Ana səhifə

Shpetimi ne shqiperi nje qint perqint e hebrejve


Yüklə 269.5 Kb.
səhifə4/6
tarix18.07.2016
ölçüsü269.5 Kb.
1   2   3   4   5   6

Disa shënime të rastit 

A 

Raport i zyrës së policisë së Prishtinës, 30 qershor 1943.

Solomon Hazmonay 

Emri i babait: Haim; emri i nënës: Sara;Lindur ne Bullgari me 1913; qytetar i Sofjes. I pyetur se përse kishte hyrë në Shqipëri fshehtas, ai përgjigjet: " Me 6 qershor ne e lamë Shkupin në një vagon treni i destinuar për transport kafshësh dhe mbrrimë në Ferizaj të nesërmen. Kur zbritëm prej trenit na zuri policia dhe na dergoi menjëherë në burg. Arsyeja se pse ne erdhëm këtu është se autoritetet bullgare donin të konfiskonin pasuritë tona ndaj na deportonin. Ne erdhëm në Shqipëri për t'i shpëtuar rrezikut. Kishim pak dollare."

Nuk dimë se çfarë ndodhi me këtë familje por dimë se qeveria shqiptare siguroi një rrogë të vogël për ato familje të cilat ishin në gjendje më të keqe.

 B 

Raport i një gruaje që jetonte në ato territore. Ajo ankohet se ishte arrestuar gabimisht pasi edhe pse ishte e lindur hebreje, ajo ishte shndrruar që heret duke u martuar me një kristian dhe ishte shkëputur nga origjina. Nuk gjëndet ndonjë rregjistrim i ndonjë ankese të bërë nga ana e saj por në qoftëse ajo ishte e prekur si gjithë të tjerët, ankesa e saj eshte e pavlefshme. 

C

Fushat e përqëndrimit.

Ky ishte një emër i vënë që kishte të njejtin kuptim me fjalën: kamp përqëndrimi. Këto ishin kampe për civilët dhe megjithëse shumica e njerëzve në to ishin hebrej aty kishte edhe njerëz të cilët hapnin probleme. Kampet ishin të rrethuara prej telash me gjëmba dhe ushtarësh italianë. Sëmundjet në kampe ishin tërësisht jashtë kujdesit dhe kontrollit. Barakat ishin prej druri dhe nuk kishin dritare. Krevatët ishin po ashtu prej druri të vendosur në tre kate. Thjesht ishte një vend i shëmtuar.

 

 



 

 

 



 Kapitulli i shtatë.

Gjermanët

Kërkesat për listën e hebrejve

Në fund të vitit 1943, gjermanët iu kërkuan drejtuesve të bashkësisë hebreje që të dorëzonin një listë të hebrejve që jetonin në Shqipëri. Me sa duket kjo kërkesë naive ishte hapi i parë drejt transportimit të hebrejve për në kampet e përqëndrimit. Ata nuk e dhane listen e kërkuar në vitin 1943 por megjithëate i përfshiu frika se mos rregjenca do të pajtohej më gjermanët dhe do tua dërgonte listat e kërkuara gjatë vitit që pasonte. 

Në pranverën e vitit 1944, nazistët i kërkuan zyrtarisht rregjencës listat si dhe grumbullimin e hebrejve në një vend. 

Babai i Josef Jakoelit, Rafael Jakoel dhe xhaxhai i tij Mateo Matalia i kuptuan qartë qëllimet e gjermanëve për të arrestuar të tërë hebrejtë e Shqipërise. Si udhëheqës të bashkesise ata u ankuan tek njëri prej rregjentëve, Mehdi Frashëri. Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me Minsitrin e Brendshëm, XhaferDeva, i cili njihej si anti-semitist.

Ata që shkuan të takoheshin me Ministrin Deva, edhe pse e dinin rrezikun që iu kanosej nga ky takim. Të dy e pranuan sfiden duke iu lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, nacionalizmi i Ministrit Deva e tejkalonte anti-semitizmin e tij; ai pranoi që të protestonte tek gjermanët për rastin e tyre. Deva ia doli që t'i bindtte gjermanët që të tërhqnin kërkesën për hartimin e listave të hebrejve.

Kujtimet zbehen ndërkohë që koha kërkon haraçin e vet. Ka edhe nje variant tjetër të kësaj ngjarje me Xhafer Devën: Ai i hodhi poshtë kërkesat e gjermanëve dhe më pas i njoftoi hebrejtë se gjermanët e pranuan vendimin e tij, pra nuk ishte e nevojshme që të përpilohej lista. Nuk ka shumë rëndësi se cili nga variantet është i vërtetë pasi rrjedhoja është e njejta: Shqiptarët nuk iu bindën nazistëve për tua dorëzuar listat e hebrejve. 

Kur Ministri Deva e hodhi poshtë kërkesën e gjermanëve, gjithnjë sipas të dhënave, ai u tha gjermanëve se e vleresonte këtë si një shkelje flagrante të marrëveshjes si dhe një ndërhyrje arbitrare në punët e brendshme të Shqipërise. Ai iu spjegoi përfaqësuesve të bashkësisë hebreje përgjigjen që u kishtë dhënë nazistëve duke i siguruar ata se për sa kohë që qeveria shqiptare do të kishte force, hebrejtë në Shqipëri, nuk kishin se pse të kishin frikë. Ngjarjet e mëposhtme treguan vërtetësine e kësaj deklarate.

Fakti që qeveria dhe populli shqiptar nuk bashkëpunuan me gjermanët nuk do të thotë se rreziku ishte zhdukur si për hebrejtë ashtu edhe për muslimanët dhe kristianet te cilët i morën ata nën mbrojtje. Gjithkund rreth e rreth këtij vendi, nga Korfuzi, nga Janina si dhe nga territoret e aneksuara, hebrejtë transportoheshin drejt kampeve të vdekjes. Rëndësia e kundërshtimit të kërkesës për dorëzimin e listave të hebrejve nuk mund të mos vlerësohet. Ka një lidhje të padiskutueshme midis listës që nuk u dorëzua dhe numrit të atyre që mbijetuan. Shembulli i Greqise e ilustron më së miri, këtë. Në Selanik, listat e kërkuara nga nazistët u dorëzuan dhe kjo bëri që të mbijetuarit të ishin jo më shumë se dhjetë për qint. Në Athinë listat nuk u dorëzuan dhe të mbijetuarit ishin pesëdhjetë për qint.



Bisedimet

Jakoel tregon për përvojën e tij kur ai dhe tre hebrej të tjerë të rinj po kërkoheshin nga gestapo. Tre të tjerë u kapën prej nazisteve. Pleqtë e bashkësisë hebreje të Vlorës u përpoqën që të bisedonin për lëshimin e tyre. Ata arritën që të futeshin tek shefi i Gestapos nëpërmjet të një ndërmjetësi. Ndërkohë njeri prej të treve arriti të njoftonte vëllain e tij dhe t'i thoshte se lëvizjet e tij ishin nën vëzhgim, kështu që duhej të bënte kujdes për pjesën tjetër të familjes. Përfaqësuesi i gjeneralit Futztun, shefi i gestapos iu ofroi atyre lirimin kundrejt një pagese të konsiderueshme në të holla. E vetmja garanci që gjermanët jepnin në këtë pazar ishte "fjala e nderit" e shefit të gestapos. Me të paguar mitin e kërkuar të katër hebrejtë u liruan.

Thuajse i njejti incident i ndodhi Pepe Levit i cili kundërshtoi që të punonte si informator për gjermanët. Ai e ndjeu rrezikun e vdekjes ndaj përpara së të shkonte për të rrëfyer tek gjermanët vendimin që kishte marrë, i dha lamtumiren familjes së tij. Pa hyre tek detajet se si ndodhi, fakt është që gjermanët pasi e dëgjuan refuzimin ndaj kërkesës së bërë prej tyre për tu kthyer në një informator të gestapos, e lanë që të shkonte. Nuk ka spjegim tjetër veç atij që Rajhut të Trete i ishte afruar fundi dhe megjithëse gjermanët po e përshpejtonin punën e makinerise së tyre vrasëse, oficerë të veçantë të ushtrisë gjermane nuk dëshironin që emri i tyre të lidhej me vrasje hebrejsh. 

Ndodhia e mëposhtme mund të merret si e fundit me hebrejtë e Vlorës. Nazistët kishin përgatitur një listë bashkë me adresat dhe kishin planifikuar që pikërisht në mëngjesin e asaj dite kur ata do ta lëshonin Vlorën, t'i arrestonin të tërë hebrejtë. Ata e ndjenin së fundi ishte afruar. Ditën kur gjermanët do të iknin, partizanët zbritën nga kodrat dhe e rrethuan qytetin. Ata filluan të këndonin e të kërcenin siç ishte zakoni i tyre përpara se të fillonin betejën, si formë e luftës psikologjike. Pushtuesi vendosi ta lëshonte qytetin natën, pa e pritur mëngjesin. Kështu hebrejtë e Vlorës shpëtuan.



Kapitulli i Tetë

Fisnikët dhe Holokausti

Tani që Shqipëria është "hapur", ne mësuam për herë të parë historine e jashtëzakonshme se si shqipëtarët i mbrojtën hebrejtë gjatë pushtimit italian dhe gjerman. Dihet historia rrënqethëse e shpëtimit të hebrejve të Danimarkës. Historia e shpëtimit të tyre në Shqipëri ishte varrosur për katër dekada, për shkak të politikës anti-izraelite dhe izolacioniste të një diktatori komunist.

Asnjë hebre shqiptar nuk u vra gjatë Holokaustit . Po ashtu çdo hebre grek, gjerman, jugosllav apo austriak që pat fatin të prekte në tokën shqiptare, shpëtoi për mrekulli. Historia shqiptare është pa dyshim më e veçanta edhe për faktin se shumica e fisnikëve shpëtimtar të hebrejve ishin musliman, ndonëse kishte gjithashtu edhe ortodoks dhe katolikë.

Një fakt tjetër tejet i veçantë është ai që nuk gjëndet asnjë rast ku shqiptarët të kenë pranuar kompensime për fshehjen e hebrejve. Megjithëse ende nuk ka ndonjë studim statistikor mbi origjinën e hebrejve që shkelën në Shqipëri, rezulton se shumica e të huajve të fshehur në këtë vend ishin nga vendet kufitare me Jugosllavine. Veçantia e Shqipërise si një strehë e hebrejve bie edhe më shumë në sy po të kemi parasyshë faktin se më pak se dhjetë përqint prej shatëdhjetë mije hebrejve të Jugosllavise arritën t'i shpetonin Holokaustit.(1)

Ka edhe diçka tjetër që e bën situatën në Shqipëri më të ndryshme nga vendet e tjera. Koha gjatë së cilës hebrejtë kanë qenë të kërcënuar nga rreziqet më të mëdha, ka qenë prej vjeshtës së vitit 1943 deri në tetor të vitit 1944. Si në asnjë vend tjetër të pushtuar, Shqiperia kishte brenda kufijve të vet më shumë hebrej në fund të luftës se sa në fillim të saj. 

Ndersa vetë djalli rendte si i çmendur nëpër Europën e pushtuar nga fashizmi, Shqipëria ishte kthyer, siç e quante një hebre i shpëtuar aty, në një "kopësht të Adamit" për refugjatët hebrej. Më poshtë do të gjeni atë çfarë i ndodhi një familje hebreje, refugjate nga Jugosllavia. 

Kur gjermanët i vunë në jetë ligjet raciste, kjo familje me identitet të fallsifikuar shkoi për të shpëtuar në Jugosllavinë Jugore e cila ishte aso kohe nën kontrollin italian. Italianët e arrestuan për hyrje ilegale dhe e vendosën në një kamp- burg, ku gjëndeshin edhe familje të tjera hebreje. Italianët ishin njerzorë në trajtimin që u bënin hebrejve në këtë kamp familjesh dhe nganjëherë i lejonin burrat që të punonin në tregëti ose në profesionet e tyre. Edhe fëmijëve të të burgosurve u lejohej që të loznin me femijët e rojeve. 

Shqetësimet filluan bashkë me ankesat për mbi-popullim të kampit. Kur hebrejte u ankuan, italianët ua bënë të njohur këtë gjermanëve të cilët u paraqitën të gatshëm për ta trajtuar çështjen siç dinin ata. Të nesërmen, ata shkuan tek kampi, morën gjysmën e hebrejve që ndodheshin aty, i dërguan tek një pyll afër Prishtinës dhe i pushkatuan pa as më të voglën mëshire. Kjo ndodhi në atë pjesë të Jugosllavisë të cilën gjermanët e quanin territor i aneksuar. 

Italianet u ndien dukshëm fajtor për këtë dhe si për tu shfajsuar i trafikuan hebrejtë e mbetur në Shqipërinë e pushtuar në atë kohë vetëm prej trupave të tyre. Kjo u krye me makina transporti ushqimesh duke i fshehur njerëzit nëpër thasë. 

Nga ferri i tmerreve nëpër Europe, ata po shkonin drejt një bote tjetër - drejt një ishulli mistik që quhej Shqipëri. Të gjendur në këtë vend të panjohur për ta, të rrethuar nga mikëpritja tradicionale shqiptare ata panë me sytë e vet dallimin midis ferrit dhe parajses.

Naftali tregon këtë histori: "Unë isha në atë kohë një djalë i të katërmbëdhjetave. Ne shpëtuam nga Serbia e pushtuar, kaluam nëpër Bullgari e prej andej në provincën  

Kosoves (në territoret e aneksuara) ku u ndesha me një pritje të tmerrshme. Gjermanët ushtruan trysni ndaj italianëve për të na arrestuar. Kështu e gjitha familja jonë përfundoi në burg. Atherë në pamë anën më të shndritshme të shqipëtarve. Një grup gjykatësish shqipëtare erdhën dhe kërkuan që të bëhej zhvendosja e refugjatëve më në jug të vendit. Ata e bënë këtë për të shpëtuar jetët tona dhe për t'ja arritur kësaj na transferuan në Kavaje. 

Tri makina të mbushura plot me hebrej arritën në Kavaje në një ditë pazari. Mihali, i cili ishte 17 vjeç në atë kohë, e mori familjen time dhe e vendosi tek një hotel i vogël, pronë e familjes së tij duke na dhënë edhe ushqime. Ai më punësoi si pjatalares. Më të mbërritur ne, erdhën gjermanët kështu që na duhej patjeter të iknim për Tiranë. Por për të shkuar atje duheshin dokumente. Dihet tashmë se si Mihali i mori dokumentet ne polici per ne.

 

 



Historia e Mihal Lakatarit 

Në vitin 1942 refugjatë hebrej të liruar nga burgjet italiane u dërguan në Kavajë. Familjet hebreje nuk kishin pasaporta shqiptare gjë që përbënte një problem serioz. Mihal Lakatari, një djalë ortodoks 17 vjeçar e kuptonte rrezikun që u kanosuj atyre familjeve. 

Një mëngjes heret, ai u armatos dhe shkoi tek posta e policise pasi pandehte se nuk do të gjente njeri në punë aq heret por u befasua kur gjeti aty një sekretar. Megjithatë, falë guximit që e karakterizonte, i mori të gjitha kartat e identitetit, rreth 50 copë, dhe e porositi sekretarin të mos fliste në se e donte veten dhe familjen. 

Refik Veseli me shokë të tjerë i siguruan fotografitë e nevojshme për pasaportat por prapëseprapë ato nuk mund të përdoreshin pasi nuk kishin as vula të njoma as të thata. Mihali iu kthye edhe një herë postës së policisë dhe i siguroi ato. 

Kur ndodhi kjo, Mihali ishte nxënës në shkollën pedagogjike. Përse e beri ai këtë veprim? Përgjigja e tij vjen gati një gjysmë shekulli më vonë: Nuk ka arësye fetare që më shtynë ta beja këtë. Unë u përpoqa t' i shpëtoja ata njerëz pasi ishin në situatë tmerrësisht të rrezikshme. Për mua s'kishte asnjë rëndësi se çfarë feje apo kombësie kishin. Ne i deshëm ata njerëz. Mirënjohja që shfaqin ndaj meje më bën të lumtur. Ky është shpërblimi më i madh. 

Një prej përdoruesve të këtyre dokumenteve fallse e ruan edhe sot e kësaj dite fotografinë e cila i ishte bashkëngjitur "kartes" së tij dhe e quan atë si dhuratën më të çmuar e më të bukur që ka marrë ndonjëherë. Ai e përqafon Mihalin dhe i thote: "Flori, Ju, familja juaj dhe tërë populli shqipëtar jeni flori i pastër." Nuk është për tu çuditur pse hebrejtë shpëtuan nga treni i vdekjes. Njerëz si Mihali e bënë këtë. Ai tanimë është nderuar me titullin Fisnik. 



Familjet Veseli dhe Mandili 

Moshe Mandili dhe familja e tij ikën prej Beogradit ku kishin lindur dhe u ndjenë pak a shume më të sigurtë në internim në një kamp në jug të Jugosllavise i cili ishte nën kontrollin italian. Mbasi qëndruan për më se nje vit të internuar, kjo familje si dhe 120 bashkëvuajtës të tjerë dolën nga kampi dhe shkuan në Shqipëri. 

Refugjatët hebrej jetonin në një farë sigurie relative deri në vjeshten e vitit 1943, kohë kur forcat pushtuese italiane ua lëshuan vendin atyre gjermane. Kur këta të fundit e morën plotësisht fuqinë, Refik Veseli vendosi që të shtatë hebrejtë të cilët i fshihte në Tiranë t'i siguronte pranë prindërve të tij në vendlindje. Atyre iu dhane dokumentet e nevojshme, i veshën me rrobe fshatarësh dhe iu vunë emra musliman. Refiku iu tha atyre se do të ishte më mire po të ecnin në këmbe në një rrugë rreth 50 kilometra se sa të zinin ndonjë autobus i cili vërtetë i dërgonte shpejt por mund t'i rrezikonte në se ndodhej dikush që e kuptonte këtë. Në atë kohë edhe ai vet nuk ishte i sigurte se si do të reagonin njerëzit ndaj një veprimi të tillë. Ai nuk deshi të merrte përgjegjësi të panevojshme megjithëse koha vertetoi se ky rrezik ishte shume i vogel në mos nuk ekzistonte fare.  

Familjet Mandili dhe ajo e Ben Jozefit të cilët përbëheshin prej pesë të rriturish dhe dy fëmijesh u fshehën në shtëpinë e prindërve të Refikut në

Krujën malore deri në mbarim të luftës. Refiku e ndjeu se prinderit e tij patën një farë ngurrimi për t'i marrë këta njerëz të çuditshëm në shtëpi, por më vonë ata u bënë si njerëz të një shtëpie. E vërteta është se nuk mund të ndodhte që një shtepi e tillë të mos pranonte miq. 

Përveç rrezikut që u kanosej për vete nga gjermanët, tani u shtohej edhe problemi tjeter, ai i strehimit të shtatë njerëzve të huaj që jetuan në shtëpine e tyre për një kohë të gjatë. Kjo familje u dha strehë atyre për një vit të tërë. Rreth pesëdhjetë metra larg shtëpisë së Veselëve ishte një shpellë ku hebrejtë e rritur fshiheshin sa herë thuhej se po vinin gjermanët. Ata kurrë nuk dalluan tek mirëpritësit ndonjë farë bezdie. Interesant është fakti se familja shqiptare kurrë nuk pranoi të merrte qoftë edhe një qindarkë si shpërblim për shpenzimet e bëra për mbajtjen e miqve. 

Pas luftës Refiku shkoi në Beograd për të bërë një vizitë tek Mandilët ku mësoi artin e të fotografuarit në studion e tyre. Më pas ai hapi studjon e vet në Tiranë.

Letrat qe Mandili dërgonte pandërprerë u bënë baza dokumentare që çoi në nderimin me titullin Fisnike midis Kombeve të familjes së Veseleve, prej Yad Vashemit. Ata ishin të parët shqipëtar në mos të parët muslimanë që u nderuan me këtë titull prej Yad Vashemit.  



Atif dhe Ganimet Toptani. 

Si shumë familje të tjera shqiptare edhe Toptanët ishin dashamirës të kulturës gjermane por jo të nazizmit. Si njerëz fisnikë që ishin ata i ndihmuan kauzës së aleateve. Ata gjithashtu bënë sakrifica për tu shpëtuar jetën e hebrejve

 

Gjatë një operacioni të gjermanëve kundër forcave partizane, një kolonel i misionit ushtarak britanik ishte plagosur seriozisht. Ai gjeti strehë në Kamëz në familjen e Toptanëve. Po kjo familje strehoi në shtëpine e vet edhe familjet Altarak dhe Levi, edhe pse ishte e para herë që takonin një familje hebreje.



Edij Toptani ishte dymbëdhjetë vjeç kur u shoqërua me Jashan dhe Mikan. Antaret e familjes Toptani janë nderuar gjithashtu me titullin Fisnikë.

 Sulo Maçaj

 Sulo Meçaj ishte nga Kruja. Ai jetonte me djalin dhe gruan në një shtëpi të vogël që ua kishte lënë trashëgim babai. Në vitin 1943 ai e hapi derën e shtëpise për dhjetë hebrej midis të cilëve kishte edhe pjestarë të familjes Battino. Djali i Sulos tregon se çfarë ndodhi kur erdhën gjermanët në Krujë "Babain e lajmëruan se gjermanët po vinin tek shtëpia jonë për të kontrolluar për hebrej. Ai u tha miqve që sapo të jepte një sinjal, ata duhej të shkonin zvarrë tek një vend që ai e kishte përgatitur posaçërisht për ta, nën çati. Miqte i kapi paniku por babai u përpoq t'i bindtte se ata kurresesi nuk do të zbuloheshin. Njëri prej tyre e pyeti atë se çfare do të ndodhte në se gjermanët do ta digjnin ndërtesën. Për t'i siguruar, babai më urdhëroi mua, të vetmin djalë që kishte, të shkoja nën çati bashkë me të duke ndarë të njejtin fat nëse shtëpia do të digjej prej gjermanëve. Im atë nuk mund të zgjidhte rrugë tjetër. Kjo ishte çështje nderi për të" 

Pyetja se si e ndjeu djali i Sulos veten kur e urdhëroi babai që të rrezikonte jetën bashkë me hebrejtë, i shkakton njefarë hutimi dhe më pas përgjigjet se kjo ishte e vetmja gjë që mund të bëhej në ato çaste. Pyetjes tjetër se a do ta bënte edhe ai vetë atë që bëri i ati, ai i përgjigjet: "Pa as më të voglin dyshim" Nipi i Sulos i cili po e dëgjonte këtë histori dha të njejtën përgjigje. Që të dyve iu erdhën të habitshme pyetjet rreth kësaj çështje. 

Ndodhi edhe një ngjarje tjetër në Krujë e cila i trembi të dya palët, edhe hebrejtë edhe mikëpritësit e tyre. Kur partizanët e morën qytetin, filluan të vallzonin në rrugë. Hebrejte menjëhereë dolën prej vendeve të fshehta dhe iu bashkuan turmës që po festonte fitoren. Pak ditë më vonë gjermanët kundragoditën dhe e rimorën Krujën. Të gjithë banorët e qytetit tashmë e dinin se hebrejtë kishin dalë nga familjet Meçaj e Veseli. 

Çështë e vërteta, për një farë kohe hebrejtë ndjeheshin shumë të shqetsuar pasi ende nuk e dinin se çfarë ishte ajo mburojë e shenjtë që i ruante e që shqiptarët e quajnë BESA.

 

Nëqoftëse ndonjë nga banorët do tu tregonte gjermanëve për musafiret e çuditshëm atëhere spiuni do të të ekzekutohej por nga ana tjetër familjet qe i mbanin do të përziheshin nga vendlindja dhe do tu mbetej njolla e turpit përjetsisht.  



Familja Nosi

(Vasili dhe motra e tij Adelina) 

Në mars të vitit 1943 hebrejtë e ardhur nga Maqedonia u dërguan në kampin e vdekjes, Treblinka. Marko Menahen, një hebre maqedon e humbi tërë familjen dhe pas kësaj ai gjeti shpëtim në Shqipëri. Në fillim ai shkoi ne Tirane, por kur e mori vesh se gjermanët po e kërkonin ia mbathi për në Elbasan. Ai u strehua tek familja Nosi të cilët e punësuan si kimist në një fabrikë të tyre. Marko kishte dokumente fallso dhe e paraqiste veten si musliman, por ndodhi që në një dasëm të diktohej dhe u arrestua nga gestapo. 

Vasil Nosi njihte një oficer madhor të Gestapos që kur ishte student në Austri. Gjermani ishte alkolist. Vasili diti ta shfrytëzonte këtë dobësi të tij. Gjermani e lëshoi Markon prej burgut "vetëm për këtë herë" dhe e solli në shtëpinë e Nosëve. 

Markon e çuan menjëherë në fshatin Lixha ku e mbajtën të fshehur në një hotel të braktisur deri në çlirimin e plotë të vendit. Gjatë asaj kohe ai shihte vetëm Adelina Nosin e cila i sillte rregullisht ushqimin. Pas luftës, Marko u përgatit të shkonte në Izrael pasi kishte një vizë të përdorshme por nuk qe e thënë pasi komunistët e arrestuan Vasil Nosin. Marko dhe vellai i Vasilit u përpoqën që ta nxirnin Vasilin nga burgu por ata përfunduan për vete në pranga. Vasili vdiq në burg ndërsa Marko vuajti katër vjet ne burgjet komunsite thjesht për ndërhyrjet dhe përpjekjet që kishte bërë për të liruar shokun e vet. 

Kur Marko doli nga burgu, viza e tij dalëse kishte skaduar, ndërkohë që qeveria komuniste e Enver Hoxhes nuk e lejonte emigracionin për Izrael. Kështu ai u kurthua plotësisht. 

Atij iu shty vajtja në Izrael deri në vitin 1991, 41 vjet pas përpjekjes së parë ndërsa pjestarët e familjes Nosi pas një kalvari të gjate vuajtjesh i gezohen titullimit: Fisnikë.  



Beqir Qoqja

Avraham Eliasaf (i cili mbante emrin musliman, Gani) jetonte në rrobaqepsinë e mikut të tij, Beqirit në Tiranë. Kur gjermanët filluan një spastrim ndaj hebrejve ata menduan se ishte më e sigurtë që të dërgonin Avrahamin në një fshat të largët ku ai do të "shpëtonte" si musliman. Avrahami kishte disa monedha floriri te cilat ia dhe Beqirit për ta ndihmuar. Pas çlirimit, Beqiri ia ktheu mikut të tij florinjtë duke refuzuar çdo lloj kompensimi.  

Beqiri e vizitoi Izraelin më një grup fisnikësh por ata nuk arritën që të takoheshin përsëri, pasi Abrahami vdiq vetëm pak kohë para vizitës. Edhe Beqiri është nderuar me titullin fisnik. 

Ky nuk është një rast i vetëm kur pasuritë u janë kthyer hebrejve pas luftës. Nadire Buxhiu iu ktheu hebrejve të gjitha vlerat që ata i kishin besuar. Haim David i la disa objekte arti me vlera të mëdha Haxhi Mulla Deliut. Haimi nuk jetoi e megjithatë Haxhiu ia ktheu objektet vajzes se tij edhe pse duket se ajo nuk kishte dijeni për këtë. Në një rast tjeter si ky, zonja Qirko u dha djemve të Samuel Matathias, të gjitha gjërat e vlefshme që babai i tyre ia kishte besuar asaj. 

Prefekti i Vlorës, një figurë e rëndësishme në ditët e pushtimit italian, mori disa mallra të zgjedhura tek dyqani i Pepe Levit. Pepe i tha prefektit që të mos shqetësohej për pagesen pasi mund ta bënte atë kur të donte. Kjo në gjuhën e tregtarit do të thoshte: asnjeherë! Prefekti kishte fuqi që t'i arrestonte të tërë hebrejte dhe tu konfiskonte tërë pasuritë. Praktikisht ai mund të kishte marrë ndonjë gjë qe i duhej. Ai u ndie shumë i fyer dhe iu pergjigj atij: Dëgjo Pepe Levi! Unë kam qenë miku yt dhe këtë nuk e kam fshehur kurrë. Në qoftëse ju mendoni se unë këtë e kam bërë për të përfituar ndonjë gjë, jeni gabuar rëndë. Tani, më jepni çmimin, përndryshe do t'ju trajtoj si hasmin tim.

Metin, Azis dhe Shpresa Ruli - Ali Kuci 

Shpresa Ruli me prindërit e saj, Metin e Azis Ruli si dhe Ali Kuci zunë shoqëri të madhe me Solomon Komfortin dhe gruan e tij të cilët kishin një vajzë të sapo lindur. Aliu siguroi karta fallso ndërsa familjet e Rulëve dhe Kucëve i morën Komfortët nën "mbrojtjen e tyre". Gjatë një periudhe prej shtatë muajsh, ata i zhvendosën Konfortet nga një vend në tjetrin, atje ku Rulet mundnin t'i mbronin ata.

Një ditë Solomoni shkoi në qytet dhe papritmas u arrestua. Familja hebreje kishte dokumente që vertetonin se ishin muslimanë. Duke përdorur njohjet personale, familjet muslimane ia dolën që t'i lëshonin nga burgu duke këmbengulur se ai ishte i vëllai i Aliut. Qëndrimi në Tiranë u bë shumë i rrezikshëm. Prandaj ata u dërguan në një qytet të vogël. Në Shatator të vitit 1944, familja Komfort u largua për në Milano pa pësuar gjë dhe në janar të vitit 1945 u kthye në Jugosllavi e më pas në Izrael. Këto familje edhe pas pesëdhjetë vjetësh vazhdojnë korespendencën me njëra tjetrën.  

Aliu ishte anti-komunist i njohur. Ai u torturua dhe u vra prej komunistëve në vitin 1945. Djali i tij erdhi bashkë me grupin e shqiptarëve në Izrael dukë përfaqësuar familjet e Rulëve dhe të Kucëve. 



Familja Budo 

Vajza e tyre Sado Xhyheri fshehu katër hebrej. Riketa Goni, Viktor Jakoel, Eftimi Jakoel dhe David Matathia. Sadoja do të kalonte thuajse tërë kohën me ta, duke i inkurajuar dhe mbajtur lart moralin. Kjo miqësi njerëore vazhdoi me vite të tëra. 

Familja Batino qëndroi e fshehur për 40 dite.Pas bombardimit të qytetit nga gjermanët, qëndrimi i mëtejshëm u bë i pamundur, kështu ata u vendosen në një qytet të vogël por më të sigurtë. Nuk ishte e pazakonshme për hebrejtë që të "pasoheshin" nga një shpëtimtar i tyre tek një tjetër. Kjo bënte që të kishte më shumë se një person ose një familje që ndihmonte për shpëtimin e tyre nga nazizmi e që njihen edhe ata si Fisnike. 

Besim e Aishe Kadiu 

Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1944, që ishte edhe koha më e rrezikshme, familja Kadiu i hapi derën dhe e strehoi një familje hebreje. 



Shyqyri Myrto 

Shyqyriu ishte një shok i ngushtë i Josef Jakoelit. Në mars të vitit 1944 u ndërmor një "kontroll" nga gjermanët në një përpjekje për t'i mbledhur të tëra kartat e identitetit që mbanin hebrejtë. Hapi tjetër do të ishte përzënja e tyre. Shyqyriu i fshehu Josef Jakoelin dhe motrën e tij Eriketa nga marsi deri në nëntor 1944.

Një natë erdhën gjermanët. Ata dukej se kishin ndonjë informacion për hebrejtë që fshiheshin tek Shyqyriu. Dera nuk u hap deri sa Josefi u largua. Eriketa u vesh me rrobat karakteristike të Shqipërisë së Mesme dhe u fsheh në odën e grave ku hyrja e burrave ishte e ndaluar. Gjermanët u bindën të mos futeshin në atë dhomë pasi iu spjegua kjo traditë e vendasve.

Pesëdhjetë vjet me vonë, duke ndenjur në një dhomë të rehatshme në Izrael, Shyqyriu dhe shoku i tij Beqir Qoqja bisedonin për ngjarje të atyre viteve të vështira. Shyqyriu, tani tetëdhjetë vjeç me një beretë të vjetër në kokë, i mbështetur tek shkopi i tij dëgjonte tregimet e vajzës së Josef Jakoelit se si i kishte shpëtuar babai. "Në kulmin e terrorit gjerman ai i dërgoi babain dhe hallën nga një shtëpi në tjetrën, nga një oborr tek tjetri, nën hundën e nazistëve të cilët gjuanin për hebrej deri sa gjeti një vend të sigurtë për ta." Sytë e saj shkëlqenin nga admirimi për burrin që e nxori babain dhe hallën e saj nga kthetrat e sigurta të vdekjes.

Ne i pyetëm këta dy pleq musliman se përse i kishin bërë këto gjeste kaq fisnike. Beqiri, si njeri i thjeshtë që ishte fliste mjaft rrallë dhe përgjigjej shkurt: " Ai është miku im". Ndërsa Shyqyriu ndërhyn: "Ndoshta ju mendoni se ne e bëmë këtë për humanizëm. Feja jonë muslimane na mëson që të ndihmojmë gjithkënd që është në pozitë të vështirë ose në rrezik." Beqiri nuk ishte i një mëndje me të: " Kjo nuk ka asgjë të bëjë me fenë. Ne të gjithë kemi një zot dhe ai ka urdhëruar që t'i ndihmojmë njëri tjetrit. Të njejtën gjë thotë Jezusi, të njejtën gjë urdhëron Muhameti, të njejtën gjë predikon edhe Moisiu." 

Fisnikë të tjerë jo-hebrej. 

Më shumë se tetëdhjetë hebrej kalimtarë, shumica të panjohur për Nadire Bixhiun kaluan në shtëpine e saj duke gjetur gjithnjë një vend të sigurtë. Hoxhë Ferri iu priu shumë hebrejve për në fshatin Zall Herr ku ai kishte një shtëpi mjaft të madhe. Aty ushqehej gjithnjë një turmë e përbërë thuajse prej tetëdhjetë vetësh ndër të cilët kishtë edhe ushtarë italianë të cilët u larguan nga ushtria e tyre e shpartalluar. 

Familja Solomon dhe të tjerë u fshehën në shtëpinë e Nuro Hoxhës në Vlorë. Si masë paraprake sigurie u bë një transhe ku mund të rrinin të shtatëmbëdhjetë miqtë e familjes Hoxha. Të shtatëmbëdhjetët ndejtën në këtë shtëpi për tre muaj.  

Në vitin 1940, Vjera Matuseviç dhe familja e saj prej shtatë antarësh u gjendën në Tirane. Ata u strehuan në Zall Herr. Ushqimin ua çonte Mikel Kilica. Gjermanët e pikasën se çfarë bënte Mikeli prandaj ai u detyrua t'i hiqte prej aty dhe i dërgoi në Manastirin e Ardenicës. Prifti i manastirit i paisi ata me pashaporta fallso. Por edhe aty ranë në sy, ndaj u detyruan që t'i kthenin përsëri në Tiranë, kësaj radhe në shtëpinë e Vasil Bidoshit ku edhe qëndruan deri në çlirimin e vendit. 

Disa prej refugjatëve u dërguan në Berat me urdhër të autoriteteve shqiptare. Ishte fati që i ndihmoi pasi njerëzit e mirë të Beratit si Abdullah Shkodrani, Xhevdet Gjergjani dhe të tjerë i ushqyen dhe i mbajtën fshehur për një kohë të gjatë. Toli dhe Todi nga Kavaja strehuan Jozef Adixhedin ndërsa vëllezerit Gjata nga Fieri, morën në mbrojtje Mosha Basarin.Abdullah Shkodrani i dha strehë Rashel Davidit ndërkohë që në Shkodër Xhevdet Bekteshi i shpëtoi jetën Jashar Barukoviçit. 

Në shkurt të vitit 1942, fahistët i urdhëruan autoritetet shqiptare që të arrestonin e t'i dorëzonin tërë hebrejtë që e kishin kaluar kufirin fshehtas nga Serbia. Kryetarët e bashkive u urdhëruan që të siguronin informacion për të gjithë hebrejtë kalimtarë në qytetet që ata drejtonin. Të gjithë kthyen të njejtën përgjigje: "Në qytetin tonë nuk ka hebrej", ndonëse e dinin se në çdonjërin qytet kishte mjaft prej tyre. 

Fillimi i vitit 1944 nuk ishte ai i një viti të mbarë. Që në ditët e para, gjermanët arrestuan një grup qytetarësh nga Vlora. Ata erdhën në mes të natës dhe kryen arrestime sipas një liste të përpiluar që më parë. Të gjithë të arrestuarit u dërguan në kampe përqëndrimi. Disa u vranë në qytetin Resnje të Jugosllavise. Shtatëqint vetë u arrestuan atë natë prej të cilëve vetëm disa u kthyen të gjallë. Midis tyre nuk pati asnjë hebre. Edhe një hebre që u muar, u lëshua pas ndërhyrjes që bëri dikush për të. Nazistët shkonin sipas motos: Lërini hebrejtë se na duhen për një kohë të veçantë. 

Në një natë shkurti të vitit 1944, nazistët vranë nëntëdhjetë vetë kudo që gjëndeshin, në shtëpi, në rruge e gjetkë. Nazistët kërkuan shtëpi më shtëpi për hebrej, i mblodhën dokumentet e tyre dhe i urdhëruan që të paraqiteshin tek zyrat e SS - ve brenda dy ditëve. Hebrejtë e dinin se po ta kalonin atë prag s'do të ktheheshin më kurrë të gjallë prej andej. Prandaj menjëhere u paisën me dokumente fallso nga miqte e tyre shqiptare.  

Nuk mund të tregohet çdo gjë në detaje; ka ende shpetimtarë të cileve nuk u është bërë e njohur vepra që kanë kryer. P.sh. E shoqja e Fatlli Imamit, Irena, me origjinë sllave i fshehu miqtë hebrej të cilët ajo i njihte që përpara luftës. Numri i hebrejve të cilët po kërkonin vend për tu fshehur erdhi duke u rritur, aq sa erdhi një moment kur shtëpia e tyre e vogel nuk mbante dot më. Fatlliu dhe e shoqja nuk donin të refuzonin asnjë prej tyre prandaj tërhoqën në këtë vepër fisnike edhe familje të tjera. Hebrejtë ishin shpërndarë nëpër shumë fshatra dhe qytete të Shqipërise si në Lushnjë, Shijak, Kavaje, Berat, Fier dhe Kruje. Disa prej hebrejve gjetën përkrahje prej shokëve të tyre me të cilët njiheshin që prej shume kohësh. Të tjerët gjetën ndihmë prej njerëzish që nuk i kishin takuar kurrë deri në ato momente kur trokitën në dyert e tyre.  

Megjithëse hebrejtë e Shqipërisë mbijetuan, ata prapëseprape pësuan humbje të rënda. Shumica prej tyre kishin të afërt në Janinë dhe në Korfuz por vetëm pak prej atyre që jetonin atje, shpëtuan. Vetëm dy shpëtuan prej familjesh njëzet antarëshe të Zhaneta Solomonit. Jakoeli humbi motrën njëzet e pesë vjeçare së bashku me dy femijët: vajzën pesë vjeç dhe djalin dy vjeç. Motra e tij qe martuar me një burre prej Korfuzi ku kishin ngritur shtëpinë. Dihet tashmë se çfarë ndodhi me hebrejtë në atë ishull.

 

1   2   3   4   5   6


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət