i transformue e pse jo, edhe tue i deformue me ndonjë qellim jo të mirë, ka me ardhë ajo kohë që ashtu si ka ardhë koha sot e paparaandrrueme kurr nga të gjithë komunistat e spijunët e sigurimit, që për 50 vjet as nuk e kanë mendue ndonjëherë se unë do të shoh në vitin 1998 “dosjen” e Babës tem, Kol Radovanit, i vdekun nga bombardimi i Tiranës në vitin 1943 dhe, që sigurimi komunist vazhdonte me plotsue të dhana për Te, deri në vitin 1981, me ngjarje e “shpifje” të cilat, i vlenin sigurimit për me zhvillue “luftën e kllasave” me trashigimtarët e Tij edhe mbas 35 vjetësh që, Ai vetë nuk jetonte ma. E, kështu, si mue mos harroni se i ka ngja shumë e shumë përsonave, tue përfshi edhe Ata Atdhetarë të Nderuem, për të cilët kanë shkrue spijunët e sigurimit, pseudoshkrimtarët servil, Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Skender Drini, Ilo Bodeci e deri tek spijuni ordiner i sherbimeve komunale të Shkodres, “shkrimtari” Gjon Jaku... një nga analfabetët imoral që asht marrë me “projektin e shpifjeve” që i janë ba Martirit Kishës Katolike Don Dedë Malaj, të cilin, Çesk Shoshi, Asim Halili, Xheudet Miloti, Ali Xhunga, Ali Halili, Mark Dodani, Faik Kapllani, instruktori i partisë Luigj Shala me Hoxhen e Kuçit dhe Don Nikoll Troshanin... në vitin 1959 e çuen në pushkatim...

At Gjolaj, françeskan i njohtun në Shkoder, me një kujtesë për t’u admirue shpjegonte me fakte zhvillimin dramatik të atyne ngjarjeve të vitëve 1950 që, ma vonë u bane shkak pushkatimi të klerikve që nuk ishin dakord me nënshkrimin e Statuti të paraqitun nga qeveria.

Asht fakt se Don Kolec Prennushi nuk iu frigue vdekjes nga komunistët. Për këte fakt në librin “Çinarët”, At Konrrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodres, shkruen në faqe 125:

Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se, do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë.

Këta janë gjithkund njësoj..!

Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!

Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.”

Ndërsa, për ata që shkruejnë pa baza për atë kohë dhe ngjarjet e atyne vitëve At Konrradi, thonte: “Shkruejn për Statutin e Kishës, ashtu si për Pjerin Kçirën, që gjoja ka kerkue prift, si me pas kenë aty me te, kur, asnjeni nga ata që shkruejn për këte punë jo, vetëm, nuk janë kenë të arrestuem në hetuesi me Pjerinin, po, njeni prej tyne aso kohe as nuk ka kenë fare në burg…”.

Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej ky kundërshtim i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik Shqiptar ishte siç, më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolec Prennushit, se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo s’ pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët Shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”.

Qendrimi i Tij u mbështet edhe nga Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi dhe At Konrrad Gjolaj, të cilët, me 26 qershor 1951, kur të gjithë Klerikët tjerë shkuen e nënshkruen Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, emnat e nderuem të tre klerikve të sipërpërmendun nuk shkuen fare në mbledhje dhe, as ma vonë nuk pranuen me e nënshkrue atë Statut...

Në faqe 127, At Gjolaj shenon: “Fjala e Don Dedë Malaj ra si të binte rrfeja, kur nguli kambë që as mos të pranojmë me diskutue ma për shkëputje me Papën dhe emnime ipeshkvijsh nga Qeveria e Tiranës. Po të pranojmë këte, tha Don Deda, na kemi mbarue si mos ma keq. Kush mendon ndryshej le të flasë...

Don Zef Bici, kërkoi që të mendojmë me gjetë një rrugë të mesme, pa i ra ndesh Qeverisë, mbasi rrezikojmë shumë.

Don Ndoc Sahatçija shtoi se dyshon se çeshtja e Ipeshkvijve nuk duhet të jetë kërkue prej Shtetit, si e tha Don Koleci.

Don Koleci, përsëriti leximin e tekstit, tue i ba të kjartë Don Ndocit se ti e kupton mirë, po kërkon me i dhanë rrugë tjetër diskutimit.

Ndërhyni Don Jakë Gazulli, i cili mbështeti Don Kolecin, por i tha Don Ndocit dishka, që ky nuk e çili ma gojën.

Në sa flitej, At Rrok Vata mbante shënime. Më bani përshtypje ky veprim, dhe i kërkova Imzot Shllakut nëse e ka ngarkue Ai, apo qeveria At Rrokun me mbajtë shenime shka flitët?

Imzot Bernardini e shikoi rrebtë, dhe e urdhnoi mos me vazhdue.

....U përpilue një leter në katër kopje, e u firmue prej të gjithve:

Na nuk aprovojmë as Projekt as Statut, ku shkëputemi prej Vatikanit dhe ku shkelen Dogmat e Fesë dhe të Kishës Katolike.”

Kjo iu drejtue Degës së Punëve të Mbrendshme Shkoder, Kryeministrisë Tiranë, Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, dhe një Argjipeshkvija Shkoder. U ngarkuen me dorzue letrat: Don Zef Bici, At Filip Mazrreku, Don Mark Dushi dhe At Rrok Gurashi.

Pritej përgjigja e kësaj letre që nuk erdhi asnjëherë.”

Ma vonë më ka tregue At Konrradi edhe fjalët që Don Jaku i kishte thanë Don Ndoc Sahatçisë, ditën e fundit në mbledhje: “More Ndoc Sahatçija, që nuk je prift e kam ditë me kohë, po, sot po bindem se ti nuk je as katolik...” dhe, qeshej kur e kujtonte thanjen e Tij...

Në vitin 1952 arratiset nga Shqipnia Don Zef Oroshi... Ikja e Tij jashta kufinit s’ kje e lehtë as edhe e shpejtë. Në vitin 1968 kur u zhvillue gjyqi i grupit të klerikve të Tiranës, Don Mark Hasi nuk pranoi se ka kenë spijun i sigurimit të shtetit dhe as i ndonjë shteti fqinjë, por me shumë zemrim zbuloi para gjyqit publik që po zhvillohej në Kishën e Motrave Stigmatine të quejtun aso kohe klubi “Rinia”, se, kur, sigurimi kerkoi me arrestue Don Zef Oroshin pa dalë në Jugosllavi, vuni në ndjekje të tij edhe dy klerikë të Tiranës, Don Zef Bicin e Don Mark Dushin, që nën petkun e tyne të klerikut, terroristi Mehmet Shehu, një nga fanatikët ma anadollakë komunistë kishte mendue me zbulue nga populli i atyne krahinave ku ishte i mëshefun dhe i strehuem Don Zef Oroshi.

Vuna në dukje këte fakt që kam ndigjue me veshtë e mij mbasi sot në Arkivin e Shtetit në Tiranë, mund të lexohen pavështirësi edhe dy letra që Don Zef Bici dhe Don Mark Dushi, i drejtojnë në vitët 1952 – 54 Ministrisë së Mbrendshme për “bashkpunim” me ata organe. Këta fakte nuk duhen mëshefë, mbasi këto vepra u kryen kur asnjeni as tjetri nuk dinte çka asht hetuesia apo qelitë e sigurimit të shtetit, madje, ishte ajo kohë kur njeni edhe tjetri as nuk merrshin me mend se sigurimi i shtetit, ka me i shtryllë mirë e mirë si limonat e, mandej, ka me i ngja ashtu si shumë spijunve tjerë, që njëditë në mengjez heret...u ndodhën para plutoneve të pushkatimit, pranë gropave të viktimave të veta si spijuni Pjerin Kçira.

Po, përsërisë edhe njëherë, se nuk jam aspak dakord me vue në kandarin e këtyne përsonave “asnjë” nga ata që kanë ba kjoftë edhe tri ditë hetime në sigurimin komunist, ku, njerzit kanë mërritë me pranue akuza të paimagjinueshme prej nesh që, nuk e kemi provue dajakun apo torturen deri në shpërbamjen e plotë si “njeri”, mbasi nuk duhet harrue se mbrenda rrobave të një oficeri të sigurimit ishte e ndryeme: Urrejtja klasore, urrejtja fetare, urrejtja krahinore, smira e kulturës, smira e edukatës familjare, ishte inferioriteti i njohtun i çobanit të dhenve ndaj një profesori apo kleriku universitar, ishte padija shekullore e një fshatari lab përballë një profesori deputet që edhe kishte luftue kundër fashizmit me pushkë në dorë, siç ishte i Ndjeri Prof. Kolë Prela apo Prof. Prenkë Kaçinari e Arshi Pipa...që vinin me një bagazhë kulture nga universitetet ma të njohtuna të Europës Përendimore... Ishte një “gjeneral” injorant si Enver Hoxha, që donte me zhdukë të gjithë oficerat që kishin mbarue Akademitë ushtarake ndër vende të njohtuna t’Europës por, që duheshin pushkatue se nuk u bane spijunët e tij...E, mos harroni se edhe kishte nga ata oficerë sigurimi që arrestonin një qytetar shkodranë, për me shkue në darkë dhe me i plaçkitë kostumin që kishte pasë të veshun paradreke apo butonat e arit, kur spijuni po i priste fletë – arrestin, siç kanë veprue vagabondët e sigurimit me të ndjerin Kolë Kurti, një të djelë të zezë tek Kafja e Madhe në Shkoder. Nuk po hyjmë fare ndër qellimet imorale të spijunve ordinerë apo tek shpifjet që i baheshin djalit një tregtarit, që për me e “shpetue” nga burgu duhej të jepte familja e viktimës një pagesë të majme, e kjo pagesë deri nga vitët 1952 – 54 shpesh ishte edhe me monella ari, apo dhurata me diamante e brilante të grave fatzeza që kerkonin me shpetue burrat apo djelmët e tyne nga thonjtë e këtyne bishave të pyllit...

Bana një shkëputje, mbasi për fatin e keq këta njerëz u ndodhën edhe në gjiun e klerit katolik, të cilët, u ndanë si shapi nga sheqeri me rastin e diskutimit të Projektit të Statutit, dhe përfundimisht mbetën në ata pozita deri në vdekjen e tyne...Siç, thonte At Gjolaj: “Kush u thye u thye po, nuk u përkul, ndërsa, kush u përkul e pagoi ma shtrejtë se ai që u thye, mbasi vërtetë vonuen me e pague përkuljen...por, kur e paguen shkuene me krye si Ata që u thyen, po, këta shkuen me faqe të zezë...”

Do të shpjegoj një fakt me të cilin u njohta në vitin 1996.

Në vitin 1996 At Gjergj Vata, tashti i shuguruem në vitin 1955, më ka thirrë në kuvendin e jezuitve në Shkoder dhe, më tha: “Vërej, se, je në dijeni për nënshkrimin e Statutit të Kishës në vitin 1951, ke ba disa shkrime dhe gjithnjë len çeshtjet pa i shpjegue deri në fund... këte e ban se nuk i di ngjarjet plotësisht apo do mos me tregue si janë kenë?”

Unë e dijshe me kohë qendrimin e klerikve të Tiranës, mbasi ata e kanë tregue këte qyshë në mbledhjet kur ishte gjallë Don Koleci, dhe në një rasë Ai kishte pasë mosmarrveshje të fortë me Don Zef Bicin, i cili, i ka thanë: “Ti Don Kolec, do që të mos nënshkruhet Statuti, për këte as nuk do me lanë me folë ata, që ndoshta mendojnë me e firmue!” Aty për aty Don Koleci, i asht përgjigjë: “Don Zef të njoh mirë, ti me veprat tueja je një gjarpen në gjiun e Klerit Katolik Shqiptar!”... dhe, për mos me vazhdue debati ka ndërhy Imzot Bernardin Shllaku dhe mbledhja asht mbyllë për me u vazhdue mbas disa ditësh, por mbledhja nuk asht ba as mbas disa ditësh sëpse Don Koleci, që ishte i ngarkuem për me studjue dhe me analizue nga ana teologjike Projekt Statutin, me 2 korrik 1950 vdiq papritmas nga zemra...

Këte ngjarje aty nga viti 1958 ma ka konfirmue edhe dr. avokat Emid Tedeschini, i cili merrte pjesë deri atëherë. Edhe Dr. Tedeschini pranonte se protagonistët kryesor të nënshkrimit të Statutit ishin Don Zef Bici, Don Mark Dushi, At Rrok Gurashi, At David Pici, Don Ndoc Sahatçija, e ndonjë tjetër, të cilët, kishin pregatitë një leter pak kohë mbas vdekjes së Don Kolec Prennushit në korrikun e 1950 dhe, i kerkonin qeverisë komuniste që të organizonte një mbledhje sa ma parë, mbasi “tashti”... kleri asht gati me nënshkrue Statutin. Në atë kohë Avokat Tedeschini asht shkëputë përfundimisht nga kjo çeshtje, mbasi nuk donte me kenë në rrjedhen e papelqyeshme prej Tij, të ngjarjeve që parashikonte se po ngjasin në lidhje me klerin.

At Gjergj Vata tregoi sesi e kishin thirrë një grup klerikësh në qelen e Tiranës, ku administronte Don Zef Bici kur ishte xhakue jezuit dhe ndodhej në Tiranë bashkë me Pjeter Topallin, në veren e vitit 1950. Aty ishin edhe Don Ndoc Sahatçija, At Rrok Gurashi, Don Mark Dushi dhe At David Pici, të cilët kerkonin prej Gjergjit me përfaqsue klerikët jezuit që pothuej nuk kishin mbetë asnjë, mbasi pak ishin ndër burgje me At Mëshkallën, ndërsa italianët ishin dëbue nga Shqipnia prej qeverisë komuniste kur mbyllën edhe seminarin e tyne me 6 mars 1946, dy ditë mbas pushkatimit At Giovani Faustit e At Daniel Dajanit jezuitë, dhe xhakonit Mark Çuni, tue lidhë me grupin e Tyne edhe At Gjon Shllakun OFM. frat, si organizator i Grupit Antikomunist “Bashkimi Shqiptar” në Shkoder, të cilët u ekzekutuen me datën 4 Mars 1946, në Zallin e Kirit.

Gjergji, tue mos kenë i shuguruem prift aso kohe nuk ka pranue me nënshkrue atë leter të pregatitun prej tyne. Gjergji këte pretekst e ngriti se nuk donte as Ai vetë që të nënshkruhej Statuti i pregatitun nga shteti .

Sigurisht, ky qendrim At Gjergj Vatës i ka kushtue shumë shtrenjtë, mbasi ka kalue tri herë arrestime e hetuesi të vështira dhe asht lirue herën e fundit në vitin 1987 ndër të fundit klerikë.

At Gjergji, lidhi me ngjarjet e Tiranës edhe pasojat që patne At Marin Sirdani, i cili, u arrestue në mars të 1950, sepse edhe At Marini, nuk ishte dakord me nënshkrimin e Statutit. Nuk duhet harrue se ishte edhe vëlla me Don Aleksander Sirdanin, dijetari i madh që sigurimi e mbyti në gropat e zeza të hetuesisë së Koplikut në vitin 1948...

At Gaspër Suma arrestohet në prill të vitit 1950, dhe vdes në tortura. At Viktor Volaj, At Ferdinand Pali dhe Don Zef Gila, interrnohen në Tepelenë në maji të vitit 1950, mbasi paraqesin mendimet e veta në kundërshtim me disa nga nenet e Statutit, i cili, bie ndesh kryesisht në lidhje me zgjedhjen e ipeshkvijve, që simbas Statutit mendohej zgjedhja e tyne nga shteti shqiptar.

Don Zef Gila, ishte një nga klerikët e veçuem për natyren dhe prirjen letrare të Tij nga Don Koleci, aqsa kur vinte për mbledhje në Shkoder, edhe Don Zefi vinte dhe “flente” në shtëpinë tonë, me Don Kolecin.., e vuna ndër thojza fjalën “flente”, se shpesh i xente ora 02.00 e mengjezit tue diskutue njeni me tjetrin çeshtjet e pafund të Statutit...

Me At Gjergjin u hap edhe biseda e arrestimit Don Ndre Lufit.

Në të paktit klerikë që ka ardhë me u pjekë për vdekjen e Don Kolecit, (mbasi pjesa ma e madhe kishin frikë me ardhë tue përjashtue Imzot Errnesto Çoben, që nuk asht shkëputë kurr nga familja ynë) ishte edhe Don Ndre Lufi...për të cilin mbas pak ditësh morëm vesht se ishte arrestue. Prift trim, por edhe i vendosun në fjalët e veprat e veta aqsa, kur ishte thirrë nga sigurimi mbas “padisë” bame nga Don Prekë Nikçi, Ky vazhdoi me qendrue në vendimin e vet. Arrestohet në gusht 1950 dhe mbasi kalon në duertë e Dul Rrjollit e Nevzat Haznedarit, dënohet 20 vjet burg... Bani 10 vjet, të cilat, i kaloi në kampet e shfarosjes dhe në burgun famkeq të Burrelit, ku Ai ka lanë respekt të veçantë si klerik që nuk asht përkulë asnjëherë përballë bishave të sigurimit komunist.

Me datën 31 korrik 1951, “....u shpall nga Qeveria e Tiranës në gazetat kryesore se, Kleri Katolik ka aprovue “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të cilin, e ka aprovue edhe Kuvendi Popullor....

Në librin “Çinarët”, At Gjolaj shkruen: “Desht me më ra pika kur doli njëditë në gazetë, se u aprovue Statuti i Kishës Katolike Shqiptare. Në të vërtetë Qeveria bani lëshime të mëdha po, as unë, as Don Deda, nuk kishim besim tek ajo Qeveri, prandej edhe nuk e firmueme asnjeni. Nuk e kishte firmue as Don Ejëll Kovaçi...” (fq. 127)

  1   2   3


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət