Ana səhifə

Parathënie rezolutë e kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe parime të PËRGJITHSHME ALFABETI I gjuhës shqipe


Yüklə 0.49 Mb.
səhifə4/7
tarix26.06.2016
ölçüsü0.49 Mb.
1   2   3   4   5   6   7
§ 27

Duke u mbështetur në shqiptimin letrar dhe në traditën e shkrimit, shkruhen me h:

a) në fillim të fjalës:
ha, habit, halë, hamshor, hamullore, hap, harabel, hardhi, hardhucë, hark, hartë, harr, harroj, hedh, helm, hell, heq, herë, hero, hesht, heshtë, hënë, e hënë, hi, (i, e) hidhur, hije, hikërr, hingëllin, hinkë, hipi, hir, hirrë, hithër, hoje, i hollë, hop, hosten, hov, hu, hua, i huaj, hudhër, humb-as, hundë, hurdhë, hutoj, hyj, etj.

Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk:



haber, hajat, hajdut, hajmali, hajvan, hak, haliç, hall, hallë, hallkë, hallvë, hamall, hamam, hambar, han, haraç, harar, harem, harxh, hase, hasëll, hasm-i, hasude, hashash, hashure, hata, hatull, hava, havan, hejbe, hem ... hem, hendek, hiç, hile, hise, hordhi, hashaf, huq, hurmë, hyzmet etj.;
b) në fund të fjalës:
foljet e tipit deh, fsheh, ftoh, grah, leh, mih, mpreh, ndih, ngreh, nxeh, njoh, rrah, shkreh, shoh etj. në të gjitha trajtat e zgjedhimit të tyre: fsheh, fshehim, fshihni, fshehin; fshihja, fshihje...; (u) fsheha, (u) fshehe... ; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshehkam, fshehke...; fshehur etj.;

emrat si ah, gjah, gjynah, krah, moh, pah, pleh, shah, tezgjah, etj. në të gjitha trajtat e tyre: krahu, krahut, krahun, krahët, krahëve, krahësh;
c) në mes të fjalës:
trajtat pësore-vetvetore të foljeve me temë më zanore:
lahem, lahesh...; lahesha, laheshe...; lahu, lahuni; kthehem, kthehesh...; kthehesha, ktheheshe...; kthehu, kthehuni; bëhem, bëhesh...; bëhesha, bëheshe...; bëhu, bëhuni; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshihu, fshihuni; tregohem, tregohesh...; tregohesha, tregoheshe...; tregohu, tregohuni...; mësohem, mësohesh...; mësohesha, mësoheshe...; mësohu, mësohuni...; shtyhem, shtyhesh...; shtyhesha...; shtyheshe...; shtyhy, shtyhuni; përzihem, përzihesh...; përzihesha, përziheshe...; përzihu, përzihuni; ndihem, ndihesh...; ndihesha, ndiheshe...; ndihu, ndihuni etj.

Po kështu shkruhen edhe foljet si dihas, gërhas, luhas, mahnit, nuhas, pohoj, ashtu edhe emrat e mbiemrat si grahmë, krehër, lehonë, i lehtë, llohë, vjehërr, vjehrra.

Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk: aheng, ahur, bahçe, behar, çehre, duhan, kasaphanë, mahmur, mëhallë, muhabet, muhalebi, muhamedan, nahie, pehlivan, pehriz, qehaja, rehat, sahan, sahat, sehir, spahi, tahmin, tespihe, xhahil, xhevahir, zahire, zeher etj.

Me h shkruhen edhe të gjitha fjalët e formuara prej fjalëve të përfshira në këtë paragraf:

hamendje, i hapët, harkëtar, harxhoj, hidhërim, hingëllimë etj.; ftohje, i ftohtë, krahasoj, krehje, i krehur, lehtësi, luhatje, mohoj, ndihmë, ndihmës, ngrehinë, ngrohje, i ngrohtë, ngrohtësi, nuhatje, njohje, njohuri, rrahje, shkrehje etj.; gjahtar, plehroj, shahist etj.
Shënim. Nuk shkruhen me h fjalët arushë, avaz, avlli, eci, esëll, iki, memur, yll, vete - vetja, vetë dhe formimet prej tyre: përvetësoj, vetvete.
FJALËT ME RR
§ 28

Duke u mbështetur në shqiptimin letrar të sotëm, shkruhen me rr:


a) në fillim të fjalës:
emrat: rraboshtë-a, rradake, rrafsh, rrahës-i, rrah-u, rraketake, rrangulla, rrap, rrapëllimë, rraqe, rraskë-a, rrasht, rrashtë, rrathje, rravgim, rrebesh, rrebull, rreckë, rregull, rrem (lopatë e barkës), rremb (degë, damar), rrenë, rreng, rrepë, rresht, rreshter, rreth, rreze, rrezg-u, rrezik, rrezhde-ja, rrëcok-u, rrëfanë, rrëfenjë-a, rrëfim, rrëgallë, rrëkajë, rrëke-ja, rrëmet, rrëmore, rrëmujë, rrëndës, rrënxak, rrënjë, rrëpirë, rrëqebull, rrëshaje-t, rrëshek, rrëshiq, rrëshirë, rrëzall, rrëzë, rrip, rriqër, rriskë, rrjetë, rrobë, rrobull, rrodhe, rrogë, rrungajë, rrush, rrushkull, rruzull, rryell, rryl, rrymë, rrypinë etj.;

mbiemrat: (i, e) rallë, (i, e) rremë, rremash, (i, e) rreptë, (vezë) rrufkë etj.;

foljet: rrah, rrapëllij, rras, rravgoj, rrej, rrekem, rreshk, rrëfej, rrëgjoj, rrëkllej, rrëmbej, rrëmih, rrënoj, rrëqethem, rrëshqas, rrëzoj, rri, rrit, rrjedh, rrjep, rroj, rroftë, rrok, rrokullis, rropatem, rruaj, (p.sh.) rruaj mjekrrën, por ruaj shtëpinë), rrudh etj.;

ndajfoljet: rrallë, rreth e rrotull, rrokopujë, rrotull, rrumbull, rryeshëm etj.;
b) në mes të fjalës:
emrat: arrë (pema), barrë, bërryl, birrë (pija), burrë, curril, ferrë, furrë, furrik, harrje, (insekti), hirrë, karrige, karroqe, kërrabë, kërriç, korrik, kurrillë, kurriz, mëshqerrë, murrash,-i, murriz, murrjelë, përrallë, përrua, qerre, (mjet transporti, por qere "sëmundje e lëkurës"), qurra, skëterrë, sorrë, sharrë, shkurre, shtjerra, turrë, thërrime, varrë, zorrë etj.;

mbiemrat: kërrutë, (i, e) murrët, (i, e) pjerrët, sterrë, (i, e) vocërr etj.;

foljet: arratisem, arrij, dërrmoj, gërryej, harroj, kërret, kërrus, ndërroj, ngatërroj, ngurroj, picërroj, shkarravit, shkatërroj, turrem, thërres, thërrmoj, urrej, (dhia) vërret etj.;

ndajfolja kurrë;

pasthirma urra!;
c) në fund të fjalës:
emrat: berr, curr, derr, derr, djerr, dokërr, ëndërr, gabzherr, horr, kandërr, kokërr, kotorr, morr, oborr, qarr, qorr, sherr, terr, tmerr, turr, varr, vjehërr, zjarr, zhavorr etj.;

foljet: bjerr (por e kryera e thjeshtë bora), çjerr (por çora), korr, marr (por mora), nxjerr (por nxora), ngurrr, përmjerr (por përmora), (të) harr, tjerr (por tora), tkurr etj.;

Me rr shkruhen edhe fjalët e formuara prej fjalëve të përfshira në këtë paragraf:

bjerraditë, bjerrafat, burracak, burrëri, djerrinë, errësoj, (i, e) errët, ëndërroj, ferraç, ferrishte, (i, e) kërrusur, kokrrizë, (makinë) korrëse, korrje, kurrizor, kurrkund, kurrsesi, manaferrë, (i, e) marrë, marrëdhënie, marrëveshje, marros, mburracak, mburrem, mburrje; murrëtehem, ndërresa, ndërmarrje, ngurrim, oborrtar, pjerrësi, qorrazi, (i, e) rrafshët, rrafshim, rrafshinë, rrafshnaltë, rrafshoj, rrafshultë, rrallëherë, rralloj, rrapishtë, rrasallis, (i, e) rrasët, rreckos, rregullisht, rregulloj, (i, e) rregullt, rreptësi, rreptësisht, rreshk-u, (i, e) rreshkët, rreshtim, rreshtoj, rreshtor, rrethanë, rrethatore, rrethe-ja, rrethim, rrethina-t, rrethoj, rrethojë, rrezatoj, rrezikoj, i rrezikshëm, (i, e) rrëgjuar, rrëmbim, i rrëmbyeshëm, rrënim, rrënjëdalë, rrënjës, rrënjësisht, rrënjësor, rrënjos, rrëshqanë, rrëshqanor, (i, e) rritur, rrjedhë, rrjedhës-e, rrjedhim, rrjedhore, rrjedhshëm, rrjepacak, rrobaqepës, rrogëtar, rrojtore, rrotullim, rrotulloj, rrotullues, (i, e) rruar, (i, e) rrudhët, rrufepritës, rrugaç, (i, e) rrumbullakët, rrumbullakoj, rrumbullos, rruzullim, sipërmarrje, sharroj, shkarravinë, shndërroj, tjerrës, tkurrje, tmerroj, turravrap, thirrje, thirrore, urrejtje, varreza, varrim, varros, vocërrak etj.
Shënim. Nuk shkruhen me rr fjalët karotë, ngurosem, i ngurtë, racë, radhë, rebel, remtar, resht, (pushoj) dhe formimet prej saj: reshtje, (i, e) pareshtur; regjistër, rënkoj, rol, romak, ryshfet, shter dhe formimet prej saj: shteroj, i pashterrshëm.
NJ-JA NË TRUP E NË FUND TË FJALËS
§ 29

Shkruhen me nj e jo me j:

a) emrat femërorë me nj në trup të fjalës:
banjë, bitonjë, brinjë, finjë, gështenjë, mushkonjë, rrëfenjë, rrënjë, shkronjë, shushunjë, thinja-t, ulkonjë, zonjë etj.;
b) mbiemrat e formuar nga një temë më -nj:
(i, e) florinjtë, (i, e) drunjtë, (i, e) grunjtë, (i, e) penjtë etj.; po kështu (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë;
c) trajtat e shumësit të emrave mashkullorë më zanore të theksuar ose më -ua:
arinj (ari), barinj (bari), batakçinj (batakçi), çiliminj (çilimi), kallajxhinj (kallajxhi), kallinj (kalli), kërcinj (kërci), kushërinj (kushëri), minj (mi), mullinj (mulli), sharrëxhinj (sharrëxhi), turinj (turi), ullinj (ulli), etj.; po kështu shkruhet shumësi i mbiemrave më -i të theksuar: të rinj (i ri) etj.;

budallenj (budalla), maskarenj (maskara) etj.;

heronj (hero) etj.;

drunj (dru), hunj (hu), kërcunj (kërcu) etj.;

dragonj (dragua), ftonj (ftua), përrenj (përrua), thonj (thua) etj.

Me -nj shkruhen edhe trajtat e shumësit të emrave mashkullorë si gjarpinj, gjarpërinj (gjarpër), lëmenj (lëmë), lumenj (lumë), priftërinj (prift), shkëmbinj (shkëmb), thelpinj (thelb) etj.
Shënim. Shkruhen me -j shumësat: kufij (kufi), të këqij, të këqija (i keq, e keqe).
GRUPE BASHKËTINGËLLORESH

MB, ND, NG, NGJ
§ 30

Grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj shkruhen të plota si në fillim, ashtu edhe në trup e në fund të fjalës:


mb: mbaj, mbaroj, mbesë, mbetem, (për)mbi;, mbij, mbjell, mbush, mbyt; dhëmbët, i ëmbël, këmbë, kumbull, thembër; gjemb, humb, krimb, plumb, shkëmb etj.;

nd: ndaj, ndej, nder, ndesh, ndër, ndërmarrje, ndërmjetës, ndërtoj, ndihmoj, ndjek, ndjell, ndodhem, ndrag, ndriçoj, nduk; andej, këndej, këndoj, mandej, mundoj, përmendsh, prandaj, sandall (mjet lundrimi); asgjëkund, askënd, fund, kurrkund, kuvend, mend, mund, përmend, vend etj.;

ng: nga, ngacmoj, ngarkesë, ngarkoj, ngastër, (i, e) ngathët, nge, ngel, ngij, (i, e) ngordhur, ngricë, ngroh, ngryset, ngul, ngushticë, ngut; brengë, këngë, kungull, i mangët, mëngë, i shtangët, shtëllungë, trangull; bung, cung, deng, preng, shmang, trung etj.;

ngj: ngjaj, ngjalë, ngjall, i ngjashëm, ngjesh, ngjit, ngjyej, ngjyrë; engjëll, tungjatjeta, thëngjill, ungjill; qengj, ungj etj.
TAKIME BASHKËTINGËLLORESH

TAKIMI I T-SË ME SH-NË


§ 31

Te mbiemrat e formuar me prapashtesën -shëm dhe te trajtat e dëshirores, kur sh-ja e prapashtesës takohet me -t-në e temës, shkruhen që të dyja këto bashkëtingëllore (pa u asimiluar në ç):


i begatshëm, i çuditshëm, i mërzitshëm, i ndritshëm, i përbotshëm, i përditshëm, i përmotshëm, i përshpirtshëm, i përshtatshëm, i përvitshëm, i sotshëm, i vjetshëm etj.;

arritsha, arritsh, arritshim, arritshi, arritshin; ditsha, fjetsha, futsha, goditsha, gjetsha, këputsha, matsha, mbetsha, mbytsha, ndritsha, ngritsha, ngutsha, pritsha, shëtitsha, tretsha, vërtitsha, vërvitsha etj.; por paça, vajça.
Shënim. Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, shkruhen me ç: i moçëm; fëmija është pesë vjeç, por: para (pas) dhjetë vjetësh.
TAKIMI I G-SË OSE I N-SË ME J-NË
§ 32

Fjalët dhe trajtat e fjalëve me theks në rrokjen e parafundit, tek të cilat takohet g-ja ose n-ja e temës me j-në e prapashtesës a të mbaresës, shkruhen me i dhe jo me j, për të mënjanuar shqiptimin e këtyre dy shkronjave si një tingull i vetëm (gj ose nj):



djegie, lagie, shmangie, shtangie; biologe, biologia, filologe, filologia, gjeologe, gjeologia, kirurge kirurgia, pedagoge, pedagogia, pedologe, pedologia, radiologe, radiologia; (unë) lagia, (ti) lagie; (unë) shmangia, (ti) shmangie etj.;

anie, dhënie, kundërthënie, kundërvënie, lënie, marrëdhënie, ngrënie, paradhënie, parathënie, pasthënie, qenie, rënie, thënie, zënie etj.; dibrania, indiania, italiania, koreania, partizania, shkodrania etj.
TAKIMI I D-SË, S-SË, T-SË OSE I Z-SË ME H-NË
§ 33

Fjalët e prejardhura ose të përbëra, tek të cilat takohet d-ja, s-ja, t-ja, ose z-ja me një h që vjen pas tyre, shkruhen pa ndonjë shenjë ndarëse midis pjesëve përbërëse (por ruhet shqiptimi i veçuar i shkronjave të mësipërme):


i herëpashershëm, meshollë, moshapje, moshyrje; shtathedhur; brezhumbur, gazhedhëse etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm ku ka takime të tilla: Bethoven, Ethem, Mithat etj.
TAKIMI I D-SË ME T-NË
§ 34

Kur në formim fjalësh ose trajtash takohet një d me një t, shkruhen të dyja këto bashkëtingëllore:


(i, e) argjentë, (i, e) njëmendtë, (i, e) njëqindtë, (i, e) pesëqindtë, i treqindti etj.;

mendtë; ai po e bindte; në e bindtë; po endte; në u gjendtë; lindte; në lindtë djalë; nuk mundte; në mundtë; rendte; në rendtë; shkundte; në shkundtë; tundte; në tundtë etj.
TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA
§ 35

Kur në formim fjalësh a trajtash takohen dy shkronja të njëjta, njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë në një dyshkronjësh, ato të dyja:


kënddrejtë, nënndarje, kundërrevolucionar, kundërreformë, mossulmim, zëvendëssekretar; në arrittë; në mos e godittë; e gjettë e mira; në u mbyttë; ndrittë; në më prittë; në pyettë; në u trettë etj.;

i kujdesshëm, passhkrim, i pjesshëm, leshhollë, shpeshherë, mishshitës, veshshkurtër etj.
Shënim 1. Kur takohen shkronjat r me rr dhe l ose ll me ll shkruhet vetëm rr ose ll: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj.
Shënim 2. Lidhëza pasi (mbasi), e formuar nga pas+si (mbas+si), shkruhet me një s.
Shënim 3. Trajta e vetës së tretë njëjës e së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve me temë më -t, në përputhje me shqiptimin e sotëm letrar shkruhet me -st dhe jo me -tt: (do të) fliste, (do të) godiste, (do të) maste, (do të) ngjiste, (do të) nuhaste, (do të) paraqiste, (do të) përshtaste, (do të) priste, (do të) shëtiste, (do të) vriste, (do të) zbriste, (do të) zbuste, (do të) zgjaste etj.
III. DISA TIPA FJALËSH ME PREJARDHJE TË HUAJ DHE EMRASH TË PËRVEÇËM TË HUAJ
§ 36

Fjalët me prejardhje të huaj që kanë hyrë në gjuhën tonë kryesisht pas Shpalljes së Pavarësisë, në përgjithësi nëpërmjet gjuhës së shkruar, dhe që i takojnë sidomos terminologjisë tekniko-shkencore, shkruhen kështu:


a) Fjalët që kanë -ia-, -ie-, -io-, -iu-, me i të patheksuar në trup të tyre, shkruhen me -ia-, -ie-, -io-, -iu- dhe jo me -ja-, -je-, -jo-, -ju-:
-ia-: amiant, australian, austriak, aviator, aziatik, ballkaniadë, bolivian, brazilian, diabet, diagnozë, diagonale, diagramë, dialekt, dialektik, dialog, diamant, diametër, diapazon, diapozitiv, diare, diatezë, dhiatë, elegjiak, financiar, fiziatër, gjenial, gjeorgjian, imperialist, indonezian, industrial, iranian, italian, (kalendari) gregorian, (kalendari) julian, kambial, kardiak, kolonial, kolonializëm, material, materializëm, miliard, olimpiadë, pediatër, piano, pianist, psikiatër, racial, special, specialist, variant etj.;

-ie-: ambicie, arie, bankier, dietë, hierarki, hieroglif, higjienë, kantier, karrierë, karrocier, magazinier, malarie, materie, minierë, mumie, pionier, portier, tastierë, variete etj.;

-io-: agresion, agjitacion, aksiomë, aksion, aluzion, ambicioz, antibiotik, aviacion, bakteriolog, batalion, bibliotekë, bilion, biografi, biologji, delegacion, dioqezë, disertacion, dispozicion, diversion, ekspresionizëm, fiziologji, fizionomi, funksion, idiomë, idiot, iluzion, impresionizëm, injeksion, kamion, kinostudio, koleksion, komision, komunikacion, koncesion, legjion, leksion, lokucion, milion, miop, mision, nacionalizëm, nacion, racionalizim, radio, reaksion, reaksionar, recension, revolucion, sanksion, seksion, sesion, simiozë, stacion, studio, televizion, version, violinë etj.;

-iu-: akuarium, barium, helium, herbarium, iridium, kalcium, kalium, po kështu kolokium; koniukturë, magnezium, moratorium, natrium, silicium, simpozium, stadium etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të huaj të tipave të mëposhtëm:

Diana, Iliada, Miltiadi, Oktaviani, Santiago; Danieli, Lavuazie, Molieri, Robespieri, Sevilie; Berliozi, Diogjeni, Diokleciani, Etiopia, Hesiodi, Niobe, Tokio, Violeta etj.
Shënim. Shkruhen me -ja-, -je-, -jo-, -ju-, fjalë si: hajvar, plejadë; adjektiv, bjellogardist, konvejer, medalje, objekt, objektiv, objektivizëm, projekt, sovjet, sovjetik, subjekt, subjektiv, subjektivizëm, trajektore, vjenez; bajonetë, fjord, major, rajon, pavijon; adjudikatë, adjutant etj.
b) Fjalët dhe emrat e përveçëm që nisin me togjet e mësipërme, shkruhen me ja-, je-, jo-, ju-:
jafetik, jaht, jamb, janki, japigët, jard; jeniçer, jezuit; jod, jon, jonizim; jug, juri, juridik, jurisprudencë, jurist, justifikim etj.;

Jakutia, Jalta, Jasoni; Jemen, Jenisei, Jeronim, Jerusalem; Jokasta, Jokohama, (deti) Jon, Jordan; Jupiteri, Justiniani, Juvenali etj.
c) Fjalët dhe emrat e përveçëm me aj, ej, oj, uj shkruhen me j kur këto grupe janë në trup të tyre, por me i kur grupet në fjalë janë fundore:
lajtmotiv, kombajnë, kombajner; fejton, konvejer, trolejbus, volejboll; bojkotoj, trojka etj.;

Azerbajxhan, Bajkal, Bajron, Hajnan, Hajne, Kajro, Lajpcig, Majer, Malajzia, Sajgon, Tajlandë, Tajvan, Versajë, Xhamajka; Bejrut, Cejlon, Marsejë, Rejkjavik, Rio-de-Zhanejro; Llojd, Rojter, Troja; Kujbishev etj.;

Havai, Kolontai, Mamai, Paraguai, Shangai, Uruguai; Bombei, Broduei, Faradei, Jenisei, Koçubei, Sergei, Sidnei; Hanoi, Koshevoi, Sedoi, Tolstoi etj.; por tramvaj, hokej, koktej, kauboj.
ç) Fjalët dhe emrat e përveçëm me burim prej greqishtes së vjetër, që në këtë gjuhë kanë y (ipsilon), shkruhen me i:
amidon, analizë, anonim, antonim, antroponim, asintetik, bariton, brakicefal, cinik, daktilografist, dinamo, dinasti, distik, distrofi, dizenteri, dolikocefal, ekinokok, elektrolizë, etimologji, faring, filogjenezë, fizikë, fiziologji, fizionomi, fiziatër, glicerinë, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, hidrocentral, hidrogjen, himn, hiperbolë, hipertension, hipnotizim, hipokrit, hipotekë, hipotenuzë, homonim, idil, katalizator, klorofil, kriptogram, kristal, ksilofon, laring, limfë, linotip, martir, metonimi, mister, mistik, mit, mitologji, mizantrop, nimfë, oksigjen, olimpiadë, pirik, pirografi, poligjenezë, politeknik, psikiatri, psikik, psikolog, ritëm, silogjizëm, simbioz, simbol, simfoni, simetri, simpati, simptomë, sinagogë, sinekdokë, sinkroni, sinonim, sinoptik, sintagmë, sintaksë, sintezë, skit, stilistikë, stilograf, tip, tipografi, tiran etj.
Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të kësaj kategorie, si edhe fjalët e formuara prej tyre: Asiri-a, Bizanti, Egjipti, Frigji-a, Kiri, Libi-a, Mikenë-a, Olimp-i, Polib-i, Polinezi-a, Siri-a, Skiti-a; asirina, bizantin, egjiptian, frigas, libian etj.
d) Fjalët dhe emrat e përveçëm, kryesisht me burim grek, latin a iliro-trak me au, eu shkruhen edhe në shqipen me au, eu:
audiencë, auditor, autarki, autentik, autobus, autokrat, autokton, automat, automobil, autonomi, autopsi, (kisha) autoqefale, autor, autoritet, autorizim, autostradë, kozmonaut, maurët, mauzole, tautologji etj.; eufemizëm, eufoni, eufori, eukalipt, eunuk, euritmi, leucemi, leukocite, neurolog, neurologji, neuromë, neuron, neutral, neutron, pleur-a, pleurit, pseudonim, reumatizëm etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të tipave të mëposhtëm:



Audata, August-i, Aurora, Australi-a, Centaur-i, Glauk-u, Kaukaz-i, Mauritani-a, etj.; Euripidi, Eube-ja, Euklid-i, Pleurat-i, Teuta etj.
Shënim. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me v: Evropë, evropian, nevralgji, nevralgjik, nevrasteni, nevrastenik, nevrik.
dh) Fjalët dhe emrat e përveçëm të brumit latin-roman me kua, kue, kui, kuo shkruhen me tog zanor (ua, ue, ui, uo):
akuarel, ekuacion, ekuator, kuadër, kuadrat, kuadraturë, kualifikim, kualifikoj, (teoria e) kuanteve, kuarc, kuartet, (epoka) kuaternare etj.;

kuestor, kuesturë, sekuestrim, sekuestroj etj.; lokuium, kuintal, kuitancë, kuintesencë, kuintet, Kuintiliani, rekuiem etj.

kuorum, kuotë, kuotizacion etj.
e) Fjalët e huaja me -oo- shkruhen me -oo- edhe në shqipen:
alkool, kooperativë, kooptoj, koordinatë, zoogjeografi, zoolog, zoomorfizëm, zoopatologji, zooteknik etj.
ë) Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja a nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me e dhe jo me ç a me s:
acetik, acetilen, celebrim, celebroj, celofan, celsius, celulë, celulozë, censurë, centilitër, centimetër, central, centralist, centralizoj, centurion, cerebral, ceremoni, certifikatë, cezurë, docent, dolikocefal, kancelar, koncept, koncert, koncesion, leucemi, lice, procedoj, procedurë, proces, tercet etj.;

agjenci, agjitacion, cikël, ciklamin, ciklik, ciklon, ciklostil, cilindër, cilindrik, cinik, cinizëm, cinkograf, cinkografi, cirilik, cirk, cisternë, citat, citoj, citrat, civil, deficit, delegacion, elektricist, garanci, incizoj, klasicist, klasicizëm, konciz, laicizëm, nacional, provinicial, publicist, publicistikë, racion, recension, revolucion, social, socialist, special, specialist, stoicizëm, suficit, terocien, terciar etj. Po kështu shkruhet bilanc-i (dhe jo bilanç-i).

Në pajtim me këtë rregull edhe emrat e përveçëm të kësaj kategorie shkruhen me c:



Barcelona, Centauri, Cerberi, Cezari, Cikladet, Ciklopi, Cincinati, Horaci, Lukreci, Marciali, Mecena, Sicilia (po kështu sicilian) etj.
Shënim 1. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me ç: biçikletë, çiklist, çiklizëm, çimento, motoçikletë.
Shënim 2. Shkruhen me s fjalët: dispensë, mensë.
Shënim 3. Shkruhen me k fjalët: keltët, keltishtja, kibernetikë, kimograf, kinema, makinë, makineri, makinist dhe me q fjalët: autoqfal, dioqezë, Maqedoni-a, maqedonas, qeramikë.
f) Shkruhen me d, t e jo me dh, th fjalët ndërkombëtare me burim nga greqishtja e vjetër si:
anhidrik, anodë, daktilik, dekagram, dekametër, deltë, demografi, demokraci, demon, despot (sundimtar absolut), despotik, diademë, diafragmë, diagnozë, diagonale, dialekt, dialektikë, dialog, diamant, diametër, diatezë, didaktik, didaskalik, diplomaci, diplomat, diplomë, disk, hidrogjen, katodë, metodë, olimpiadë, ortopedi, pedagog, pedagogji etj.;

antipati, antologji, antropolog, apati, apoteozë, aritmetikë, aritmi, artrit, ateist, ateizëm, atlet, atletikë, ditiramb, entuziazëm, epitet, estetikë, eter, etnografi, etnos, hipotekë, hipotenuzë, hipotezë, kartotekë, liturgji, maratonë, metil, paleontologji, patolog, patos, politeizëm, ritëm, simpati, sintezë, telepati, temë, teologji, teoremë, teori, terapi, termik, termodinamikë, termometër, termos etj.

Shkruhen me d, t edhe emrat e përveçëm grekë e romakë të tipave të mëposhtëm:



Adonis, Afërdita, Alkibiadi, Dedali, Delfi, Demetra, Demokriti, Demosteni, Diodori, Diogjeni, Diomedi, Dioskurët, Dodona, Driadat, Edesa, Epaminonda, Fedra, Heliodri, Herodoti, Hesiodi, Hidra, Iliada, Gadishulli Kalkidik, Kolkida, Leonida, Medeja, Miltiadi, Odiseu, Pelidi, Pindari, Simonidi, Teodoriku etj.;

Atena, Etiopia, Itaka, Jugurta, Kartagjena, Korinti, Maratona, Metodi, Mitridati, Prometeu, Skitia, Teba, Teodosi, Teokriti, Termopilet, Tesalia, Tesprotia, tesprotët, Teti, Tezeu, Trakia, Zakinti etj.
Shënim. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me dh, th (dhe jo me d, t) fjalët dhe emrat e përveçëm që janë kryesisht të përdorimit popullor: dhaskal, dhespot (titull fetar), dhiqel, dhisk (=tabaka), dhjak, idhull, llambadhë; themel, thimjam etj.; Alqiviadh, Dhimitër, Dhimosten; Athina, Athinë, Kleanth, Thanas, Themistokli, Theodor, Theohar etj.
g) Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët që burojnë kryesisht nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane dhe që në shqipen e kanë një gj të ndjekur nga një e ose i, shkruhen me gj e jo me g:
agjenci, agjent, agjitacion, agjitator, angjinare, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, egjidë, elegji, embriologji, energjetikë, energjik, farmakologji, filologji, fiziologji, gjenealogji, gjeneral, gjenerator, gjenetik, gjenezë, gjeni, gjeometri, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, gjips, hegjemoni, hemorragji, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, ideologji, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, metodologji, mitologji, oksigjen, orgji, patologji, pedagogji, psikologji, regjent, regjim, regjistër, sugjestion, trilogji etj.

Me gj shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtyre tipave: Augjias, Egjeu, Egjina, Egjipti, Egjisti, Eugjen, Gjeorgjia, Ifigjenia, Virgjili etj.

Po me gj shkruhen edhe fjalët e emrat e përveçëm nga burime të tjera, të cilat janë të tipave fonetikë të mëposhtëm, si algjebër, algjebrik, gjiboni, gjirafë etj.; Algjer-i, Belgjikë, Gjermani-a, Gjenevë, Gjenovë, Gjibraltar-i etj.
Shënim. Shkruhen me xh dhe jo me gj fjalët: inxhinier, xhandar, xhandarmëri, xhenier, xhenio, xhirim, xhiro, xhiroj, inxhinieri, xhirues, si dhe fjalët xhaketë, xhelatinë, xhol.
gj) Shkruhen me j dhe jo me zh ose xh fjalët:
adjutant, juri, juridik, jurist, jurisprudencë, projekt, projektim, projektoj, projektor (aparat), projektligj, projektplan.

Por shkruhen me zh fjalët që janë marrë drejtpërdrejt nga frëngjishtja:

grupazh, shantazh, zhargon, zhongler, zhul (term i fizikës), zhupon etj.
h) Shkruhen me gn fjalët: agnosticizëm, gneis, gnom, gnoseologji, gnostik, inkognito, magnat, magnet, magnetik-e, magnetizëm, magnetizoj, magnetofon, magnez, dhe me nj fjalët: dinjitet, injorancë, injorant, linjit, manoljie etj.
i) Shkruhen me h- fjalët që në greqishten e vjetër fillonin me zanore të aspiruar dhe në latinishten me h-:
halucionacion, harmoni, harmonikë, harmonizoj, harpë, hebraik, hedonizëm, hegjemoni, hekatombë, hektolitër, hekzaklorant, hekzametër, helenist, helikë, helikopter, heliocentrik, helioterapi, helotët, hematit, hemisferë, hemofili, hemoglobinë, herbarium, herbicidet, heretik, hermetik, hero, heterogjen, hibrid, hidraulik, hidrocentral, hidrogjen, hierarki, hieroglif, hieromonak, higrometër, higjienë, himn, hiperbolë, hipertension, hipizëm, hipnozë, hipodrom, hipokrit, hipotekë, hipotenuzë, hipotezë, histeri, histologji, histori, homogjen, homonimi, horizont, horizontal, hormon, humanizëm, humus etj.; po kështu: inhalacion, inherent, koherent, kohezion, rehabilitoj etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtyre tipave, si edhe emrat e tjerë të përveçëm që janë fonetikisht të ngjashëm me ta:



Halikarnasi, Hamilkari, Hanibali, Hasdrubali, Hefesti, Hektori, Hekuba, Helespont-i, Helena, Heliodori, Hera, Herakliu, Herkuli, Hermiona, Hermogjeni, Herodi, Herodoti, Hesiku, Hesiodi, Hidra, Hiparku, Hiperioni, Hipia, Hipokrati, Hipoliti, Homeri, Honori, Horaci etj.

Habarovsk, Hagë, Hamburg, Hanoi, Hanover, Hanxhou, Harkov, Havai, Havanë, Helsinki, Himalaja, Holandë, Honduras, Hungari etj.
j) Shkruhen me k fjalët e terminologjisë tekniko-shkencore ndërkombëtare që e kanë burimin te greqishtja e vjetër dhe që përmbajnë tema, të cilat në këtë gjuhë kanë pasur një (h):
anakronik, anakronizëm, anarki, anarkik, anarkist, arkaik, arkaizëm, arkeolog, arkeologji, arkimandrit, arkipelag, arkitekt, arkitekturë, arkiv, arkivol, brakicefal, brakiopodët, ekinokok, iktiolog, hipokondri, kalkopirit, kameleon, kaos, kaotik, karakter, karakteristik, kilogram, kilometër, kimerik, kimi, kirurg, klor, kloroform, koreografi, krestomaci, krizantemë, krom, kronik, kronikë, kronometër, monark, monarki, oligarki, orkestër, pakidermë, psikiatër, psikik, psikologji, psikozë, teknikë, teknologji, tektonik, trokaik etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: Akili, Aristarku, Arkiloku, Arkimedi, Baku (=Dionizi), Eskili, Kaonia, Karonti, Kerson, Kimera, Kios, Kolkida, Kriseida, Krisi, Krisipi, Krisobuli, Kronosi, Plutarku, Telemaku etj.
k) Fjalët e huaja që në gjuhën shqipe kanë një -ks- të ndjekur nga një -io-, në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, shkruhen me ks dhe jo me kc:
abstraksion, aksiomë, aksion, deduksion, diksion, fraksion, fraksionist, funksion, funksionar, funksionoj, induksion, infeksion, injeksion, juridiksion, leksion, reaksion, sanksion, seleksion, seleksionoj etj.
l) Shkruhen me ks fjalët e burimit grek a latin që përmbajnë elementin eks të ndjekur nga një bashkëtingëllore, dhe me kz fjalët e po këtij burimi që përmbajnë elementin eks të ndjekur nga një zanore ose temat ekzo a hekza:
ekscentrik, ekskavator, ekskluziv, ekskursion, ekspansion, ekspeditë, eksperiment, ekspertizë, eksplorator, eksploroj, eksponent, eksport, ekspozitë, ekspres, ekspresionizëm, ekspresiv, ekstazë, eksterritorialitet, ekstravagant etj.;

ekzakt, ekzaltoj, ekzaminim, ekzaminoj, (tifo) ekzantematike, ekzekutim, ekzekutiv, ekzekutoj, ekzemë, ekzistencë, ekzistencializëm etj.

ekzocentrik, ekzodermë, ekzogami, ekzogjen, ekzotik etj.;

hekzametër, hekzaklorant etj.
ll) Fjalët e huaja që burojnë nga greqishtja e vjetër, nga latinishtja ose nga gjuhët romane dhe që në këto gjuhë kanë një l të thjeshtë ose dyfishe, shkruhen me l dhe jo me ll:
alfa, algoritëm, ambulancë, ambulant, anakolutë, analogji, antologji, arkipelag, atlas, balonë, balsam, bilanc, biolog, bulon, deklaratë, dialog, diplomaci, diplomat, diplomë, duel, etimologji, fals, falsifikim, filokserë, filologji, filoshqiptar, fiziologji, flotë, galaktikë, gjenealogji, gjeolog, gjeologji, halogjen, halucinacion, hemoglobinë, holandez, hotel, ideolog, ideologji, ilustrim, iluzion, kilogram, klasë, klasik, kolonë, koloni, kolonial, kolonjë, kolos, kolosal, komplot, komplotoj, konsultë, leksikologji, logaritëm, logjikë, lokomotivë, lord, lotari, luks, lustër, lustroj, metalurgji, mitologji, monolog, nekrologji, neologjizëm, patolog, pilot, plagjiat, plan, planet, planifikim, plastik, platin, psalm, psalt, psikolog, rezultat, sandale, silogjizëm, skolastikë, sociologji, spekuloj, tabelë, tablo, tautologji, teologji, terminologji, vulgar, vulgarizim, zoologji etj.

Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi:



Apolon-i, Apoloni-a, Atlantida, Atlantiku, Babiloni-a, Galatea, Lukian-i, Pelagonia, Peloponezi, Penelopa, Platoni, Plutoni, Salusti, Scila etj.
Shënim 1. Në pajtim me shqiptimin popullor të ngulitur prej kohësh, shkruhen me ll fjalët:

apostull, atllas (lloj pëlhure), ballkanik, ballkan, ballkon, bllok, bllokadë, bllokoj, bullgar, busull, çokollatë, dishepull, galloshe, gorillë, gumallak, idhull, kabllo, kabllogram, karamanjollë, kapitull, kapitullim, kapitulloj, konsull, konsullatë, kontroll, kontrolloj, kontrollor, llogari, llogaritar, nitrollak, orakull, pallto, pllakat, protokoll, sallam, sellë, sallon, vullkan, vullkanik, vullkanizim etj.
Shënim 2. Ndër fjalët me burim nga anglishtja shkruhen me l: gol, golf, kloun, klub, etj. dhe me ll: basketboll, futboll, hendboll, penallti, volejboll etj.
Shënim 3. Ndër fjalët e reja të burimit sllav shkruhen me l: bolshevik, kolkoz, komsomolas, polak, polka, etj. dhe me ll: bjellorus, sllav, sllovak, slloven etj.; po kështu Bjellorusi.
m) Fjalët e huaja që janë marrë kryesisht nga gjuhët romane dhe që në këto gjuhë kanë rr, shkruhen me rr dhe jo me r:
arrestim, arrestoj, arrivist, arrogancë, barrikadë, hemorragji, irracional, karrierë, karrierist, katarr, korrekt, korrekturë, korrelacion, korrespondencë, korridor, korrigjoj, serrë, surrealizëm, surrogat, tarracë, territor, terror, terrorist etj.
n) Fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër, nga latinishtja a nga gjuhët romane ose që janë formuar në shqipen me elemente të këtyre gjuhëve, tek të cilat ato kanë një s ndërzanore, shkruhen me z:
afazi, aferezë, analizë, apoteozë, artizanat, aziatik, azil, bazë, bazilikë, bizon, cezurë, dezertim, dezertoj, dezinfektim, dezinfektoj, diagnozë, diatezë, dierezë, dinozaur, dioqezë, divizion, dizenteri, dozë, entuziazëm, ezofag, fazë, fibrozë, filozof, filozofi, fizikan, fizikë, fiziologji, fizionomi, fizioterapi (po kështu edhe fizkulturë e fizkulturist), fiziatër, frazeologji, gjenezë, herezi, hidrolizë, hipnozë, hipokrizi, hipostazë, hipotenuzë, hipotezë, izoglosë, izolacionizëm, izolant, izomorf, izotermik, izotop, kazermë, kazino, kazuistikë, klauzolë, krizantemë, krizë, laktozë, metamorfozë, metastazë, metatezë, mezolit, mizantrop, mozaik, muzë, muzikë, muzikor, narkozë, osmozë, parazit, poezi, pozë, pozicion, pozitë, pozitiv, prognozë, protezë, prozë, prozodi, psikozë, rezervë, rezolutë, rezultat, sintezë, teozofi, tezë, trombozë, uzinë, uzurpator, uzurpoj, vazelinë, vizitë, vizitoj etj.

Me z shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi:



Azia, Belizari, Brazili, Dionizi, Elizi, Elizabeta, Ezopi, Izokrati, Kazablanka, Lozana, Piza, Polinezia, Raguza, Sirakuza, Tezeu, Tuniz, Tunizia, Venezuela etj.
Shënim. Shkruhen me s fjalët: president, presidium, dhe emrat e përveçëm: Efesi, Hesiodi, Hesiku, Isaia, Isidori, Isis, Kresi, Lisia, Lisimaku, Lisistrata, Mesopotamia, Moisiu, Nausika, Osiris, Pisistrati, Poseidoni, Teodosi, Trasibuli, Trasimeni etj.
nj) Shkruhen me -z- në të gjitha trajtat e tyre fjalët me -izëm e -azëm:
abstraksionizëm, abstraksionizmi; arkaizëm, arkaizmi; ateizëm, ateizmi; bektashizëm, bektashizmi; burokratizëm, burokratizmi; centralizëm, centralizmi; djathtizëm, djathtizmi; dualizëm, dualizmi; feudalizëm, feudalizmi; globalizëm, globalizmi; historizëm, historizmi; iluminizëm, iluminizmi; klasicizëm, klasicizmi; komunizëm, komunizmi; leninizëm, leninizmi; majtizëm, majtizmi; marksizëm, marksizmi; optimizëm, optimizmi; prizëm, prizmi; realizëm, realizmi; revizionizëm, revizionizmi; romantizëm, romantizmi; silogjizëm, silogjizmi; socializëm, socializmi; shkollarizëm, shkollarizmi; shovinizëm, shovinizmi; zyrtarizëm, zyrtarizmi etj.;

entuziazëm, entuziazmi; pleonazëm, pleonazmi; sarkazëm, sarkazmi etj.
o) Shkruhen me -zm- dhe jo me -sm- fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër ose që janë ndërtuar me elemente të kësaj gjuhe:
fantazmë, kozmetik, kozmik, kozmodrom, kozmogoni, kozmografi, kozmonaut, kozmopolit, kozmos, plazmë, protoplazmë, sizmik, sizmograf etj.
p) Shkruhen me -z- fjalët e huaja të formuara me parashtesën dez- (des-) kur s-ja e parashtesën gjendet në pozicion ndërzanor:
dezinfektoj, dezinfektim, dezintegroj, dezintegrim etj.
q) Fjalët me parashtesën dis- përpara një bashkëtingëlloreje dhe ato me parashtesën trans- e ruajnë gjithmonë s-në e parashtesës në shkrim:
disharmoni, diskreditoj, diskriminim, disnivel, dispeçer, disponoj, dispozitë etj.; transaksion, transatlantik, transfuzion, transistor, transit, transliterim, transmetim, transoqeanik, transport etj.
r) Shkruhen me s fjalët e huaja që në gjuhët e burimit ka -ss-:
asimilim, disertacion, glosar, kolos, kolosal, mision, pesimist, regjisor etj.;

Abisinia, Asiria, Mesina, Odesa, Tesalia, etj.; po kështu mesapët, molosët etj.
rr) Shkruhen me -s- dhe jo me -z- fjalët e huaja të formuara me anën e parashtesës a- prej fjalësh me s nistore:
aseptik, asimetri, asimetrik, asimptotë, asizmik, asocial etj.
§ 37

Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Me përjashtim të rr-së, bashkëtingëlloret dyfishe të këtyre emrave nuk ruhen në gjuhën shqipe*.

Kështu shkruhen:



Aligieri, Atila, Bajron, Bethoven, Bop, Brams, Çehov, Dostojevski, Dvorzhak, Dyma, Eminesku, Fadejev, Gëte, Gorki, Hajne, Hygo, Kamoensi, Karaxhale, Karduçi, Kozhbuk, Kujbishev, Lu Sin, Manxoni, Mickieviç, Monteskjë, Moxart, Myse, Pestaloci, Petëfi, Rabindranat Tagore, Rasin, Saltikov-Shedrin, Sun Jat Sen, Shekspir, Sheli, Shiler, Shopen, Shtajnbek, Tomas Man, Turgeniev, Vagner, Vilhelm Tel, Volter, Xherzhinski, Zhan-Zhak Ruso, etj.; Amazona, Azerbajxhan, Bejrut, Bohemi, Bolonjë, Bombei, Bon, Bordo, Budapest, Bukuresht, Delhi, Dresden, Filipinet, Hagë, Hartun, Havai, Havanë, Helsinki, Jenisei, Johanesburg, Kajro, Kalkuta, Kaukaz, Këln, Kopenhagë, Krakov, Lajpcig, Leningrad, Lihtenshtajn, Liverpul, Lozanë, Luarë, Majakovski, Majer, Mançester, Melburn, Misisipi, Napoli, Neva, Niagara, Nju-Jork, Odesa, Onega, Oslo, Otava, Pragë, Rio-de-Zhanejro, Sahalin, Senë, Sidnei, Sofje, Stockholm, Suez, Tajlandë, Tula, Tunizi, Uashington, Valencia, Varshavë, Vyrtemberg, Xhamajka etj.;

Arras, Andorra, Kamberra, Sierra-Leone etj.
*) Në shfaqjen e parë të një emri të kësaj kategorie mund të shënohet në kllapa edhe shkrimi i tij sipas grafisë së gjuhës nga buron.
Shënim 1. Emrat e përveçëm të gjuhëve sllave, pavarësisht nga mënyra e shqiptimit të l-së në këto gjuhë, shkruhen përgjithësisht me l:

Arhangelsk, Bajkal, Bjalistok; Blagojev, Bratislava, Dobrolubov, Glinka, Gogol, Jalta, Kaluga, Ladoga, Lermontov, Lobaçevski, Lomonosov, Lodz, Lublin, Ludmila, Lugansk, Lunaçarski, Milan, Milorad, Milosh, Mladenov, Oblomov, Pavlov, Poloni, Ruslan, Sverdlov, Tula, Ural, Vladimir, Vladivostok, Volodarski, Volodja, Vroclav etj.
Shënim 2. Emrat e përveçëm me -ij të burimit rus shkruhen me -i:

Belinski, Çajkovski, Dostojevski, Gorki, Musorgski, Stanislavski etj.
Shënim 3. Disa emra të përveçëm me prejardhje të huaj shkruhen sipas traditës së ngulitur prej kohësh në gjuhën shqipe:

Bruksel, Kazan, Korfuz, Moskë, Orel, Paris, Selanik, Stamboll, Suedi, Vjenë, Zvicër etj.*

*) Për shkrimin e kategorive të veçanta të emrave të përveçëm me prejardhje të huaj, shih pikat përkatëse të § 36 të këtij kapitulli.



IV. ÇËSHTJE GRAMATIKORE
1. DISA TRAJTA TË SHUMËSIT TË EMRAVE DHE TË MBIEMRAVE
1   2   3   4   5   6   7


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©atelim.com 2016
rəhbərliyinə müraciət