Ana səhifə

Shpetimi ne shqiperi nje qint perqint e hebrejve


Yüklə 269.5 Kb.
səhifə2/6
tarix18.07.2016
ölçüsü269.5 Kb.
1   2   3   4   5   6

Kapitulli i Parë

Shqipëria në Luftë

 Me 7 prill 1939, Shqipëria u sulmua prej forcave të ushtrise italiane dhe një javë më vonë i gjithe vendi u shkel prej ushtarëve italianë. Italianët i zunë portet shqiptare pa hasur në ndonjë rezistencë të madhe. Mbreti italian e uzurpoi kurorën mbretërore shqiptare duke ia bashkëngjitur atë Perandorisë së tij.

Pushtimi i Shqipërise nuk ishte pa rrezik për italianët. Natyra malore e vendit dhe mundësia e armatosjes së popullsisë nga ana e mbretit Zog, paraqiste një rrezik për luftë të gjatë guerrilase.

Mbreti Zog dhe shumica e oborrtarëve të tij ikën në fillim në Greqi dhe më pas në Angli. Ai ishte i pasuksesshëm në përpjekjet e tij për të formuar një qeveri në mërgim si ato që u krijuan prej qeverive të tjera të vendeve të pushtuara.



Greqia

Për italianët, Shqipëria ishte rruga për në Greqi, një rrugë në të vërtetë e vështire. Me 28 Tetor 1940, italianët pasi kishin pushtuar Shqipërinë, e kaluan kufirin greko - shqiptar dhe i ranë Greqise. Grekët i mposhtën italianët brenda jo më shumë se dhjetë ditëve. Që prej 22 nëntorit, në Greqi nuk gjëndej më asnjë këmbë italiani.

Grekët kaluan në ofensivë dhe kapen njërën prej bazave detare italiane si dhe mbajtën pikën kyç, Korçën, derisa gjermanët hynë në luftë në Prill te vitit 1941. Pushtimi gjerman shkaktoi tërheqjen e forcave greke nga Shqipëria.

Asnjëra palë nuk ishte e qartë rreth ushtrisë shqiptare. Grekët kishin të dhëna se 3.000 shqiptarë të armatosur luftonin kundër italianëve por megjithatë nuk bashkëpunonin me ta. Aty nga viti 1942, partizanët shqipëtar e rriten veprimtarinë e tyre dhe në fund të po atij viti, pjesë të vendit kishin dale nga kontrolli italian.

Nuk mund të mohohet fakti që edhe në Shqipëri, si në shumë vende te tjera europiane, kishte kuislingë, se kishte po ashtu një parti fashiste e cila bashkëpunonte me ta. Kolaboracionistët ishin vetëm një grusht ndërsa partizanët numëroheshin me mijëra. Nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se partizanet iu kanë kushtuar ndonjë vemendje të veçantë hebrejve.

Në Shqipëri kishte plot njerëz të cilët e admironin kulturen dhe arsimin gjerman por që nuk e lidhnin atë me nazizmin. Perkundrazi, ata ushqenin urrejtje të thellë ndaj tij. Kishte familje që i kishin dërguar fëmijet që përpara luftës në Gjermani apo Austri për t'i arsimuar por ata nuk kishin lidhje me ideologjinë naziste dhe as me pushtuesit nazistë.

Në prag të pushtimit numëroheshin 33 familje të njohura hebreje shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre (15 familje) jetonin në Vlorë. Pjesa tjetër gjëndej e shpërndarë në të gjithë vendin.

Ka patur gjithashtu një numër të panjohur hebrejsh të huaj, shumica e të cilëve kalonte tranzit. Ky grup i dytë ndryshonte numerikisht nga dita në ditë por mbetej gjithnjë me tre shifra.

Hebrejtë nuk ishin të zgjedhshëm për t'u bërë anëtar të partisë fashiste, dhe as që mund të thuhet në se ndonjëri do t'i ishte bashkuar asaj edhe në se do të ftohej. Hebrejtë nuk pranoheshin të shërbenin në ushtrinë shqiptare gjatë atyre viteve.

Hebrejtë shqiptarë shërbyen më së shumti përkrah shqiptarëve në luftën partizane. Pepe Biro Kantos doli partizan dhe qëndroi në ushtrinë shqiptare edhe pas luftës duke marrë edhe grada të larta. Dario Zhak Artiti, David Kohen, Ruben Zhak, Josef Bivas gjithashtu dolën partizan.

Në gusht të vitit 1943, aleatet po përgatitnin pushtimin e Shqipërise në bazë të një plani të bërë përpara dhe gjatë pushtimit italian. Situata ndryshoi me shpejtësi me kapitullimin e Italise. Ushtarët e mbetur italianë u ndanë pjesë, pjesë: Disa kaluan në anën e partizanëve shqiptarë ndërsa pala tjetër u rreshtua përkrah gjermanëve.

Gjermanët arritën në Shtator, 1943. Me të arritur ata zevendësuan qeverinë e mëparshme me një rregjencë të përbëre prej katër vetësh të drejtuar nga Mehdi Frashëri, Kryeminister.

Rregjenca veproi në përputhje më një marrëveshje me nazistët gjermanë e cila lejonte lëvizjen e këtyre të fundit në tërë territorin e vendit. Si shpërblim ndaj kësaj, gjermanët nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të qeverisë. Kjo fraze "punët e brendshme" mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrejve, kur gjermanët i kërkuan regjences që tu dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë.

Marrëveshja nuk u përfill nga partizanët. Ata ndërmorën aksione kundër gjermanëve të cilat disa herë patën kundërveprime më pasoja të tmerrshme. Në korrik të vitit 1943, partizanët shqipëtar goditën një autokolonë gjermane duke lënë të vrarë 60 ushtarë gjerman. Gjermanët u hakmoren duke djegur thuajse tërësisht një fshat e duke vrarë 107 veta, midis tyre edhe gra e fëmijë.

Më 17 Nëntor 1944, Tirana i çirua. Me 28 Nëntor u krye çlirimi i plotë nga gjermanët dhe vendi ra në duart e komunistëve.

Lufta civile

Ekzistonin filozofi të ndryshme sociale dhe politike midis antifashistëve të cilat e mjegullonin pamjen edhe ashtu komplekse të Shqipërisë. Ka dy gjëra të cilat duhen vënë në dukje: E para, lufta ndaj kolaboracionistëve që bënë partizanët dhe e dyta, ardhja në fuqi e komunistëve, si forcë politike. Periudha e demokracisë, mbretërise dhe okupacionit kishin marrë fund. Qeveria regjente fashiste u zevendësua me një diktaturë vendase e cila zgjati pothuajse një gjysëm shekulli. Në horizont dukej një luftë midis tre forcave politike. Ushtria Nacional Çlirimtare e njohur si komuniste, Balli Kombëtar, dhe Partia e Legalitetit. E para prej këtyre të triave kishte pozita shumë më të forta.

Në një kohë kur te tria këto forca, si komunistet, ashtu edhe nacionalistet dhe rojalistet ishin përfshirë ne luftën kundër pushtuesve, të parët kishin filluar të mendonin për pas-luftën. Komunistët kishin një avantazh të madh: gëzonin mbështetjen e Titos dhe të partizanëve Jugosllave.

Komunistët vendosën që t'i likujdonin nacionalistët ndaj vendi u ballfaqua me një vit luftë midis komunistëve dhe ballistëve derisa këta të fundit pushuan së qeni një forcë e rrezikshme për komunistët . Mbasi i qëruan hesapet me ballistët në jug, komunistët iu kthyen monarkistëve duke i eleminuar ata qoftë si forcë politike ashtu edhe ushtarake brenda disa javëve.



Kapitulli i dytë

Emigracioni

Vala e parë

Legjenda thotë se 2.000 vjet më parë një anije e nisur drejt Romës me një ngarkesë plot e përplot me skllav- hebrej nga Palestina e kishte ndryshuar drejtimin, e detyruar nga stuhia e detit, duke i lëshuar ata në brigjet e Ilirisë. Romakët nuk bënë përpjekje për ti kapur skllavet hebrej të ikur dhe menduan se ata do të zhdukeshin sa prej kushteve natyrore aq edhe prej kafshëve të egra. Në të vërtete romakët e gjetën më të udhës të merrnin një garniturë tjetër skllavësh hebrej se sa të përpiqeshin t'i kapnin ata që tashmë e kishin marrë arratinë.

Sipas legjendës, hebrejtë nuk u zhduken prej bishave siç menduan romaket. Vendasit (1) megjithëse ishin përfshirë në luftra kundër romakëve iu ndihmuan të sapoardhurve. Kjo mendohet të këtë ndodhur në Iliri, një vend që nuk gjëndet në hartën moderne. Iliria është emri i vjetër i Shqipërise. Në se ky emër tingëllon si i njohur, kjo i atribuohet Shekspirit i cili e përmend Ilirinë si vendin e anijeve të mbytura në dy prej veprave të tij.

Enciklopedia Hebraike (2) nuk e përmend legjendën e anijes së humbur, bile nuk i përmend as romaniotët si pasardhës të "Valës së Parë" Me përjashtim të kësaj legjende, asnjë fakt tjetër nuk gjëndet për të lidhur "Romën" me "Romaniotet". Kjo kërkon që të gjëndet në se emri rrjedh prej legjendës apo legjenda prej emrit.

Nuk dihet numri i hebrejve në atë zonë gjatë periudhës së herëshme por kurrsesi nuk mund të mohohet fakti që ata gjëndeshin atje, sidomos po t'i referohemi historianit hebrejo - romak, Flavius Josefus. Janë disa fshatra në Shqipëri të cilat në kohët antike kanë patur vetëm popullsi hebreje dhe disa që kishin emra hebrej si bje fjala Palasa - Palestina, ose Orikum - Jericho. 

Arkeologët kanë gjetur mbeturina të një sinagoge në Dardani, një port antik ilir. Ata mendojnë se ato gërmadha i përkasin shekujve të parë dhe të dytë të eres se re.

Në shekullin e katërt, Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë Bizantine. Në Shqipëri, sistemi feudal zgjati deri në kohën e pushtimit otoman në shekullin e XV - të.

Vala e Dytë - Nga Selaniku dhe Spanja.

Hebrejtë romaniotë erdhën në Shqipëri nga Selaniku në fund të shek. të XV - të, të pasuar nga një grup tjetër nga Hungaria.

Enciklopedia Universale Hebreje thotë se në mesjetën e hershme hebrejtë erdhën në Shqipëri nga Selaniku. Ata u përzune pas "Mesjetës se hershme" çka do të thotë se hebrejtë e ardhur në Shqipëri nga Selaniku nuk kishin të bënin me inkuizicionin spanjoll. Këta janë romaniotët për të cilët Josef Jakoel thotë se arritën në Shqipëri nga Greqia veriore. (Shih romaniotet)

Ka të dhëna se ka patur hebrej në qytetin port të Durrësit qysh në mesjetën e hershme. "Një tregtar hebre" që shiste krypë përmendet qysh në gushtin e vitit 1319. Ka gjithashtu dokumente që më 24 Mars të vitit 1281, veneciani Nikolai Martini, bënte tregti me dy hebrej nga Durrësi, Leone dhe Caro Calis. Një tjetër dokument tregon se që në gusht të vitit 1366, një hebre nga Durrësi i shiste krypë një tregtari nga Raguza.(3) 

Emigrimi më i përmendur nga Spanja ndodhi në fund të shekullit të XV - të, gjatë kohës së inkuizicionit spanjoll. Kjo konsiderohet Vala e Dytë. Një numër i madh hebrejsh, duke i ikur inkuizicionit shkoi drejt lindjes respektivisht drejt territoresh nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Në kohën e inkuizicionit spanjoll, sulltani turk i ftoi hebrejtë që të shkonin dhe të jetonin nën sundimin e tij. Ndoshta sulltani e bëri këtë nga dhëmshuria që ndjeu për hebrejtë si viktima të Spanjës katolike, të cilët i ishin nënshtruar te njëjtit persekucion si dhe muslimanët.

Hebrejtë të cilët u zhvendosën nga Spanja e që njihen si "sefardike" sollën me vete gjuhen Ladino, një formë e alternuar e cila vazhdon të flitet edhe sot tek hebrejt e Turqisë.

Sulltani e kuptoi se hebrejtë e Spanjës ishin mbartës të një kulture dhe eksperience tregtare të cilën ai do të mund ta shfrytëzonte për interesat e tij. Osmanëve iu kishte bërë shumë përshtypje shkalla e lartë e arsimimit të hebrejve, prandaj edhe i pritën e i mbajtën edhe më mirë se romaniotët të cilët kishin lindur në trojet e Perandorisë.

Hebrejtë nga Spanja në fillim u vendosën në Vlore ku ndërtuan një sinagogë dhe varrezat e tyre. Pastaj ata u degëzuan, një palë drejt Beratit dhe një palë drejt Elbasanit duke e shtrirë qëndrimin e tyre ne më se 200 vjet. Në atë kohë Vlora ishte një qytet me 4.000 banorë, më shumë se gjysma prej të cilëve ishin sefardikë nga Spanja. Në Berat gjëndeshin 25 familje, shumica e të cilave merrej me tregti. Në fund të shek. të XVI - të, hebrejtë u larguan nga Vlora për arsye të panjohura për tu kthyer përsëri vetëm në mesin e shek. të XIX - të.

Kur mbërrinë sefardikët në Shqipëri, aty gjëndeshin hebrej nga ata të cilët u shkonin gjurmëve të origjinës së tyre deri në shkollat antike të Palestinës. Këta hebrej u perzien me të sapoardhurit nga Spanja, por kishte përçarje midis tyre për shkak të pretendimeve të sefardikëve për superioritet kulturor ndaj hebrejve vendas.

Në qytetin e Selanikut, hebrejtë vendas u absorbuan prej sefardikëve. Në Janinë dhe disa qytete të tjera të Shqipërise së athershme, e cila brenda Perandorise Osmane përmblidhte tërë trojet etnike, sefardikët ose u absorbuan prej romaniotëve greqisht-folës ose u zhvendosën më në lindje.

Sefardikët në Shqipëri u zhdukën me kohe. Jakoel thotë: "Ne e dimë që ata shkuan diku, por nuk e dimë se kur dhe ku. Ç'është e vërteta nuk jemi te sigurtë se kur arritën dhe as kur u larguan por për një gjë jemi krejt të sigurtë: ata ishin ketu" Ka të dhëna të sigurta se këtu ka patur hebrej. Në një fshat musliman vendasit thonë se ata dikur ishin hebrej dhe të gjithë banorët vendas kishin emra hebrej. Ka familje të njohura shqiptare të cilat thonë se dikur kanë qenë hebrej.

Hebrejtë që jetuan në Shqipëri kaluan shumë vite të mira por jo të gjithë patën të njëjtin fat. Për shembull gjatë Luftës Turko - Veneciane më 1685, hebrejtë u detyruan të linin Vlorën për tu vendosur në Berat.

Një periudhë e vështirë në historinë e Shqipërise pasoi që nga viti 1788 e deri më 1822, periudhë gjatë së cilës hebrejtë hoqën sa nga sulltani aq edhe nga Ali Pashaj. Vitet më të vështira ishin ato të lëvizjes për pavarsi dhe revolucionit grek, kohë gjatë së cilës ata u barazuan me muslimanet dhe u akuzuan si besnikë te Perandorisë Osmane. 



Vala e Tretë - Nga Janina në Vlorë

Në përgjithësi pak dihet për hebrejtë gjatë shekullit të XVIII - të dhe gjysmës së parë të shek. të XIX - të, periudhë gjatë së cilës jo shumë prej tyre jetonin në Shqipëri. Vala e Tretë e rivendosi praninë e tyre në atë vend.

Vala e Tretë ishin "Romaniotët" të cilët në fillim arritën në Vlorë në vitin 1850. Ata erdhën nga Janina dhe Preveza që të dya tani qytete nën Greqinë. Në vitin 1850, Janina dhe Vlora ishin në të njëjtin territor të Shqipërise Etnike, sigurisht nën Perandorinë Osmane, (deri me 1878) prandaj kishte një lëvizje të lirë të njerëzve nga njëri qytet tek tjetri. Kolonia filloi me burra të cilët erdhën pa familjet e tyre, por kishte edhe përjashtime. I pari doktor që i sherbeu bashkësisë hebreje në Vlorë ishte Solomon Menahem Jamtov, i cili e mori edhe gruan me vete më 1850.

Kur, me kohë numri i të ardhurve hebrej po rritej dhe kur ata filluan të prosperonin, burrat e martuar i morën pranë vehtes familjet ndërsa ata të pamartuarit u kthyen në Janine që të martoheshin. Në atë kohe Janina kishte bashkësine më të madhe hebreje - romaniote.

Shumica e romaniotëve të cilët emigruan për në Shqipëri, gjatë gjysmës së dytë të shek. të XIX - të u vendosën në Vlorë. Kur i pari hebre erdhi në Vlorë, aty gjeti një bashkësi të vogël e të mbyllur ku sejcili prej tyre e njihte tjetrin.

Njëri prej të parëve që u zhvendos prej Janinës për në Vlorë ishte gjyshi i Josef Jakoelit. Menjëherë hebrejtë u përhapën nga Vlora në qendra të tjera si Delvina dhe Gjirokastra. Për një farë kohe, 150 prej tyre gjendeshin në një qyteze në jug të Vlorës.

Bashkësia hebreje në ishullin e Korfuzit kishte filluar të formohej prej të ardhurve nga Venediku në shek. e XVI - të, ndonëse ka të dhëna që thonë se jeta hebreje ka filluar aty që në shek. i IX - të. Ata flisnin një dialekt venecian të italishtes dhe i kishin të kufizuara mardhënjet me bashkësite e tjera hebreje. Në Vlorë shumica e tyre flisnin shqip dhe greqisht.

Nga fundi i dhekullit të XIX - të, lidhjet midis Janinës dhe komunitetit romaniot në Shqipëri ishin të forta por jo aq të forta sa kishin qenë. Në të njejten kohe, lidhjet midis shqiptarëve romaniotë dhe ishullit të Korfuzit u bënë edhe më të forta. Për këtë mjafton që të shohësh hartën dhe të kuptosh arsyen se përse: Korfuzi ishte shumë më afër krahasuar me Janinen.

Hebrejtë e Shqipërise i ruajtën kontaktet me ata të Janinës e të Korfuzit deri në Luftën e Dytë Botërore. Shumica prej tyre kishin të afërm ndaj gjenin mbështetje tek ta siç ishte të derguarit hërë pas here i një rabini, kantori ose xherrahu. Fatkeqësisht, bashkësia hebreje e Korfuzit u zhduk gjatë Holokaustit dhe vetem pak familje arritën që të mbijetojnë në Janine.

Vala e Tretë ishte e fundit, ndonëse më 1894, një grup hebrejsh rusë e vizitoi Shqipërine me qëllim që të vendoseshin aty.(4) Shqiptarët nuk kundërshtuan dhe u ofruan atyre që të vendoseshin në bregdet "pasi pjesë të brendshme të vendit ende manifestonin shënja të mospajtimit racor ndaj të huajve." Tridhjetë deri në dyzet familje ishin të mirëpritura. Asnjë dokument nuk gjëndet që të tregojë se çfare u bë më tej. Ky kontigjent ndoshta do të përbënte Valën e Katërt.

Ka patur edhe njëfarë hamendje tjetër për një valë tjetër hebrejsh të ardhur në Shqipëri, megjithëse nuk ka ndonjë të dhënë që ta vërtetojë këtë.

Mbreti Zog, kur ishte në mërgim në Britaninë e Madhe, gjatë Luftës së Dytë Botërore, iu propozoi udhëheqësve hebrej britanikë një plan për vendosjen e 50.000 familjeve hebreje në vendin e tij. Ai e përshkroi Shqipërine si një vend të pasur me njerëz të varfër por që kishte mundësi që të mbante lehtësisht një popullsi pesë milionshe. Ai premtoi t'i jepte çdo familje hebreje një fermë në tokat - pronë shtetërore - në brigjet e detit.

Bordi i deputetëve britanikë, organizata që përfaqësonte hebrejtë britanikë, e mori këtë propozim mjaft seriozisht. Ata morën kontakt me zyrtarët e Forein Ofisit për të parë se çfarë mendonin ata rreth kësaj çështje. Por Forein Ofisi nuk i dha ndonjë rëndësi kesaj pune pasi nuk besonte se monarkia do te rivendosej në Shqiperi pas luftes. Kjo çështje nuk u diskutua më. Vet mbreti vdiq në mërgim.(5)

Romaniotet

Po t'i referohemi Enciklopedisë Hebreje, termi "romaniot" ka të bëjë me hebrejtë me origjinë nga Perandoria e Bizantit. Ajo ka parasyshë vetëm hebrejtë e Janinës, Kastorit dhe Chalcis, të gjitha këto krahina në Greqi, duke i injoruar romaniotët shqiptarë të cilët ishin grupi më i madh në Europë deri kur emigruan në Izrael në vitin 1991

Romaniotët nuk janë as askenazë, (folës të hebraishtes) as sefardikë (folës të ladinos). Hebrejtë e Shqipërisë janë "hebrej romaniotë greqishtfolës" megjithëse në vitet e fundit ata do të ishte më mirë po të përshkruheshin si "hebrej shqipfolës". Jakoel thoshte se shumë prej hebrejve që shkuan në Izrael as që e dinin që ishin romaniotë. Kjo vinte për shkak të mungesës së arsimit hebre në dekadat e kaluara. Shumë syresh nuk kishin dijeni as për historinë e kombit dhe as të paraardhësve të tyre.

Romaniotët këmbëngulin se nuk janë pasardhësit e sefardikëve të cilët erdhen prej Spanjës. Ata pretendojnë se janë pasardhës të hebrejve të cilët jetonin në Greqinë Veriore qysh në kohën e shkatërrimit të Tempullit të Dytë, në shekullin e parë.

Enciklopedia Hebreje (6) i përshkruan romaniotët si trashgimtarë të "Valës së Parë". Romaniotët janë krenar për historinë e tyre antike.

Për një periudhë të shkurtër, sefardikët dhe romaniotët shkonin shumë mirë me njëri tjetrin por ata u përçanë ndoshta për shkak se romaniotët ishin më strikt në respektimin e rregullave fetare. Hebrejtë nga Spanja u therrisnin romaniotëve "Grego" emër i cili në spanjisht mund të kuptohet si grek, term i cili kishte edhe doza përçmuese. Në të vërtetë secili grup besonte se ishte superior ndaj tjetrit.



Vlora

Nuk ishte arritja e romaniotëve që bëri që hebrejtë të identifikoheshin për herë të parë në Vlorë. Në vitin 1507, në Vlore kishte 97 familje të cilat arritën të bëheshin 609 vatra familjare me 1520 frymë; Shumica e tyre ishin refugjatë nga Spanja të ardhur gjatë "Valës se Dytë". Hebrejt e Vlorës u vranë gjatë revoltave kundër osmanëve të shekullit të XVI - të. Ata që mbetën, ikën nga bregdeti drejt qytetit të Beratit në periudhën e Luftës Turko-Veneciane në shekullin e XVII - të.

Qyteti i Vlorës ka qenë gjithmonë një port i rëndësishëm, pra edhe në kohët kur ai kishte një popullsi të madhe hebreje. Pleqtë përmendin një sinagoge që funksiononte deri në vitin 1914, kohë kur italianët e kthyen në depo armësh. Sot asaj nuk i gjënden as gjurmet. Çështja ishte se italianët të cilët pushtuan pjesë të Shqiperise gjatë Luftës së Parë Botërore, e dogjën sinagogën si dhe ndërtesa të tjera për të zgjeruar rrugët për t'i bërë të përshtashme për lëvizjen e mjeteve të tyre ushtarake.

Eshte tepër vonë për të gjetur varreza hebrejsh në Vlorë. Ato janë shkatërruar dhe mbi trollin e tyre është ngritur një banesë private. Eshtë gërmuar në një truall të lirë dhe janë gjetur shënjat e një varreze hebreje. Aty është gjetur nje gurë varri, një yll i gdhendur i Davidit, emri i Saba Matitias dhe data e vdekjes: 5 Dhjetor 1901.

Në atë kohë nuk kishte jetë të organizuar të hebrejve në Vlorë, prandaj edhe shtëpia e J. Matatias u përdor si vend për grumbullimet në raste festash. Në vitin 1990, në Vlorë kishte 60 hebrej. Sipas Z. Matatia, 100 vjet më parë aty ka pasur nje popullatë të konsiderueshme hebreje e cila thuhet se e la qytetin brenda një dite.

Babai i zotit Matatia, Mateo Matatia, ndoshta ishte hebrej me i dalluar në Vlorë, antar i këshillit të qytetit dhe tregtar.

Ngulimi i parë modern i hebrejve u bë në Vlorë por qëndra e jetës së tyre u zhvendos në Tirane, kryeqyteti dhe qyteti më i madh i vendit. Jakoel lëvizi gjithashtu si shumë të tjerë në vitin 1950, në kërkim të mundësive më të mëdha, përfshire këtu edhe atë për të vijuar studimet në universitet. 

 

Shënime:

1.- Shqiptarët e konsiderojnë veten pasaardhës të popullit ilir të cilët u vendosën këtu që në shek. e XII - të p.e.r. Gjuha e tyre është indoeuropiane.

2.- Vëllimi, 14, fq, 231.

3.- I lindur në Siçili.

4.- Kronike hebreje, 9 Mars, 1894, fq,9.

5.- UKPROFO, 371/38.

6.- Vëllimi, 14, fq.231

 

 



Kapitulli i Tretë

Ambasadori Herman Bernshtain

dhe Mesia fallse

Në vitin 1930, një hebre ishte Ambasadori i ShBA - ve në Shqipëri. Ambasadori Bernshtain u interesua për historinë e bashkëkombasve të tij dhe bëri kërkime për të gjetur gjurmë sa më të herëshme të jetës së tyre. Ai ka qenë veçanërisht i interesuar për të gjetur informacion rreth Sabattai Zvi ose Mesia fallse. Ai e dinte se të dhënat më të hershme tregonin se Zvi kishte qenë në qytetin e Ulqinit por ai nuk arrinte të gjente varrin dhe as gjurmë të jetës hebreje në atë qytet.

Ambasadori Bernshtain arriti të zbulonte gjurmët e një bashkësie të gjërë hebreje në Shqipëri gjatë shekujve të XV - të dhe XVI - të. Ai citon nga nje dokument gjerman i botuar më 1611, "...shumë prej këtyre vendeve janë të populluara prej hebrejsh të cilët shkuan në Shqipëri nga Ankona, Itali, gjatë periudhës së Papa Pavlit të IV - rt i cili e intensifikoi inkuizicionin".

Ai shkruante se Patriarku i Kishës ortodokse i kishte thënë se në një vend të Elbasanit, i njohur edhe sot si "Lagja e Çifutëve" mund të shihet një Yll i Davidit, në pjesën e sipërme të një ndërtese. Ky yll më vonë u hoq prej asaj ndërtese dhe copa prej tij u vendosen në një muzeum të vogël në Elbasan ku mund të shihen edhe sot.

Ambasadori i drejtoi kërkimet e tij në arkivat e Elbasanit ku gjeti një protokoll të një gjykate turke (1730) e cila gjykonte tregtarë hebrej per shkelje të ligjeve. (1)

Bernshtain paralajmëroi se Shqipëria mund të afronte së shpejti azil për hebrej të zhvendosur të cilët i gjenin dyert e mbyllura kudo tjeter. (2) Ky parashikim eshte bërë me 1936.(3) 



Mesia fallse

Në mes të shekullit të XVII - të, një falltar i lindur në Izmir, i njohur me emrin Sabattai Zvi (4) e shpalli veten si një Mesi dhe bindi kështu mijëra hebrej që të shisnin gjërat që kishin dhe të shkonin pas tij drejt Tokës së Premtuar.(5)

Misticizmi hebre do të dukej shumë i largët për skenën shqiptare po të mos ishin syrgjynimet që iu bënë atij pikërisht në Shqipëri. Zvi iu mburr sulltanit se armata e pasonjësve të tij do të mund të pushtonte edhe vetë Stambollin.

Perandoria Osmane ishte në pikun e vet kur sulltani fillimisht e arrestoi Zvinë duke e akuzuar për organizim trazirash. Sulltani i ofroi Zvise të zgjidhte midis vdekjes dhe shndrrimit në islam. Zvi zgjodhi të dytën.

Kur u shndrrua ne islam, Nathani i Gazës, një udhëtar i famshëm hebre i asaj kohe, u shpreh: "Ishte një penetrim brenda mbretërise së djallit me qëllim që të lironte adhuruesit e burgosur atje." Mijërat e idhtarëve të Zvise u shndrruan gjithashtu në islam dhe dy dekada më vone, hebrej të tjerë u shndrruan në një sekt hebrejo-musliman të quajtur "Donme". Sido që të ketë ndodhur, shumica e pasonjësve të tij mbeten hebrej.

Veziri i Madh, në vitin 1647, e syrgjynosi Zvinë në Ulqin. Ky veprim u ndërmor edhe pse Zvi tashmë ishte shndrruar në islam dhe kishte marrë emrin, Azis Mehmet Effendi.

Duket që Zvi e la Ulqinin me 1673, kohë kur atij iu shqiptua një syrgjynim tjetër: Kësaj radhe në Berat. Ai i jetoi ditët e fundit të jetës së tij në Berat ku edhe vdiq në vitin 1676. Ajo çfare dihet me siguri rreth tij, është se varri i tij gjëndet në anë të lumit Osum.

Vendi i cili mendohet të jetë varri i tij është trajtuar si një vend i shenjtë për të gjitha fetë, dhe një pervjetor i madh organizohet në truallin që mendohet si i tille. Enciklopedia Hebreje thotë se pasonjësit e Zvise u vendosën ne Berat dhe qëndruan atje për 30 vjet bashkë me një rabin nga Selaniku si kryetar i bashkësise së tyre.

Varri i supozuar i Zvisë u bë një vend i shenjtë për një sekt islamik i njohur si "Bektashi". Deri më 1965 ai ishte vend i përbashkët i muslimanëve bektashi të cilët bënin peligrinazh tek ky varr.

Në një fshat të largët në Jug të Shqipërise, ka të dhëna për shenja të jetës hebreje që prej 500 vjetësh. Eshtë e mundur që Sabattai Zvi ta ketë kaluar kohën e ekzilit atje siç është e mundur që banorët e fshatit Ftera të jenë pasaardhës të pasonjësve të tij.

Më 1956, një kërkues hebre gjeti një letër të Zvise e shkruar rreth gjashtë javë para se të vdiste. Në atë letër ai iu kërkonte hebrejve të Beratit që t'i dërgonin një libër lutjesh për ditët e rëndësishme fetare të hebrejve. Letra është e ekspozuar në muzeun e Jerusalemit. Kjo është e vetmja letër e gjetur, e shkruar nga Zvi. Sipas një historiani izraelit, letra ishte gjetur në mes të faqeve të një libri i cili i takonte një sekti të dishepujve të tij në Selanik e që e praktikonin hapur fenë islame por që në të vërtetë praktikonin fshehtas një formë heretike të judaizmit.

Sabatai Zvi ka meritën të jetë hebrej jo - shqiptar më i famshëm që jetoi në Shqipëri. Por ai nuk ishte i vetmi. 250 vjet më vonë, qindra në mos mijëra hebrej jo - shqiptar do të kërkonin strehë në Shqipëri (6) 



Shënime

1.- Në një libër udhëtimesh të publikuar në vitin 1934 (Albanian Journey, Bernard Newman Pitman & Sons, London), autori u referohet tregtarëve hebrej, spanjishtfolës në Tiranë. Ndoshta ata flisnin Ladino. Ky duhet të jetë perjashtim që provon rregullin. Vetem pak hebrej shqiptarë dinë Ladino, një gjuhë e folur kryesisht në Turqi dhe Greqi. Shumica më e madhe e hebrejve në atë kohë jetonin në Vlorë e jo në Tiranë.

2.- Sipas Eduard Mantus, Bernshtain ishte marrë vesh me Mbretin Zog për të marrë hebrej nga Austria dhe Gjermania dhe për t'i vendosur në Shqipëri. Letër dërguar botuesit. Jewish Chronicle, 8 Qershor 1973.

3.- Shih Bernshtain, Herman, "Hebrejtë në Shqipëri", Jewish Daily Bulletin, 17,18 Prill 1934.

4.- Nuk ka një mënyrë të qartë për të shqiptuar këtë emër.

5.- Albanian Catholic Bulletin, 1934, Vëllimi XV - të, faqe 154

6.- Jakob Frank, një pasonjës i Sabbatait. Ai ishte përjashtuar nga judaizmi. Në shenjë hakmarrje ndaj këtij akti ishte dorëzuar në kishën katolike romake. Kjo është e vetmja kohë në histori që nje grup hebrejsh pranon se "gjaku i shpifur" është diçka e vërtete.

Enciklopedia Hebraike i kushton 14 faqe Sbattait dhe sabattaizmit.


1   2   3   4   5   6


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət