Ana səhifə

Gjergj Kastrioti ­ Skënderbeu në histori dhe letërsi


Yüklə 48.5 Kb.
tarix27.06.2016
ölçüsü48.5 Kb.
Gjergj Kastrioti ­- Skënderbeu në histori dhe letërsi”

konferencë shkencore ndërkombëtare

Università degli Studi di Napoli - “L’Orientale”

1-2 dhjetor 2005.
Shaban SINANI

PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore

Viti X 2005 Nr. 4 (39) fq. 163-171

Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë


Më 1-2 dhjetor 2005 në Napoli u zhvillua Konferenca shkencore ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu në histori dhe në letërsi”. Konferenca u organizua nga Departamenti i Studimeve për Europën Lindore dhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit “L’Orientale” të Napolit, me rastin e 600-vjetorit. Komiteti shtetëror për pakicat etno-gjuhësore në Itali mbështeti veprimtarinë. Morën pjesë studiues vendës dhe të ftuar nga disa qendra akademike dhe universitare albanologjike e ballkanistike në Europë; specialistë të historisë dhe të letërsisë së mesjetës, albanologë, orientalistë. Ishin të ftuar gjithashtu punonjës të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, si institucion bashkëpunues prej shumë vitesh. Konferenca pati si qëllim të çmojë rolin historik-kulturor të figurës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut përmes burimeve historike dhe letrare; si dhe të ndriçojë epokën në të cilën u zhvillua veprimtaria e tij.

Gjatë punimeve të Konferencës referuan 25 kumtues. Në referimet e mbajtura u paraqit kryesisht vështrimi i shkencës perëndimore dhe i asaj ballkanike për historinë e qendresës shqiptare në fund të mesjetës dhe vendin e saj në kujtesën e shkruar dhe atë gojore të shqiptarëve, të popujve të Ballkanit dhe të botës europiane.

Drejtori i Departamentit të Studimeve për Europën Lindore Italo Costante Fortino, duke vlerësuar punimet e Konferencës, theksoi dy prirje themelore konvergjente të saj: vështrimin filologjik-fetar dhe atë filologjik-laik. Këto dy prirje, u tha në përfundimet, ndihmuan shkëlqyeshëm njëra-tjetrën për të paraqitur cilësitë më të rëndësishme të Gjergj Kastriotit dhe të epokës së tij, rolin që luajti për bashkimin e krerëve të Shqipërisë në një konventë të gjithë parësisë arbërore; po ashtu dhe rolin si mbrojtës i qytetërimit europian, i traditës dhe kulturës së të parëve të vet e të gjithë kontinentit. Pikërisht ky rol e ka kthyer atë në një mit historik jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të shumë popujve të tjerë, që e kanë bërë të pavdekshëm në veprat e tyre letrare. Konferencës iu paraqitën burime të reja arkivore dhe historike që e theksojnë këtë përfundim.

U pohua se, në një edicion tjetër të kësaj Konference, që mund të mbahet pas dy vjetësh, edhe kjo nga Universiteti “L’Orientale”, duhet të bëhen më shumë përpjekje që të sigurohet prania e përfaqësuesve të shkencës bashkëkohore osmane, nga institucione kërkimore-studimore turke ose qendra të tjera të orientalistikës në Europë e në Ballkan. Konferenca e ardhshme do të zhvillohet në titullin “Perandoria osmane dhe Ballkani në histori e në letërsi”.

Punimet e Konferencës u hapën me një fjalë përshëndetëse nga Rektori i Universitetit “L’Orientale” Pasquale Ciriello dhe përfaqësues të institucioneve të tjera bashkorganizatore.

Në vijim, në katër seanca, u paraqitën kumtesat e pjesëmarrësve.

Sergio Bertolissi (Universiteti “L’Orientale” i Napolit), mbajti kumtesën “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe strategjia e tij për bashkimin e Shqipërisë”, në të cilën u theksua se në studimet historike kjo figurë paraqitet kryesisht si udhëheqës ushtarak dhe kondotier i rezistencës antiosmane, duke u kushtuar më pak vëmendje vështirësive që iu desh të kalonte deri në njësimin e qëndrimeve të krerëve dhe prijësve arbër, duke u bërë figura e parë historike që arriti bashkimin e tyre.

Giovanna Motta (Universiteti “La Sapienza” i Romës) u përqendrua në temën Perandoria Osmane, Mesdheu dhe Europa”, në të cilën u vunë në dukje ekuilibrat delikate politike dhe ekonomike të periudhës kur jetoi e veproi Gjergj Kastrioti; veçmas roli i Adriatikut në këto ekuilibre.

Adriano Papo (Universiteti i Udine-s) mbajti kumtesën “Janosh Huniadi dhe Gjergj Kastrioti - aleatë të qendresës antiosmane”, në të cilën u përmendën burime arkivore që lidhen me betejën e Moravës, ku protagonisti i rezistencës shqiptare braktisi përgjithnjë shërbimin ndaj ish-Perandorisë Osmane dhe u kthye për të organizuar rezistencën në vendlindje. Studiuesi theksoi se aleanca midis dy prijësve fillimisht u zhvillua si një përputhje interesash strategjike të tyre kundër të njëjtave ushtri pushtuese, derisa më 1448, me rastin e fillimit të një fushate të përbashkët antiosmane, dëshmohet që ajo të ketë marrë formën e një traktati me shkrim. Nga studiuesi u fol për një letër të mbretit Vladislao të Polonisë drejtuar Skënderbeut në kërkim të një aleance më të gjerë, që u kurorëzua me betejën e famshme të Varnës.

Gaetano Platania (Universiteti i Viterbo-s) kumtoi rreth temës “Lidhja ndërkishtare, lufta antiosmane dhe ideja e një kryqëzate në fundin e mesjetës: roli i kardinalit grek Bessarione (Visarion) të Nikeas, një thuajse bashkëkohës i Gjergj Kastriotit”. Në këtë kumtesë u vu në dukje se qëllimet e kardinalit Visarion për të organizuar një kryqëzatë ndërkishtare në rajonin e Ballkanit, me qëllim çlirimin e Kostantinopojës dhe mbrojtjen e vlerave kulturore tradicionale nga shkatërrimi prej pushtuesve të Bizantit, e bënë atë “një burrë të denjë për një kujtim të pavdekshëm”, sipas një shprehjeje të Enea Piccolomini-t, njëkohësisht një figurë të humanizmit europian, sikurse Gjergj Kastrioti.

Pastaj Marko Jačov (Universiteti i Lecce-s) mbajti kumtesën “Skënderbeu në botime historiografike të shekullit të 16-të dhe të 17-të”. Kumtuesi theksoi se Gjergj Kastrioti, në vështrimin e historiografisë perëndimore të kësaj periudhe, cilësohet “princ i Epirit, që sundoi në zotërimet e të atit, Gjon Kastrioti, në atë pjesë të Shqipërisë që gjendet midis Matit dhe Tumenstit (?); si dhe në ato të trashëguara nga nëna, Vojsava, bijë e një fisniku nga Pollogu”. Ai u ndal më gjerësisht në veprën “Commentario delle cose de Turchi”, Paolo Giovio-s, botuar në Venezia më 1541.

Studiuesi rumun Turcuş Şerban (Universiteti i Cluj-it, Rumani) foli për temën “Historiografia rumune për raportet midis Skënderbeut dhe Ianu de Hunedoara”. Kumtuesi përmendi se prijësi i rezistencës hungareze Janosh Huniadi, duke qenë rumun (transilvan) me origjinë, ndikoi për të bashkuar në një aleancë me Gjergj Kastriotin edhe prijës të tjerë rumunë e transilvanë, si Stefani i Madh ose Vlad Tepeş. I vetmi aleat nën Danub për krerët e rezistencës rumune antiosmane ishte Gjergj Kastrioti. Midis studiuesve rumunë që kanë përshkruar këto aleanca janë: Costantino Marinescu, Francisc Pall, Camil Mureşanu.

Në kumtesën e tij Shaban Sinani (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë - Tiranë) u përqendrua në temën “Tipare të një figure të Rilindjes Europiane në figurën e Gjergj Kastriotit”. Sipas studiuesit, përcaktimi i tipologjisë së kësaj figure ka ndryshuar përgjatë rrjedhave të historisë. Më shumë është zhvilluar pikëpamja etnocentriste dhe më pak janë spikatur cilësitë që e bëjnë atë një figurë të Rilindjes Europiane. Sipas autorit, nëse kjo figurë në veprën e Barletit përfaqëson një hero tipik të letërsisë së periudhës së humanizmit, atëherë duhet shtruar pyetja nëse ishte i tillë dhe si protagonist i historisë. Në vijim nga autori u paraqitën burime të reja që dëshmojnë se Gjergj Kastrioti gjendet në lidhje e bashkëveprim me një yllësi personazhesh historike, të brendshme dhe të jashtme, që e bëjnë atë një figurë të humanizmit europian para dhe pa Barletin. Studiuesi theksoi se për të kuptuar përmasën europiane të figurës së Skënderbeut Rilindja Europiane duhet kuptuar jo si nocion i gjeografisë kulturore, por si një lëvizje e përgjithshme e popujve, në të cilën pati ndihmesa të përveçme.



Pietro De Leo (Universiteti i Kalabrisë) kumtoi rreth temës “Skënderbeu në historiografinë “contra turcos”. Ai përmendi se figura e Skënderbeut në botimet kushtuar qëndresës antiosmane gjendet e pranishme në mbi 300 vepra, nga të cilat 53 të shtypura në Venecia (gjithësej 92 të botuara në Itali). Sipas autorit, fjala çelës për të kuptuar personalitetin e Gjergj Kastriotit është lufta “contra turcos” ose “fryma e kryqëzatës”.

Studiuesi shqiptar Willy Gjon Kamsi, ish-ambasador i Shqipërisë në Vatikan, mbajti kumtesën “Vokacioni i krishterë dhe evropian i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Autori theksoi se formimi i krishterë i Skënderbeut u bë në një kohë ekspansoni të ushtrive osmane në Ballkan dhe në Shqipëri. Ky formim shpjegon edhe kthimin e tij në vendlindje dhe më pas rritjen e vëmendjes së autoriteteve të rëndësishëm të kishës ndaj tij. Fryma europiane e kësaj figure shprehet në orientimin e tij drejt aleancash të tilla, si ajo me republikën e Raguzës, me Huniadin dhe të tjerë.

Në kumtesën e tij Ivan Biliarsky (Universiteti i Sofjes) paraqiti të dhëna të hartografisë bullgare të shekullit të 13-të “Mbi kuptimin e “tokave shqiptare” në sistemin administrativ të perandorisë së dytë bullgare”. Harta ku tokat shqiptare përkufizohen sipas etnonimit të banuesve të tyre gjendet në “Privilegium per i ragusiani” lëshuar në emër të car Ivan Asenit II (1230).

Antonello Biagini (Universiteti “La Sapienza” i Romës) foli për temën “Diaspora shqiptare në rrjedhë të shekujve”. Në këtë kumtesë u shpjeguan rrethanat e mërgimit të shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe roli i mitit të heroit kombëtar në mbijetesën e vetëdijes arbëreshe. Sipas autorit, procesi i islamizimit, që ishte i pjesshëm, duhet kuptuar në mënyrë relative, duke e dalluar prej konceptit të otomanizimit, që ishte i përgjithshëm. Po ashtu ai theksoi idenë se, qoftë dhe për arsye pragmatiste (sepse një “milet” duhej të paguante më shumë taksa, që të privilegjohej një “milet” tjetër), absolutizimi i tezës së islamizimit të dhunshëm të popullsisë së Ballkanit do të çonte në një shtrembërim të së vërtetës. Studiuesi theksoi se figura e Gjergj Kastriotit nuk mund të kuptohet pa njohur ndikimin e gjeografisë politike mbi historinë dhe anasjelltas.

Studiuesi shqiptar Zef Mirdita (Universiteti i Zagrebit), mbajti kumtesën “Lidhja Shqiptare ose Lidhja e Lezhës”, në të cilën u përshkrua fati historik i hapësirës shqiptare prej pushtimit anzhuin deri në kthimin e Gjergj Kastriotit; u parashtruan fakte rreth raporteve të vështira midis princërve shqiptarë, duke përfshirë dhe ndikimin përdallues të dy kishave, faktorë që e bënin të ndërlikuar rrugën deri tek e para aleancë politike-ushtarake e shqiptarëve.



Ignazio Parrino (Universiteti i Palermo-s) kumtoi për temën “Skënderbeu dhe Bessarione (Visarioni) në traditën social-politike e kulturore të greko-shqiptarëve të Italisë”. Autori përmendi fakte që lidhen me heraldikën, historinë kishtare dhe atë laike për lidhjet midis kardinalit Visarion dhe shqiptarëve të vendosur në jug të Italisë, me veprimtarinë e manastirit të shën Salvatorit të Messina-s në përkrahje të tyre. Kumtuesi theksoi se, nën ndikimin e Visarionit, të Costantino Lascaris dhe të figurave të tjera, u arrit që të ruhej riti bizantin dhe kultura klasike në ngulimet e të shpërngulurve, deri në lindjen e aspiratës për një union të kishës greke dhe asaj romane.

Kumtesa e Attilio Vaccaro-s (Universiteti i Kalabrisë) titullohej “Rruga e zhvillimit të studimeve për Gjergj Kastriotin”. Autori i solli audiencës një vështrim informues panoramik të arritjeve më të rëndësishme të këtyre studimeve prej periudhës klasike deri në ditët tona në Shqipëri dhe në qendra albanologjike në botë.

Studiuesi shqiptar Imri Badallaj (Universiteti i Prishtinës) foli rreth temës “Figura e Skënderbeut në revistën “Ekskluzive”.

Në vijim Amedeo Di Francesco (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) mbajti kumtesën “Një këngë historike hungareze e shekullit të 16-të për Gjergj Kastriotin”, në të cilën autori përshkroi historinë e përgatitjes dhe të botimit të kësaj poeme, me autor Miklós Bogáti Fazakas, klerik me origjinë italiane që shërbente në Transilvani. Poema është shkruajtur hungarisht dhe është botuar për herë të parë më 1579 dhe për herë të dytë më 1587. Në botimin e parë Skënderbeu cilësohet si “heroi që jetoi në kohën e Janosh Huniadit”, kurse në botimin e dytë ai cilësohet “aleat i Huniadit”. Si burim bazë ka shërbyer “Historia e Skënderbeut” e Barletit. Sipas autorit, poema, për të cilën Akademia Hungareze e Shkencave po përgatitet një botim kritik, ka rëndësi për mesazhin historik dhe ideologjinë që përcjell, për teknikën e ndërthurjes së oralitetit me traditën e shkruar, si dhe për mundësitë krahasuese që ofron për të sqaruar raportet hungaro-shqiptare dhe evolucionin e tyre gjatë epokës së Skënderbeut.

Ndërsa Pierfranco Bruni (Ministria e Kulturës) trajtoi temën “Përfytyrimi i Skënderbeut nga një shkrimtar”, në të cilën ai veçoi dy vlera historike të figurës së Gjergj Kastriotit që e bëjnë atë tërheqëse për letërsinë: mundësia për të shërbyer si model historik për një personazh letrar, për shkak të historisë, fatit dhe aventurës, nga njëra anë; si dhe ngjashmërinë me personazhe me karakter universal në letërsinë mesdhetare, duke filluar prej Aleksandrit të Madh deri te heronjtë letrarë të Homerit e të Virgjilit. Një krahasim më i detajuar u bë nga studiuesi midis modelit që ofron figura e Skënderbeut dhe modelit të trashëguar përmes personazhit të Eneas. Përgjithësisht raporti Lindje-Perëndim, ikje-kthim dhe të tjera cilësi e bëjnë këtë ngjashmëri më të dukshme.

Kumtesa e Jorgo Bulos (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë -Tiranë) titullohej “Për një tipologji të eposit për Skënderbeun në letërsinë shqiptare të romantizmit”. Autori theksoi se kujtimi i rezistencës arbërore të shekullit të 15-të me kohë jo vetëm u bë pjesë e ndërgjegjes historike të shqiptarëve, por edhe faktor për zhvillimin e kulturës së re të tyre. Në vijim ai u ndal në shqetësimin e romantikëve shqiptarë për një epope që duhej t’i ishte kushtuar kësaj rezistence. Ky shqetësim, që u shpreh në përpjekjet për rindërtimin e një epopeje në traditën popullore, shfaqet edhe te shkrimtarët rilindës të Shqipërisë, edhe tek ata të arbëreshëve të Italisë. Studiuesi dalloi dy tipe të poemës epike kombëtare të krijuar në këtë periudhë: poema me individin në qendër, e prirur nga zhvillimi romanesk, sikurse vërehet në veprën e De Radës; dhe poema me bashkësinë etnike në qendër, që përfaqësohet nga “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit. Për të parin veprimi parësor është drama shpirtërore e njeriut, kurse për të dytin - drama e një populli që vuan.



Ymer Jaka (Universiteti i Prishtinës) mbajti kumtesën “Skënderbeu në letërsinë frënge”, duke u ndalur në poemën e Pierre de Ronsard (1576), në veprën e Lavardin-it, në poemën “Les Tragiques” të Agrippa d’Aubigne” dhe në veprën “Les Essais” të shkrimtarit Michel de Montaigne.

Kumtesa e Edmond Çalit (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) titullohej “Figura e Skënderbeut në “Histori e skënderbeut” të N. Frashërit”. Përkundër një mendimi tradicional për vlerat estetike të kësaj poeme, që u shkruajt kryesisht me funksione patriotike dhe për komunikim gojor, autori shprehu mendimin se mjete të tilla si rikthimi, përsëritjet, vonesat, nuk janë mangësi të veprës, por procedime të mirëfillta letrare. Për këtë autori iu referua koncepteve të U. Ecco-s. Më pas ai paraqiti aplikimin analog të këtyre koncepteve edhe në disa vepra të I. Kadaresë.



Costantino Nikas (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) foli për temën “Gjergj Kastrioti në veprën e Kritobulit të Imbros (Michele Critobulos)”. Vepra e këtij peshkopi kronikan u shkrua në Malin e Athosit në vitin 1470 dhe u referohet viteve 1450-1467. Autori theksoi rëndësinë burimologjike të veprës “Histori” në pesë pjesë të kronikanit, duke pasur në konsideratë se ai ishte bashkëkohës i Skënderbeut, kishte parë vetë pushtimin e Kostantinopojës dhe ishte i shqetësuar për fatin e Ballkanit të krishterë.

Pastaj Agostino Giordano (drejtor i së përkohshmes “Jeta arbëreshe”) kumtoi rreth temës “Variante të “Shpata e Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë” të B. Bilotta-s”, në të cilën ai përshkroi evolucionin e kësaj vepre në katër botimet e njohura, nga të cilat tri të pjesshme. Sipas autorit, redaktimi i herëpashershëm i kësaj vepre nga Billota dëshmon se cila ishte rëndësia që ai i jepte asaj. Ai përmendi se botimi përfundimtar i kësaj poeme nga vetë autori (1890) ka njohur edhe një botim jointegral në Tiranë më 1968, nën kujdesin e Emanuele Giordano-s, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.



Përkujdesësi shkencor i gjithë veprimtarisë Italo Costante Fortino (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) kumtoi rreth temës së titulluar “Një poemë e pabotuar e G. A. Nociti-t për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun. Autori theksoi se ka shumë vepra të autorëve arbëreshë që kanë mbetur të pabotuara deri në kohën e sotme, pa folur për arkivat, të cilat përmbajnë burime me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e qëndresës shqiptare në periudhën e Gjergj Kastriotit. Një nga këto vepra, pjesë përbërëse e një dorëshkrimi heterogjen (miscellanea), është libri me kalimere “Rrëmenxa t’arbresha” (“Rime albanesi”) i Giuseppe Angelo Nociti-t (1832-1899), si dhe poema “Ndihmja e Krojës” (“Mbrojtja e Krujës”) shkruar më 1857 dhe e përbërë nga tri këngë në vargje 12-rrokëshe. Botimi kritik i këtyre veprave është një përgjegjësi parësore e studiuesve filologë. Pasurimi i burimeve, tha autori, që është gjithashtu botuesi i parë i “Rrëmenxa t’arbresha”, do të bëjë të mundur që vendi i figurës së Gjergj Kastriotit në letërsi dhe histori të kuptohet më mirë. Në përfundim ai theksoi nevojën që në konferenca të tilla të mundësohet përfaqësimi i të gjitha pikëpamjeve dhe qëndrimeve shkencore, duke përshirë ato të “palës tjetër”, që ka interes jo vetëm të dëgjohet, por edhe të mirëkuptohet.






Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət