Ana səhifə

Shpetimi ne shqiperi nje qint perqint e hebrejve


Yüklə 269.5 Kb.
səhifə3/6
tarix18.07.2016
ölçüsü269.5 Kb.
1   2   3   4   5   6

Kapitulli i Katërt

Në Shqipërinë muslimane gjatë periudhës otomane.

Shqipëria ishte pjesë e Perandorise Osmane për më shumë se 400 vjet, periudhë së ciles i erdhi fundi me shpalljen e pavarësise me 1912. Që përpara Valës së Dytë dhe përzenjes nga Spanja, hebrejtë ishin nën sundimin musliman. Ajo që ngjau me ta nuk ështe ajo që mund të presë lexuesi.

Çdokush që e shpallte veten besimtar të një zoti të vetëm dhe që ishte i gatshëm që të pranonte supermacinë politike të muslimanëve njihej si "Dhimmi" dhe përfitonte mbrojtjen e Perandorise Osmane duke pushuar se qëni edhe me tej objekt persekutimi. Megjithatë kjo nuk do të thotë se kristianët, armenët ose hebrejtë ishin të barabartë përpara ligjit me muslimanët.

Muslimanët kishin një status më të lartë, paguanin taksa më të ulta dhe kishin më shumë mundësira se ata jo-muslimanë. Dhimmi, qoftë ai hebre apo kristian ballafaqohej me një farë frike, megjithëse nuk i nënshtrohej pogromeve dhe as ndryshimit të fesë me dhunë.

Statusi i hebrejve ishte i barabartë me kristianët dhe nuk duket të kishte ndonje dallim midis Dhimmi - ve të ndryshëm. Ne Spanjen katolike, hebrejte kategorizoheshin njësoj me minoritetin musliman. Ndërsa në Shqipërinë muslimane dhe në Perandorine e Madhe Osmane, hebrejtë kategorizoheshin njësoj me pakicat kristiane. Një hebru ishte në pozitë më të sigurtë si një Dhimmi brenda territorit të Perandorisë Muslimane se sa diku tjetër ku sundonte kristianizmi. Kjo ka zgjatur thuajse për më shumë se katërqint vjet të Perandorisë Osmane. Hebrejtë përmenden pak, qoftë në jetën politike, në ushtri apo në qeverisje. I vetmi rast që përmenden është ai i një gjyqi, në vitin 1903.

 Statusi i Dhimme - ve që gëzonin hebrejtë nuk ndryshoi as pas periudhës osmane. Nuk është e qartë në se kjo vinte nga fakti që në Shqipëri numri i tyre ishte i vogël apo për arësye të tjera, por ajo që dihet me siguri është se ata nuk donin të binin shumë në sy. Në historinë e këtij vendi ata përmenden shumë pak.

Në përgjithësi hebrejtë bënin shumë kujdes që të mos binin në sy. Ata mendonin se çdo gjë që bënin mund të tërhiqte vemendjen ose zilinë e të tjerëve bile edhe në se shtëpitë ose bllokun e shtëpive e bënin më mirë se të tjerët.

Lëvizja për pavarësi

Aspirata greke për pavarësi nga sundimi otoman kishte një qëllim fisnik por sikundër edhe në levizje tjera, të tilla, hebrejtë u zune ngushtë prej tyre. Grekët në lëvizjen e tyre anti - turke e anti - muslimane, shpesh i barazuan hebrejtë me muslimanët, kështu që hebrejtë përjetuan vrasje dhe tmerre të mëdha. Arsyet mund të merren me mend. Kjo mund t'i atribuohet shoqerisë së afërt të hebrejve me muslimanët, ndjenjave negative që ekzistonin tek greket ndaj çdokujt që nuk ishte grek, anti - semitizmit të tyre tradicional ose të gjithave së bashku. Në konfrontimet muslimano - kristiane në këtë pjesë të botës, hebrejtë ndiheshin më mirë nën sundimin e muslimanëve se sa të kristianëve. Shembulli më i mirë për këtë gjëndet në dy shekujt e kryqëzatave, ku një numer i madh hebrejsh u masakrua pa asnjë arësye.

Me përjashtim të një ose dy periudhave të këqia dhe gjatë rrebelimeve që ishin lëvizje për pavarësi ndaj turqve, hebrejte ishin të mbrojtur nga pogromet. Eshtë e çuditshme se si ne gjejmë masakra ndaj tyre në periudhën kur shqiptarët po përpiqeshin të arrinin pavarësine dhe lirinë e tyre politike prej otomanëve. Pa marrë parasyshë se sa besnikë ishin ndaj osmanëve, ata shiheshin si pro-osmanë, prandaj edhe u konsideruan si armiq të lëvizjes kombëtare për pavarësi.

Thuhej se kur shqiptarët (dhe grekët në anën tjetër) të revoltuar u ngritën kundër turqve më 1911, hebrejtë u ndihmuan turqve. Kjo pati si pasojë vrasje hebrejsh.

Historikisht hebrejtë e kanë pranuar forcën politike në fuqi. Hebrejtë nuk kanë qenë revolucionarë nga natyra, të paktën jo deri në fund të shek. XIX - të dhe në fillim të shekullit të XX - të. Kjo e gjen spjegimin e vet tek deviza e tyre: "djalli që njoh është më i mirë se djalli që nuk e njoh"; ose mbështetur në eksperiencën e tyre të gjatë, hebrej mbetet pakicë e persekutuar pa marrë parasyshë se çfarë administrate është në fuqi, kështu që " nuk ia vlen që të ngatërrohesh për gjëra me të cilat nuk ke të bësh drejtpërsëdrejti". Më tej kjo devizë është zhvilluar në principin: "Leri të tjerët që të luftojnë me njeri tjetrin, sepse hebrej mbetet hebre, pavarsisht se kush do ta fitojë betejën politike." Vitet e revolucioneve, ndryshimeve të qeverive dhe zhvillimit të nacionalizmave ekstreme nuk kanë qenë vite të mbara për hebrejtë.

Hebrejtë kanë qenë besnikë ndaj osmanëve dhe e vlerësonin statusin që këta të fundit u kishin dhënë atyre. Ata ishin çliruar nga frika, gjë që nuk ndodhte në asnjë vend europian. Por hebrejtë e paguan shtrenjtë këtë qëndrim të turqve ndaj tyre. Në rebelimet e pasuksesshme ndaj turqve, grekët do të ndërmerrnin shpesh veprime asgjësuese ndaj tyre.



Sistemi i Miletit

Shqipëria vuajti nën Perandorinë Osmane për katërqint vjet. Pushtimi i plotë i saj u bë me 1501 dhe zgjati deri në vitin 1912. Osmanët vunë në zbatim një formë qeverisje të quajtur "Milet", me qëllim që të lehtësonin administrimin e perandorisë së tyre të pafund deri në skajet më të larta.



Mileti ishte një formë organizimi e bazuar në vetqeverisje me liderë fetarë të veshur edhe me autoritet laik. Udhëheqësit hebrej ishin rabinët. Ata kontrollonin çdo gjë përveç ekonomisë e cila u ishte lënë në dorë tregtarëve dhe zejtarëve.

Brenda Miletit, hebrejtë mund të adhuronin në formën e tyre, të flisnin hebraishten si dhe të kontrollonin shumë mirë jetesën e tyre për aq kohë sa ata nuk e demtonin paqën dhe i paguanin taksat. Ekziston një mendim sipas të cilit sistemi i Miletit ushqente armiqësi midis grupeve të ndryshme etnike duke mos u lënë atyre mundësi që të organizoheshin kundër sundimit turk. Kjo ndoshta është një ndër format që e bënte Miletin edhe më funksional për të patur nje sundim të përsosur, ashtu siç e donin osmanët.

Sistemi i Miletit zbatohej ndaj tërë qytetarëve jo-muslimanë të Perandorisë Osmane. Pakicat më të mëdha në këtë sistem ishin ortodoksët grekë, armenët dhe hebrejtë. (Palestina) Mileti ishte një shprehje e tolerancës së turqve, por ishte edhe një mënyre për të administruar një perandori aq të madhe. Ky sistem nuk u prish deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ai kishte mbaruar në Shqiperi që me 1912.

Hebrejtë në Ushtrinë Otomane

Në periudhën nga viti 1855 e më pas, hebrejtë paguanin "taksë zevendësimi", në vend që të shërbenin në ushtrinë otomane. Taksat u hoqën me 1910, kështu që hebrejtë filluan të thirreshin nën armë. Shumica e tyre shërbeu me dëshire në ushtrinë shqiptare megjithëse pat edhe nga ata që ikën në Greqi për t'ju shmangur detyrimit ushtarak. Ushtria u siguronte ushqim të mjaftueshëm dhe i lejonte ushtaret hebrej që të festonin festat e tyre fetare.

Ne njohim të paktën një doktor hebre - shqiptar i cili shërbeu në ushtrinë osmane. Ai ishte Dr.Solomon Effendi, doktor ushtarak i cili e filloi karrierën në vitin 1896-1897

Korfuzi

Hebrejtë iberikë dhe ata italianë kanë jetuar në ishullin e Korfuzit që në shekullin e XII - të, në fillim nën venecianët e më pas nën osmanët. Jeta hebreje ka evoluar në dy bashkësi të ndara: në atë italiane e greke. Ata jetonin në paqë e harmoni në atë ishull deri në kohën e revolucionit grek.

Vetëm kur e tërë popullsia hebreje u vu në rrezik nga grekët gjatë revolucionit të tyre anti-turk, të dy grupet u lidhën me njëri tjetrin në mënyrë të pazgjidhshme.

Një numër i madh hebrejsh në Korfuz dhe në krahina të tjera u masakruan prej grekëve në revolucionin e vitit 1921 edhe pse nuk luajtën ndonje rol në sundimin turk bile edhe pse nuk ishin palë dhe as që donin të përziheshin në konfliktin midis muslimanëve dhe kristianëve. Masakrat që ata përjetuan në atë kohë nga grekët ngjasin me ato të Holokaustit të kryera në shek. e XX - të: 5.000 të vrarë në Morea, qindra të tjerë në Vllahi, 1.200 në Tripolza. Hebrejtë që jetonin në ishullin e Spartës, Patras, Korinthos, Mistras dhe Argos u fshinë nga faqja e dheut. Të njëjtin fat patën edhe ata të Tebës, Vrachorit, Atikës dhe Epirit.

Në fillim Korfuzi ishte vendi për ku niseshin hebrejtë pasi ua mbathnin prej bandave greke, por shpejt u provua se edhe ky ishull nuk ishte i përshtashëm për të shpëtuar kokën. Bandat greke masakruan një numër të madh hebrejsh në Korfuz. Strehë për ta u kthye Izmiri, ku formuan një bashkësi te re.

Vetëm në veriun e Greqisë dhe pikërisht në Janinë dhe Selanik, turqit dhe hebrejtë mundën tu rezistonin masakrave që ndërmorën grekët ndaj tyre. Në këtë kohë (1820) Janina ishte kryeqyteti i Vilajetit me të njejtin emër dhe një prej katër vilajeteve që përbënin Shqipërine e që ishin ndarë për lehtësi administrimi nga Porta e Lartë.

Ne vitin 1891, "Gjaku i shpifur" ngriti kokën e tij të shëmtuar në Korfuz çka bëri që të organizoheshin manifestime anti - hebreje. Kjo bëri që shumë prej tyre të iknin prej andej për në Janine.(1)

Gjatë luftës greko - turke të vitit 1897, hebrejtë e Korfuzit dhe ata që ishin brenda vendit u bënë objekt goditjesh të vazhdueshme, vrasjesh e keqtrajtimesh. Vala e largimeve vazhdoi si edhe më parë në Selanik dhe Izmir, të dya qytete të rëndësishme osmane.

Lajmi i dhënë nga një gazetë, sipas së ciles sulltani e kishte pritur kreun e rabinëve të Janinës me të gjitha nderimet, u kishte bërë shumë dëm hebrejve, pasi grekët kishin reaguar me egërsi të jashtëzakonshme ndaj këtij fakti.

Në vitin 1909, një bandë ortodokse greko - shqiptare vrau katër hebrej dhe plagosi shumë të tjerë. Ata ua prenë veshët viktimave dhe ua dërguan në sinagoge.(2) Kjo, thuhet të ketë qenë një hakmarrje ndaj hebrejve të cilët spiunonin kunder revolucionarëve grekë.

Gjatë kryengritjeve të shqipëtarve të vitit 1911, hebrejtë u akuzuan për bashkëpunim me turqit në dëm të lëvizjes kombëtare shqiptare për pavarësi.

Më 1912, Perandoria Osmane po binte. Ballkani përbëhej nga një mori kombesh ku secili dyshonte tek tjetri. Serbët kërkonin dalje në dete, diçka që Austro-Hungaria e kundërshtonte. Këta të fundit e ndjenin që një Shqipëri e pavarur ishte e preferueshme pasi kjo do të bllokonte Serbinë nga të dalurit në dete. Për këtë kishte lindur Shqipëria. Pavarësia i shërbeu asaj më së miri, pasi ajo qe e zonja që të mbetej neutrale gjatë Luftës se Pare bile edhe pse një pjesë e vendit u pushtua nga italianët, austro - hungarezët dhe trupat franceze.

 

 

 



 

Shënime:

1.- Jewish Chronicle, 29 Maj 1891, faqe.7. "Gjaku i shpifur" është një trillim i hershëm sipas të cilit hebrejtë i vrisnin femijët jo - hebrej për tu marrë gjakun të cilin e përdornin për qëllime fetare.

2.- Jewish Chronicle, 29 Janar 1909, fq.8

Kapitulli i Pestë

Periudha midis dy luftrave

Shqipëria u shpall shtet i pavarur më 1912 dhe mundi të mbetej asnjanëse gjatë Luftës së Parë Botërore, ndonëse u kthye në një fushë beteje për kombet ndërluftuese (1). Traktati i Fshehtë e Londres i vitit 1915 u nënshkrua nga Aleatët pa dijeninë e Shqipërise, duke lëne zona të tëra, thuajse tërësisht të populluara prej shqiptarëve, jashtë kufijve të vendit. Më 1920, Fuqitë e Mëdha përcaktuan kufij të rinj duke e ndare vendin më dysh e duke lënë respektivisht gjysmën e popullsisë jashtë shtetit ame.

Në qershor të vitit 1926, Fan S.Noli, një prift, intelektual demokrat u bë kryeministër i Shqipërise. Në këtë kohë Shqipëria u pranua antare e Lidhjes së Kombeve. Por qeverisja e Nolit zgjati vetëm gjashtë muaj, pasi atë e mori Ahmet Bej Zogolli i njohur me emrin Zog. Me 1924 ai mori atributet e presidentit të vendit, ndërsa me 1928 e shpalli veten Mbret të Shqiptarëve.

Periudha midis luftrave botërore ishte një prej periudhave të prosperitetit të madh të hebrejve shqiptarë ndonëse ishte edhe një periudhë e dobësimit të traditave të tyre. E vetmja sinagogë që gjendej qe shkatërruar për të mos u ngritur më. Trashgimtari i familjes Levi donte të paguante për rindërtimin e saj por vdiq para se ta realizonte këtë synim. Shkollat e fundit hebreje u mbyllën gjatë kësaj periudhe.

Jakoel e quan periudhën prej vitit 1925 deri me 1935, periudhë në të cilën sundoi Mbreti Zog, "një kohë të artë për hebrejtë shqipëtar" edhe pse bashkësia e tyre nuk njihej zyrtarisht prej qeverisë deri me 2 prill 1937.

Në vitin 1930, Bashkia e Vlorës adaptoi një ligj nëpërmjet të cilit iu kërkonte pronarëve hebrejë që t'i hapnin dyqanet të shtunën dhe t'i mbyllnin të djelën (2) Në rast të moszbatimit të këtij rregulli parashikoheshin gjoba të rënda. Të djelën e parë pasi ky ligj kishte hyrë në fuqi, dyqanet e hebrejve qëndruan të mbyllura duke iu nënshtruar gjobave të parashikuara. Javën tjetër gjobat u rritën. Pronarët e dyqaneve vendosën së bashku që t'i hapnin dyqanet të djelën siç e kërkonte rregulli por të mos shisnin. Ata që ishin më të pasur preferuan që të mos i hapnin dyqanet duke i paguar gjobat.

 Hebrejtë e hodhën Bashkinë e Vlorës në gjyq. Gjykata u dha të drejtë që t'i mbyllnin dyqanet të shtunave. Bashkë me këtë atyre iu kthyen edhe shumat e të hollave të paguara për gjobat.  

Sipas Enciklopedisë Hebreje, me 1927, "numri i vogel" i hebrejve shqiptarë jetonte kryesisht në Korçe. Ka mendime të ndryshme rreth faktit se ku jetonte pjesa më e madhe e hebrejve shqiptarë midis dy luftrave. Jakoel e sfidon mendimin e mësipërm duke thënë se grupi më i madh gjëndej në Vlorë. Në rregjistrimet e popullsisë të vitit 1930 në Shqipëri numëroheshin 204 hebrej. Gjithnjë sipas shifrave zyrtare, më 1937, popullsia hebreje në Shqipëri numëronte 120 frymë të cilët jetonin më së shumti në Vlorë dhe në Delvinë.

 Me 1928, Kushtetuta Shqiptare u amandamentua duke përfshirë një nen i cili kishte të bënte me lirinë e besimit. Në të shprehej qartë: "Në vend nderohen te gjitha besimet dhe fetë; liria e praktikimit të tyre mbrohet me ligj. Feja në asnjë rast nuk përbën pengesë ligjore. Feja nuk mund te përdoret për qëllime politike." Shteti shqiptar nuk njihte fe zyrtare por ndalonte me ligj ndrrimin e fesë nga shtetasit e vet. Edhe kushtetuta e riparë e vitit 1939 shpallte të njejten gje: respektimin e feve dhe garantimin e praktikimit te tyre me ligj. 

Janina 

Megjithëse Janina dhe pranë saj Preveza(3) kanë mbetur nën Greqinë, ato e kane siguruar vendin e tyre në historinë e hebrejve shqipëtar. Janina u mbajt nën sundimin osman që nga 9 Tetori i vitit 1430 e deri me 1913. Ajo bashkë me rrethinat e saj ishte pjesë e Shqipërise por mbas largimit të osmanëve iu dha Greqisë e cila e mban edhe sot e kësaj dite. 

Shumica e hebrejve romaniote mund tu shkojnë gjurmëve të historisë së familjeve të tyre nëpërmjet Janinës. Greqishtja e folur prej tyre në këto zona ishte aq arkaike sa të bën të besosh se ështe e vërtetë se bashkësia hebreje në Janinë është vendosur që në shekullin e IX - të. Janina ishte kryeqyteti i atij rajoni dhe një qytet i pasur në të cilin prosperonin si hebrejtë edhe bashkësitë e tjera. 

Në Janinë hebrejtë gëzuan ditë të arta por përjetuan edhe pogrome. Gazetat e athershme shkruanin për një numër të madh hebrejsh të mbytur në Janinë, me 9 Janar 1909.

 Të llogaritësh numrin e hebrejve është e vështirë sepse ai ndryshon gjatë periudhave të ndryshme. Llogaritjen e vështirëson edhe mënyra se si është bërë rregjistrimi: herë herë me numër frymësh e herë herë me numër familjesh. Vitet e rritjes më të madhe ishin ato kur osmanët i mirëpritën refugjatet që po iknin nga inkuizicioni spanjoll për tu përfshirë në popullsinë romaniote. Vitet e zvogëlimit më të madh ishin ato gjate periudhës midis viteve 1912-1920, atëhere kur shumë shqiptarë emigruan drejt ShBA - ve dhe pa dyshim ditët më të zeza mbetën ato të vitit 1944 kur Holokausti mbërriti në Janinë. 

Me 1831 atje kishte një bashkësi prej 212 familjesh i cili shkoi në 343 ne vitin 1856. Me një mesatare prej gjashtë frymësh për familje, duhet te ketë pasur respektivisht 1.200 dhe 2.056 frymë. Në vitin 1870 pat një zvoglim të numrit të hebrejve prej 250 familjesh (1.500 vetë) gjë që mund të spjegohet me numrin e madh të atyre që emigruan drejt Vlorës. Në gjashtë vitet që pasuan (1876) pat një dyfishim të popullsisë duke e çuar numrin në 3.000, shifer e cila u ruajt deri në vitet e emigracionit të madh drejt ShBA - ve, të pëmendura më lart.

Në vigjilje të Holokaustit kishte 1.950 hebrej që jetonin në Janinë. 1.850 prej tyre u dërguan në Aushvic me 24 Mars 1944. Me 1948 numri i tyre ishte 170. Sot janë më pak se 100.

Hebrejtë e Janinës zotëronin një libër të vjetër, të shenjtë i cili mendohet të ketë qenë 1500 vjeçar, i njohur me emrin "Më të sigurtë në Vlorë" Ai më parë u takonte hebrejve të Vlorës. Shkrimet në atë libër të shenjtë do të tregonin se në atë vend hebrejte kanë zënë vend që prej më se 1500 vjetësh. Më 1936, hebrejtë nga Shqipëria kërkuan tu rikthehej libri por ata të Janinës i mbajten me llafe duke e shtyrë kthimin. Ky libër i shenjtë u dogj prej nazistëve së bashku me libra të tjerë të gjetur në Janinë.



Katër Vilajetet.

Për të kuptuar mardhënjet e Janinës me Shqipërine në përgjithësi dhe të Vlorës në veçanti është e nevojshme të dihet se si ishin të organizuara katër vilajetet, të cilat përbënin Shqipërinë e atherëshme nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Deri më 1878, Shqipëria përbëhej nga kater provinca, të quajtura ndryshe, vilajete. Ato ishin, Vilajeti i Janinës, Shkodrës, Kosovës dhe i Manastirit. Janina ishte kryeqyteti i provincës me të njejtin emër. (4) Ajo jo vetëm që gjëndej në Shqipëri, por edhe shtrihej në një krahinë me Beratin dhe Vlorën. Kjo e lehtësonte lëvizjen midis Janinës dhe Vlorës duke i hapur rrugë emigrimit të Valës së Tretë.

Aty nga fundi i shekullit të 19-të, lidhjet midis Vlorës dhe Janinës mbaheshin ende të forta, ndonëse jo aq sa kishin qenë më parë. Vilajetet u shkrinë ndërsa Janina vetë u kthye në një provincë greke edhe pse ajo ende vazhdonte të ishte nën sundimin osman.

Në të njejten kohë vihet re një forcim i lidhjeve midis hebrejve të Korfuzit dhe atyre të Vlorës. Korfuzi është shumë afër me Vlorën. Kjo do të sillte favore të mëdha po të mos bëhej pengesë gjuha. Hebrejtë e Korfuzit pëlqenin të flisnin një variant të italianizuar të greqishtes. Hebraishtja nuk mund të quhej gjuhë e përbashkët në atë periudhë, pasi ende nuk ishte ringjallur deri në atë masë sa të merrte trajtën e vet të plotë si gjuhë e folur.

KATER VILAJETET GJATE PERANADORISE OSMANE (Deri me 1878) (Per botim te shfrytezohet harta e botuar ne tekstin origjinal)

Ka patur një lidhje mbas Luftës së Dyte Botërore midis hebrejve të Shqipërise dhe atyre të Janinës por kjo lidhje ishte e dobët. Vetëm 10 % e hebrejve të Janinës mbijetuan, ndërkohë që politika izolacioniste e Enver Hoxhës i ndihmoi edhe me shumë dobësimit të këtyre lidhjeve. Thyerja përfundimtare e këtyre lidhjeve ndodhi kur hebrejtë e Shqipërise emigruan përfundimisht në Izrael. Ashtu të shkatërruar siç ishin në Janinë, hebrejtë gjetën forca për tu dërguar shqiptarëve në vitin 1945, nëpërmjet të Fondit të Ndihmave nga Janina, rreth 1.500 pound nga mielli Matzo. Në Mars të vitit 1953, Fondi i Ndihmave i Janinës siguroi ndihma ndaj atyre që ata i quanin "hebrejtë e Janinës që jetojnë në Shqipëri"

Pas Luftës së Parë Botërore shpërtheu Lufta Greko-Turke. Kjo luftë detyroi shumë hebrej nga Janina të shkonin në Shqipëri për t'i shpëtuar mobilizimit në ushtrinë greke. 



Shënime:

1.- Shqipëria ishte vendi i fundit që u çlirua nga Turqia.

2.- Në të njejtën kohë gjenden raste të ngjashme edhe në gjykatat e Polonise dhe të Nju Jorkut. Ato shkuan edhe më tej duke iu kërkuar pronarëve të dyqaneve që t'i hapnin të djelen. Gjykata shqiptare kërkonte që të mbylleshin të gjitha dyqanet të djelën pasi dita e pushimit në një vend si ai, ku shumicën e përbejnë muslimanët ishte e premtja.

3.- Thuajse çdo gjë që është shkruar për Janinën duhet thëne edhe për Prevezen, sigurisht në një shtrirje më të vogel.

4.- Mbasi Turqia u mund prej Rusise më 1874, Shqipëria, edhe pse vazhdonte të ishte pjesë e Perandorise, u gjymtua dhe u zvoglua. Pjesë të tëra nga çdo vilajet iu dhane fqinjëve të saj. Parë nga këndvështrimi i interesave tona, ndryshimi më i rëndësishëm është që Janina nuk ishte më e Shqipërise dhe se Vlora u kthye në qendër të jetës së hebrejve në Shqipëri.

Kapitulli i gjashtë

Refugjatët hebrej.

Refugjatët e parë hebrej të kohëve moderne erdhën në Shqipëri në vitin 1933, më së shumti prej Gjermanisë dhe Austrisë, në rrugen e tyre drejt SHBA -ve, Afrikës së Jugut, Turqisë e gjetke. Pak prej tyre, në se ishte ndonjë, planifikonte të qëndronte në Shqipëri. Shqipëria ishte një stacion i përshtatshëm në rrugën e gjatë për një vend tjetër.

Me rritjen e shqetësimit që lindi tek hebrejtë gjermanë dhe austriakë për të ardhmen e tyre nën rregjimin nazist, numri i atyre që përpiqeshin për të shpëtuar nga Europa u rrit menjëherë. Gjatë muajve të parë të vitit 1939, konsullatat shqiptare u mbushën plot me hebrej të cilët kërkonin viza hyrje. Në fillim kërkuesit ishin nga Gjermania dhe Austria por aty nga fundi i 1938 - tës dhe fillimi i '39 - tës atyre iu bashkuan edhe hebreje nga vende të tjera nga Europa Qëndrore.

Për të marrë një vizë hyrje si pikë tranziti për të ikur jashtë Europës nuk ishte e vështirë, pasi qeveria shqiptare ishte shumë liberale në lëshimin dhe garantimin e vizave. Çështja nuk qëndronte se a mund të shkoje në Shqipëri por si të gjëndej rruga për një vend tjetër.

Ndërsa numri i hebrejve që futeshin në Shqipëri rritej, mundësitë për të vajtur në destinacion, zvogëloheshin. Në atë kohe u mbajt një konferencë ndërkombëtare me përfaqësues nga SHBA - të, Italia dhe Shqipëria në kërkim të një vendi për refugjatët hebrej. Italia shkoi deri aty sa ofroi një vend për 5.000 refugjatë në një prej kolonive të saj afrikane. Në dimrin midis viteve 1938-1939, kuota amerikane për refugjatët bëri të pamundur garantimin e vizave për më shumë hebrej. Konferenca u mbyll duke marrë shumë pak përsiper.

Në fillim të vitit 1938, në Shqipëri gjëndeshin 300 hebrej shqiptar.(1) Gjatë viteve 1938 - 1939 popullsia hebreje u rrit në mënyrë të ndjeshme.

Dukej qartë se kishte një rritje të numrit të hyrjeve në Shqiperi, në një kohë kur numri i të larguarve po zvogëlohej. Nga fundi i po atij viti, numri i hebrejve u rrit zyrtarisht në 350 por kishte shumë hebrej në vend, shumica e të cilëve me viza "turistike" ose "tranziti" të skaduara.

Ambasadori Bernshtain bëri përgatitjet e nevojshme për vendosjen e hebrejve gjermanë dhe austriakë në Shqipëri. Për shembull, në shkurt të vitit 1939, 100 hebrej të cilët erdhën nga Viena u lejuan në menyre legale të vendoseshin në Shqipëri: 60 prej tyre në Tiranë dhe 40 në Durrës.

Gjithashtu, 95 familje hebreje arritën në Mars të vitit 1939. Mbreti Zog i lejoi hebrejtë që të vendoseshin në Shqipëri, por ai për vete iku në Greqi më pak se një muaj më vone, pasi italianet e pushtuan Shqipërine të Premten e 7 Prillit 1939.

Me pushtimin italian të Shqipërise dhe me fillimin e luftës globale në Shtator 1939, refugjatët u detyruan që të pranonin faktin se ata duhej të qëndronin në Shqiperi deri në mbarim të luftës. Gjërat dukeshin aq mirë për hebrejtë shqiptar dhe ata ndjeheshin aq të sigurte sa që pak vemendje iu ishte kushtuar fjalëve të emigrantëve rreth tmerrit në rritje në vendet e Europës Qëndrore.

Gjërat u ngatërruan shumë lidhur me vendin se ku do të ishin më të sigurinë hebrejtë. Një hërë e një kohë rruga për të shpëtuar kalonte nëpër Shqiperi, ne Itali e më tej. Pas fillimit të luftës hebrejte gjermanë të cilët mundnin të arrinin në Itali futeshin ilegalisht në Shqipëri.

Numri i refugjatëve që arritën në Shqipëri llogaritej të ishte me qindra në mos me mijëra. Kështu ata ishin përplasur në një vend për të cilin ambasadori Bernshtajn do të shkruante: ''Nuk ka gjurmë të ndonje diskriminimi ndaj tyre (hebrejve) për arsye se Shqipëria është një ndër të paktat vende në Europën e sotme ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë." 



Qeveria shqiptare.

Qeveria shqiptare adaptoi rregulla të ndryshme anti-hebreje gjatë periudhës së viteve 1938-1939, bile që përpara pushtimit italian. Ajo nuk pati as dëshirën, por as kohën e nevojshme për ti zbatuar këto vendime. Dukej qartë së këto ligje ishin bërë për të kënaqur italianet ndërkohë që nuk kishte as gadishmërinë më të vogël për t'i zbatuar ato. Praktikisht, ndaj hebrejve nuk ushtrohej asnjë kufizim i veçantë.

Një ndër kufizimet e zbatuara ndaj hebrejve ishte lëshimi i vizave vetëm për 30 ditë. Vizat turistike kishin vetëm emrin "turistike" pasi ato nuk respektoheshin si të tilla prej "turistëve" hebrej. Kjo përbente mënyrën se si të futeshin në Shqipëri me qëllim që të shtrohej rruga se si të shkohej diku tjeter. Kur kjo ishte e pamundur, "turisti" kthehej në një banor ilegal të Shqipërise.

Konsujt shqiptar u instruktuan të hiqnin dorë nga të lëshuarit e vizave turistike për hebrejtë. E megjithate ata vazhduan ta bënin këtë deri në fillim të Luftës Botërore. Shumë konsuj, thjeshtë nuk i morën parasyshe ato kufizime. Edhe pas fillimit të Luftës së Dytë, disa hebrej mundën të merrnin përsëri viza për të hyrë në Shqipëri, duke përdorur në ndonjë rast edhe bakshishin.



Mbështetja financiare dhe forma të tjera.

Në Shqipëri refugjatët hebrej ndiheshin relativisht të sigurtë. Bashkësia hebreje vendase iu siguroi atyre ndihma, falë përpjekjeve bujare të tregtarëve hebrej si Isak Kohen në Durrës, Rafael Levi dhe Rafael Jakoel në Vlorë, etj. Shumica e këtij fondi u sigurua prej shoqatave bamirëse hebreje, përfshirë edhe Komitetin e përbashkët Amerikan të Shpërndarjes. Edhe Qeveria Shqiptare dha një ndihmë modeste për refugjatët më në nevojë.

Hebrejtë të cilët kishin mbushur në Shqipëri disa muaj u lejuan që të punonin në tregti ose profesione të tjera që ata zotëronin, duke i paisur me leje qëndrimi. Sipas ligjës refugjatët duhej ta lëshonin vendin me të skaduar viza, por në këtë rast moszbatimi i këtij ligji konsiderohej një nder pasi kjo kishte si rrjedhoje shpëtimin e jetëve të atyre njerezve.

Konsujt shqiptar po e lehtësonin hyrjen e hebrejve në Shqipëri. Ata përkundër politikës zyrtare, vazhdonin të lëshonin viza.

Pas pushtimit, italianët ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare më qëllim përzenjën e hebrejve të huaj si dhe të ndërmerrte kufizime ndaj atyre vendas. 

Italia dhe pushtimi italian. 

Italia ishte i vetmi vend më të cilin Shqipëria kishtë nënshkruar një traktat dhe ishte po Italia ajo që e pushtoi në Prill të 1939 - tës. Me këtë fakt mund të spjegohet ngurrimi i Shqipërisë për të hyrë në ndonjë traktat tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore.

Italianët nganjëherë i referoheshin anti-semitizmit si "sëmundje gjermane" Bile, bile edhe kur i zbatonin urdhërat e gjermanëve dukej sheshit se kete e benin pa kurrefare deshire. Ne Itali hebrejte ishin relativisht te sigurte deri me kapitullmin e saj ne vjeshtën e vitit 1943, kur pjesa qendrore dhe veriore e vendit (perfshire edhe Romën) ranë nën pushtimin gjerman. Tragjikisht, keto ishin edhe zonat me perqëndrime më të mëdha hebreje.  

Italianët rrallë mund të bëheshin vegla të bindura të gjermanëve kur ishte fjala për hebrejtë. Prej dëshmive të njerëzve del se jeta në kampet e administruara prej italianëve në Jugosllavi ishte e durueshme ndërkohe që ushtarët italianë u ndihmuan hebrejve që të çliroheshin nga kampet e të shkonin në Shqipëri. Kjo ndodhi në atë kohë kur një numër i madh i hebrejve nga Europa po dërgoheshin në Poloni e Gjermani, drejt kampeve të vdekjes. 

Kur italianët arritën në Shqipëri, ata shpallën disa rregulla anti- hebreje ku ndër të tjera atyre u ndaloheshin veprimtaritë politike, sociale e kulturore. Në krahasim me vendet tjera të pushtuara, kufizimet ishin shumë më të lehta. 

Gjatë kohës së pushtimit italian të Shqipërisë, shumë refugjatëve hebrej nuk iu cenua jeta, bile edhe atherë kur ata nuk e fshihnin identitetin e tyre.  

Ata i festonin ditët e shenjta dhe punonin për të mbajtur veten siç mundeshin, derisa gjërat u rrukullisen shumë shpejt me kapitullimin e Italisë dhe bashkimin e saj me aleatet në vjeshtën e vitit 1943. Gjermanët erdhën në Shqipëri. Rreth 800 refugjatë hebreje nga Jugosllavia, Bullgaria, Gjermania, Polonia dhe Austria të cilët gjëndeshin në Shqipëri edhe një herë u ballafaquan me friken dhe nevojën për të gjendur vend për tu fshehur. 

Në ditët e fundit të pushtimit, italianet u urdhëruan që t'i grumbullonin hebrejtë që gjendeshin në Shqipëri për t'i përqëndruar të gjithë në një vend, në shkollën bujqësore të Kavajës. Ja se çfarë ngjau më pas: 

Ushtarët italian që i ruanin hebrejtë duhej të zevendësoheshin prej ushtarëve gjerman. Komandanti italian e hapi derën e shkollës pa ndrojtjen më të vogel dhe u tha te ngujuarve: Ikni! Çfarë e bën këtë ndodhi edhe më interesante është fakti se nuk gjëndet asnjë dëshmi që të vertetoje se në Shqipëri ka patur kampe përqëndrimi apo dëshmi të tjera të cilat të tregojnë për "transport" të hebrejve për në kampet e vdekjes. 

Jakoel thotë se nganjëhere ai e ka të vështirë t'i gjykojë italianët. Me të ardhur ata i institucionalizuan kufizimet ndaj hebrejve dhe dukej sikur donin që t'i friksonin por, nuk i ndaluan që të punonin e të fitonin. Ata hebrej që ranë në dorë të italianëve në përgjithësi nuk u trajtuan keq. 

Por nga ana tjetër, kur Rafael Jakoel u arrestua i akauzuar për ndihmë ndaj partizanëve, italianët dëshmuan se ato ishin të vërteta. 

Me kapitullimin e Italisë, partizanët shqiptar përjetuan një kënaqesi të çuditëshme: Qindra ushtarë italianë iu bashkuan atyre duke u sjellë një sasi të madhe armësh dhe paisjesh ushtarake. Nuk dihet mirë numri, por dihet se fare pak ushtarë italianë iu bashkuan forcave gjermane. 



Territoret e aneksuara 

Në prill të vitit 1941, territori i Kosovës, (2) në atë kohë pjesë e Jugosllavisë por e banuar kryesisht prej shqiptarëve etnike, u aneksua prej Shqipërise dhe u vendos nën "kontrollin shqiptar", i cili në të vërtete ishte një kontroll italian. 

Që në fillim gjermanët paraqiten ligje për ndjekjen e hebrejve, ligje të cilat ata i kishin vendosur edhe në vende të tjera të pushtuara. Por çuditërisht ato ishin të pazbatueshme në Shqipëri. Për shembull, hebrejve në territoret e aneksuara u kërkohej që të vendosnin një "J" ose "Jew" në mëngën e xhaketes ose diku në rroba. Këto rregulla as që njiheshin në Shqipëri. 

Hebrejtë në "zonat e aneksuara" nuk ishin aq fatlumë sa ç'ishin brenda vendit. Jeta në "territoret e aneksuara" nuk ishte e sigurtë dhe ndodhte që të bëheshin pre e abuzimeve të banorëve vendas. 

Hebrejtë nga Serbia dhe Kroacia ia mbathen për tek kjo zonë ku ndjeheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve dhe italianëve derisa edhe ketu mbrrine gjermanët. Sidoqë të ketë ndodhur, mënyra më të cilën shqipëtarët i trajtuan hebrejtë mbetet e pakrahasueshme me atë çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrejve tek gjermanët e as nuk morën pjese në arrestimin e tyre. 

Në Prishtinë, kryeqyteti i territoreve të aneksuara, me kërkesën e gjermanve, autoritetet lokale i përpiluan listat e hebrejve. Kjo solli arrestimin e 60 burrave hebrej. Një doktor simpatik shqiptar Spiro Lito, e bindi kryesinë e vendit që të mos lejonin dërgimin e këtyre 60 burrave në Poloni, të destinuar për shfarosje. Ai gjithashtu i bindi autoritetet gjermane se të burgosurit hebrej ishin të infektuar nga tifoja kështu që duhej domosdoshmërisht të dërgoheshin në spitalet e Shqipërisë për të menjëanuar ndonjë epidemi. Hebrejtë u dërguan në Berat, u paisën me dokumente false dhe u shpërndanë nëpër Shqipëri, më së shumti tek miqtë e Doktor Litos në qytetet Lushnje, Shijak, Kavajë e Krujë. 

Disa instruksione të dhëna nga Ministri i Brendshem i Shqipërise, shefit të policisë së territoreve të aneksuara përbejne një histori më vete me një fund pjesërisht të lumtur.  

Motivimi nuk është i qartë por dihet se shumica shpëtuan. 

Në një urdhër të lëshuar nga ministri, i datuar 20 Mars 1942, thuhej: "Të gjithë hebrejtë të cilët kanë qenë brenda rajonit tuaj përpara ndarjes së Jugosllavise duhet të transferohen brenda tre ditësh në Berat. Ata nuk duhet të ndalohen në rrugën e tyre. Nëqoftëse do të kundërshtojnë instruksionet e dhëna duhet tu bëhet e qartë se i pret deportimi. Hebrejtë të cilët kanë ardhur pas fillimit të luftës do të mbahen në burg dhe ju duhet të beni një listë emërore të tyre. 

Ministri duket të ketë ndërruar mëndje pasi dhjetë ditë më vonë (me 1 Prill 1941) i rishikoi porosite: "Hebrejtë të cilët kanë ardhur pasi filloi lufta nuk do të burgosen por do të mblidhen në një fushe perqendrimi, për shkak se mund të ketë femijë dhe gra midis tyre. Ju do të koordinoni me autoritetet ushtarake për të patur një plan të përbashkët për të gjithë Kosovën. Për ata që lufta i ka gjetur këtu ndalohet deportimi për në Berat deri në një urdhër të dytë." 

Shefi i policise nuk u ngut që të kryente detyrat e dhëna. Me 20 Maj ai e njoftonte ministrin: "Burrat hebrej të cilët ishin në rajon përpara luftës do të dërgohen në Berat. Gratë dhe femijët do të lejohen që të qëndrojnë atje ku janë ose të shkojnë në Berat. Në qoftëse ndokush që është caktuar që të shkojë në Berat gjëndet i sëmure, atëherë duhet pritur derisa sa ta marrë veten." 

Me 5 korrik disa hebrej duhet të kenë qenë në burg pasi ministri urdhëronte: ''Hebrejtë të cilët janë në burgun tuaj do të ndahen në katër grupe dhe të dërgohen në Kavajë, Krujë, Burrel dhe Shijak nën kontroll policor. Çdo përson ose familje është i lire që të zgjedhë këdo që do në grupin e tij veçse çdo grup duhet të ketë afërsisht të njejtin numër njerëzish.'' 

Urdhëri nuk thoshte: "hebrejtë të cilët erdhën pasi filloi lufta" por thoshte, citojmë: "Hebrejtë të cilët janë në burg" "Por në vitin 1942, mundet që hebrejte që gjindeshin në burg të ishin po ata që arritën pasi filloi lufta por që vazhdonin të qëndronin fshehtas. 

Eshtë e çuditshme se si kishte shqetësim për të sëmuret hebrej, fëmijët dhe gratë, për bashkimin e familjeve të tyre, në një kohë kur flitej për fusha përqëndrimi. Ajo çfarë ishte me të vërtetë diçka e mire ishte fakti se ata po shkonin drejt katër qyteteve të përmendura, (Kavajë, Krujë, Burrel dhe Shijak) pra në Shqiperi, në vendin emri i të cilit do të thoshte: JETE, megjithëse jo çdokush e kishte atë fat që të arrinte atje. 

Ishin çrregullimet e shumta dhe një mungesë e theksuar formalitetesh që i bënte të paqarta sa për ata "bashkëvuajtës" sa për ne sot ato fusha të përqëndrimit. 

Këto fusha përqëndrimi ishin të rrethuara me tela me gjëmba dhe me gardianë italiane. Dëshmitë ishin të dyfishta: këtu kishte rrethim me tela me gjëmba ku shtriheshin fushat e përqëndrimit të ruajtura nga gardianë italianë, më tej gjëndeshin hebrejtë që niseshin për Kavajë ose që interesoheshin për një film, një ndeshje futbolli apo një festë fetare. Ky kontrast lidhet me dy gjëra: Së pari rojet dhe zyrtarët e kampeve as nuk kishin porosi të qarta dhe as nuk ishin të gatshëm që t'i zbatonin ato; Së dyti, ne nuk mund të përgjithësojmë prej atyre pak raporteve për këto kampe pasi konditat ndryshonin substancialisht nga një vend në tjetrin dhe nga një kohë në tjetrën.  

Në korrik të vitit 1943, duke qenë ende nën kontrollin italian, shefi shqiptar i policisë sygjeronte burgosjen e një numri të caktuar hebrejsh: " Sipas disa hulumtimeve tona, hebrejtë e listës së mëposhtme janë të rrezikshëm pasi ata bëjnë propogandë kundër aksit (Romë-Berlin) dhe duan të organizojnë aksione dhë të mbajnë metingje. Në mendojmë se këta njerëz duhet të hiqen prej këtej sa më parë që të jetë e mundur drejt një fushe përqëndrimi për shkak se qëndrimi i tyre i metejshëm mund të jetë i rrezikshëm për rregjimin."  

Jo çdo hebre në territoret e aneksuara e pat atë fat që ta dërgonin në Shqiperi. Numri i hebrejve të mbajtur në burgun e Prishtinës është i panjohur. Italianët i dorëzuan tek gjermanët ndërsa këta të fundit i dërguan në Beograd ku dhe gjetën vdekjen prej tyre. Ka shumë të ngjarë që këta të ishin hebrejtë të cilët shefi i policise i përshkruante si të rrezikshëm. Në prill të vitit 1944, gjermanët i transportuan 400 hebrej nga territoret e aneksuara për në Bergen Belsen; 100 prej tyre mbijetuan.

Sipas një raporti, numri i të mbijetuarve në Kosove ishte 60 për qint, shifër që e bën atë njëren prej zonave me përqindjen relativisht më të lartë të të mbijetuarve në Europën e pushtuar. 

Shënime:

1.- Ambasadori Bernshtain zakonisht kupton numrin e hebrejve në Shqipëri. P.sh.ai shkruan: "Janë vetëm njëqint hebrej në të gjithë vendin" Mendohet se ai këtë e ka bërë me qëllim.

2.- Statusi i tashëm i Kosovës si pjesë e Jugosllavise është një burim konflikti. Shqiptarët kërkojnë ose pavarësi për Kosovën ose bashkimin e saj me Shqipërine. Popullsia është etnikisht shqiptare.

 

1   2   3   4   5   6


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət