Rendi i pagëzimit për shumë fëmijë
RENDI I PAGËZIMIT
Riti i Pranimit
M. Ç’emër doni tu jepni fëmijëve tuaj?
P. E…E
M. Ç’ka kërkoni prej Kishës së Hyjit për fëmijët tuaj?
P. Pagëzimin.
M. Ju kërkoni Pagëzimin për fëmijët tuaj. A e dini se merrni mbi vete
detyrën t’i edukoni në fe, në mënyrë që, duke i mbajtur urdhërimet e
Hyjit, ta duan Zotin dhe të afërmin e tyre si na ka mësuar Krishti?
P. Po, e dimë.
M. Po ju nuna, a jeni të gatshëm t’i ndihmoni prindërit e këtyre
fëmijëve në detyrën e tyre?
N. Po, jemi të gatshëm.
M. E… E…, bashkësia e krishterë ju pranon me gëzim të madh. Dhe në
emër të saj unë ju shënoj me shenjën e kryqit; pas meje edhe prindërit tuaj, edhe nunat, do t’ju shënojnë me të njëjtën shenjë të Krishtit Shëlbues.
Lutja e besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, ta thërrasim në ndihmë mëshirën e Zotit tonë
Jezu Krishtit për këta fëmijë që do të marrin hirin e Pagëzimit, për prindërit tyre, për nunat dhe për të gjithë të pagëzuarit.
Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.
L. Që këta fëmijë të jenë të ndriçuar nga misteri i vdekjes dhe
ringjalljes sate, të rilindin në jetën e re dhe të bëjnë pjesë në
Kishën tënde. Të lutemi
L. Që me hirin e pagëzimit të bëhen nxënës dhe
dëshmitarë të Ungjillit tënd. Të lutemi
L. Që të udhëhequr nga Ti të ecin në shenjtërinë e jetës dhe të arrijnë
jetën e amshuar. Të lutemi
L. Që prindërit e tyre, nunat dhe nuneshat tu japin atyre me ndihmën
tënde një dëshmi të qartë feje. Të lutemi
L. Që Ti të ringjallësh në ne hirin e Pagëzimit. Të lutemi
Thirrja e Shenjtërve
M. Shënjtja Maria, Nëna e Hyjit. Lutu për ne.
Shën Jozefi. Lutu për ne.
Shën Gjon Pagëzuesi. Lutu për ne.
Shën Pjetri e shën Pali. Lutuni për ne.
Të gjithë Shenjtërit dhe
Shenjtëreshat e Hyjit. Lutuni për ne
Lutja e Çlirimit
M. O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
Ti e dërgove Birin tënd në botë, për të shkatërruar pushtetin e djallit, shpirtin e së keqes, dhe njeriun që të kalonte nga errësira në mbretërinë e mrekullueshme të dritës sate, po të lutemi me përvujtëri: çliroji këta fëmijë nga njolla e mëkatit të rrjedhshëm, bëji tempull të madhërisë sate, banesë të Shpirtit Shenjt.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen
Lyerja Parapagëzimore
M. Po ju lyej me vaj, shenjë e shpëtimit: ju forcoftë me fuqinë e tij
Krishti Shëlbues, i cili jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.
P. Amen.
LITURGJIA E SAKRAMENTIT
Bekimi dhe thirrja e Hyjit përmbi ujë
M. Vëllezër të dashur ti lutemi Hyjit të gjithëpushtetshëm, që këta
fëmijë të rilindin në jetën e re me anë të ujit dhe të Shpirtit Shenjt.
M. O Atë i plotmëshirshëm nga burimi i Pagëzimit ke bërë të rrjedhë në
ne jeta e re si bij të Zotit.
P. Lavdi ty, o Zot.
M. Ti nga uji dhe nga Shpirti Shenjt bën me të gjithë të pagëzuarit një
popull të vetëm të Krishtit.
P. Lavdi ty, o Zot.
M. Ti vë në zemrat tona Shpirtin e dashurisë sate për të na dhënë
lirinë dhe paqen.
P. Lavdi ty, o Zot.
M. Ti thërret të pagëzuarit që të shpallin me gëzim Ungjillin e Krishtit
në tërë botën.
P. Lavdi ty, o Zot.
M. Dhe tani bekoje këtë ujë për pagëzimin e fëmijëve që t’i ke
zgjedhur dhe thirrur në jetën e re të fesë së Kishës, që të kenë jetën e amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen
M. Për misterin e këtij uji të shenjtëruar nga Shpirti yt, bëj të rilindë
jeta e re në këta fëmijë, që ti thërret në pagëzim në fenë e Kishës, që të të kenë jetën e amshuar.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen.
Mohimi i djallit dhe dëshmimi i fesë
M. Të dashur prindër dhe nuna.
Fëmijët që keni sjellë për të pagëzuar, me anën e sakramentit të pagëzimit, tani do të marrin, në saje të dashurisë hyjnore, jetën e re prej ujit dhe Shpirtit Shenjt. Është detyra juaj të mundoheni t’i edukoni në fe ashtu, që kjo jetë hyjnore të ruhet prej njollave të mëkatit dhe të shkojë duke u shtuar në ta dita-ditës.
Nëse, pra, të mësuar nga besimi juaj, jeni të gatshëm ta merrni mbi vete këtë detyrë, le t’ju bjerë në mend Pagëzimi juaj, mohoni mëkatin dhe dëshmoni besimin tuaj në Krishtin, që është besimi i
Kishës, në të cilën pagëzohen fëmijët.
M. A i bini mohit djallit?
P. Po, i bie mohit.
M. Dhe të gjithë veprave të tija?
P. Po, u bie mohit.
M. Dhe krejt mashtrimeve të tija?
P. Po, u bie mohit.
M. A besoni në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit e të tokës?
P. Besoj
M. A besoni në Jezu Krishtin, Njëtëlindurin Birin e tij, Zotin
tonë, që lindi prej Marisë Virgjër, vdiq dhe qe varrosur; u ngjall së vdekuri e rri në të djathtën e Atit?
P. Besoj
M. A besoni në Shpirtin Shenjt, Kishën Shenjtë katolike,
shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e trupit dhe
jetën e pasosur?
P. Besoj
M. Kjo është feja jonë. Kjo është feja e Kishës.
Është nder për ne ta dëshmojmë, në Jezu Krishtin Zotin tonë.
P. Amen
Pagëzimi
M. A doni, pra që, E…,E..., të marrin Pagëzimin në fenë e Kishës, të
cilën tani të gjithë së bashku e dëshmuam?
P. Po, duam.
M. E..., unë po të pagëzoj në emër të Atit, ☩
të Birit ☩
e të Shpirtit Shenjt ☩
Lyerja me krizmën e shenjtë
M. Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit,
i cili ju liroi nga mëkati dhe ju rilindi me ujë dhe me Shpirtin Shenjt: Ai po ju shuguron me krizmën e shëlbimit, kështu që, të bërë pjestarë të popullit të Tij, mbeteni gjymtyrë të Krishtit meshtar, profet e mbret për jetën e pasosur.
P. Amen
Dorëzimi i petkut të bardhë
M. E.. E… jeni bërë krijesa të reja dhe jeni veshur me Krishtin. Ky
petk i bardhë ju qoftë shenja e dinjitetit. Mbajeni pa njolla për të gjithë jetën, që të hyni në jetën e pasosur.
P. Amen
Dorëzimi i qiriut të ndezur
M. Merrni dritën e Krishtit.
M. Juve, o prindër dhe nuna, ju besohet kjo dritë ta mbani gjithmonë të ndezur, që fëmijët tuaj, të shndritur prej Krishtit, të jetojnë gjithmonë si fëmijë drite dhe duke qëndruar në fe, bashkë me të gjithë shenjtërit në banesën qiellore të mund t’i dalin para Zotit që
po vjen.
Effetà
M. Jezusi Zot, që bëri të dëgjojnë të shurdhërit dhe të flasin memecët,
ju dhashtë mundësinë të dëgjoni sa më shpejt fjalët e tij dhe ta
dëshmoni fenë në nder dhe lavd të Hyjit Atë.
P. Amen
M. Jeni pagëzuar në Krishtin.
Jeni veshur me Krishtin.
Aleluja, Aleluja.
|