Ana səhifə

Roman nga Përparim Kapllani


Yüklə 135.5 Kb.
tarix18.07.2016
ölçüsü135.5 Kb.
Skënderbeu i tretë

Toronto


Roman nga Përparim Kapllani

Komandanti i artilerisë urdhëron ushtarët të mbushin topat me predhat e rënda. Ushtarët futin predhat në grykat e topave, ulin kurrizin e fshihen me shpejtësi në transhe. Grykat e topave të artilerisë tokësore vjellin zjarr. Një zjarr të kuq si gjaku, përzier me fjolla të bardha tymi. Topçinjtë tërheqin litarët; fytyrat e tyre të nxira nga dielli janë të mbuluara nga pluhuri i luftës; djersiten, sa herë që dëgjohen ato shpërthime tmerrore. Oshëtimat e armëve të rënda përzihen me piskamat e lodhura. Uniformat u janë zhgërryer në baltën e transhesë. Sytë i kanë të skuqur nga pagjumësia dhe lodhja. Damarët e duarve u janë fryrë nga vapa dhe buzët u janë plasaritur nga etja. Me sytë e ngulur drejt qiellit, atje ku predhat copëtojnë kaltërsinë, atje ngrihet dhe davaritet tymi i luftës. Lufta i rrënqeth, lufta u krijon në damarë një ndjesi të çuditshme. Komandanti uli poshtë flamurin e kuq për të hapur përsëri zjarr dhe pas disa sekondash kaloi flamurin e bardhë në drejtimin horizontal për pushim. Ushtarët morën frymë të lehtësuar. Kokat e tyre të vogla më ngjajnë me gurët në lojën e shahut. Lufta e tyre e tanishme është një luftë imagjinare, pa armiq e pa viktima. Ata, ushtarët e mbretërisë po bëjnë prova për ceremoninë e festimeve mbretërore, me ardhjen në jetë të tim biri.

I vërej që nga dritarja e fërkoj me nge mustaqet e mia të prera shkurt. Thith me duf duhanin e parfumosur e përplas qetësisht mbi tavolinë letrat e pokerit. Kam gjithë ditën që kam lozur poker e kam pirë vendshe duhan. Ime shoqe mund të lindë nga ora në orë e mua më duhet t’ i hedh një sy të gjitha përgatitjeve për lindjen e tim biri. Marr gazetën ‘’Tomorri’’ në duar. Aty kam shpallur një konkurs për gruan që do të ketë qumështin e gjirit më të mirë, në të gjithë mbretërinë. Janë zgjedhur gjithsej shtatë nuse të reja. I kaloj fotografitë e tyre me rradhë nëpër gishta. Fytyra të qeshura, tipare të bukura, gjinj të kercyer të mbushur me qumësht. Nuk jam Ahmet Zogu! Jam një student i fizikës, që me ndihmën e makinës së kohës bëj një vizitë të shkurtër në Pallatin Mbretëror. Është data 4 Prill e vitit 19ç9, ndërsa vetëm pak minuta më parë unë pija ekspreso në Eaton Center, me shkencëtarin kanadez Bruce Johnson, në datën 17 shtator të vitit 2005. Shita shtëpinë time gjysëm milionë dollarëshe, vetëm për t’ u bërë një herë mbret, ne vend të mbretit Zog!


Më pëlqejnë kolltuqet e larta. Princesha Adile, bukuroshja Geraldinë qe vuan në shtratin e lindjes. I hedh një vështrim vetvetes në pasqyrë: Jam po aq i gjatë sa Mbreti Zog, me mustaqet e prera shkurt, flokët e zeza e të lëpira. Më duhet të pi duhan po aq sa ai e të loz gjithë ditën e ditës poker. Zoti Johnson është veshur si oficer i oborrit. Ma bën me sy që të mos e zgjas me puthjet epshore dhuruar mbretëreshës Geraldine e të ulem në fronin e Mbretit.
Doktori Johnson më shtyn me kujdes nga pas; mbyll derën nga brenda, vë gisht në buzë, si për të më thënë që të bëj kujdes e nxjerr nga xhepi një kompjuter dore.

-‘’Duhet të imitosh pikë për pikë historinë. E ardhmja nuk mund të ndryshojë dot të shkuarën. Nëse të ka lënë kujtesa, t’ i kam shkruar të gjitha në letër. Nesër në mëngjes, në 5 Prill do të lindë biri yt i vetëm. Kot i shikon ato shtatë gra të bukura. Konkursi i qumështit ka mbaruar dy javë më parë. Qumështi i gjirit i këtyre shtatë grave u kontrollua në laboratorin më të mirë të Mbretërisë dhe nga këto të shtata u zgjodh Trëndelina Kasa, gruaja që fle fare pranë dhomës së motrës suaj, princeshës Adile. Zonja Trëndelinë ndodhet në dhomë me të birin e saj dy muajsh. Gruaja juaj, mbretëresha Geraldinë nuk ka qumësht , ndaj mbreti, domethënë Ju, u detyruat të shpallnit konkursin në të gjithë mbretërinë. Në 7 Prill, vetëm pas dy ditësh Viktor Emanueli III do t’ i shpallë luftë Shqipërisë. Ti do të marrësh të gjithë familjen mbretërore dhe arkën e thesarit e do të lësh Atdheun! Imitimi duhet të bëhet në detajet më të vogla, përndryshe aventura juaj e rrezikshme do të marrë fund shumë shpejt e ju do ta shihni veten përsëri në Eaton Center, në vitin 2005. Bombat e para mbi Shqipërine do të bien në orën dy të natës së 7 Prillit. Në orën 5 të mëngjesit të ditës së premte, një karvan i gjatë me 16 makina do të lërë Tiranën dhe nëpërmjet rrugës së Elbasanit, do të largohesh pa kthim nga Shqipëria. Yt bir do të jetë në krahët e Trëndelinës. Në krah ajo do të ketë princeshën Adile. Në Elbasan, karvani do të ndalet nga disa vendas. Pas Elbasanit, ndalesa tjetër e karvanit mbretëror

do të bëhet në fshatin Zëmblak të Korçës, ku do të qendroni një natë, e që

andej do të kaperceni kufirin për në Greqi. Pas një ndalese të shkurtër në

Follorinë, udhëtimi do të vijojë për në Larisa. Në datën 1

maj, në 10 të mëngjesit, me një tren ``Orient Ekspres``, familja mbreterore

dhe të gjithë të tjerët do të vazhdoni të udhëtoni në drejtim të Turqisë.

Në agimin e ç majit, me një tren do të mbërrini në Stamboll. Trenit do t’ i shtohet edhe një vagon mjekësor me të gjitha pajisjet, madje mbreti i Greqise ``George i Dyte`` do ’ju ofrojë edhe dy mjekë për ndihmë, por Ju nuk do të pranoni . Për ç muaj me rradhë, do të vendoseni në hotelin ``Pera Palace`...’’

Shkencëtari Bruce Johnson merr frymë thellë e më shikon me mosbesim.

-E kush dreqin në botë do t’ i mbajë mend kaq shumë hollesira? A e kuptoni se po kërkoni shumë nga unë, zoti Johnson?-e pyes unë i dëshpëruar.

Doktori Johnson më ofron spektrin e më vë në kokë përkrenaren me dy brirët e dhisë. Ah, po! Ahmet Zogu kishte qejf ta vinte në kokë këtë përkrenare, sa herë që ishte në qejf.

-Mos ki merak! Gjithçka është regjistruar në kasetën e kujtesës që ju do ta kini të instaluar në rripin e pantallonave. Po aty ndodhet dhe butoni i rrezeve kozmike Alfa, që do t’ ju kthejnë përsëri në vitin 2005 në rast rreziku për jetën. Mos harro, duhet t’ i shmangesh vdekjes. Kur e ndjen që mund të ndodhesh në rrezik, do të shtypësh butonin. –shpjegon zoti Johnson.

-Po me mbretin origjinal çfarë do të bëhet? Do ta lëmë të lidhur në krevatin mbretëror? –pyes unë me kërshëri.

_ I kam marrë masat të gjitha. E kam futur në njërën nga arkat e thesarit, e cila është pajisur me filtra të ajrit. Aventura juaj do të marrë fund sapo të mbërrini në Stamboll.


Kjo aventurë më drithëron të tërin. Ndjesia e të qënit Mbret të Shqipërisë më bën me flatra. Përveç Geraldinës do të kem edhe një grua ilegale. Ajo grua është mbretëresha në hije, që do t’ i mëkojë tim biri qumësht të racës shqiptare.

Hap derën ngadalë dhe dal në koridor. Dy oficerë të oborrit më përshëndesin ushtarakisht me pëllëmbën e dorës mbështetur në zemër. Në njërën nga dhomat dëgjoj rënkimet e mbretëreshës Geraldinë. Këmbët më mbajnë tek dhoma ku fle taja, mendesha e mbretit, për të cilën historia nuk ka shkruar as edhe një rresht të vetëm. Ajo është ‘’godmother’’ e tim biri. I ka dhënë sisë 5 herë në ditë, për 7 muaj rresht, tim biri.

Gjatë të gjithë kësaj kohe ka ngrënë mëngjes, drekë dhe darkë në të njëjtën

tryezë me mua dhe mbretëreshën. E kam shëtitur edhe me varkë në det dhe

e kam mbajtur në pëllëmbë të dorës, sepse ajo duhej të ishte e gëzuar, që

qumështi të dilte sa më i shëndetshëm. Ha të

njëjtin ushqim, si unë, ushqimin që na e gatuan vetë princesha. Për mua, për mbretëreshën,

për veten e saj zgjidhen ushqimet më të mira.

Ja dera e saj. Injoroj këshillat e doktorit Johnson e trokas lehtë në derë. Nuk përgjigjet askush. Shtyj derën ngadalë…Një nuse e re, rreth të 25-ve me flokë ngjyrëgështenjë e gjinj të kërcyer qëndron e tromaksur në mes të dhomës. Për këtë grua kam lexuar në një gazetë të kohës historinë e çuditshme sesi u nda nga burri i saj për 6 muaj rresht e iku pas mbretit, me lejen e burrit të saj. La fëmijën e saj dy muajsh, për të ushqyer të birin e mbretit. I buzëqesh lehtë. Më vjen ta puth, ta përqafoj me krahët e mi, fut njërën këmbë në dhomën e saj…vetëm unë dhë ajo në dhomë, por një dorë e hekurt më mbërthen nga pas e më plas në koridor. Është vetë doktori Johnson.

-Mbreti sillet me dinjitet si mbret dhe jo si një student që kërkon me doemos në oborr një dashnore.-më thotë ai ashpër.

Kafshoj buzën. Skuqem gjer në rrëzë të veshëve. Dora e tij më shtyn me vendosmëri nga pas drejt derës së daljes.

Këmbët më mbajnë në sheshin para Pallatit Mbretëror. Afro ç00 ushtarë shqiptarë të rreshtuar në dhjetë kuadrate marrin qëndrim gatitu. Një oficer i lartë i Mbretërisë më paraqet forcën, sapo unë ndaloj para tyre krejtësisht i hutuar. Jam unë që po e drejtoj eksperimentin apo doktori Bruce Johnson? Jam me të vërtetë mbret apo kavie në laborator? Një studim i shkëlqyer i kryer nga Stanley Milgram pak muaj më parë u ndërpre në ditën e tij të gjashtë.


Një numër njerëzish vullnetarë zbatojnë urdhërat, aq gjatë sa ata vetëdijësohen që komandat vijnë nga një autoritet legjitim. Studentët në rolet e gardianëve në universitetin e Stanfordit filluan të rrihnin shokët e tyre të ‘’burgosur’’. T’u vinin kapuç në kokë, t’i zhvishnin lakuriq, t’i lidhnin me zinxhirë, t’i detyronin të kryenin akte kundër vullnetit të tyre. Përfundimi shkencor i shkencëtarit Milgram ishte se “natyra njerëzore është nën pushtetin e rrethanave shumë më tepër, sesa ne mund ta marrim me mend a ta pranojmë. Njeriu i mirë dhe Njeriu i keq jetojnë tek unë njësoj. Unë mund të jem demokrat, por mund të shfaqem dhe veproj edhe si diktator. Ky eksperiment, ashtu si deklaroi doktor Zimbardo nuk është për mollët e kalbura, por për enën që mban mollët. Është pikërisht ena që prishi mollët. Unë duhet të luftoj në betejën që zhvillohet në ndërgjegjen time, që të jem i sigurt se këtë betejë nuk do ta humbas.

Kruaj zërin:

‘’Ushtarë trima të Mbretënisë! Shqipnia asht në rrezik. Perandori Italian më ka kërkue që unë të nënshkruej kapitullimin e të iki nga Atdheu, por unë do të vesh opingat e do të dal në mal të luftoj me ju. Ju jeni shpresa e kombit të shumëvuejtun! Shqipnia nuk mund të uli kryet para anmiqve të fëlliqun.’’

Të ç00 ushtarët shpërthejnë në brohoritje të zjarrta. Vërej lotët e gëzimit në sytë e tyre dhe nuk më besohet…Janë pikërisht këta ushtarë që shoqëruan Mbretin e vërtetë në rrugën pa kthim drejt largimit. Ngrejnë duart lart. Qajnë si fëmijë të vegjël, ulen në gjunjë…Një duhmë e madhe emocionesh i ka kapur të gjithë; unë papritur e shikoj veten të rrethuar nga të gjithë këta burra shtatlartë dhe mustaqellinj e më shkrepëtin një ide gjeniale në kokë:


Unë jam Mbreti! Unë jam Zoti i gjithpushtetshëm dhe i Plotfuqishëm i kësaj toke, i kësaj fare pak tokë, të rrethuar nga male të larta. I marr armën rojes sime personale dhe qëlloj disa herë rradhazi në ajër. Unë jam Heroi! Vetë shpresa e popullit të vrarë. Unë jam vetë simboli dhe përtejimagjinata. Pushka shkrepëtin si rrufeja. Plot dhjetë herë. Shikoj fjollëzën e tymit t’ i dalë nga gryka. Bëj me shenjë të më sjellin një kalë, kalin e bardhë, atë më të fuqishmin dhe më të tërbuarin. I kërcej mbi shpinë e u vij rrotull ç00 ushtarëve të mi me pushkën në dorë i dehur nga gëzimi i Luftës. Tërheq mëgojzën e kalit, e shikoj si ngre patkonjtë e përparmë në ajër, ndërsa unë mbahem fort të mos bie nga ai shfrim ndjesor. Përballë tyre kam harruar qëllimin pse kam ardhur. Kam harruar planin sekret të zotit Johnson, shkencëtarin Stanley Milgram dhe vetë doktor Zimbardon.

-Le t’ i presim italianët ashtu siç e meritojnë. Me grykën e pushkës. Jam gati të bie në fushën e luftës si dëshmor! Lavdi heronjve të Atdheut! Amen!’’

Turma e tërbuar më rrethon sakaq e gati sa nuk më merr frymën. Më rrëzojnë nga kali, më marrin në krahët e tyre e më shëtisin të gëzuar nëpër oborrin e Pallatit Mbretëror.

‘’Do të vdesim të gjithë! Me pushkë në dorë do të luftojmë gjer në predhën e fundit’’-thotë një mustaqelli me theks korçar.

’’Urra! Urra! Urra! Rroftë Mbreti! Rroftë Shqipnia! Poshtë Musolini!’’- thërret një ushtar tjetër e sakaq më jep një puthje të fortë në lule të ballit. I dehur në ekstazë, nuk dalloj dot në mes të ushtarëve doktorin amerikan Zimbardo. Jam mbërthyer keq në të shkuarën dhe lufta më ka ndryshuar. Nën pushtetin e rrethanave po veproj si një ushtar i thjeshtë, pa ndier përgjegjësinë për princin Lekë dhe për arkën e thesarit.

Doktor Zimbardo ma bën me shenjë që t’ i braktis ushtarët e ta ndjek nga pas. I trishtuar e ndjek nga pas. Po sikur …po sikur unë të vendos të luftoj në vend të mbretit dhe të bie në fushën e luftës si dëshmor? I ardhur nga e ardhmja me një mision të vetëm, t’ u tregoja horrave të bregut tjetër se ky vend ka zot! Se djemtë nuk i kanë vdekur! Se ne vijme po të duam edhe nga e ardhmja për të ndryshuar sadopak historinë! Nuk e kam ndier doktor Zimbardon, teksa më pëshpërit porositë e fundit të doktorit tjetër amerikan Bruce Johnson. Nuk më intereson më eksperimenti i shkencëtarit Stanley Milgram. Mua që sot e tutje më intereson vetëm një gjë: Vënia në Vend e Nderit të Humbur të Kombit.

‘’ Në vitin 19ç9 ke ardhur vetëm si turist dhe jo si protagonist. Hiq dorë nga idetë e çmendura. Përndryshe mund të të rrezikohet jeta dhe mua e zotit Johnson do të na duhet të ndërpresim eksperimentin. Ju po dilni jashtë kontrollit zoti Ermal Boçari! Dalja jashtë kontrollit do të thotë fundi i eksperimentit dhe rikthim i menjëhershëm në vitin 2005. Po ju paralajmëroj për herë të fundit. ‘’

Në zërin e tij vërej nota të qarta kërcënimi. E ndiej se ky mund të jetë fundi i aventurës. ..Mos duhet të luaj një lojë të dyfishtë? Ku ndodhet zoti Johnson tani? Dua t’ u vidhem e të bëj atë që duhet të bëj. Atë që më imponon Koha dhe Rastësia. Nëse unë e ndiej se duhet të vdes në sheshin e Luftës, atëherë le të vdes. Le të rrëzohem i vrarë, i mbytur në një pellg gjaku. Le të më shkelë çizmja e ushtarit fashist. ..por shpirtërisht do të jem triumfator! Të gjitha këto ide të vogla gjysëmgjeniale të përziera me emocionet e mia të forta i mbaj me zor pas buzës. Ul kokën në shenjë pendimi.

-Doktor Zimbardo! Kam vendosur të jem turist gjer në fund. Një njeri si unë nuk mundet të ndryshojë dot historinë.

Përpiqem që zëri të mos më dridhet.

Doktor Zimbardo heq kapelen mbretërore e fshin djersët në ballin e tendosur. Nuk më beson as edhe një grimë të vetme. Më shpon tejpërtej me sy e më përshëndet ftohtë.

-Të shohim!-thotë thatë.

Ushtarët e oborrit sakaq kanë mbërritur pas shpinës sime. Më marrin përsëri në krahë të ngazëllyer nga duhma e Luftës që po afron. Më ftojnë të festoj me ta, nën ritmin e trumpetave që japin kushtrimin. ‘’Kushtrim’’ ‘’’Kush… është… trim’’ ‘’Kush…sht…trim!’’, bre? Kush?

Lancia Astura, limuzina e Benito Musolinit


Dikush më ka shtyrë me forcë, me të gjithë forcën e krahëve, aq sa unë jam përplasur me fytyrën në tokë, të mbuluar nga gjaku. Veten e shikoj para një makine blu të errët të vitit 19ç9, 5, 5 metra të gjatë, të markës Lancia Astura. E mbaj mend që kjo makinë u ble në ankand në Toronto vetëm para dy ditësh, në tetorin e vitit 2005, për një çmim marramendës prej 164 561 $ kanadezë nga i çmenduri Felice Messina. Paratë e fituara nga blerja e makinës shkuan për llogari të një spitali për fëmijë në Toronto. Turist në kohën e shkuar, unë mund të hipi në limuzinën e Musolinit, madje të bëhem vetë Duçja. Të ulem në sedilje triumfator e me një përshëndetje alla fashiste të përshëndes ushtaret e hekurt. Mund të pretendoj të bëhem vetë Duçja e njësoj si Vasil Laçi kundër Viktor Emanuelit III, të qëlloj me pistoletë kunder diktatorit. Kjo makinë është e vetmja në llojin e saj në të gjithë botën. I hipi, duke harruar për një çast, se disa minuta më parë i hipja një kali të bardhë para një grupi ushtarësh shqiptarë që përbetoheshin se nuk do t’ i shmangeshin Luftës. A nuk do të ishtë më mirë që këtë makinë ta rrëmbeja që tani, si një vjedhës i rëndomtë makinash e më një shtypje të butonit të shkoj drejt për së drejti në tetorin e vitit 2005? Këtë makinë pastaj ta shisja në faqen e internetit në ebay për atë shumë marramendëse e paratë t’ i fusja në xhep?

Isha ‘’Skënderbe’’ para pak minutash; tani mund të shndërrohem në një vjedhës të rëndomtë makinash… Jam pa bosht, pa kocka, e pa formë, një lloj kavieje. ..Marr formën e mollëzave të gishtave të të cilitdo që mund të më prekë sadopak. Drithëruar nga emocionet që me ngjall rastësia! Kjo limuzinë në blu të errët më futet në gjak njëlloj si rakia e fortë e Skraparit.
‘’Viva il Duce! Viva il Re’’,-dëgjoj brohoritje nga të gjitha anët. Hedh një vështrim rrotull. Janë ata…armata e ushtrisë së vdekur, që është ringjallur nga varri, a që i gjeta të gjallë, pak muaj para vdekjes së tyre. Vështrimi im është një lloj vështrimi radiografik, që di të dallojë vetëm vertebrat dhe kockat. Di të lexojë thasët e najlonit, një general plak, një prift dhe Ismail Kadarenë, shkrimtarin shqiptar, tek sa shkruan këtë requiem për të vdekurit.
‘’Viva il Duce! Viva il Re!’’ Këmishëzinjtë e pafat më përshëndesin njësoj sikur të isha unë perandori. i frikësuar arrij të kuptoj se unë jam krejtësisht tullac dhe po aq i shkurtër sa vetë Benito Musolini. Kërkoj me nxitim një pasqyrë e shikoj veten. Tromaksem e mbetem pa zë. Unë jam Benito, dora vetë, prandaj dhe këta djem të rinj, që nisen drejt vdekjes më përshëndesin si idhulltarin e tyre. Unë qenkam monstra që hyj në trupin e të gjithëve, pa ndryshuar ndërgjegjen. A mundem unë që të ndaloj Luftën? Të paraqes një projektvendim të qeverisë italiane në parlamentin Italian, që ta quajë Shqipërinë një vend mik dhe vëlla? A mundem unë që këta ushtarë fashistë, nëse kërkohet, t’ i dërgoj në Shqipëri për të hapur rrugë, për të ndërtuar spitale, për të ngritur hekurudha malore dhe hidrocentrale? A mundem unë si Duce, t’ i jap Mbretit Fshatar të Shqipërisë një shumë marramendëse prej 100 miliardë dollarësh për ndërtimin e Shqipërisë, kësaj nevojtoreje fshati në mes të Evropës?
Hipi në limuzinë dhe mendoj. Është një makinë krejtësisht manuale. Mungojnë pajisjet automatike. Më duhet të shtyp friksionin, frenat dhe marshin e gazit. Vërej gjeneralët e mi gjakpirës. Të gjithë ata që më rrethojnë… Në krah kam dhelprën fashiste Kontin Ciano! Unë jam vetë fashist. Nuk mund të bëj dot asnjë lloj komploti. Edhe nëse do të dal përtej uniformës fashiste, përtej kokës sime tullace dhe trupit tim të shkurtër që ja kam marrë borxh për pak minuta vetë Duçes, nuk do të më lerë sistemi shoqëror, në të cilin aktualisht jetoj. Gjermania dhe miku im Adolf Hitler!

Më duhet të zbuloj se kush e ka fajin për fillimin e Luftës? Sistemi, apo individët e çmendur që ishin në krye të pushtetit, në karrigen më të lartë të shtetit të asaj kohe?

Sistemi dhe individët, individët dhe sistemi, sistemoindividi apo individosistemi, kjo amalgamë e vitit 19ç9, ku nuk kuptohet se ku fillon njëri dhe mbaron tjetri? E kam fajin vetëm unë, Duçja, apo edhe këta ushtarë të mjerë që më duartrokasin? Këta ushtarë që te mbathurat i kanë të lagura nga djersët…?
‘’Viva il Duce!’’-brohorasin ushtarët, ndërsa mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të hipi në limuzinë e të përshëndes:

‘’Viva!’’-por në kokën time, thellë ndërgjegjes, poshtë membranës së trurit kam vendosur të bëhem Ahmet Zogu, mbreti ikanak qe iku nëpër natë, me djalin e tij dyditësh, nga Shqipëria.

I hipi limuzinës. Rrotulloj çelësin. Shtyp frenat dhe friksionin. I jap gazit e lëshoj frenat.

Kjo limuzinë në blu të errët më pëlqen. Po bëj një shëtitje në mes të Romës.

Policët me biçikleta

Jemi katër vetë: Unë, i quajturi Ermal Boçari, doktori amerikan Zimbardo që drejton eksperimentin, doktori Bruce Johnson dhe shkencëtari Stanley Milgram. Jemi veshur të katër si fshatarë të rrethinave të Tiranës. Në kokë na zbardhin qeleshet e bardha, ndërsa shallvaret na rrinë të gjera. Doktor Zimbardo tund tespiet me nge e më tregon me gisht një grumbull njerëzish në qendër të Sheshit të Bashkisë, aty ku pas 60 vjetësh është sheshi ‘’Skënderbej’’. Udhëtimi pas në kohë po më mahnit dhe unë studenti i fizikës i Universitetit të Torontos nuk kam kohë as të marr frymë. Isha për pak kohë vetë Ahmet Zogu; një pasdite e kalova në limuzinën e Benito Musolinit, të markës Lancia Astura; tani jam një fshatar ordiner, një fshatar kureshtar, që përpiqet të kuptojë sadopak kronikat e kohës.

-Detyra jonë është të shkrihemi me të tjerët; të mos dallohemi nga këta njerëz të irrituar në kulm, që kërkojnë armë për të mbrojtur atdheun e tyre, –pëshpëriti qartë dhe prerazi doktor Zimbardo. –Ne duhet të hiqemi sikur jemi disa fshatarë të ardhur nga Peza në qytetin e Tiranës për çështje krushqie.

Doktori Bruce Johnson miraton me kokë çdo fjalë të doktor Zimbardos, ndërsa unë krejtësisht i mahnitur nga avionët e zinj që fluturojnë sipër kokave tona rrënqethem, ndërsa nga hundët më shpërthejnë disa bulëza gjaku. Shpërthimi i gjakut nga hundët më ndodh sa herë që rrëmbehem nga emocionet. Fshij pikat e gjakut që ma kanë rrëshqitur në faqe. Qielli i kaltër i Tiranës është copëzuar në mijëra gota të thyera. Shkencëtari Stanley Milgram në kursin tim përgatitor për “ Udhëtimin në kohë në Prill të vitit 19ç9” nuk më ofroi Historinë zyrtare të Shqipërisë, por dy burime të tjera: ditarin e të madhit Mithat Bej Frashëri dhe historinë e Tajar Zavalanit. Historia e Zavalanit dhe Ditari i Mithat Bej Frashërit kanë përkime fantastike me kohën. Ja avionët Caprioni që hedhin fletushka, Mithat Bej Frashëri para një grupi të rinjsh teksa përpilon thirrjen për Luftë dhe unë, kavia e çuditur e laboratorit.

-Duam armë! Duam armë! Rrnoftë Mbreti! Rrnoftë Shqipnia!’’ – thërret në krah meje një burrë rreth të pesëdhjetave, me mustaqe të dendura e të gjata që i varen gjer në kraharor. Më tutje një nuse e re me gjerdanë floriri rreth qafës, mezi mban në krah një djalë 4 vjeçar, që me duart e tij të vockla tund një flamur të Mbretnisë Shqiptare. Rreth gjashtë vetë, të gjithë të rinj, kanë rrëzuar një polic nga biçikleta dhe gati sa nuk i shqyjnë rrobat. Japin e marrin me policin e ngratë, që për pak sekonda e mbledh veten dhe u kundërvihet guximtarëve të rastit.

-Unë nuk kam armë! Ndigjoni Mithat Beun se çfarë thotë: A s’keni veshë me ndigju se janë krijue ç vija mbrojtjeje me e mbrojtë Tironën? Abaz Kupi ka zanë pritë në Durrës dhe do bajë kërrdinë mbi fashistat! Mbreti, zoti i dhantë ymën, do veshi opingat e do dali në mal me luftue!-shpjegon polici por arsyetimin e tij nuk e dëgjon askush. Ja marrin biçikletën dhe ia shkelin me këmbë. Një skizofren i shkul rrotën e përparme dhe nxjerr nga brezi një revolver me mulli që e shkreh në ajër. Doktor Zimbardo ia mbath me të katra nga frika; e ndjek pas doktori kanadez Bruce Jonhson, ndërsa unë kam mbetur përballë para psikopatit, duke patur në krah vetëm shkencëtarin Stanley Milgram, të dy të paarmatosur. I panjohuri më vë revolverin me mulli në lule të ballit, ndërsa unë krejtësisht i shtangur nga ajo që po ndodh, vërej vdekjen me sy.

E kam ndier vdekjen për herë të parë në një ditë korriku të vitit 2004, në Liqenin e Ontarios, teksa u lodha dhe ngërçi më kapi këmbën e majtë. Frynte erë dhe kishte dallgë të mëdha, megjithëse ishte mes korriku. Thirrjeve të mia për ndihmë askush nuk u përgjigj, ndërsa unë bëja not qeni, për të ruajtur energjitë që po më shteronin e për ta mbajtur trupin mbi ujë. Hera e dytë kur pashë vdekjen me sy, ishta kur provova të punoja si ndihmës elektriçist gjatë pushimeve verore. Më duhej të bëja një lidhje në majë të shtyllës elektrike, ndërsa padashur preka kabllin që përçonte një korent prej 240 voltësh. Fluturova si një zog i vrarë nga shtylla e përfundova mbi një mullar bari. Hera e tretë po më ndodh sot, gjashtëdhjetë e 6 vjet më parë para këtij banori të revoltuar të Tiranës, që kërkon armë për të luftuar kundër fashistëve italianë që janë në portin e Durrësit.

Historia thotë se në Italinë jugore ishin përqëndruar dy divizione këmbësorie, katër regjimente bersalierësh, tre batalione tankesh, një grup i karrocuar, batalioni special “San Marco”, dy batalione speciale të zeza, një regjiment granatierësh, dy grupe artilierësh, shtatë kryqëzorë, gjashtëmbëdhjetë torpendierë, një nëndetëse si dhe Flota Ajrore Luftarake. Gjithësej tridhjetetetëmijë trupa. Tajar Zavalani thotë se u mobilizuan 100.000 ushtarë, dhe 180 luftanije.

Tyta e revolverit më prek ballin e ftohtë. Ndjej bulëzat e kripura të djersës të më zbresin në cepat e buzës. Nuk e besoj, nuk jam përgatitur, nuk e dua vdekjen. Dua ta jetoj e ta shijoj gjer në fund këtë udhëtim fantastik e t’ ia tregoj në detaje të dashurës sime, Raimondës. Jetën e kam shumë të çmuar dhe sinqerisht e urrej faktin se mund të vdes. Psikopati nga Tirana tërheq këmbëzën ngadalë, ndërsa unë mbyll sytë dhe pres me emocione vdekjen. Nuk e di ku e shkela në kallo këtë idiot të irrituar dhe për herë të kuptoj se nuk ka më keq sesa të vdesësh nga rastësia. A ishte vërtet një rastësi që kasha ardhur këtu, apo kasha bërë një veprim që nuk duhej ta kasha bërë. Shtypa fshehurazi një buton në xhepin e majtë të brenevekëve dhe sakaq më kaloi në film gabimi im i pandreqshëm. Shikoj në kamera, të instaluar në retinën e syrit, sesi i jam afruar policit dhe e kam mbuluar me trupin tim për ta mbrojtur. Po, unë e kam mbrojtur policin pa dashje, hedhur përmbys mbi trupin e tij, e kam mbrojtur me trupin tim, ndaj dhe ky banor i Tiranës primitive të mëngjesit të 7 Prillit të vitit 19ç9, është zemëruar me mua.

-Më fal mor burrë, por fajin nuk na e kan xhandart e Naltmadhnisë! Fajin na e kan horrat taljanë qi po hyjn n’Durrës,- përpiqem unë të imitoj në dialektin gegërisht të gjuhës shqipe. Idioti me brekushe nuk do që t’ ia dijë e vazhdon të tërheqë këmbëzën. Në të qindtat e sekondës shkencëtari Stanley Milgram I jep një grusht në nofull, ndërsa brekushexhiu përfundon sa gjatë gjerë në shesh, afro 5 metra larg nesh. Turma përreth shtanget e përfshihet nga ethet e Luftës. Ndërsa unë dhe zoti Milgram përpiqemi të dalim nga ai pellg thithës e vdekjeprurës, shikoj me bisht të syrit politë të tjerë të hipur mi biçikleta që përpiqen të shpërndajnë turmën e irrituar. Nuk mjaftojnë veçse dy orë që trupa të panumërta policore të hipur mi biçkleta të shëprndajnë banorët e Tiranës, ndërsa qielli shungullon e oshëtin nga avionët Caprioni. Mijëra fletushka në italisht bien gjithandej nga barku i atmosferës. Nuk e di sesa orë kanë kaluar, kam ndjesinë se kam humbur sensin e kohës. Për frikën time nuk shikoj më banorë të irrituar, as policë të hipur mbi biçikleta. Ndërsa lë Tiranën në këmbë, pranë meje rishfaqet doktori amerikan Zimbardo dhe doktori kanadez Bruce Johnson.

Karvane të gjatë njerëzish po lënë qytetin dhe ia janë sulur kodrave të Kamzës, fshatrave në rrëzë të Dajtit, si dhe rrethinave në të dalë të rrugës së Elbasanit. Grupe njerëzish nga dhjetë a pesëmbëdhjetë hipur mbi kalë, qerre, gomerë, që nxitojnë për dikur, ndërsa lënë pas qytetin e vdekur. Është pasditë e 7 Prillit; asnjë gjurmë, asnjë pipëtimë e asaj rrëmuje që ndodhi në mëngjes. Të vetmet lëvizje janë ato të bëra nga eskorta e Mbretit që merr rrugën e Elbasanit për të shkuar drejt Greqisë.

….Qyteti i Vdekur, qyteti im, Tirana, që e vuaj në çdo pore të trupit, në çdo qelizë; unë jam embrioni, një copë gur i ngulur në themelet e Tiranës. Më duhet të luftoj për këtë qytet të vdekur. Të jap jetën jetën për të! Do të shkoj në Durrës, atje ku Abaz Kupi përleshet me italianët.

Vija e Luftës

Mijëra ushtarë me kemishë të zeza hipur në motoskafe sulmojnë bregdetin. Motoskafe të vegjël, të shpejtë…Dalin nga barqet e shtatë kryqëzorëve të mëdhenj, të zinj...Major Abas Kupi hedh vështrimin mbi dallgët plot shkumë të detit. Në ballin e gjerë i lexohen rrudhat që po I skalit Lufta. Italianët zbresin në qetësi në rërën e lagësht. Nuk pipëtin as edhe miza…Dëgjohet një krokamë korbi që fluturon për diku, mbi kokat e qethura të ushtarëve. Ushtarët e Mbretnisë Shqiptare tërheqin këmbëzat e pushkëve ngadalë. Në shënjestër janë vënë ata, të pathyeshmit. Unë jam larguar disi nga pozicioni I Mujo Ulqanikut, më intereson më shumë komandanti I tij, major Kupi, sesi vepron ai në këto çaste. Vështrimi I majorit tretet në largësi, atje ku bashkohen e bëhen një deti me qiellin. Atje ku dielli zhytet çdo mbrëmje në thellësinë e Adriatikut, për të dalë përsëri të nesërmen në mëngjes. Ia lexoj atë vështrim kobndjellës, teksa më përkthehet:

“Do të lindë përsëri dielli për Shqipërinë dhe shqiptarët!” Majori thotë këto fjalë të ndara në rrokje dhe ul krahun poshtë për të hapur zjarr. Një shi i dendur predhash bie mbi ushtarët italianë që kanë zbritur të shkujdesur nga motoskafët. Klithmat e të plagosurve shkundin atmosferën. Peizazhi delikat dhe i brishtë i natyrës është zëvendësuar nga zymtësia dhe madhështia e Luftës. Kam edhe unë një armë, një pushkë me mulli, që e mbush dhe e zbraz në drejtim të ushtarëve të huaj. Ja topat e Mbretnisë që qëllojnë mbi armikun. Ja topçinjtë shqiptarë si tërheqin litarët… Skuadrat e topçinjve janë të përfshira nga ethet e Luftës… U shikoj bulëzat e djersës që u shndrijnë mbi ballet e nxirë dhe të pluhurosur. Një gjyle topi bie mbi kuvertën e një anijeje.. Dëgjoj klithmat e ushtarëve italianë dhe refrenin mortor “mama mia’’! Motoskafet mbushen me njerëz dhë marrin drejtimin andej nga erdhën, si zogjtë e trembur të klloçkës. Një gjyle tjetër topi përmbys njërin nga motoskafët…

“Mama mia! Mama mia! Mama mia, let me go”! Përzierje kohësh, njerëzish dhe refreni i këngës së Fred Mercuri-t janë njollat e fundit në shpirtin tim , të lodhur nga marshi luftarak i Eminem dhe këngëtarit tjetër të parapëlqyer, Lutakris. Zbuloj për herë të parë në këtë udhëtim fantastiko-shkencor se njerëzit paskëshin ndryshuar shumë pak në këta 60 vjetët e fundit. Janë po aq trima dhe po aq frikacakë, sa ushtarët amerikanë që vriten sot në Irak.

Ushtarët shqiptarë të entuziazmuar vazhdojnë të zbrazin gjylet e artilerisë bregdetare mbi armikun shumë herë më të madh në numër. Befas bie një qetësi e dyshimtë. Majori Abas Kupi përpiqet të fusë në lojë armiqtë e panumërt. I jep përshtypjen armiqve se është tërhequr dhe thyer keqaz. Motoskafet e mbushur përplot me ushtarë dalin përsëri nga kryqëzorët e mëdhenj, të zinj. Një ushtar shqiptar ka rënë para këmbëve të mia i copëtuar më dysh nga një predhë armike. Gjysma e trupit me pjsën e legenit dhe këmbëve është larg pothuajse një metër nga gjoksi dhe koka e përgjakur, e cila ende lëshon disa fjalë të përgjysmuara:

“Shko në Skrapar dhe thuaju, se rashë si dëshmor!” Kaq thotë ushtari i panjohur, ndërsa unë me lot në sy i ngre kokën e përgjakur, që nga balta e pistë ku ka rënë. Balta…e pistë…e Atdheut! E marr pushkën e tij dhe qëlloj i ngritur në këmbë, mbi pozicionin tim mbi kokat e italianëve. Motoskafet kthehen mbrapsht për herë të dytë. Kthehem triumfator me fytyrë nga shokët e luftës dhe tund pushkën në ajër. Topat tanë të vjetër që i tërheqim me litarë, po e bëjnë punën e tyre. Gjashtë ushtarë shqiptarë më ngrejnë në ajër. Sytë u shkëlqejnë nga gëzimi dhe dëshira e papërmbajtshme për hakmarrje. Ndërsa festojmë për pak sekonda zmbrapsjen e gjashtë të rradhës, bateritë e artilerisë së Flotës Italiane qëllojnë me predhat e rënda. Një predhë topi bie m’ u mbi mitralozin tim, që ndahet më dysh. Nuk e di sa kohë ka kaluar që luftoj në vijën e parë të frontit të luftës. Hedh vështrimin rretherrotull: kemi mbetur disa dhjetëra ushtarë që numërohemi me gishtat e dorës. Një dorë njeriu e këputur dhe e hedhur në krahun e majtë të pozicionit tim; një këmbë ushtari shqiptar pesë metra pas shpinës sime, dhjetë metra më tutje shtatë ushtarë të vdekur, të gjithë përmbys njëri-tjetrit. Një vakë të nxehti më kaplon shpirtin dhe një emocion i pashpjegueshëm më bën që të më dridhen duart.

Ata po afrohen! Këmishëzinjtë po afrohen me flamujt italianë në duar, ndërsa unë mbaj ende në duar një flamur shqiptar të grisur.

‘’Dhe dallga e gjakut, në sfond të qiellit ngriu! Një shqiponjë me një kokë të dyfishtë papritur zezoi mbi të! Flamuri u ngrit!’’ Këto vargje të Xhevahir Spahiut, që sot në 7 Prill 19ç9, mbase është ende molekulë në organet gjenitale të të atit, më bëjnë të rrënqethem jo vetëm në kohën time, në vitin 2005, por edhe sot në këtë kthim pas në kohë, në vitin 19ç9.

“Ngjizur dheu fund e majë me gjak të kuq! Kallur burimeve e rrembave të lisavë pellazgjikë. Në gurë kështjellash e në maja shpatash! Gjak i kuq! Gjak i kuq! Gjak i kuq! Kujdes burrë i dheut mos shkel ligsht, mos shkel mbi alkiminë profetike të gjakur, se ..të zë nën vete qielli I madh!” Nuk di kë kam përpara, Xhevahir Spahiun, Abas Kupin, apo një ushtar italian që ma vesh me kondakun e një pushke e më përdhe pa ndenja. Në agoninë timë prej ushtari të plagosur, shikoj disa ushtarë italianë tek lozin futboll me një kokë të prerë. Me një kokë të prerë të një ushtari shqiptar e papritur më vijnë në mendje dy vargje të Koçi Petritit: ‘’ Loznin futboll një ditë, ndarë në dy skuadra superfuqitë, loznin me nje kokë të prerë, me n jë lëmsh prej mishi dhe eshtrash…”

Njësitë e motorrizuara italiane shtypin kufomat e ushtarëve shqiptarë….Më duhet të ngre kokën e rënduar nga plaga e marrë…Nuk e di kur e mora plagën, mbase është halucinacion i makinës elektronike, që e kam të instaluar në pjesën e prapme të trurit. Oh, sa kisha dëshirë të vija këtu në vijën e parë të Luftës. Të vras dhe të më vrasin! Ta shikoj një frymë njerëzore teksa pushon së ekzistuari, nga tërheqja e gishtit tim të vogël. Në rripin e pantallonave kam të fshehur një mauzer! E nxjerr ngadalë dhe ia vë pas kokës një oficeri Italian që së bashku me dy të tjerë më mbart në barrelë. Për çudinë time është vetë doktori Zimbardo, që më buzëqesh me dhimbje e më paraqet dy miqte e mi të vjetër, doktorin kanadez Bruce Johnson dhe shkencëtarin Stanley Milgram. Kuptoj ç’kam bërë, ku ndodhem dhe për ku jam nisur. Gjithshka ndodh në të qindtat e sekondës. Skuqem i tëri dhe lëshohem krejtësisht në krahët e fatit të paracaktuar nga vetë ata, shkencëtarët më të mirë të Amerikës së Veriut. .

Dhoma e haluçinacioneve

Raimonda Boçari kurrsesi nuk mund ta merrte me mend, se një fatkeqësi e tillë do t’ i trokiste në derën e shtëpisë. Burri i saj Ermal Boçari që prej tre muajsh vetëquhej ‘’Skënderbeu i tretë” dhe fliste shpesh fjalë të palidhura e krejtësisht pa kuptim. E mbante mend atë mbrëmje dhjetori, kur burri i saj erdhi i lodhur nga puna e pa hequr ende këpucët i pëshpëriti me një zë fëmijëror se po bëhej gati të udhëtonte prapa në kohë në muajin Prill të vitit 19ç9. Raimonda e kujtonte atë skenë thuajse në detaje: sesi burri hoqi këpucët e sigurisë, veglat e punës, xhupin e bërë pis nga allçia dhe mënyrën, sesi u shemb në kolltuk, sikur sapo ishte kthyer me të vërtetë nga një luftë e lavdishme, ku ai ishte shpallur me të vërtetë mbreti i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve. Pyetjeve të saj, nëse ai ishte lodhur në punë, Ermali iu përgjigj se “kishte lënë një takim me doktorin amerikan Zimbardo.”

Në sekondat e para, Raimonda nuk deshi t’ i besonte parandjenjës së tmerrshme se burri i saj i dashur dhe i ëmbël, sapo kishte pësuar një goditje të fortë mendore. Pikërisht burri i saj, ai më i mençuri, më i dashuri, më i ëmbëli, më delikati, i vetmi ai, me ata sy shpues e seksualë, me ato vetulla të vizatuara si me dorë, me ato duar të buta krejtësisht si pambuk, ai ledhatori dhe fjalëpaku, tashmë ishte një …i sëmurë mendor. Ai nuk ishte më me të, në vitin 2005, por një udhëtar kozmik, që bënte një udhëtim fantazmagorik në atmosferë.

U përpoq që të mos i besonte ndjesisë së parë, asaj që në fakt është më afër së të vërtetës, se vërtet bashkëshorti i saj sapo ishte prekur nga haluçinacionet.

“Ndoshta është thjesht një stres kalimtar dhe burri im do të shërohet. Ka ç vjet rresht që punon rëndë, dy punë, një punë paradite dhe një punë pasdite, ndaj dhe është krejtësisht i lodhur e nuk di se çfarë bën.” Zëri i brendshëm imagjinar i shtonte edhe fakte të tjera lehtësuese, si fjala vjen: Ermali vazhdonte të punonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë, hante bukë rregullisht, bënte dashuri para se të flinte, merrte të ëmën në telefon të djelave, fliste të hënave me të vëllanë në Itali, ndihmonte Raimondën të blinin ushqimet në tregun e ushqimeve. Anormal, që sillej në mënyrë krejtësisht normale, bashkëshorti i saj Ermal Boçari bëhej ‘’Skënderbe’’, kur afrohej mesnata. Në atë gjendje deliri të jashtëzakonshëm, Ermali shihte në muret e dhomës gjuhë flakësh që lëpinin shtëpitë e djegura; re tymi ravijëzoheshin në parvazet e dritareve; një trokëllimë e largët kuajsh arrinte gjer në veshët e tij të lodhur, ndërsa krismat e pushkëve dhe topave të artilerisë bregdetare mbushnin dhomën e vogël.

E tromaksur, Raimonda ndizte me të shpejtë dritën, e shkundte fort të shoqin nga supet, por burri i saj nuk zgjohej dot nga dehja e Luftës. E frikësuar nga ai fenomen i tmerrshëm që po mbërthente jetën e tyre bashkëshortore, Raimonda vendosi fillimisht që të mbyllte sytë dhe atë që po ndodhte ta minimizonte në përmasat e një stresi të vockël ditor, që nuk kishte të bënte aspak me shfaqjen e ndonjë sëmundjeje të rëndë mendore. As që nuk donte ta çonte në mendje se mund të ndodhte me të vërtetë një gjë e tillë pikërisht në jetën e saj, që këtu në emigracion, burri i saj të sëmurej mendërisht, të bëhej një pacient i përhershëm i spitalit psikiatrik.

…por haluçinacionet filluan të shpeshtoheshin e të bëheshin të rrezikshme. Një ditë Ermali u ngrit papritur nga shtrati e mori në duar thikën e bukës, të cilin e nguli fort në mur me duart që i dridheshin nga histeria dhe një zemërim i pashpjegueshëm. Raimonda u përpoq t’ ia hiqte thikën e bukës nga dora, por sytë e skuqur për hakmarrje të të shoqit e bënë të zmbrapsej e pothuajse e pafuqishme të priste mbarimin e haluçinacionit të rrallës. Kur ndizte dritën, gruaja kishte përshtypjen se përkrenarja e Skënderbeut zhdukej nga tavani; nga muret rrëzoheshin ushtarët italianë imagjinarë, ndërsa vetë ai, Ermali, shembej pa ndjenja në dysheme. Rrezet e dritës që vinin nga llampa elektrike, sikur zbatonin parimin e relativitetit te Ajnshtajnit, ndërronin sistemin e referimit, pikën e ndodhjes së vetë atij çifti emigrantësh në atë skaj të planetit. …

Fillimisht mendoi ta mbante sekret, pastaj vendosi të marrë në telefon të ëmën. Nëna i tha se ajo, Raimonda duhej të shkonte në xhami dhe të falej, të gjente një xhami myslimanësh dhe t’ i kërkonte Muhametit dhe vetë Zotit të madh, që t’ i falte ata të dy për mëkatet. Do të shkonte edhe në kishë, meqë, nëna e saj ishte një katolike e urtë shkodrane. Do t’ i lutej Jezu Krishtit që të shpëtonte burrin e saj dhe ta shëronte nga sëmundja e rëndë mendore.

Ndërsa bënte plane se ku duhej të shkonte për t’ u lutur, një ditë nuk e përmbajti veten dhe qau. U hodh përmbys mbi krevatin e madh bashkëshortor dhe ngashereu me zë të gjithë ditën, gjersa Ermali u kthye nga puna në orën 5 pasdite. Pa e përqafuar fare, ai vajti drejt e në dhomën e haluçinacioneve…Atje ku kishte lënë takim me fantazmat…

Ave, nëna ime!


Fantazma e Parë: Hyri nga dritarja dhe qëndroi e ngulur si një hardhucë mbi tavanin e dhomës. Kishte të veshur një çarçaf të bardhë, ndërsa në kokë i rrinte një kapuçon i stërmadh.

-Kam ardhur të të marr me vete-, tha Fantazma e Parë. Do të të degdis në ca vise të panjohura, atje ku edhe zemra prehet në qetësi.

Fantazma e Parë rrëshqiti në dysheme dhe mblodhi bishtin e saj mes këmbëve.

Ermali kishte rreth 30 minuta që qëndronte përballë dritares së hapur, duke pritur në heshtje atë takim hyjnor. E vështroi në sy atë qenie të padukshme: iu duk sikur vetullat dhe buzët i formonin në fytyrë mimikën e e babait. E babait të tij të vdekur.


Psherëtiu thellë dhe u ul këmbëkryq në krevatin dopio. Nuk dinte se çfarë të bënte me atë hardhucë, që kishte në fytyrë buzëqeshjen e babait. Mbase t’ i kërcente në shpinë e të niste atë rrugëtim të magjishëm për larg, atje ku e prisnin njerëzit që nuk janë më.
Nga dritarja kërceu një fantazëm e dytë. Imazhi i ngjante një vajze të shkollës së mesme. Një shoqeje të bangos së shkollës, e cila vdiq nga kanceri. E mbante mend atë vajzë të urtë dhe delikate. Kishte flokë të verdhë dhe një trup të imët. Sytë e saj të gështenjtë ishin tërheqës dhe të ëmbël. Ja ku është përsëri ajo, pas 10 vjetësh…, krejtësisht e pandryshuar .

-Valentina? Të dija të vdekur!-pëshpëriti.

Fantazma e Dytë iu afrua ngadalë dhe e mbështolli me krahët e erës.

-E vdekur jam! Erdha të të them se je i mirëpritur në botën tjetër.

Zëri i Fantazmës së Dytë iu duk sikur po vinte nga dyshemeja. Zgjati duart ta prekë me gishtat që i dridheshin, por Fantazma e Dytë kapi nga bishti Fantazmën e Parë e të dyja bënë piruetë në formën e fjollave të tymit në parvazin e dritares.

Raimonda vuri veshin pas derës së mbyllur të dhomës së gjumit, por ishte e pamundur të regjistronte fjalët e fantazmave. Ermali ishte kyçur në dhomë që prej orës pesë pasdite dhe jepte e merrte me zërat e panjohur. Që nga dita, kur të shoqit iu shfaqën haluçinacionet, kjo ishte hera e parë, që në apartamentin e tyre bënte kaq shumë zhurmë. Zakonisht në atë orë, ajo përpiqej të qetësonte bashkëshortin, ndërsa ky merrte një qëndrim ushtarak e fliste rreptësisht para ushtarëve iamgjinarë që kishin mbushur ndërtesën. Ngjeshi më fort veshin pas derës, por deshifrimi i atyre zhurmave fluide po bëhej thuajse i pamundur. Uli dorezën ngadalë, por në çast ndërroi mendje nga frika se Ermali mund ta pikaste se gruaja e tij e dashur po e përgjonte. U fut në kuzhinë dhe priti në heshtje se çfarë do të ndodhte. U zhyt në kolltuk dhe shtypi njërin nga butonat e pultit të komandimit të televizorit me ekran plazmik, që e kishin blerë afro një muaj më parë.


Befas u dëgjua një zhurmë e tmerrshme: dera e dhomës së gjumit ra përtokë dhë para saj u shfaq burri i saj, duke mbajtur një trapano me bateri në duar si një armë pa qytë të llojit “shotgun”. Ermali mbante në kokë kapelën e llojit helmetë, kaskën metalike që e përdorte zakonisht në punë për të zbatuar kushtet e sigurisë, ndërsa në këmbë mbante ende të veshura këpucët e veshura me shtresë metali. Sytë e tij ishin të skuqur; dukej sikur një zjarr i brendshëm urrejtjeje i kishte shpërthyer nga thellësia e ekzistencës, ndërsa duart i dridheshin nga një nervozizëm i llahtarshëm, gati vdekjeprurës. Pa e zgjatur shumë, Ermali piketoi majën e trapanos me bateri në ballin e të shoqes; në fytyrë i lexohej një vendosmëri e egër dhe frikësuese: dukej sikur ai e kishte vendosur tashmë të bëhej protagonisti i një ngjarjeje të llahtarshme, të ekzekutonte bashkëshorten me vdekje.
Tërhoqi këmbëzën, ndërsa trapanoja filloi të bëjë një zhurmë, si ato grenxat e egërsuara që vërtiten mes dhomës. Raimonda ndjeu në lëkurën e saj të ftohtë dhe të mbuluar me djersë majën e turjelës metalike që mund t’ i shponte në çast trurin. E bërë grusht nga frika mendoi se duhej të bënte diçka, nëse nuk donte të përfundonte në dysheme e mbytur në një pellg gjaku. Jeta e saj tashmë ishte në rrezik. “Skënderbeu” i saj i dashur sapo ishte rrëmbyer nga nje krizë tjetër nervore, shumë herë më e rrezikshme dhe më e rëndë se të parat. E shtyu fort me të dyja duart dhe u soll e tromaksur rreth tavolinës së bukës. I shoqi filloi të nxjerrë jargë nga goja dhe u shtri sa gjatë gjerë në dyshemenë prej druri. E strukur në një qoshe të dhomës Raimonda priti në ankth se çfarë mund të ndodhte pas atij veprimi impulsiv, që po i rrezikonte seriozisht jetën. Për herë të parë në jetën e saj bashkëshortore, ajo mendoi se duhej të bënte diçka. Burri i saj i rrëzuar në dysheme nuk pipëtinte më, dukej sikur po flinte, po bënte një gjumë nanuritës...

Gjysëm i gjallë, gjysëm i vdekur, burri i saj ishte mbështjellë nga krahët e ëndrrës, ëndrrës së çmendur për t’ u bërë Mbreti i të gjithë Shqiptarëve. Iu avit dritares së kuzhinës: një shi i imët shkurti po shpëlante pluhurin e rrugës, pemët e zhveshura e kockore, ndërtesat e larta që gërvishtnin qiellin…


E frikësuar në kulm cepi i syrit të saj të djathtë kapi padashur fotografinë e nënës të vendosur mbi komodinën e dhomës së gjumit: Nxitoi hapat dhe u ul në gjunjë para fotografisë së nënës. Raimonda, nga babai ishte myslimane, ndërsa nga nëna katolike. Gjysma kristiane e qenies së saj thërriste: “Ave, nëna ime!” Gjysma mashkullore lutej me dy fjalë: “Allahu Akbar!” Një poezi e Frederik Rreshpjes, lirikut të madh shqiptar, i solli në mendje vargun gjenial: “Ave, nëna ime”!
-Ave, nëna ime!-pëshpëriti me zë! E kishte mësuar atë poezi të Frederik Rreshpjes përmendësh, në mënyrë spontane. Poezia e poetit të madh shqiptar nga Shkodra përbëhej vetëm nga 14 vargje. Ato vargje Raimondës i ishin futur në shpirt natyrshëm, pa asnjë lloj sforcoje.

“Ave, nëna ime!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.

Ç'është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim

Kështu kam dëgjuar zërin e shiut

Një ditë vere rrëzë lisit plak

Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja

se tërë shirat e botës binin për mua

po tani që kanë kaluar kaq shumë vite

e di se s'ka asnjë kuptim që bie shi

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri

nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!

Vetëm tek ti kam besuar

Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen! “


-Ave, nëna ime! Ma shpëto burrin tim të dashur nga haluçinacionet! Megjithëse të sëmurë, unë prapë e dua!-kaq tha Raimonda e mbylli sytë në heshtje. Por nëna e shndërruar në zonjën Mari nuk po e ndihmonte. Burri i saj dergjej ende në dysheme i budallallepsur, i pafuqishëm, një trup i vdekur, që mund të shndërrohej nga çasti në çast në një vrasës ordiner.
-Ave, nëna ime! Ma shëro burrin! Ma shëro dhe unë do të jem delja e perëndisë, gjersa të vdes. Do të shkoj në kishë çdo ditë e do t’ i falem zotit të madh. Falmë, zot i madh, nëse kam bërë mëkate! Vetëm më kthe përsëri burrin në gjendje normale!” –pëshpëriti Raimonda, por dukej së nëna e saj, ashtu si zonja Mari, e shikonte me ata sy të akullt që nga fotografia, pa e ndihmuar as edhe një sekondë të vetme. E dëshpëruar mori fotografinë e të ëmës në duar e filloi ta grisë: në fillim në dy copa, pastaj në katërsh, në tetësh, në gjashtëmbëdhjetë copa! I mbështolli grimcat e fotografisë dhei hodhi në koshin e plehrave. Sapo kishte kryer një krim: kishte grisur fotografinë e nënës, e verbuar nga dhimbja për të shoqin e sëmurë mendërisht.

Po çfarë të bënte vallë?






_


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət